Një ‘skllav’ që është i besueshëm dhe i matur
Një ‘skllav’ që është i besueshëm dhe i matur
«Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet?»—MATEU 24:45.
1, 2. Pse është jetësore sot që të marrim rregullisht ushqim frymor?
TË MARTËN pasdite më 11 nisan të vitit 33 të e.s., dishepujt e Jezuit bënë një pyetje që ka domethënie të madhe për ne sot. Ata e pyetën Jezuin: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» Kur u përgjigj, ai tha një profeci të jashtëzakonshme. Jezui foli për një periudhë të turbullt me luftëra, zi buke, tërmete dhe sëmundje. Dhe këto gjëra do të ishin vetëm «fillimi i dhembjeve të lindjes». Gjendja do të bëhej edhe më e keqe. Ç’e ardhme e frikshme!—Mateu 24:3, 7, 8, 15-22; Luka 21:10, 11.
2 Që nga viti 1914 shumica e aspekteve të profecisë së Jezuit është përmbushur. ‘Dhembjet e lindjes’ e kanë zënë plotësisht njerëzimin. Megjithatë të krishterët e vërtetë nuk duhet të kenë frikë. Jezui premtoi se do t’i ushqente me ushqim frymor të shëndetshëm. Meqë tani Jezui është në qiell, çfarë ka bërë për ne këtu në tokë, që të marrim ushqim frymor?
3. Çfarë masash ka marrë Jezui për ne, që të marrim «ushqim në kohën e duhur»?
3 Vetë Jezui dha përgjigjen e kësaj pyetjeje. Kur po thoshte profecinë e tij madhështore, ai pyeti: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur?» Pastaj tha: «Lum ai skllav, nëse zotëria i tij, kur të mbërrijë, e gjen duke bërë kështu! Vërtet po ju them: Ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e tij.» (Mateu 24:45-47) Po, do të kishte ‘një skllav’ që do të emërohej për të siguruar ushqim frymor, ‘një skllav’ që do të ishte i besueshëm dhe i matur. A ishte ky skllav një individ i veçantë, disa individë njëri pas tjetrit apo diçka tjetër? Meqë skllavi i besueshëm siguron ushqim frymor shumë të nevojshëm është në të mirën tonë të gjejmë përgjigjen.
Një individ apo një klasë?
4. Si e dimë që «skllavi i besueshëm dhe i matur» nuk mund të jetë një individ i vetëm?
4 «Skllavi i besueshëm dhe i matur» nuk mund të jetë një individ i vetëm. Pse jo? Sepse skllavi filloi të jepte ushqim frymor në shekullin e parë dhe, sipas Jezuit, skllavi do të ishte duke vepruar ende kështu kur të arrinte Zotëria, në vitin 1914. Domethënë, do të duhej që një individ të shërbente me besnikëri për 1.900 vjet. Por as Metuselahu nuk jetoi kaq shumë.—Zanafilla 5:27.
5. Shpjegoni përse shprehja «skllavi i besueshëm dhe i matur» nuk bën fjalë për çdo të krishterë individualisht.
5 Atëherë, mos vallë shprehja «skllavi i besueshëm dhe i matur» në kuptimin e përgjithshëm bën fjalë për çdo individ të krishterë? Është e vërtetë se të gjithë të krishterët duhet të jenë të besueshëm e të matur. Megjithatë Jezui padyshim kishte në mendje diçka më tepër kur foli për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’. Si e dimë këtë? Sepse ai tha që ‘zotëria i tij, kur të mbërrinte’ do ta emëronte skllavin «mbi gjithë zotërimet e tij». A mund të emërohej çdo i krishterë mbi gjithçka, pra mbi «gjithë» zotërimet e Zotërisë? Do të ishte e pamundur.
