Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një jetë e kënaqshme pavarësisht nga brengat

Një jetë e kënaqshme pavarësisht nga brengat

Jetëshkrim

Një jetë e kënaqshme pavarësisht nga brengat

TREGUAR NGA ODRI HAJDI

Kur kujtoj 63 vjetët në shërbimin e plotkohor, nga të cilat 59 i kam kaluar në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, mund të them që kam kaluar një jetë të kënaqshme. Megjithëse duhet ta pranoj që ishte e tmerrshme të shikoja burrin e parë që vdiste ngadalë nga kanceri dhe të dytin ndërsa vuante nga pasojat e tmerrshme të sëmundjes së Alcajmerit. Por më mirë më lejoni t’ju tregoj se si e kam ruajtur gëzimin, pavarësisht nga këto fatkeqësi.

FËMIJËRINË e kalova në një fermë afër qytetit të vogël të Hakstunit që ndodhet në rrafshinat verilindore të Kolorados, afër kufirit me Nebraskën. Nga gjashtë fëmijët e Orëll dhe Nina Mokit, unë isha fëmija i pestë. Rasëlli, Uejni, Klara dhe Ardisi lindën njëri pas tjetrit gjatë viteve 1913 dhe 1920. Ndërsa unë linda një vit më pas. Kërtis lindi në vitin 1925.

Në vitin 1913, mamaja u bë një Studente e Biblës, siç quheshin Dëshmitarët e Jehovait në atë kohë. Me kalimin e kohës u bëmë edhe ne.

Një jetë e shëndetshme në fermë

Babai ishte shumë përparimtar. Në të gjitha ndërtesat në fermë kishim drita elektrike gjë që në ato ditë nuk ndodhte shpesh. Nuk na mungonin as prodhimet e zakonshme që merrnim nga ferma, nga pulat dhe lopët që i rrisnim vetë, si për shembull, vezë, qumësht, ajkë e gjalpë. Për të punuar tokën, përdornim kuajt dhe, përveç grurit dhe misrit, mbillnim edhe luleshtrydhe e patate.

Babai mendonte se të gjithë ne fëmijët duhet të mësonim të punonim. Madje para se të hyja në shkollë, mësova të punoja në arë. Më kujtohen ditët e verës nën diellin e nxehtë kur prashitnim rreshtat e gjatë në kopsht. Pyesja veten: ‘Do ta mbaroj ndonjëherë?’ Djersa më shkiste në trup dhe bletët më pickonin. Ndonjëherë më vinte keq për veten, kur mendoja që fëmijëve të tjerë nuk u duhej të punonin aq shumë sa ne. Megjithatë, kur sjell ndër mend fëmijërinë, i falënderoj prindërit që më mësuan të punoja.

Secili nga fëmijët kishte detyrat e tij. Ardisi mund t’i milte lopët më mirë se unë, kështu që puna ime ishte të pastroja vendin e çdo kali në stallë duke nxjerrë plehun me lopatë. Por edhe argëtoheshim e luanim shumë. Ardisi dhe unë luanim me top me një skuadër të vendit.

Qielli me yje dukej kaq bukur në lëndinë! Gjithë ato mijëra yje më kujtonin Krijuesin, Perëndinë Jehova. Edhe kur isha fëmijë, mendoja për Psalmin 147:4 ku thuhet se Jehovai: «Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.» Gjatë shumicës së këtyre netëve të kthjellëta, Xhaxh, qeni ynë, vendoste kokën mbi prehrin tim dhe më bënte shoqëri. Shpesh pasditeve ulesha në verandë dhe kundroja grurin ende të papjekur në fusha që, ndërsa e valëviste era, dukej si argjend që shkëlqente nën dritën e diellit.

Shembulli i mirë i mamasë

Mamaja ishte një grua shumë e përkushtuar. Babai ishte gjithmonë kreu i familjes dhe mamaja na mësonte ta respektonim. Në vitin 1939 edhe ai u bë Dëshmitar i Jehovait. Ne e dinim që babai na donte, edhe pse na jepte shumë punë e nuk na llastonte. Shpesh në dimër mbrehte dy kuaj që tërhiqnin slitën dhe na bënte xhiro. Sa na pëlqente shkëlqimi i borës!

