Qëndruam në caktimin tonë
Jetëshkrim
Qëndruam në caktimin tonë
TREGUAR NGA HERMAN BRUDERI
Zgjedhja ime ishte e thjeshtë: të shërbeja pesë vjet në Legjionin e Huaj Francez ose të përballoja internimin në një burg maroken. Më lini t’ju shpjegoj se si u ndodha në këtë gjendje të vështirë.
LINDA në qytetin e Openaut në Gjermani, më 1911, pikërisht tre vjet para fillimit të Luftës I Botërore. Prindërit e mi, Jozef dhe Frida Bruderi, kishin 17 djem e vajza. Unë isha fëmija i tyre i 13-të.
Kujtimet e mia më të hershme kanë të bëjnë me vëzhgimin e një bande ushtarake që marshonte në rrugën kryesore të qytetit tonë. I magjepsur nga marshi i gjallë, i ndoqa muzikantët deri te stacioni, tamam në kohë për të parë babanë dhe burra të tjerë të veshur me uniformë ushtarake që hipnin në tren. Kur treni u nis, disa gra në platformë shpërthyen në lot. Pak kohë pas kësaj, prifti ynë mbajti një fjalim të gjatë në kishë dhe lexoi emrat e katër burrave që kishin vdekur duke mbrojtur atdheun e tyre. «Tani ata janë në qiell»,—shpjegoi ai. Një gruaje që po rrinte pranë meje i ra të fikët.
Babai u sëmur me ethet e tifos ndërsa shërbente në frontin rus. Ai u kthye në shtëpi shumë i dobësuar dhe pothuajse menjëherë u shtrua në spitalin lokal. «Shko në kishën pranë varrezave dhe thuaj 50 lutje Ati ynë dhe 50 lutje drejtuar Marisë,—rekomandoi prifti.—Pastaj yt atë do të shërohet.» Ndoqa këshillën e tij, por babai vdiq të nesërmen. Edhe për një djalë të vogël, lufta ishte një përvojë shumë e dhembshme.
Si e gjeta të vërtetën?
Midis dy luftërave ishte e vështirë të gjeje punë në Gjermani. Megjithatë, pasi lashë shkollën më 1928, arrita të gjej një punë si kopshtar në Bazel të Zvicrës.
Ashtu si babai, edhe unë isha një katolik i palëkundur. Synimi im ishte të shërbeja në Indi si murg i urdhrit të kapuçinëve. Kur vëllai im Rikardi, që në atë kohë ishte një Dëshmitar i Jehovait, dëgjoi për këto plane, bëri një udhëtim të veçantë deri në Zvicër për të më mbushur mendjen që të mos shkoja. Ai më paralajmëroi për rrezikun që vjen kur u besojmë njerëzve, veçanërisht klerikëve dhe më inkurajoi të lexoja Biblën dhe të besoja vetëm tek ajo. Me gjithë dyshimet, mora një Besëlidhje të Re dhe fillova ta lexoja. Pak nga pak m’u bë e qartë se shumë nga bindjet e mia nuk ishin në harmoni me mësimet biblike.
Një të diel të vitit 1933, ndërsa isha në shtëpinë e Rikardit në Gjermani, ai më prezantoi një çift të martuarish të cilët ishin Dëshmitarë të Jehovait. Kur zbuluan se po lexoja Biblën, më dhanë një kopje të një broshure të titulluar Kriza. * Ishte gati mesnatë kur mbarova së lexuari atë broshurë. Isha i bindur se kisha gjetur të vërtetën.
Dëshmitarët e Jehovait në Bazel më pajisën me dy vëllime Studime mbi Shkrimet* bashkë me revista dhe botime të tjera. I prekur nga ajo që po lexoja, takova priftin vendas dhe i kërkova të ma hiqte emrin nga regjistri i kishës. Prifti u zemërua shumë dhe më paralajmëroi se isha në rrezik të humbisja besimin. Në fakt, unë nuk e kisha humbur aspak besimin tim. Për herë të parë në jetën time, po filloja të kultivoja besimin e vërtetë.