6. Për ç’qëllim kombi i Izraelit duhej të shërbente si ‘shërbëtori’ ose «skllavi» i Perëndisë?
6 Prandaj, i vetmi përfundim i arsyeshëm është që Jezui kur po fliste për ‘skllavin e besueshëm e të matur’ e kishte fjalën për një grup të krishterësh. A mund të jetë ky një skllav i përbërë nga disa individë? Po. Shtatëqind vjet përpara Krishtit, Jehovai e quajti tërë kombin e Izraelit «dëshmitarët e mi» dhe ‘shërbëtori që kam zgjedhur’. (Isaia 43:10) Çdo pjesëtar i kombit të Izraelit, që nga viti 1513 p.e.s., kur u dha Ligji i Moisiut, e deri në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ishte pjesëtar i kësaj klase të shërbëtorit. Shumica e izraelitëve nuk merrnin pjesë drejtpërdrejt në administrimin e çështjeve të kombit ose në bashkërendimin e programit të tij të ushqimit frymor. Jehovai përdori mbretërit, gjykatësit, profetët, priftërinjtë dhe levitët për të kryer këto detyra. Gjithsesi, si komb, Izraeli duhej të përfaqësonte sovranitetin e Jehovait dhe të shpallte lavdinë e Tij mes kombeve. Çdo izraelit duhej të ishte një dëshmitar i Jehovait.—Ligji i përtërirë 26:19; Isaia 43:21; Malakia 2:7; Romakëve 3:1, 2.
Hiqet ‘një shërbëtor’
7. Pse kombit të lashtë të Izraelit iu hoq privilegji për të qenë ‘shërbëtori’ i Perëndisë?
7 Meqenëse Izraeli ishte ‘shërbëtori’ i Perëndisë shekuj më parë, mos vallë ishte ai edhe skllavi për të cilin foli Jezui? Jo, sepse mjerisht Izraeli i lashtë nuk u tregua as i besueshëm dhe as i matur. Pavli e shpjegon përmbledhtazi situatën kur citon fjalët e Jehovait, drejtuar kombit të Izraelit: «Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë po blasfemohet mes kombeve.» (Romakëve 2:24) Vërtet, historia e gjatë e rebelimit të Izraelit arriti kulmin kur ata hodhën poshtë Jezuin, dhe për pasojë Jehovai i hodhi poshtë ata.—Mateu 21:42, 43.
8. Kur u emërua ‘një shërbëtor’ për të zëvendësuar Izraelin? Në cilat rrethana ndodhi kjo?
8 Fakti që ‘shërbëtori’, pra Izraeli, nuk u tregua i besueshëm nuk do të thoshte se adhuruesit besnikë nuk do të merrnin më ushqim frymor. Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., pesëdhjetë ditë pas ringjalljes së Jezuit, fryma e shenjtë u derdh mbi rreth 120 dishepujt që ndodheshin në dhomën e sipërme të një shtëpie në Jerusalem. Në atë çast lindi një komb i ri. Ashtu siç ishte me vend, kjo lindje u bë e njohur kur pjesëtarët e tij filluan t’u flitnin me guxim banorëve të Jerusalemit për «gjërat madhështore të Perëndisë». (Veprat 2:11) Kështu ky komb i ri, një komb frymor, u bë ‘shërbëtori’ që do t’u shpallte kombeve lavdinë e Jehovait dhe do të siguronte ushqim në kohën e duhur. (1 Pjetrit 2:9) Në mënyrë të përshtatshme ai u quajt më pas ‘Izraeli i Perëndisë’.—Galatasve 6:16.
9. (a) Nga cilët përbëhet «skllavi i besueshëm dhe i matur»? (b) Cilët janë «shërbëtorët e shtëpisë»?