Në të vërtetë ishte mamaja ajo që na mësoi ta donim Perëndinë dhe ta respektonim Biblën. Mësuam se emri i Perëndisë është Jehova dhe se ai është Burimi i jetës. (Psalmi 36:9; 83:18 BR) Mësuam gjithashtu që na ka dhënë udhëzime jo për të na privuar nga kënaqësitë, por për të nxjerrë dobi prej tyre. (Isaia 48:17) Mamaja shpesh na kujtonte që kemi një detyrë të veçantë. Mësuam që Jezui u tha ithtarëve të tij: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»​—Mateu 24:14.

Sa herë kthehesha nga shkolla dhe nuk e gjeja mamanë në shtëpi, shkoja për ta kërkuar. Një herë, mbaj mend se isha gjashtë apo shtatë vjeçe kur e gjeta në plevicë. Kur ishim aty, filloi një shi i rrëmbyeshëm. Po qëndronim në plevicën me bar kur e pyeta nëse Perëndia do të sillte ndonjë Përmbytje tjetër. Ajo më siguroi se Perëndia kishte premtuar që nuk do ta shkatërronte më Tokën me një Përmbytje. Uraganet nuk ishin të pazakontë dhe mbaj mend që shumë herë vrapoja për në bodrum.

Mamaja kishte filluar të dilte në shërbim përpara se të lindja unë. Në shtëpinë tonë mblidhej një grup që kishte shpresën për të shkuar me Krishtin në qiell. Megjithëse për mamanë ishte shumë e vështirë të predikonte nga shtëpia në shtëpi, dashuria për Perëndinë e bënte ta mposhtte frikën. Qëndroi besnike derisa vdiq në 24 nëntor të vitit 1969, në moshën 84-vjeçare. «Mama, ti do të shkosh në qiell dhe atje do të jesh me ata që i njeh»,​—i pëshpërita në vesh. Ajo me butësi më tha: «Je kaq e mirë me mua.» Çfarë gëzimi që isha pranë saj në ato çaste para se të vdiste dhe që i tregova që nuk dyshoja për shpresën e saj qiellore!

Filluam predikimin

Në vitin 1939, Rasëlli u bë pionier, siç e quajnë Dëshmitarët e Jehovait një ungjillëzues në kohë të plotë. Shërbeu si pionier në Oklahoma dhe në Nebraska deri në vitin 1944, para se ta thërritnin për të shërbyer në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait (që quhet Bethel) në Bruklin, Nju-Jork. Ndërsa unë fillova shërbimin si pioniere në 20 shtator të vitit 1941 dhe predikova në vende të ndryshme në Kolorado, Kansas dhe në Nebraskë. Ato vite që shërbeva si pioniere ishin vite të lumtura jo vetëm sepse mund të ndihmoja të tjerët të mësonin për Jehovain, por sepse mësova se si të mbështetesha plotësisht tek ai.

Në kohën që Rasëlli filloi të shërbente si pionier, Uejni, pasi kishte punuar për pak kohë, studionte në një kolegj në bregun lindor. Më vonë e ftuan në Bethel. Shërbeu për ca kohë në fermën që kishte Shoqata afër Itakës në Nju-Jork, e cila njihet si Ferma e Mbretërisë. Aty sigurohej ushqimi për familjen e vogël të fermës dhe 200 punonjësit në Bethelin e Bruklinit. Uejni i përdori aftësitë dhe përvojën e tij në shërbim të Jehovait, derisa vdiq në vitin 1988.

Njëra nga motrat, Ardisi, u martua me Xhejms Kërn dhe patën pesë fëmijë. Ajo vdiq më 1997. Motra tjetër, Klara, edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i qëndrojë besnike Jehovait. Kur jam me pushime, shkoj ta takoj në shtëpinë e saj në Kolorado. Vëllai i vogël, Kërtis, erdhi në Bethelin e Bruklinit rreth viteve 40. Puna e tij ishte të shkonte e të kthehej nga Ferma e Mbretërisë në Bruklin duke transportuar me kamion furnizime dhe prodhime të fermës. Nuk u martua kurrë. Viti 1971 ishte viti i fundit i jetës së tij.

