Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lavdia e Jehovait ndriçon mbi popullin e tij

Lavdia e Jehovait ndriçon mbi popullin e tij

Lavdia e Jehovait ndriçon mbi popullin e tij

«Vetë Jehovai do të bëhet për ty një dritë që zgjat pafundësisht.»​—ISAIA 60:20, BR.

1. Si e bekon Jehovai popullin e tij besnik?

«JEHOVAI gjen kënaqësi te populli i tij. Ai i zbukuron zemërbutët me shpëtim.» (Psalmi 149:4, BR) Kështu tha psalmisti i lashtë dhe historia ka treguar vërtetësinë e fjalëve të tij. Kur shërbëtorët e Jehovait i qëndrojnë besnikë, ai kujdeset për ta, i bën të begatë dhe i mbron. Në kohët e lashta, u jepte fitoren mbi armiqtë. Sot i mban të fortë frymësisht dhe i siguron për shpëtimin në bazë të flijimit të Jezuit. (Romakëve 5:9) Këtë e bën sepse ata janë të bukur në sytë e tij.

2. Për çfarë është i sigurt populli i Perëndisë, ndonëse has kundërshtim?

2 Sigurisht, në një botë që është e zhytur në errësirë, ata që «jetojnë me devocion hyjnor» do të hasin kundërshtim. (2 Timoteut 3:12) Megjithatë, Jehovai i vëren kundërshtarët dhe i paralajmëron: «Çdo komb dhe çdo mbretëri që nuk do të të shërbejë do të marrë fund, dhe kombet do të shkretohen me siguri.» (Isaia 60:12) Sot kundërshtimi haset në shumë forma. Në disa vende, kundërshtarët orvaten ta kufizojnë ose ta ndalojnë adhurimin që të krishterët e vërtetë i bëjnë Jehovait. Në vende të tjera, fanatikët i sulmojnë fizikisht adhuruesit e Jehovait dhe u djegin pronat. Por mos harroni se Jehovai tashmë e ka vendosur përfundimin për këdo që i kundërvihet plotësimit të vullnetit të tij. Kundërshtarët nuk do t’ia dalin mbanë. Ata që luftojnë kundër Sionit, të përfaqësuar nga fëmijët e saj në tokë, nuk mund të kenë sukses. A nuk na jep zemër kjo siguri që na vjen nga Perëndia ynë i madh, Jehovai?

Të bekuar përtej asaj që pritej

3. Si ilustrohen bukuria dhe begatia e adhuruesve të Jehovait?

3 E vërteta është se gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi, Jehovai e ka bekuar popullin e tij përtej asaj që pritnin ata. Ai sidomos ka zbukuruar gjithnjë e më shumë vendin e tij të adhurimit dhe ata që janë brenda këtij vendi adhurimi e që mbajnë emrin e tij. Sipas profecisë së Isaisë, ai i thotë Sionit: «Te ti do të vijë lavdia e Libanit, dëllinja, frashëri dhe selvia në të njëjtën kohë, për të zbukuruar vendin e shenjtërores sime dhe unë do t’i jap lavdi vendit të këmbëve të mia.» (Isaia 60:13) Malet e mbuluara me pyje të harlisur janë një pamje madhështore. Prandaj pemët e harlisura janë simbole të përshtatshme të bukurisë dhe të begatisë së adhuruesve të Jehovait.​—Isaia 41:19; 55:13.

4. Çfarë janë ‘shenjtërorja’ dhe ‘vendi i këmbëve të [Jehovait]’ dhe si janë zbukuruar ato?

4 Çfarë janë ‘shenjtërorja’ dhe ‘vendi i këmbëve të [Jehovait]’ të përmendura tek Isaia 60:13? Këta terma kanë të bëjnë me oborret e tempullit të madh frymor të Jehovait, i cili është rregulli që ai ka vendosur, me qëllim që njerëzit t’i afrohen në adhurim nëpërmjet Jezu Krishtit. (Hebrenjve 8:1-5; 9:2-10, 23) Jehovai e ka bërë të ditur qëllimin e tij për ta lartësuar këtë tempull frymor duke sjellë njerëz nga të gjitha kombet që të adhurojnë atje. (Hageu 2:7) Më parë, vetë Isaia kishte parë turma nga të gjithë popujt të vërshonin në malin e lartësuar të adhurimit të Jehovait. (Isaia 2:1-4) Qindra vjet më vonë, apostulli Gjon pa në vegim ‘një shumicë të madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’. Këta qëndronin ‘përpara fronit të Perëndisë; . . . duke i bërë atij shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij’. (Zbulesa 7:9, 15) Me përmbushjen e këtyre profecive në ditët tona, shtëpia e Jehovait është zbukuruar pikërisht para syve tanë.

