Ndihmë e vërtetë për të varfërit
Ndihmë e vërtetë për të varfërit
KUR Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, ishte në tokë ai tregoi interes të sinqertë, duke i ndihmuar të varfërit. Një njeri që e pa me sytë e tij, tha për shërbimin e Jezuit: «Të verbrit po shohin përsëri dhe të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngrihen dhe të varfërve po u shpallet lajmi i mirë.» (Mateu 11:5) Por, ç’të themi për miliona njerëz të varfër sot? A ka ndonjë lajm të mirë për ta? Po, ka një mesazh shprese.
Ndonëse bota në përgjithësi shpesh i shpërfill dhe i lë në harresë të varfërit, Fjala e Perëndisë, Bibla, premton: «Nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.» (Psalmi 9:18) Këto fjalë ngushëlluese do të përmbushen kur Mbretëria e Perëndisë, një qeveri e vërtetë qiellore, të zëvendësojë të gjitha sundimet njerëzore. (Danieli 2:44) Si Mbreti i kësaj qeverie qiellore, Jezuit «do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve. Nga shtypja dhe dhuna do t’ua shpengojë shpirtin, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij».—Psalmi 72:13, 14, BR.
Cilat do të jenë kushtet e jetesës kur Krishti të sundojë mbi tokë? Ata që do të jetojnë nën sundimin mbarëbotëror të Krishtit do të gëzojnë frytet e mundit të tyre. Bibla thotë te Mikea 4:3, 4: «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit [Jehovait, BR] të ushtrive foli.» Madje Mbretëria e Perëndisë do të zgjidhë problemet e sëmundjeve dhe të vdekjes. (Isaia 25:8) Sa e ndryshme do të jetë ajo botë! Mund t’u besojmë këtyre premtimeve të Biblës, sepse janë të frymëzuara nga vetë Perëndia.
Përveçse na jep një mesazh shprese, Bibla na ndihmon të përballojmë problemet e përditshme. Një problem i tillë është që të kapërcejmë ndjenjën e mungesës së respektit për veten, e cila mund të vijë si pasojë e varfërisë. Një i krishterë nevojtar e di nga studimi i Biblës se në sytë e Perëndisë është po aq i çmuar sa edhe një i krishterë i pasur. Libri biblik i Jobit thotë se Perëndia nuk «e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij». (Jobi 34:19) Perëndia i do që të dy njësoj.—Veprat 10:34, 35.