Dëshira ime​—Shërbimi në Bethel

Vëllezërit e mi më të mëdhenj kishin shkuar më parë në Bethel dhe dëshira ime ishte që të shërbeja edhe unë atje. Jam e sigurt që ishte falë shembullit të tyre të mirë që më ftuan edhe mua. Duke dëgjuar mamanë që fliste për historinë e organizatës së Perëndisë dhe duke parë me sytë e mi përmbushjen e profecive të Biblës për ditët e fundit, më lindi dëshira të punoja në Bethel. I isha betuar Jehovait në lutje që nëse do të më lejonte të shërbeja në Bethel, nuk do të largohesha kurrë për aq kohë sa nuk do të kisha detyrime të krishtere për të përmbushur.

Hyra në Bethel më 20 qershor të vitit 1945 dhe më caktuan të pastroja. Çdo ditë duhej të pastroja 13 dhoma me 26 krevate për të rregulluar, korridoret, shkallët dhe dritaret. Ishte e lodhshme. Ndërsa punoja, i thosha vetes: «Vërtet je e lodhur, por je në Bethel, në shtëpinë e Perëndisë.»

Martesa me Nejthën Norin

Që në vitet 20, bethelitët që dëshironin të martoheshin u kërkohej të largoheshin nga Betheli dhe t’u shërbenin interesave të Mbretërisë në një vend tjetër. Por, në fillim të viteve 50, disa çifte që kishin shumë kohë që shërbenin në Bethel u martuan dhe u lejuan të qëndronin. Kështu që, kur Nejthën Nori, i cili në atë kohë kishte marrë drejtimin në veprën mbarëbotërore të Mbretërisë, shfaqi interes për mua, i thashë vetes: «Ky është nga ata që nuk do të largohen nga Betheli.»

Nejthëni kishte shumë përgjegjësi në mbikëqyrjen e aktivitetit mbarëbotëror të Dëshmitarëve të Jehovait. Kështu që më foli shumë hapur, duke më dhënë shumë arsye se pse duhej të mendohesha mirë para se ta pranoja propozimin e tij për martesë. Në atë kohë ai udhëtonte shumë për të vizituar anembanë botës zyrat e degës të Dëshmitarëve të Jehovait, kështu që shpesh largohej për javë të tëra. Prandaj më shpjegoi që mund të mos ishim bashkë për periudha të gjata.

Kur isha e vogël ëndërroja të martohesha në pranverë dhe muajin e mjaltit ta bëja në ishujt Havai në oqeanin Paqësor. Por në të vërtetë u martuam në dimër, më 31 janar të vitit 1953 dhe ‘muajin’ e mjaltit, atë të shtunë pasdite dhe të dielën, e kaluam në Nju-Xhersi. Të hënën u kthyem në punë. Megjithatë një javë më vonë, më në fund bëmë një javë ‘muaj’ mjalti.

Një shok i palodhur

Nejthëni ishte 18 vjeç kur filloi të shërbente në Bethel në vitin 1923. Mori një stërvitje të mirë nga ata që kishin kohë aty, si për shembull nga Xhozef F. Radhërfordi, që drejtonte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait dhe nga administruesi i shtypshkronjës, Robert J. Martini. Kur vëlla Martini vdiq në shtator të vitit 1932, Nejthëni u bë administrues i shtypshkronjës. Vitin pasues, vëlla Radhërfordi e mori Nejthënin me vete kur vizitoi zyrat e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Evropë. Në janar 1942, kur vdiq vëlla Radhërfordi, Nejthënit i lanë përgjegjësinë të mbikëqyrte veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait.

Nejthëni ishte shumë largpamës. Gjithmonë planifikonte më parë për rritjen që do të ndodhte në të ardhmen. Disa mendonin që kjo nuk ishte me vend, pasi fundi i këtij sistemi mendohej të ishte shumë afër. Në fakt një vëlla që pa planet e Nejthënit, e pyeti: «Ç’është kjo vëlla Nor? Nuk ke besim fare se fundi është afër?» Ai u përgjigj: «Po, kam, por nëse fundi nuk vjen aq shpejt sa e presim ne, do të jemi gati.»