5. Cilin ndryshim për mirë provuan fëmijët e Sionit?

5 Ç’ndryshim i madh për mirë ka qenë e gjithë kjo për Sionin! Jehovai thotë: «Në vend që të jesh krejt e braktisur dhe e urryer, ku nuk kalon askush, unë do të të vendos madje si një objekt krenarie deri në kohë të pacaktuar, një ngazëllim brez pas brezi.» (Isaia 60:15) Aty nga fundi i Luftës I Botërore, ‘Izraeli i Perëndisë’ pati vërtet një periudhë shkretimi. (Galatasve 6:16) Ajo u ndie vërtet «krejt e braktisur», pasi fëmijët e saj në tokë nuk e dallonin qartë se cili ishte vullneti i Perëndisë për ta. Pastaj, në vitin 1919, Jehovai i rigjallëroi shërbëtorët e tij të mirosur dhe që nga ajo kohë i ka bekuar me begati të mrekullueshme frymore. Për më tepër, a nuk është entuziazmues premtimi që gjejmë në këtë varg? Jehovai do ta shikojë Sionin si «një objekt krenarie». Po, fëmijët e Sionit e madje edhe vetë Jehovai do të jenë krenarë për të. Ajo do të jetë «një ngazëllim», një shkak për gëzim të pamasë. E kjo nuk do të jetë vetëm për një kohë të shkurtër. Gjendja e miratuar e Sionit, të paraqitur nga fëmijët e saj tokësorë, do të zgjatë «brez pas brezi». Nuk do të mbarojë kurrë.

6. Si i përdorin të krishterët e vërtetë burimet e kombeve?

6 Tani dëgjoni një premtim tjetër hyjnor. Duke folur me Sionin, Jehovai thotë: «Ti në të vërtetë do të thithësh qumështin e kombeve dhe do të thithësh gjoksin e mbretërve; e me siguri do të njohësh që unë, Jehovai, jam Shpëtimtari yt dhe që i Fuqishmi i Jakobit është Riblerësi yt.» (Isaia 60:16) Në ç’mënyrë Sioni është ushqyer me «qumështin e kombeve» dhe ka thithur «gjoksin e mbretërve»? Në kuptimin që të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre nga ‘delet e tjera’ përdorin burimet materiale të kombeve për të çuar përpara adhurimin e vërtetë. (Gjoni 10:16) Kontributet financiare të dhëna vullnetarisht janë një ndihmesë për të kryer një vepër të madhe ndërkombëtare predikimi dhe mësimdhënieje. Përdorimi i mençur i teknologjisë moderne lehtëson botimin e Biblave dhe të literaturës biblike në qindra gjuhë. Sot, e vërteta biblike është në dispozicion të më shumë njerëzve se kurrë më parë në histori. Shtetas të shumë e shumë kombeve po mësojnë se Jehovai, i cili i ribleu shërbëtorët e tij të mirosur nga robëria frymore, është vërtet Shpëtimtari.

Përparim nga ana organizative

7. Cilin përparim të jashtëzakonshëm kanë pasur fëmijët e Sionit?

7 Jehovai e ka zbukuruar popullin e tij edhe në një mënyrë tjetër. E ka bekuar me përparim nga ana organizative. Tek Isaia 60:17 lexojmë: «Në vend të bakrit unë do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit, bakër dhe në vend të gurëve, hekur; unë do të caktoj paqen si mbikëqyrësit e tu dhe drejtësinë si përgjegjësit e tu.» Të zëvendësosh bakrin me ar është një përmirësim dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për materialet e tjera të përmendura këtu. Në përputhje me këtë, Izraeli i Perëndisë ka bërë përmirësime të vazhdueshme organizative gjatë ditëve të fundit. Le të shqyrtojmë disa shembuj.

8-10. Përshkruani disa përmirësime organizative që kanë ndodhur nga viti 1919.

