Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Motivi i drejtë për të besuar te Perëndia

Motivi i drejtë për të besuar te Perëndia

Motivi i drejtë për të besuar te Perëndia

NË NJË libër korean, 31 Reasons Why Young People Leave the Church (31 arsye përse të rinjtë nuk shkojnë më në kishë), thuhet se shumë njerëz nuk shkojnë më në kishë, sepse nuk gjejnë përgjigje të kënaqshme për pyetjet që bëjnë. Për shembull, ata pyesin: ‘Pse vuajnë njerëzit që besojnë te Perëndia?’ dhe ‘Pse duhet të pranojmë çdo gjë që na mësojnë kishat, kur shumë nga mësimet e tyre janë të ngatërruara dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën?’

Ngaqë zhgënjehen nga përgjigjet e klerikëve, shumë veta nxjerrin përfundimin se Bibla nuk jep përgjigje. Kur një klerik jep shpjegime duke u bazuar në mendimet e veta, si pasojë, shpesh te njerëzit krijohen keqkuptime, e madje ata hedhin poshtë Perëndinë dhe Biblën.

Kjo i ndodhi Abelit nga Afrika e Jugut, i cili ishte rritur si luteran. Ai kujton: «Kisha u mëson njerëzve se çdo njeri që vdes e ‘merr’ Perëndia. Por unë nuk e kuptoja dot përse një Perëndi i dashurisë mund ‘t’ua merrte’ prindërit fëmijëve. Në fshatrat e Afrikës, ku u rrita, ne nuk e thernim pulën pa u rritur zogjtë e saj. Kur shihnim se një lopë ishte barrsë, nuk e thernim, por prisnim derisa viçi të lindte e të mos pinte më qumësht. Nuk arrija ta kuptoja përse një Perëndi i dashur nuk kujdesej po kështu për njerëzit.»

Edhe Arami nga Kanadaja kishte dyshime të tilla. Ai thotë: «Kur isha 13 vjeç, më vdiq babai. Gjatë ceremonisë së varrimit një klerik i shquar tha se Perëndia donte që babai të vdiste për të qenë më pranë Tij në qiell. ‘Perëndia i merr njerëzit e mirë,—tha ai,—sepse Ai i do të drejtët.’ Nuk e kuptoja se si Perëndia mund të ishte kaq egoist.»

Më vonë edhe Abeli, edhe Arami takuan Dëshmitarët e Jehovait, studiuan Biblën me ta, e më në fund gjetën përgjigjet e pyetjeve të tyre. Ata zhvilluan dashuri për Perëndinë dhe një besim të fortë tek ai. Pastaj ia kushtuan jetën Jehovait dhe u bënë shërbëtorë të tij besnikë.

Njohuria e saktë—Një çelës për të besuar te Perëndia

Çfarë mësojmë nga këto përvoja? Për të pasur besim te Perëndia është e domosdoshme të kemi njohuri të saktë nga Bibla. Apostulli Pavël u tha të krishterëve në qytetin e lashtë të Filipisë: «Për këtë vazhdoj të lutem, që dashuria juaj të jetë gjithnjë e më shumë me bollëk, në njohuri të saktë dhe aftësi të plotë dalluese.» (Filipianëve 1:9) Këtu Pavli e lidh dashurinë për Perëndinë e për bashkëbesimtarët me njohurinë e saktë për Perëndinë dhe me aftësinë për të dalluar se cili është vullneti i tij.

Kjo është e logjikshme, sepse gjëja e parë që kërkohet për të pasur besim te dikush është që ta njohim mirë atë. Sa më shumë e sa më mirë ta njohim, aq më shumë besim do të kemi tek ai. Po kështu, që të nxitesh për të besuar te Perëndia, duhet të kesh njohuri të saktë për të. Pavli tha: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve, edhe pse nuk shihen.» (Hebrenjve 11:1) Besimi te Perëndia pa pasur njohuri të saktë nga Bibla është si një shtëpi e ndërtuar me letra bixhozi. Mjafton t’i frysh pak dhe bie e gjitha.

Studimi i Biblës do të të ndihmojë të gjesh përgjigjet e pyetjeve të tilla si ajo që i mundonte prej një kohe të gjatë Abelin dhe Aramin: ‘Pse vdesin njerëzit?’ Bibla shpjegon se «nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar». (Romakëve 5:12) Njerëzit plaken e vdesin, jo sepse i merr Perëndia, por ngaqë mëkatoi Adami. (Zanafilla 2:16, 17; 3:6, 17-19) Për më tepër, Bibla tregon shpresën e vërtetë që na jep Perëndia Jehova. Nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit, Ai u jep njerëzve mëkatarë shpresën e ringjalljes.—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.