9 Çdo pjesëtar i ‘Izraelit të Perëndisë’ është një i krishterë i kushtuar dhe i pagëzuar, i mirosur me frymën e shenjtë dhe që ka shpresë qiellore. Prandaj shprehja «skllavi i besueshëm dhe i matur» bën fjalë për të gjithë pjesëtarët e këtij kombi frymor të mirosur, të periudhës nga viti 33 i e.s. e deri tani, pikërisht ashtu si të gjithë izraelitët e periudhës nga viti 1513 p.e.s e deri në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., përbëjnë klasën e parakrishterë të shërbëtorit të përmendur tek Isaia 43:10. Por, cilët janë «shërbëtorët e shtëpisë», që marrin ushqim frymor nga skllavi? Në shekullin e parë të e.s., çdo i krishterë kishte shpresën qiellore. Si rrjedhim, edhe shërbëtorët e shtëpisë ishin të krishterët e mirosur, të marrë jo si grup, por si individë. Të gjithë, përfshirë edhe ata që kishin përgjegjësi në kongregacion, kishin nevojë për ushqim frymor nga skllavi.—1 Korintasve 12:12, 19-27; Hebrenjve 5:11-13; 2 Pjetrit 3:15, 16.
«Secilit punën e vet»
10, 11. Si e dimë se nuk u është caktuar e njëjta punë të gjithë pjesëtarëve të klasës së skllavit?
10 Ndërsa ‘Izraeli i Perëndisë’ është klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur, të cilës i është caktuar një punë, edhe çdo pjesëtar i saj ka përgjegjësi individuale. Fjalët e Jezuit, të shkruara te Marku 13:34, e bëjnë të qartë këtë. Ai tha: «Është si një njeri që udhëton për në dhe të huaj, i cili e la shtëpinë e tij dhe u dha autoritet skllevërve të tij, secilit punën e vet, dhe portierin e urdhëroi të qëndronte vigjilent.» Pra, çdo pjesëtar i klasës së skllavit ka marrë një caktim: të shtojë zotërimet tokësore të Krishtit. Çdo pjesëtar e kryen këtë detyrë sipas aftësive dhe mundësive të veta.—Mateu 25:14, 15.
11 Më tej apostulli Pjetër u tha të krishterëve të mirosur të kohës së tij: «Sipas dhuratës që ka marrë secili, përdoreni duke i bërë shërbim njëri-tjetrit si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme.» (1 Pjetrit 4:10) Kështu që këta të mirosur kanë përgjegjësinë për t’i bërë shërbim njëri-tjetrit duke përdorur dhuratat që u ka dhënë Perëndia. Gjithashtu fjalët e Pjetrit tregojnë se të krishterët nuk do të kishin të gjithë të njëjtat aftësi, përgjegjësi ose privilegje. Sidoqoftë çdo pjesëtar i klasës së skllavit mund të ndihmonte në ndonjë mënyrë në rritjen e kombit frymor. Si?
12. Si ndihmonte në rritjen e klasës së skllavit çdo pjesëtar i kësaj klase, qoftë mashkull, qoftë femër?
12 Së pari, secili kishte përgjegjësinë të ishte dëshmitar i Jehovait, duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. (Isaia 43:10-12; Mateu ) Pikërisht para se të ngjitej në qiell, Jezui i urdhëroi të gjithë dishepujt e tij besnikë, meshkuj dhe femra, që të ishin mësues. Ai tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»— 24:14Mateu 28:19, 20.
13. Çfarë privilegji gëzonin të gjithë të krishterët e mirosur?
13 Kur të gjendeshin dishepuj të rinj, ata duheshin mësuar me kujdes që të zbatonin të gjitha gjërat që Krishti u kishte urdhëruar dishepujve. Me kalimin e kohës kualifikoheshin për të mësuar të tjerët. Pjesëtarëve të mundshëm të klasës së skllavit në shumë kombe, iu sigurua ushqim frymor i shëndetshëm. Të gjithë të krishterët e mirosur, burra dhe gra, morën pjesë në veprën për të bërë dishepuj. (Veprat 2:17, 18) Kjo vepër duhej të vazhdonte që nga koha kur skllavi filloi për herë të parë punën e tij e deri në fund të këtij sistemi.
14. Cilët ishin të vetmit që kishin privilegjin për të mësuar në kongregacion? Si u ndien nga kjo gratë besnike të mirosura?