8 Para vitit 1919, kongregacionet e popullit të Perëndisë drejtoheshin nga pleq dhe dhjakë, të zgjedhur në mënyrë demokratike nga pjesëtarët e kongregacionit. Duke filluar që nga ai vit, «skllavi i besueshëm dhe i matur» filloi të emëronte një drejtues shërbimi në çdo kongregacion për të mbikëqyrur veprimtaritë e shërbimit në fushë. (Mateu 24:45-47) Por në shumë kongregacione ky rregull nuk funksionoi shumë mirë, sepse disa pleq të zgjedhur me vota nuk e mbështetnin plotësisht veprën e ungjillëzimit. Prandaj, në vitin 1932, kongregacionet u udhëzuan që të mos vazhdonin më të zgjidhnin pleq e dhjakë. Në vend të kësaj duhej të zgjidhnin burra që të shërbenin në një komitet shërbimi, për të punuar së bashku me drejtuesin e shërbimit. Kjo ishte si «bakër» në vend të «drurit», një përmirësim mjaft i madh.

9 Në vitin 1938, kongregacionet në mbarë botën vendosën të pranonin një përmirësim, i cili përputhej më tepër me modelin biblik. Drejtimi i kongregacionit iu besua një shërbëtori kompanie dhe shërbëtorëve të tjerë, që të gjithë të emëruar nën drejtimin e skllavit të besueshëm dhe të matur. S’kishte më zgjedhje me vota! Kështu, emërimet në kongregacion bëheshin në mënyrë teokratike. Kjo ishte si «hekur» në vend të «gurëve» ose si «ar» në vend të «bakrit».

10 Që atëherë, përparimi ka vazhduar. Për shembull, në vitin 1972 u kuptua se kishte një mënyrë të drejtuari që ishte edhe më afër mënyrës se si drejtoheshin kongregacionet e krishtere në shekullin e parë. Kjo ishte mbikëqyrja e kongregacioneve nga një trup pleqsh të emëruar në mënyrë teokratike, të cilët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe ku asnjë plak nuk ushtron autoritet mbi pjesën tjetër. Gjithashtu, rreth dy vjet më parë, u bë edhe një hap tjetër përpara. U bë një rregullim në mënyrën e drejtimit të disa korporatave ligjore, duke i dhënë mundësi Trupit Udhëheqës që të përqendrohet më plotësisht në interesat frymore të popullit të Perëndisë, në vend që të shpërqendrohet nga çështjet e përditshme ligjore.

11. Kush ka qenë pas ndryshimeve organizative që janë bërë në popullin e Jehovait dhe çfarë kanë sjellë si rrjedhim këto ndryshime?

11 Kush është pas këtyre ndryshimeve të njëpasnjëshme? Askush tjetër veç Perëndisë Jehova. Është ai që thotë: «Unë do të sjell ar.» Gjithashtu, është ai që vazhdon më tej: «Unë do të caktoj paqen si mbikëqyrësit e tu dhe drejtësinë si përgjegjësit e tu.» Po, Jehovai është përgjegjës për mbikëqyrjen e popullit të tij. Përparimi organizativ i parathënë është një tjetër mënyrë se si po e zbukuron ai popullin e tij. Si rrjedhim, Dëshmitarët e Jehovait janë bekuar në shumë drejtime. Tek Isaia 60:18 lexojmë: «Dhuna nuk do të dëgjohet më në vendin tënd, as grabitja ose rrënimi brenda kufijve të tu. Dhe, me siguri, do t’i quash muret e tua Shpëtim dhe portat e tua Lëvdim.» Sa të bukura janë këto fjalë! Por, si janë përmbushur?

12. Si ka mbretëruar paqja midis të krishterëve të vërtetë?

12 Të krishterët e vërtetë e mbajnë shikimin të përqendruar te Jehovai për të marrë udhëzim dhe udhëheqje. Rezultati është siç e kishte parathënë Isaia: «Gjithë bijtë e tu do të jenë persona të mësuar nga Jehovai dhe paqja e bijve të tu do të jetë e bollshme.» (Isaia 54:13) Përveç kësaj, fryma e Jehovait vepron te populli i tij dhe paqja është një nga frytet e kësaj fryme. (Galatasve 5:22, 23) Paqja që gëzon populli i Jehovait e bën të jetë një oaz freskues në një botë të dhunshme. Gjendja e tyre paqësore, e bazuar në dashurinë që kanë të krishterët e vërtetë për njëri-tjetrin, është një shijim paraprak i jetës në botën e re. (Gjoni 15:17; Kolosianëve 3:14) Sigurisht, secili prej nesh është entuziast që gëzon një paqe të tillë dhe që ndihmon për arritjen e saj. Kjo paqe i sjell lavdi e nderim Perëndisë tonë dhe është një përbërës kryesor i parajsës frymore!​—Isaia 11:9.