Vëllezërit në Bazel po programonin atë fundjavë një udhëtim predikimi matanë kufirit francez. Njëri nga vëllezërit me mirësjellje më shpjegoi se nuk isha ftuar, pasi kisha filluar vetëm kohët e fundit të shoqërohesha me kongregacionin. Pa u stepur, shpreha dëshirën time të vendosur që të filloja të predikoja. Pasi u konsultua me një plak tjetër, ai më caktoi një territor në Zvicër. Të dielën, herët në mëngjes, hipa në biçikletën time për të shkuar në një fshat të vogël afër Bazelit, me 4 libra, 28 revista dhe 20 broshura në çantën time të shërbimit. Kur arrita atje, shumica e fshatarëve ishin në kishë. Megjithatë, rreth orës 11, çanta ime e shërbimit u boshatis.
Kur u thashë vëllezërve se dëshiroja të pagëzohesha, ata bënë një bisedë serioze me mua dhe më bënë pyetje depërtuese rreth së vërtetës. Isha i prekur nga zelli dhe besnikëria e tyre ndaj Jehovait dhe organizatës së tij. Meqë ishte kohë dimri, një vëlla më pagëzoi në një vaskë banjoje në shtëpinë e një plaku kongregacioni. Mbaj mend të kem ndier një gëzim të papërshkruar dhe një forcë të madhe brenda vetes. Kjo ndodhi në vitin 1934.
Puna në Fermën e Mbretërisë
Në vitin 1936, dëgjova se Dëshmitarët e Jehovait kishin blerë një pronë në Zvicër. U ofrova të shërbeja si kopshtar. U gëzova shumë kur më ftuan të punoja në Fermën e Mbretërisë në Stefisburg, rreth 30 kilometra larg Bernës. Kur ishte e mundur ndihmoja edhe të tjerët në punën në fermë. Betheli më mësoi rëndësinë për të pasur një frymë bashkëpunimi.
Një ngjarje e rëndësishme gjatë viteve të mia në Bethel ishte vizita në fermë e vëllait
Radhërford, në vitin 1936. Kur pa madhësinë e domateve tona dhe se sa të bollshme ishin të korrat, ai buzëqeshi dhe shprehu kënaqësinë e tij. Ç’vëlla i dashur që ishte!Gjatë një mëngjesi, kur kisha pak më shumë se tre vjet që po shërbeja në fermë, u lexua një letër nga selia e Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara. Letra theksonte urgjencën e veprës së predikimit dhe ftonte këdo që dëshironte të shërbente në vende të tjera si pionier. Pa ngurruar dola vullnetar. Caktimi im erdhi në maj të vitit 1939—ishte Brazili!
Në atë kohë, isha duke ndjekur mbledhjet në kongregacionin e Tunit, pranë Fermës së Mbretërisë. Të dielave, një grup prej nesh shkonte të predikonte në Alpe, nja dy orë rrugë me biçikletë nga Tuni. Margarita Stajneri ishte njëra nga pjesëtarët e grupit. Menjëherë më erdhi një mendim: A nuk i kishte dërguar Jezui dishepujt e tij dy e nga dy? Kur rastësisht i thashë Margaritës se isha caktuar në Brazil, ajo shprehu dëshirën e saj për të shërbyer atje ku nevoja ishte më e madhe. U martuam më 31 korrik 1939.
Një ndalesë e papritur
Në fund të gushtit 1939, udhëtuam me anije nga Havëri, Francë drejt Santosit në Brazil. Të gjitha vendet dyshe ishin të zëna, kështu që na u desh të udhëtonim në kabina të veçuara. Ndërsa ishim në udhëtim, morëm vesh se Britania e Madhe dhe Franca i kishin shpallur luftë Gjermanisë. Një grup prej 30 pasagjerësh gjermanë reagoi duke kënduar himnin kombëtar gjerman. Kjo gjë e mërziti kapitenin, saqë ndërroi kursin dhe çoi anijen në Safi, Marok. Pasagjerëve me dokumente udhëtimi gjermane iu dhanë pesë minuta kohë për të zbritur. Aty u përfshimë edhe ne.
Na mbajtën për një ditë në stacionin e policisë dhe më pas na grumbulluan në një autobus të vjetër rrangallë dhe na çuan në një burg në Marrakesh, rreth 140 kilometra larg. Më pas erdhën ditë të vështira. Qelitë tona ishin të tejmbushura dhe të errëta. Banjoja e përbashkët—një vrimë në dysheme—ishte vazhdimisht e bllokuar. Secili prej nesh mori një thes të pistë për të fjetur.Gjatë natës, minjtë brenin pulpën e këmbëve tona. Racionet shërbeheshin dy herë në ditë në një enë të ndryshkur.