Për të na ndihmuar të kuptojmë të vërtetën për ringjalljen, Bibla jep disa shembuj për njerëz që i ringjalli Jezui. (Luka 7:11-17; 8:40-56; Gjoni 11:17-45) Kur të lexosh këto tregime biblike, vër re se ç’gëzim e ç’lumturi provuan miqtë dhe familjarët e të ringjallurve. Shih edhe se si u nxitën ata t’i jepnin lavdi Perëndisë dhe të besonin te Jezui.

Njohuria e saktë për Perëndinë dhe për qëllimet e tij mund të ketë të njëjtin ndikim te njerëzit sot. Ngaqë nuk mund të gjenin përgjigje të kënaqshme për pyetje të rëndësishme, shumë veta më përpara ishin të pështjelluar, të rënduar, e madje kjo gjë ishte një pengesë për besimin e tyre. Por kur filluan të studionin Biblën, gjetën përgjigjet, e kjo ua ndryshoi plotësisht jetën.

Dashuria për Perëndinë—Motivi kryesor për t’i shërbyer atij

Edhe pse njohuria e saktë është e domosdoshme për të besuar te Perëndia, që një njeri të nxitet për t’iu bindur dhe për t’i shërbyer atij nevojitet diçka më shumë. Kur Jezuin e pyetën se cili është urdhërimi më i madh i Perëndisë, ai tha: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:30) Në qoftë se një njeri e do Perëndinë siç tha Jezui, ai do të jetë shumë i gatshëm t’i bindet dhe t’i shërbejë Atij. A bën edhe ti kështu?

Rakela ka shërbyer si misionare në Kore prej dhjetëra vjetësh. Ajo tregon përse beson: «Mendoj për bujarinë e Jehovait ndaj krijesave të tij, për mëshirën që shfaq ndaj popullit të tij dhe se ai do të mirën tonë, e prandaj na tregon se çfarë kërkon nga ne. Gjithë këto gjëra ma shtojnë dashurinë për Perëndinë. Dhe kjo dashuri më nxit t’i shërbej atij.»

Marta është një e ve nga Gjermania. Ajo ka 48 vjet që i shërben Jehovait. «Pse i shërbej Jehovait?—thotë ajo.—Sepse e dua. Çdo mbrëmje i flas Jehovait me anë të lutjes dhe i them se sa mirënjohëse i jam për të gjitha bekimet e tij, sidomos për flijimin shpërblerës të Krishtit.»

Po, dashuria për Perëndinë na nxit që t’i shërbejmë nga zemra. Por si arrin një njeri të ketë një dashuri të tillë? Nxitja më e fuqishme që të kultivojmë dashuri për Perëndinë është mirënjohja e thellë për dashurinë që ka treguar ai ndaj nesh. Vër re këtë nxitje të ngrohtë nga Bibla: «Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Dashuria e Perëndisë u shfaq në rastin tonë nga fakti që Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij. Në këtë qëndron dashuria, jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona.»—1 Gjonit 4:8-10.

A e kupton se sa e madhe është kjo dashuri? Mendo pak sikur të ishe duke u mbytur në një lumë të rrëmbyeshëm dhe dikush rrezikon jetën për të të shpëtuar. A do ta harroje atë njeri? A nuk do t’i ishe tepër mirënjohës? A nuk do të ishe gati të bëje për të gjithçka që mundeshe? Dashuria që tregoi Perëndia duke dhënë Birin e tij, Jezu Krishtin, si flijim shpërblerës është shumë herë më e madhe. (Gjoni 3:16; Romakëve 8:38, 39) Kur zemra jote të preket nga dashuria e Perëndisë, do të nxitesh ta duash dhe t’i shërbesh atij me gjithë zemër.

Bekime tani dhe në të ardhmen

Edhe pse dashuria për Perëndinë duhet të jetë motivi kryesor që bëjmë vullnetin e tij, sa na ngrohet zemra kur dimë se ai i shpërblen ata që i shërbejnë. Apostulli Pavël thotë: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»—Hebrenjve 11:6.

Perëndia i bekon shumë ata që e duan dhe i binden. Shumë njerëz gëzojnë shëndet më të mirë, ngaqë kanë ndjekur parimet biblike. (Fjalët e urta 23:20, 21; 2 Korintasve 7:1) Ata që zbatojnë ato parime të Biblës të cilat kërkojnë të jemi të ndershëm e të palodhur, në përgjithësi fitojnë besimin e punëdhënësve. Si rrjedhim janë më të sigurt nga ana ekonomike. (Kolosianëve 3:23) Falë besimit te Jehovai, shërbëtorët e Perëndisë bekohen me paqe mendore, madje edhe në rrethana të vështira. (Fjalët e urta 28:25; Filipianëve 4:6, 7) Mbi të gjitha, ata presin me padurim e të sigurt që të marrin bekimin e jetës së përhershme në parajsën tokësore që po vjen.—Psalmi 37:11, 29.