Një ide në të cilën kishte shumë besim ishte fillimi i një shkolle për misionarë. Kështu që më 1 shkurt të vitit 1943 u hap një shkollë misionarësh në Fermën e Mbretërisë ku vëllai im Uejn shërbente në atë kohë. Megjithëse në shkollë bëhej një kurs intensiv për rreth pesë muaj për studimin e Biblës, Nejthëni mori masat që studentët edhe të argëtoheshin. Në vitet e para, kur shkolla sapo ishte hapur, ai luante me ta me top, por më pas nuk luante më nga frika se mos vritej dhe nuk kishte mundësi të ndiqte kongreset krahinore në verë. Në vend të kësaj, vendoste të bënte arbitrin. Studentët shkriheshin së qeshuri kur ai thyente hapur rregullat dhe mbante me hatër studentët e huaj që ishin në lojë.

Udhëtimet me Nejthënin

Me kalimin e kohës, fillova të bëja udhëtime jashtë shtetit me Nejthënin. Më pëlqente të shkëmbeja përvojat me vullnetarët dhe me misionarët në degët e ndryshme. Mund ta shihja me sytë e mi dashurinë e përkushtimin e tyre dhe të dëgjoja për rutinën e kushtet e jetesës në vendet ku ishin caktuar. Për shumë vjet kam marrë vazhdimisht letra në të cilat shprehej vlerësimi për vizitat tona.

Kur kujtoj udhëtimet tona, më vijnë ndër mend shumë përvoja. Për shembull kur vizituam Poloninë, dy motra po pëshpëritnin me njëra-tjetrën në praninë time. I pyeta: «Pse pëshpëritni?» Ato më kërkuan falje dhe më shpjeguan se pëshpëritja u ishte bërë zakon që kur vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Poloni ishte ndaluar dhe që kur u kishin vënë përgjues nëpër shtëpi.

Motër Ada ishte një nga motrat e shumta që kishin shërbyer gjatë periudhës së ndalimit në Poloni. Ajo i kishte flokët me kaçurrela dhe i mbante me balluke. Një herë ngriti baluket dhe më tregoi një vragë të thellë, pasojë e goditjes së një përndjekësi. U trondita kur pashë me sytë e mi trajtimin mizor që vëllezërit dhe motrat duhej të duronin.

Pas Bethelit, vendi im i preferuar është Havai. Më kujtohet kongresi që u bë në qytetin e Hilos në vitin 1957. Ishte një rast i shënuar dhe numri i pjesëmarrësve ishte më i madh sesa numri përgjithshëm i Dëshmitarëve të Jehovait në atë vend. Madje kryetari i bashkisë i dha Nejthënit çelësin e qytetit, për t’i uruar mirëseardhjen në mënyrë simbolike. Shumë erdhën për të na përshëndetur duke na stolisur me vargje lulesh.

Emocionues ishte edhe kongresi në Nuremberg të Gjermanisë, në vitin 1955, që u mbajt atje ku Hitleri kishte zhvilluar paradat. Dihet që Hitleri ishte betuar se do ta shfaroste popullin e Jehovait në Gjermani, por në atë kongres stadiumi ishte mbushur plot e përplot me Dëshmitarë të Jehovait. Nuk i mbaja dot lotët. Platforma ishte shumë e madhe dhe në sfond kishte 144 kolona të mëdha që dukeshin madhështore. Unë isha në platformë dhe para meje mund të shihja auditorin e madh prej më shumë se 107.000 vetash. Isha kaq larg nga pjesa e prapme e platformës, sa mezi ma kapte syri rreshtin e fundit të auditorit.

E ndienim besnikërinë e vëllezërve gjermanë dhe forcën që kishin marrë nga Jehovai gjatë përndjekjes naziste. Kjo e forcoi edhe më shumë vendosmërinë tonë për t’i qëndruar besnikë Jehovait dhe për të ruajtur integritetin ndaj tij. Nejthëni mbajti fjalimin mbyllës dhe kur mbaroi përshëndeti auditorin me dorë. Ata menjëherë iu përgjigjën duke tundur shamitë në shenjë lamtumire. Dukej tamam si një fushë e bukur plot lule.