Një oficer ushtrie shpjegoi se do të lirohesha nëse pranoja të shërbeja për pesë vjet në Legjionin e Huaj Francez. Ngaqë nuk pranova më futën për 24 orë në një birucë të errët. Pjesën më të madhe të kësaj kohe e kalova duke u lutur.
Pas tetë ditësh, autoritetet e burgut më lejuan që të shihja përsëri Margaritën. Ajo ishte tmerrësisht e dobësuar dhe qante në mënyrë të pakontrollueshme. Bëra ç’munda për ta inkurajuar. Na morën në pyetje dhe na transferuan me tren në Kazablankë, ku Margaritën e liruan. Mua më dërguan në një kamp të burgosurish në Port-Lyatje (tani Kenitra), rreth 180 kilometra larg. Konsulli zviceran e këshilloi Margaritën që të kthehej në Zvicër, por ajo, me besnikëri, kundërshtoi që të largohej pa mua. Gjatë dy muajve që qëndrova në Port-Lyatje, ajo udhëtonte çdo ditë nga Kazablanka për të më vizituar dhe për të më sjellë ushqim.
Një vit më parë, për të tërhequr vëmendjen e publikut ndaj mospërfshirjes së Dëshmitarëve me regjimin nazist, Dëshmitarët e Jehovait kishin botuar një libër të titulluar Kreuzzug gegen das Christentum (Kryqëzatë kundër krishterimit). Ndërkohë që isha në kampin e të burgosurve, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Bernë u shkroi autoriteteve franceze, duke përfshirë një kopje të këtij libri duke u përpjekur që të provonte se ne nuk ishim nazistë. Margarita, gjithashtu, bëri një punë të shkëlqyer duke vizituar zyrtarët e lartë dhe duke u përpjekur që t’i bindte për pafajësinë tonë. Përfundimisht, në fund të vitit 1939, morëm leje për t’u larguar nga Maroku.
Vetëm pasi hipëm edhe një herë në anije për në Brazil, mësuam se nëndetëset gjermane po sulmonin rrugët detare në Atlantik dhe që ne ishim objektivi i parë. Ndonëse anija
jonë e quajtur Xhamajka ishte një anije tregtare, ajo kishte armë të vendosura në bash dhe në pjesën e prapme. Gjatë ditës, kapiteni mbante një kurs zigzag dhe gjuante me predha vazhdimisht. Gjatë natës rrinim në errësirë për të shmangur diktimin nga ana e gjermanëve. Sa të lehtësuar u ndiem që më në fund, pas më shumë se pesë muaj që lamë Evropën, mbërritëm në portin e Santosit në Brazil më 6 shkurt 1940!Përsëri në burg
Caktimi ynë i parë i predikimit ishte Montenegro, një qytet në shtetin jugor brazilian të Rio-Grande-do-Sul. Autoritetet e kishës me sa duket ishin informuar për mbërritjen tonë. Pasi po predikonim për vetëm dy orë, policia na arrestoi dhe na konfiskoi koleksionin me regjistrimet e fonografisë që përmbanin fjalime biblike, të gjithë literaturën. Na morën, madje edhe çantat e shërbimit prej lëkure deveje që kishim blerë në Marok. Një prift dhe një shërbëtor fetar që fliste gjermanisht, na pritnin në stacionin e policisë. Ata dëgjuan një nga fjalimet e vëllait Radhërford që shefi i policisë vuri në gramafon, të cilin gjithashtu e kishin konfiskuar. Vëllai Radhërford, sigurisht që fliste hapur e drejtpërdrejt. Kur përmendte Vatikanin në një pjesë gjatë fjalimit, prifti u bë i kuq flakë dhe iku i tërbuar.
Me kërkesën e peshkopit të qytetit Santa-Maria, policia na transferoi në Porto-Alegre, kryeqyteti i shtetit. Margarita u lirua shpejt dhe kërkoi ndihmën e konsullatës zviceriane. Konsulli i sugjeroi që të kthehej në Zvicër. Edhe një herë ajo nuk pranoi të më braktiste. Margarita ka qenë gjithmonë një shoqe shumë besnike. Tridhjetë ditë më vonë u mora në pyetje dhe u lirova. Policia na vuri përpara një zgjedhje: largohuni nga shteti brenda dhjetë ditësh ose «pranoni pasojat». Sipas sugjerimit të selisë në Bruklin, ne u larguam për në Rio-de-Zhanejro.
