Të marrim vendime: Një sfidë e pashmangshme
Të marrim vendime: Një sfidë e pashmangshme
«ASGJË nuk është më e vështirë, e si rrjedhojë më e çmuar, sesa të jesh i aftë të marrësh vendime»,—tha dikur Napoleon Bonaparti, perandor i Francës në shekullin e 19-të. Ndoshta mund të jesh dakord me të dyja aspektet e pohimit, meqenëse në përgjithësi njerëzit e quajnë diçka të çmuar të kenë nën kontroll jetën e tyre. Por njëkohësisht ata kanë mësuar se të marrin vendime, ndonjëherë nuk është aspak e lehtë.
Sido që të jetë, gjë e lehtë ose e vështirë, të marrim vendime është diçka e pashmangshme. Ndeshemi me këtë detyrë çdo ditë. Kur çohemi në mëngjes, duhet të vendosim se ç’të veshim, ç’të hamë për mëngjes dhe si të veprojmë për shumë gjëra të tjera gjatë ditës. Shumica e këtyre vendimeve nuk janë shumë të rëndësishme. Nuk i mendojmë dy herë. Rrallë ndodh që nuk na zë gjumi ngaqë vrasim mendjen a ishin vendime të mençura ose jo.
Nga ana tjetër disa vendime kanë ndikim të madh. Shumë të rinj në botën e sotme duhet të vendosin se çfarë synimesh të vënë. Ndoshta duhet të vendosin se për çfarë shkollimi kanë nevojë dhe deri në çfarë mase. Herët a vonë pjesa më e madhe e tyre do të vendosin nëse do të martohen ose do të vazhdojnë të qëndrojnë të pamartuar. Ata që mendojnë të martohen duhet të vendosin: ‘A jam mjaft i rritur dhe i pjekur për t’u martuar? Ç’bashkëshort dëshiroj ose edhe më e rëndësishme, për ç’bashkëshort kam nevojë?’ Pak vendime në jetë ndikojnë kaq shumë sa zgjedhja e bashkëshortit.
Për sa i përket çështjeve të rëndësishme, është jetësore të marrim vendime të mençura, sepse nga kjo varet shumë lumturia jonë. Disa njerëz ndoshta mendojnë se janë shumë të aftë të marrin vendime të tilla dhe mund të mos pranojnë ndihmë. A është e mençur kjo gjë? Le ta shohim.
[Diçitura e figurës në faqen 3]
Napoleoni: Nga libri The Pictorial History of the World