E paharrueshme ishte edhe vizita në Portugali, në dhjetor të vitit 1974. Atje morëm pjesë në një mbledhje të Dëshmitarëve në Lisbonë. Ishte mbledhja e parë pas ligjërimit të veprës sonë të predikimit. Për 50 vjet kishte qenë e ndaluar. Edhe pse në atë kohë ishin vetëm 14.000 lajmëtarë të Mbretërisë në atë vend, më shumë se 46.000 ishin të pranishëm në atë mbledhje. M’u mbushën sytë me lot kur vëllezërit thanë: «Nuk na duhet të fshihemi më. Jemi të lirë.»

Që nga koha kur udhëtoja me Nejthënin e deri më sot më ka pëlqyer dëshmia joformale​—në avionë, në restorante​—dhe dëshmia rrugore. Gjithmonë mbaj literaturë me vete në mënyrë që të jem gati për të dëshmuar. Një herë kur po pritnim avionin që po vonohej, një grua më pyeti se ku punoja. Kjo pyetje çoi në një bisedë me të dhe me të tjerët përreth që dëgjonin. Kam qenë gjithmonë e zënë me shërbimin në Bethel dhe me predikimin të cilat më kanë dhënë shumë gëzim.

Sëmundja dhe inkurajimet e fundit

Në vitin 1976, Nejthëni u sëmur me kancer dhe bashkë me bethelitët e tjerë e ndihmuam gjatë kësaj periudhe. Pavarësisht nga shëndeti i tij i dobët, në dhomën tonë ftonim anëtarë të ndryshëm të zyrave të degës nga e gjithë bota që në atë kohë ishin në Bruklin për t’u stërvitur. Më kujtohen vizitat e Don dhe Ërlin Stilit, Llojd dhe Melba Berit, Dagllas dhe Meri Gestit, Martin dhe Gertrud Poetzingerit, Prais Hjuzit dhe e shumë të tjerëve. Shpesh na tregonin përvoja nga vendet e tyre. Ato që më bënin përshtypje në mënyrë të veçantë ishin përvojat që tregonin për qëndrueshmërinë e vëllezërve gjatë periudhës së ndalimit.

Kur Nejthëni e kuptoi që po i afrohej vdekja, më dha disa këshilla për ta përballuar sa më mirë jetën kur të ngelesha e ve. Më tha: «Kemi pasur një martesë të lumtur. Shumë njerëz nuk e kanë pasur kurrë.» Një gjë që e bëri martesën tonë të lumtur ishte fakti që Nejthëni merrte parasysh ndjenjat e të tjerëve. Për shembull, kur takonim njerëz të ndryshëm gjatë udhëtimeve, ai më thoshte: «Odri, nëse ndonjëherë nuk t’i prezantoj ata që takojmë, kjo sepse emrat e tyre më kanë dalë nga mendja.» Isha kaq e gëzuar që ai ma thoshte më parë.

Nejthëni më kujtonte gjithmonë se «pas vdekjes shpresa jonë është e sigurt dhe nuk do të vuajmë më kurrë». Pastaj më nxiste: «Mbaji sytë nga e ardhmja se atje do ta gjesh shpërblimin tënd. Edhe pse kujtimet nuk harrohen, mos jeto me të shkuarën. Koha shëron gjithçka. Mos u zemëro dhe të mos të vijë keq për veten. Kënaqu për gëzimet dhe bekimet që ke pasur. Pas pak kohësh do ta shohësh që kujtimet do të të sjellin gëzim. Kujtimet janë dhuratë nga Perëndia.» Dhe pastaj shtoi: «Merru me punë, përpiqu që ta kalosh jetën tënde duke bërë diçka për të tjerët. Kjo do të të ndihmojë që të gjesh gëzim në jetë.» Më 8 qershor të vitit 1977, Nejthëni përfundoi jetën e tij tokësore.

Martesa me Glen Hajdin

Nejthëni më kishte thënë se ose do të vazhdoja të jetoja me kujtimet e së shkuarës ose të ndërtoja një jetë të re. Kështu që në vitin 1978, pasi isha transferuar në fermat Watchtower në Uollkill të Nju-Jorkut, u martova me Glen Hajdin, një burrë shumë i pashëm, i qetë dhe i sjellshëm. Para se të bëhej Dëshmitar i Jehovait, ai kishte shërbyer në marinë në kohën kur Shtetet e Bashkuara ishin në luftë me Japoninë.