14 Individët e sapopagëzuar të mirosur u bënë pjesë e skllavit, dhe pavarësisht se kush i mësoi në fillim, ata vazhduan të mësoheshin nga pjesëtarë të kongregacionit që kishin kualifikimet biblike për të shërbyer si pleq. (1 Timoteut 3:1-7; Titit 1:6-9) Këta burra të emëruar kishin kështu privilegjin për të ndihmuar në rritjen e kombit në një mënyrë të veçantë. Gratë e krishtere të mirosura dhe besnike nuk u lënduan që vetëm burrat e krishterë u caktuan të mësojnë të tjerët në kongregacion. (1 Korintasve 14:34, 35) Përkundrazi, ato ishin të kënaqura që nxirrnin dobi nga puna e zellshme e pjesëtarëve meshkuj të kongregacionit dhe ishin mirënjohëse për privilegjet që mund të kishin, përfshirë privilegjin që t’u jepnin sihariqe të tjerëve. Edhe sot motrat e zellshme të mirosura shfaqin të njëjtin qëndrim të përulur, pavarësisht nëse pleqtë e emëruar janë të mirosur apo jo.
15. Cili ishte një nga burimet kryesore të ushqimit frymor në shekullin e parë? Cilët morën drejtimin për ta shpërndarë atë?
15 Ushqimi frymor kryesor që shpërndahej në shekullin e parë vinte drejtpërdrejt nga letrat e apostujve dhe të dishepujve të tjerë që merrnin drejtimin. Letrat që shkruanin ata, sidomos ato që gjenden midis 27 librave të frymëzuar që formuan Shkrimet e Krishtere Greke, qarkullonin nëpër kongregacione. Pa dyshim ato siguruan bazën për mësimdhënien e pleqve të kongregacioneve. Në këtë mënyrë përfaqësuesit e skllavit u shpërndanë me besnikëri ushqim frymor të bollshëm të krishterëve të sinqertë. Klasa e skllavit në shekullin e parë u tregua e besueshme në lidhje me detyrën që kishte marrë.
«Skllavi» pas 19 shekujsh
16, 17. Si u tregua e besueshme klasa e skllavit në përmbushjen e caktimit të saj para vitit 1914?
16 Ç’të themi për ditët e sotme? Kur filloi prania e Jezuit, në vitin 1914, a gjeti ai një grup të krishterësh të mirosur që po shpërndanin me besnikëri ushqim në kohën e duhur? Patjetër që po. Ky grup mund të identifikohej qartë për shkak të frytit të shkëlqyer që po prodhonte. (Mateu 7:20) Që nga ajo kohë historia ka treguar se ky identifikim ishte i saktë.
17 Në kohën e ardhjes së Jezuit, rreth 5.000 shërbëtorë të shtëpisë po përhapnin me zell të vërtetën biblike. Punëtorët ishin pak, por skllavi përdori shumë metoda përparimtare për të përhapur lajmin e mirë. (Mateu 9:38) Për shembull, u morën masa që të botoheshin fjalime rreth temave biblike në pothuajse 2.000 gazeta. Në këtë mënyrë e vërteta e Fjalës së Perëndisë u përçua te dhjetëra mijë lexues njëkohësisht. Gjithashtu u përgatit një program tetorësh, ku ndërthureshin diapozitiva dhe filmime me ngjyra. Falë këtij prezantimi të përparuar, mesazhi i Biblës, që përfshinte periudhën nga fillimi i Krijimit e deri në fund të Mbretërimit Njëmijëvjeçar të Krishtit, u përçua te gjithsej më tepër se nëntë milionë njerëz në tri kontinente. Një metodë tjetër që u përdor ishte literatura. Për shembull, në vitin 1914 u botuan rreth 50.000 kopje të revistës Kulla e Rojës.