«Ju lutem, lexojeni këtë biletë»
Sa të gëzuar që ishim, pavarësisht nga ky fillim i pafavorshëm në fushën braziliane! Në fund të fundit, ishim gjallë, çantat tona ishin edhe njëherë plot me literaturë dhe kishim të gjithë Rio-de-Zhanejron për të predikuar. Por,
si do të mund të predikonim me njohurinë tonë të kufizuar në gjuhën portugeze? Me anë të një bilete dëshmie. «Por favor leia este cartão» («Ju lutem, lexojeni këtë biletë») ishte shprehja e parë portugeze që mësuam të përdornim në veprën e predikimit. E ç’sukses që pati ajo! Vetëm në një muaj, shpërndamë mbi 1.000 libra. Shumë veta që pranuan literaturën tonë biblike më vonë përqafuan të vërtetën. Për të qenë të ndershëm, botimet tona dhanë një dëshmi shumë më tepër të efektshme, sesa mund të kishim dhënë ne ndonjëherë. Kjo më theksoi rëndësinë që ka lënia e botimeve tona në duart e njerëzve të interesuar.Në atë kohë Rio-de-Zhanejro ishte kryeqyteti i Brazilit dhe mesazhi ynë ishte veçanërisht i mirëpritur në ndërtesat qeveritare. Pata privilegjin që personalisht t’i predikoja ministrit të financës dhe ministrit të forcave të armatosura. Në këto raste, pashë dëshminë e qartë të veprimit të frymës së Jehovait.
Njëherë, ndërsa predikoja në një shesh në qendër të Rios, hyra në Pallatin e Drejtësisë. Nuk e di sesi, por u gjeta në një dhomë i rrethuar nga njerëz të veshur me të zeza, në mes të të cilëve dukej sikur kishte një ceremoni varrimi. Iu afrova një burri që binte në sy dhe i dorëzova biletën time të dëshmisë. Nuk ishte një varrim. Në fakt kisha ndërprerë një çështje gjyqësore dhe po flitja me gjykatësin. Duke qeshur, ai u bëri me shenjë rojave që të qetësoheshin. Me mirësjellje pranoi librin Fëmijët * dhe dha një kontribut. Kur po dilja një nga rojat më tregoi një shënim të dukshëm në derë: Proibida a entrada de pessoas estranhas (Ndalohet hyrja e personave të paautorizuar).
Një fushë tjetër prodhimtare ishte porti. Në një rast, takova një marinar që i pranoi botimet përpara se të nisej për lundrim. Më vonë, u takuam me të në një asamble. E tërë familja e tij kishte pranuar të vërtetën dhe vetë ai po bënte mjaft përparim. Kjo gjë na gëzoi shumë.
Sidoqoftë, jo çdo gjë shkonte vaj. Viza jonë gjashtë mujore mbaroi dhe na u desh të përballonim dëbimin. Pasi i shkruam selisë qendrore rreth situatës sonë, morëm një letër të dashur nga vëllai Radhërford, i cili na inkurajoi të ngulmonim dhe na sugjeroi si të vepronim. Dëshira jonë ishte që të qëndronim në Brazil dhe me ndihmën e një avokati, më në fund morëm një vizë të përhershme në vitin 1945.
Një caktim afatgjatë
Sidoqoftë, para kësaj, më 1941 kishte lindur djali ynë Jonatani, më 1943 Rutha dhe më 1945 Esteri. Për t’u kujdesur për nevojat e familjes sonë në rritje, m’u desh të filloja një punë në botë. Margarita vazhdoi në aktivitetin e predikimit në kohë të plotë deri në lindjen e fëmijës sonë të tretë.
Që nga fillimi, punuam së bashku si familje në veprën e predikimit në sheshet e qyteteve, në stacionet e trenave, në rrugë dhe në qendrat e biznesit. Të shtunave në mbrëmje, shpërndanim si familje revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, dhe këto ishin veçanërisht ngjarje të gëzueshme.