Drita e Jehovait do të vazhdojë të ndriçojë

13. Përse mund të jemi të sigurt se drita e Jehovait nuk do të pushojë kurrë së ndriçuari mbi popullin e tij?

13 A do të vazhdojë të ndriçojë drita e Jehovait mbi popullin e tij? Po! Tek Isaia 60:19, 20 lexojmë: «Për ty dielli nuk do të jetë më një dritë gjatë ditës dhe hëna nuk do të të japë më dritë për ndriçim. Jehovai duhet të bëhet për ty një dritë që zgjat pafundësisht dhe Perëndia yt bukuria jote. Dielli yt nuk do të perëndojë më dhe as hëna jote nuk do të zvogëlohet, sepse vetë Jehovai do të bëhet për ty një dritë që zgjat pafundësisht dhe ditët e vajtimit tënd do të kenë mbaruar.» Pasi ‘vajtimi’ i të mërguarve frymorë përfundoi në vitin 1919, drita e Jehovait filloi të ndriçonte mbi ta. Edhe tani pas më shumë se 80 vjetësh, ata gëzojnë ende miratimin e Jehovait, ndërsa drita e tij vazhdon të ndriçojë. Kjo dritë nuk do të mbarojë. Për sa u përket adhuruesve të tij, Perëndia nuk do të «perëndojë», siç bën dielli dhe nuk do të «zvogëlohet», siç bën hëna. Përkundrazi, do të vazhdojë të rrezatojë dritë mbi ta për gjithë përjetësinë. Sa e mrekullueshme është kjo siguri për ne që jetojmë gjatë ditëve të fundit të kësaj bote të zhytur në errësirë!

14, 15. (a) Në ç’mënyrë i gjithë populli i Perëndisë është ‘i drejtë’? (b) Cilën përmbushje të rëndësishme presin me padurim delet e tjera, duke pasur parasysh Isainë 60:21?

14 Tani dëgjoni edhe një premtim tjetër që bën Jehovai për përfaqësuesin tokësor të Sionit, për Izraelin e Perëndisë. Tek Isaia 60:21 thuhet: «Sa për popullin tënd, ata do të jenë të gjithë të drejtë; deri në kohë të pacaktuar ata do të mbajnë në zotërim vendin, filizin e plantacionit tim, veprën e duarve të mia, që unë të zbukurohem.» Në vitin 1919, kur rifilluan veprimtarinë, të krishterët e mirosur ishin një grup i pazakontë njerëzish. Në një botë kryekëput mëkatare, ata ishin ‘shpallur të drejtë’ në bazë të besimit të tyre të patundur në flijimin shpërblyes të Krishtit Jezu. (Romakëve 3:24; 5:1) Më pas, ashtu si izraelitët e çliruar nga robëria babilonase, ata morën në zotërim një ‘vend’, një vend frymor ose sferë aktiviteti, ku do të gëzonin një parajsë frymore. (Isaia 66:8) Bukuria parajsore e këtij vendi nuk do të venitet kurrë, sepse ndryshe nga Izraeli i lashtë, Izraeli i Perëndisë si komb nuk do të tregohet jobesnik. Besimi, qëndrueshmëria dhe zelli i tyre nuk do të reshtin kurrë së sjelluri nderim emrit të Perëndisë.

15 Të gjithë pjesëtarët e këtij kombi frymor kanë hyrë në besëlidhjen e re. Që të gjithë e kanë ligjin e Jehovait të shkruar në zemrat e tyre dhe Jehovai, në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit, u ka falur mëkatet. (Jeremia 31:31-34) Ai i shpall të drejtë si ‘bij’ dhe i trajton si të ishin të përsosur. (Romakëve 8:15, 16, 29, 30) Edhe shokëve të tyre nga delet e tjera u janë falur mëkatet në bazë të flijimit të Jezuit dhe, me anë të besimit, janë shpallur të drejtë si miq të Perëndisë, ngjashëm Abrahamit. «I kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.» Këta shokë nga delet e tjera presin me padurim edhe një bekim tjetër të jashtëzakonshëm. Pasi të mbijetojnë nga «shtrëngimi i madh» ose pasi të ringjallen, ata do të shohin përmbushjen e mirëfilltë të fjalëve të Isaisë 60:21, kur e gjithë toka të bëhet parajsë. (Zbulesa 7:14; Romakëve 4:1-3) Në atë kohë, «zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe».​—Psalmi 37:11, 29.