Gleni kishte qenë në një siluruese dhe punonte në kaldajën e motorit. Nga zhurma e motorit, e kishte humbur pjesërisht dëgjimin. Pas luftës, punoi si zjarrfikës. Për vite të tëra shihte ëndrra të këqija për shkak të kohës së luftës. Kishte dëgjuar për të vërtetën biblike nga sekretarja e tij që i predikonte në mënyrë joformale.

Më vonë në vitin 1968, Glenin e thirrën në Bethel për të shërbyer si zjarrfikës në Bruklin. Pastaj, kur në Fermat Watchtower morën zjarrfikësen e tyre, në vitin 1975 ai u transferua atje. Më vonë u sëmur me Alcajmer. Pas dhjetë vjet martese, Gleni vdiq.

Po unë, si do të vazhdoja? Këshillat e mençura që më kishte dhënë Nejthëni para vdekjes më ngushëlluan përsëri. Lexoja vazhdimisht ato që më kishte shkruajtur se si t’ia dilja mbanë gjatë periudhës që do të isha e ve. Këto fjalë ua them edhe sot atyre që humbasin bashkëshortët. Edhe ata ngushëllohen nga këshillat e Nejthënit. Po, është mirë që t’i mbash sytë nga e ardhmja, ashtu siç më inkurajoi ai.

Një vëllazëri e çmuar

Ata që më kanë ndihmuar për të pasur një jetë të lumtur e të kënaqshme kanë qenë sidomos miqtë e mi të dashur në familjen Bethel. Në mënyrë të veçantë ka qenë Ester Lopez që u diplomua në vitin 1944 në klasën e tretë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Ajo u kthye në Bruklin në shkurt të vitit 1950 për të shërbyer si përkthyese e literaturës sonë biblike në spanjisht. Shpesh, kur Nejthëni udhëtonte, Esteri ishte shoqja ime e ngushtë. Edhe ajo është në Fermat Watchtower. Tani që i ka kaluar të 90-at shëndeti i saj po keqësohet dhe ndodhet në infermierinë tonë.

Nga familja ime vetëm Rasëlli dhe Klara janë ende gjallë. Rasëlli është më shumë se 90 vjeç dhe shërben me besnikëri në Bethelin e Bruklinit. Ai ishte ndër të parët që u lejua të qëndronte në Bethel pasi u martua. Në vitin 1952, ai u martua me një bethelite, Xhin Larsën. Vëllai i Xhinit, Maksi, erdhi në Bethel në vitin 1939 dhe pas Nejthënit, në vitin 1942, filloi si mbikëqyrësi i shtypshkronjës. Maksi vazhdon të ketë shumë përgjegjësi në Bethel. Një nga këto përgjegjësi është edhe të kujdeset për gruan e tij të shtrenjtë që vuan nga skleroza e shumëfishtë.

Kur mendoj për 63 vjetët në shërbimin e plotkohor që i kam bërë Jehovait, mund të them se jeta ime ka qenë vërtet e kënaqshme. Betheli u bë shtëpia ime dhe vazhdoj të shërbej këtu me gëzim në zemër. Prindërit e mi e meritojnë të lavdërohen, pasi ishin ata që na mësuan të marrim zakonin e mirë të punës dhe na ngulitën dëshirën për t’i shërbyer Jehovait. Por ajo që na e bën jetën të kënaqshme është vëllazëria jonë e krishterë dhe shpresa për të jetuar me vëllezërit dhe motrat në një tokë parajsore, duke i shërbyer Krijuesit tonë të Madh, të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehovait për gjithë përjetësinë.

[Figura në faqen 24]

Prindërit ditën e martesës në qershor 1912

[Figura në faqen 24]

Nga e majta në të djathtë: Rasëlli, Uejni, Klara, Ardisi, unë dhe Kërtisi në vitin 1927

[Figura në faqen 25]

Me Frensis dhe Barbara Mek-Not, kur isha pioniere në vitin 1944

[Figura në faqen 25]

Në vitin 1951 në Bethel. Nga e majta në të djathtë: Unë, Ester Lopez dhe kunata ime, Xhini

[Figura në faqen 26]

Me Nejthënin dhe prindërit e tij

[Figura në faqen 26]

Me Nejthënin në vitin 1955

[Figura në faqen 27]

Me Nejthënin në Havai

[Figura në faqen 29]

Me Glenin, burrin tim të dytë