‘Na mësoi të respektonim fenë e saj’
‘Na mësoi të respektonim fenë e saj’
NJË Dëshmitare e Jehovait nga provinca e Rovigos në Itali mori vesh se kishte një tumor dhe se gjendja e saj ishte shumë e rëndë. U shtrua disa herë në spital dhe gjatë këtyre rasteve kërkoi që të kurohej pa kryer transfuzione gjaku. Më pas e ndihmuan në shtëpi infermierët e shërbimit vendës për pacientët me kancer.
Besimi i fortë i kësaj pacienteje 36-vjeçare dhe gatishmëria për të bashkëpunuar, i bëri shumë përshtypje personelit mjekësor që e kuronte. Pak para se pacientja të vdiste nga tumori, një nga infermierët që e ndihmoi, shkroi në një revistë për infermierët rreth përvojës së tij me këtë paciente që e ai e quajti Anxhela.
«Anxhela është plot jetë, plot dëshirë për të jetuar. Ajo është e vetëdijshme për gjendjen e saj dhe për sëmundjen e rëndë, dhe ashtu siç do të bënte secili prej nesh, po kërkon një zgjidhje, një ilaç ose mjekim për t’u shëruar. . . . Ne infermierët hymë në jetën e saj pak nga pak. Ajo nuk e kundërshtoi ndihmën tonë. Përkundrazi, çiltërsia e Anxhelës e bëri gjithçka më të lehtë. Ishte një kënaqësi të shkonim ta vizitonim, sepse këto ishin raste të një komunikimi të sinqertë njerëzor dhe mund të nxirrnim dobi të ndërsjellë. . . . Menjëherë e kuptuam se feja e saj do të bëhej një pengesë për të kuruar sëmundjen.» Ky ishte opinioni i tij, sepse mendonte që Anxhela duhej të bënte transfuzione gjaku, por ajo nuk pranoi.—Veprat 15:28, 29.
«Si profesionistë për t’u kujdesur për të sëmurët i thamë Anxhelës se nuk ishim dakord me vendimin e saj, por me ndihmën e saj kuptuam se sa e rëndësishme ishte jeta për të. Kuptuam edhe se sa e rëndësishme ishte feja e saj për të dhe për familjen. Anxhela nuk ka hequr dorë. Nuk është dorëzuar përpara sëmundjes, por është e fortë, dëshiron të jetojë, të luftojë dhe të vazhdojë të jetojë. E ka bërë të njohur vendosmërinë e saj, besimin e saj. Ka një vendosmëri që shpesh ne nuk e kemi, një besim të patundur që ne nuk e kemi. . . . Anxhela na ka mësuar se sa e rëndësishme është që të respektojmë fenë e saj, edhe pse etika jonë profesionale na mëson ndryshe. . . . Mendojmë se ajo që na ka mësuar Anxhela ka shumë rëndësi, sepse jemi në kontakt me njerëz të ndryshëm. Kemi të bëjmë me çdo lloj rrethane dhe me njerëz që i përkasin feve të ndryshme. Dhe kështu, prej çdonjërit mund të mësojmë ose t’i mësojmë diçka.»
Pastaj artikulli i revistës drejtonte vëmendjen te Kodi i Etikës Profesionale për Infermierët Italianë, i miratuar në vitin 1999. Në të thuhet: «Infermieri vepron duke marrë parasysh vlerat fetare, etike dhe kulturore të individit, si edhe racën dhe gjininë e tij.» Ndonjëherë mund të jetë e vështirë për mjekët dhe infermierët që të respektojnë bindjet fetare të pacientit, prandaj një pacient patjetër që i vlerëson dhe u është mirënjohës atyre që janë të gatshëm për të vepruar kështu.
Vendimet që marrin Dëshmitarët e Jehovait në lidhje me shëndetin dhe kujdesin mjekësor janë të menduara me kujdes. Ata e marrin me seriozitet atë që thonë Shkrimet dhe siç ilustrohet nga rasti i Anxhelës, ata nuk janë fanatikë. (Filipianëve 4:5) Anembanë tokës një numër gjithnjë e më i madh profesionistësh të kujdesit shëndetësor janë të gatshëm të respektojnë ndërgjegjen e pacientëve Dëshmitarë.