18. Kur e emëroi Jezui skllavin mbi gjithë zotërimet e tij? Përse?
18 Po, kur erdhi Zotëria, e gjeti skllavin e tij të besueshëm duke ushqyer me përkushtim shërbëtorët e shtëpisë, si edhe duke predikuar lajmin e mirë. Këtë skllav e prisnin përgjegjësi më të mëdha. Jezui tha: «Vërtet po ju them: Ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e tij.» (Mateu 24:47) Jezui e bëri këtë në vitin 1919, pasi skllavi kishte kaluar një periudhë hetimi. Por, përse «skllavi i besueshëm dhe i matur» mori më shumë përgjegjësi? Sepse zotërimet e Zotërisë ishin shtuar. Jezuit i ishte dhënë mbretëria në vitin 1914.
19. Shpjegoni se si janë plotësuar nevojat frymore të ‘shumicës së madhe’.
19 Cilat janë zotërimet mbi të cilat Zotëria i sapokurorëzuar e emëroi skllavin e tij të besueshëm? Ato janë të gjitha gjërat frymore që i përkasin Atij këtu në tokë. Për shembull, dy dhjetëvjeçarë pasi Krishti u vendos në fron në vitin 1914, u identifikua ‘shumica e madhe’ e ‘deleve të tjera’. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Këta nuk ishin pjesëtarë të mirosur të ‘Izraelit të Perëndisë’, por gra e burra të sinqertë me shpresë tokësore, që e donin Jehovain dhe dëshironin t’i shërbenin atij, ashtu si të mirosurit. Në të vërtetë ata i thanë ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’: «Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.» (Zakaria 8:23) Këta të krishterë të sapopagëzuar morën nga i njëjti ushqim frymor i bollshëm si shërbëtorët e mirosur të shtëpisë, dhe që nga ajo kohë të dyja klasat kanë marrë ushqim frymor nga e njëjta tryezë. Ç’bekim që ka qenë ky për pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’!
20. Çfarë roli ka luajtur ‘shumica e madhe’ në shtimin e zotërimeve të Zotërisë?
20 Pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’ u bashkuan me gëzim me klasën e skllavit të mirosur për të predikuar lajmin e mirë. Ndërsa predikonin, zotërimet e Zotërisë u shtuan, dhe si rrjedhim u shtuan edhe përgjegjësitë e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. Ndërkohë që numri i njerëzve që kërkonin të vërtetën rritej, nevojiteshin shtypshkronja më të mëdha për të qenë në një hap me kërkesën për literaturë biblike. Zyra degësh të Dëshmitarëve të Jehovait u ngritën nga njëri vend në tjetrin. U dërguan misionarë «deri në skajin më të largët të tokës». (Veprat 1:8) Nga afërsisht pesë mijë të mirosur në vitin 1914, numri i lavdëruesve të Perëndisë është rritur në më tepër se gjashtë milionë sot. Pjesa më e madhe e tyre janë nga ‘shumica e madhe’. Po, zotërimet e Mbretit janë shtuar shumë herë më tepër që nga kurorëzimi i tij në vitin 1914.
21. Cilat janë dy shëmbëlltyrat që do të shqyrtojmë në artikullin vijues të studimit?
21 E gjithë kjo tregon se skllavi ka qenë «i besueshëm dhe i matur». Menjëherë sapo foli për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, Jezui dha dy shëmbëlltyra që nxirrnin në pah këto cilësi të skllavit. Ai dha shëmbëlltyrën e virgjëreshave të matura dhe mendjelehta, si dhe shëmbëlltyrën e talentave. (Mateu 25:1-30) Tani na u ngjall kureshtja. Çfarë kuptimi kanë këto shëmbëlltyra për ne sot? Këtë pyetje do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.
Çfarë mendoni?
• Nga cilët përbëhet «skllavi i besueshëm dhe i matur»?
• Cilët janë «shërbëtorët e shtëpisë»?
• Kur u emërua skllavi i besueshëm mbi gjithë zotërimet e Zotërisë? Përse u emërua në atë kohë?
• Cilët kanë ndihmuar në shtimin e zotërimeve të Zotërisë gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit? Si e kanë bërë këtë?
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 10]
Klasa e skllavit në shekullin e parë u tregua e besueshme në lidhje me detyrën e saj