Çfarë ndiejnë për Jehovain ata që po gëzojnë këto bekime të tij? Zhaklina është një e krishterë nga Kanadaja. Ajo e shpreh mirënjohjen për Perëndinë me këto fjalë: «Ai gjithnjë na jep dhurata të mrekullueshme dhe na ka dhënë shpresën e sigurt të jetës së përhershme.» Abeli, të cilin e përmendëm më parë, i shpreh kështu ndjenjat e tij: «Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë shpresën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore dhe mezi e pres atë ditë. Por edhe sikur të mos ishte parajsa, përsëri do të kisha kënaqësi ta tregoja dashurinë për Perëndinë duke i shërbyer atij.»

Edhe ti mund të kesh besim të vërtetë

Bibla thotë: ‘Zoti i ushtrive është gjykatës i drejtë, që shqyrton mendjen dhe zemrën.’ (Jeremia 11:20) Po, Jehovai shqyrton atë që fshihet edhe në skutat më të thella të qenies sonë. Çdo njeri duhet të shqyrtojë motivin pse beson te Perëndia. Bindjet dhe idetë e gabuara për Perëndinë mund ta kenë shtyrë dikë që të kryente veprime të gabuara në të kaluarën. Por njohuria e saktë për Biblën mund ta ndihmojë që të ketë një marrëdhënie të mirë me Krijuesin, Perëndinë Jehova.—1 Timoteut 2:3, 4.

Duke drejtuar studime biblike pa pagesë në shtëpitë e njerëzve, Dëshmitarët e Jehovait po i ndihmojnë ata që të marrin njohuri të saktë për Perëndinë. (Mateu 28:20) Shumë veta që e kanë pranuar këtë ndihmë, kanë arritur ta duan Perëndinë dhe kanë zhvilluar besim të vërtetë tek ai. Nëpërmjet studimit të Biblës kanë fituar ‘urtësi dhe aftësi për të menduar’. Këto gjëra do t’i ndihmojnë ata që ‘të ecin të sigurt’ në këto ditë të rrezikshme. (Proverbat 3:21-23, BR) Mbi të gjitha, tani kanë një shpresë «të sigurt dhe të patundur» për të ardhmen. (Hebrenjve 6:19) Edhe ti mund të kesh besim të vërtetë dhe të gëzosh këto bekime.

[Kutia në faqen 6]

Disa pyetje shqetësuese që kërkonin përgjigje

«Kur bëja praktikën në spital si student i mjekësisë, shihja njerëz që rënkonin për shkak të sëmundjeve dhe fatkeqësive. Pyesja veten: ‘Nëse ka një Perëndi, pse ndodhin këto gjëra? A është feja vetëm një mjet për të pasur paqe mendore?’»—Një ish-presbiterian në Korenë e Jugut.

«Shpesh pyesja veten nëse babai, një i alkoolizuar, kishte shkuar në ferr ose në qiell. Kisha tmerr nga të vdekurit dhe nga ideja e ferrit të zjarrtë. Nuk e kuptoja dot se si një Perëndi i dashur mund ta çonte një njeri në ferr që të vuante përgjithmonë.»—Një ish-katolike në Brazil.

«Cila është e ardhmja e tokës dhe e njerëzimit? Si mund të arrijnë njerëzit të jetojnë përgjithmonë? Si mund të arrijë njerëzimi paqe të vërtetë?»—Një ish-katolik në Gjermani.

«Për mua ishte i pakuptimtë mësimi i rimishërimit. Kafshët nuk kanë aftësinë për të adhuruar. Prandaj, nëse dikush lind përsëri me trupin e një kafshe, që të shlyejë mëkatet, si mund t’i ndreqë gjërat dhe të dalë nga kjo gjendje?»—Një ish-hinduist në Afrikën e Jugut.

«Jam rritur në një familje konfucianiste dhe merrja pjesë në ceremonitë që zhvilloheshin për të qetësuar shpirtrat e paraardhësve tanë. Kur shtronim tryezën e flijimeve dhe përkuleshim, pyesja veten nëse paraardhësit e vdekur vinin për të ngrënë ushqimin dhe për të parë se si përkuleshim për nder të tyre.»—Një ish-konfucianist në Korenë e Jugut.

Të gjithë këta njerëz i gjetën përgjigjet e pyetjeve që kishin, kur studiuan Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.