Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të bëjmë atë që është e mirë në rast nevoje

Të bëjmë atë që është e mirë në rast nevoje

Të bëjmë atë që është e mirë në rast nevoje

«LE TË bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim»,​—nxiti apostulli Pavël. (Galatasve 6:10) Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës përpiqen me zell ta vënë në jetë këtë parim duke bërë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, sidomos ndaj bashkëbesimtarëve. Kjo vërtetohet shpesh në rast nevoje. Le të shohim raste të kohëve të fundit që vijnë nga tri vende.

Në dhjetor të vitit 2002 një tajfun i fuqishëm goditi Guamin me erëra që arrinin shpejtësinë 300 kilometra në orë e më shumë. U dëmtuan shumë shtëpi, disa prej të cilave u shkatërruan fare. Kongregacionet e atjeshme organizuan me shpejtësi ekipe pastrimi për të ndihmuar familjet e Dëshmitarëve që kishin pasur më shumë dëme. Dega e Guamit siguroi materiale dhe forcë punëtore për të rregulluar shtëpitë e dëmtuara dhe dega e Havait dha mbështetjen e saj. Brenda pak javësh një grup marangozësh erdhën nga Havai për të ndihmuar në rindërtim dhe disa vëllezër nga vendi morën lejen nga puna, për të dhënë ndihmën e tyre. Fryma e gëzuar e bashkëpunimit ishte një dëshmi e mirë për banorët e të gjithë zonës.

Në periferi të qytetit të Mandalait në Mjanmar, ra zjarr jo larg Sallës së Mbretërisë. Aty pranë ndodhej shtëpia ku banonte një motër joaktive me familjen e saj. Era frynte në drejtim të shtëpisë së saj, kështu që ajo vrapoi te salla për të kërkuar ndihmë. Në atë kohë salla po restaurohej dhe aty kishte shumë vëllezër që po punonin. Ata u habitën kur panë motrën, sepse nuk e dinin që ajo jetonte në atë zonë. Pa humbur kohë, vëllezërit e ndihmuan që të nxirrte jashtë plaçkat e shtëpisë. Kur burri i motrës, që nuk ishte Dëshmitar, mori vesh për zjarrin, vrapoi për në shtëpi ku gjeti vëllezërit duke u kujdesur për familjen e tij. Burri u prek shumë dhe gjithashtu u ndie i lehtësuar, sepse hajdutët shpesh përfitojnë në raste të tilla. Mirësia e treguar nga vëllezërit e nxiti motrën dhe djalin e saj të shoqëroheshin përsëri me kongregacionin e krishterë dhe tani i ndjekin të gjitha mbledhjet.

Gjatë vitit të shkuar të shërbimit, shumë njerëz në Mozambik u përballën me zinë e bukës për shkak të thatësirës dhe prishjes së prodhimit bujqësor. Zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në atë vend u erdhi menjëherë në ndihmë duke siguruar ushqim për nevojtarët. Shpërndarja bëhej në Sallat e Mbretërisë, ndonjëherë edhe pas mbledhjeve. Një motër, që është prind i vetëm, tha: «Erdha në mbledhje e dëshpëruar pasi nuk e dija se çfarë do t’u jepja fëmijëve për të ngrënë kur të ktheheshim në shtëpi.» Ndihma e dashur që i dhanë vëllezërit i dha zemër menjëherë. «Për mua ishte si të isha ringjallur»,​—tha ajo.

Dëshmitarët ‘bëjnë atë që është e mirë’ edhe në aspektin frymor, duke përhapur mesazhin biblik që sjell ngushëllim dhe shpresë. Ata kanë të njëjtën bindje si njeriu i mençur që shumë kohë më parë tha: «Por ai që dëgjon [mençurinë hyjnore] do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe.»​—Fjalët e urta 1:33.

[Figurat në faqen 31]

1, 2. Shpërndarja e ushqimit për nevojtarët në Mozambik

3, 4. Tajfuni në Guam shkatërroi shumë shtëpi

[Burimet]

Fëmijë, majtas: Andrea Booher/FEMA News Photo; grua, sipër: AP Photo/Pacific Daily News, Masako Watanabe