Në shtëpi, secili fëmijë kishte detyrat e përditshme për të përmbushur. Jonathani ishte përgjegjës për pastrimin e sobës dhe të kuzhinës. Vajzat pastronin frigoriferin, fshinin oborrin
dhe pastronin këpucët tona. Kjo i ndihmoi që të mësonin të ishin të organizuara dhe të kishin iniciativë. Sot, fëmijët tanë janë punëtorë të zellshëm që kujdesen mirë për familjet dhe gjërat e tyre, gjë që Margaritën dhe mua na bën shumë të lumtur.Nga fëmijët pritnim gjithashtu që të silleshin mirë në mbledhje. Para se të fillonte mbledhja ata pinin një gotë me ujë dhe shkonin në banjë. Gjatë mbledhjes, Jonatani ulej në të majtën time, Rutha në të djathtë, e më pas Margarita dhe në të djathtë të saj, Esteri. Kjo gjë i ndihmoi ata që të përqendroheshin dhe të merrnin ushqim frymor që kur ishin të vegjël.
Jehovai i ka bekuar përpjekjet tona. Të gjithë fëmijët tanë vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait me besnikëri dhe marrin pjesë me gëzim në veprën e predikimit. Jonatani tani shërben si plak në kongregacionin Novo-Mejer, në Rio-de-Zhanejro.
Rreth viteve 70-të, fëmijët tanë ishin që të gjithë të martuar dhe u larguan nga shtëpia, kështu që Margarita dhe unë vendosëm të transferoheshim dhe të shërbenim aty ku nevoja ishte më e madhe. Vendndalimi ynë i parë ishte Posus-de-Kaldas, në shtetin Minas-Gerais, i cili në atë kohë kishte një grup të vogël me 19 lajmëtarë të Mbretërisë. Kur pashë për herë të parë vendin e tyre të mbledhjeve u tremba—ishte një bodrum pa dritare, dhe e ngutshme ishte nevoja për riparim. Menjëherë filluam të kërkonim për një Sallë Mbretërie më të përshtatshme dhe pas pak kohësh gjetëm një ndërtesë të këndshme në një vend të shkëlqyer. Çfarë ndryshimi që solli ajo! Katër vjet e gjysmë më vonë, numri i lajmëtarëve ishte rritur në 155. Në vitin 1989 u transferuam në Araruama, të Rio-de-Zhanejros, ku shërbyem për nëntë vjet. Gjatë kësaj kohe përjetuam formimin e dy kongregacioneve të reja.
Të shpërblyer që qëndruam në caktimin tonë
Në vitin 1998, problemet shëndetësore dhe dëshira për të qenë pranë fëmijëve tanë na bënë që të transferoheshim në Sao-Gonsalu, të Rio-de-Zhanejros. Shërbej ende atje si plak kongregacioni. Po bëjmë më të mirën tonë për të marrë pjesë rregullisht në veprën e predikimit. Margarita provon kënaqësi t’u dëshmojë njerëzve në një supermarket pranë dhe kongregacioni me dashamirësi ka lënë mënjanë për ne pak territor pranë shtëpisë sonë, që e bën më të lehtë për ne predikimin kur na lejon shëndeti.
Margarita dhe unë kemi qenë shërbëtorë të dedikuar të Jehovait për më shumë se 60 vjet. Personalisht kemi provuar se «as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që kanë për të ardhur, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë». (Romakëve 8:38, 39) E ç’kënaqësi ka qenë të jesh dëshmitar i mbledhjes së ‘deleve të tjera’, që kanë shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme në një tokë parajsore, të rrethuara nga krijimet e bukura të Perëndisë! (Gjoni 10:16) Kur erdhëm në Rio-de-Zhanejro, në vitin 1940, atje kishte vetëm një kongregacion me 28 lajmëtarë. Sot, atje, ka rreth 250 kongregacione dhe më shumë se 20.000 lajmëtarë të Mbretërisë.
Ka pasur raste kur mund të ishim kthyer pranë familjarëve tanë në Evropë. Por caktimi që na ka dhënë Jehovai është këtu në Brazil. Sa të gëzuar jemi që qëndruam në të!
[Shënimet]
^ par. 11 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por që nuk shtypet më.
^ par. 33 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por nuk shtypet më.
[Figura në faqen 21]
Në Fermën e Mbretërisë, Stefisburg, Zvicër, në fund të viteve 30 (unë jam i fundit nga e djathta)
[Figura në faqen 23]
Pak kohë para dasmës sonë, në vitin 1939
[Figura në faqen 23]
Kazablanka në vitet 40
[Figura në faqen 23]
Duke predikuar si familje
[Figura në faqen 24]
Duke marrë pjesë rregullisht në shërbim sot