Rritja vazhdon

16. Cilin premtim të jashtëzakonshëm bëri Jehovai dhe si është përmbushur ai?

16 Në vargun e fundit të kapitullit 60 të Isaisë lexojmë premtimin e fundit që bën Jehovai në këtë kapitull. Ai i thotë Sionit: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm. Unë, Jehovai, do ta shpejtoj në kohën e vet.» (Isaia 60:22) Në ditët tona, Jehovai e ka mbajtur fjalën. Kur të krishterët e mirosur rifilluan veprën në vitin 1919, ishin të paktë në numër, në të vërtetë një ‘i paktë’. Numri i tyre u rrit dora-dorës që u grumbulluan izraelitë të tjerë frymorë. Pastaj delet e tjera filluan të mblidheshin rreth tyre në një numër gjithnjë në rritje. Gjendja paqësore e popullit të Perëndisë, parajsa frymore që ekziston në ‘vendin’ e tyre, ka tërhequr kaq shumë njerëz me zemër të ndershme, saqë «i vogli» është bërë me të vërtetë «një komb i fuqishëm». Tani ky «komb», i përbërë nga Izraeli i Perëndisë dhe më shumë se gjashtë milionë ‘të huaj’ të kushtuar, është më i madh në numër se shumë prej shteteve sovrane të botës. (Isaia 60:10) Të gjithë nënshtetasit e tij pasqyrojnë dritën e Jehovait, dhe kjo i bën të gjithë të bukur në sytë e tij.

17. Si ka ndikuar te ju ky trajtim i kapitullit 60 të Isaisë?

17 Vërtet, shqyrtimi i këtyre pikave kryesore të kapitullit 60 të Isaisë na e forcon besimin. Është ngushëlluese të kuptojmë që kaq shumë kohë më përpara Jehovai e dinte se populli i tij do të shkonte në mërgim frymor e më pas do të rivendosej. Mbetemi të shtangur që kaq shumë kohë më përpara Jehovai parashikoi rritjen e madhe të numrit të adhuruesve të vërtetë në ditët tona. Për më tepër, sa ngushëlluese është të mbajmë në mendje se Jehovai nuk do të na braktisë! Sa e dashur është siguria se portat e ‘qytetit’ do të qëndrojnë gjithnjë hapur për të mirëpritur ata që janë «të prirur drejt jetës së përhershme»! (Veprat 13:48) Jehovai do të vazhdojë të ndriçojë mbi popullin e tij. Sioni do të vazhdojë të jetë objekt krenarie ndërkohë që fëmijët e saj e lënë dritën e tyre të ndriçojë gjithnjë e më shumë. (Mateu 5:16) Sigurisht, jemi më të vendosur se kurrë që të qëndrojmë afër Izraelit të Perëndisë dhe ta çmojmë privilegjin tonë për të pasqyruar dritën e Jehovait!

A mund ta shpjegoni?

• Për çfarë jemi të sigurt për sa i përket kundërshtimit?

• Në ç’mënyrë fëmijët e Sionit kanë ‘thithur qumështin e kombeve’?

• Në ç’mënyrë Jehovai ka ‘sjellë bakër në vend të drurit’?

• Cilat janë dy cilësi që nxjerr në pah Isaia 60:17, 21?

• Si është bërë «i vogli» «një komb i fuqishëm»?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figurat në faqen 18]

PROFECITË E ISAISË​—Dritë për gjithë njerëzimin

Një përmbledhje e materialit që gjendet në këta artikuj u paraqit në një fjalim gjatë Kongreseve Krahinore «Mësues të Fjalës së Perëndisë» për vitin 2001-2002. Në fund të fjalimit, në pjesën më të madhe të vendeve oratori paraqiti një botim të ri, me titull Profecitë e Isaisë​—Dritë për gjithë njerëzimin, Vëllimi II. Vitin e mëparshëm ishte prezantuar libri Profecitë e Isaisë​—Dritë për gjithë njerëzimin, Vëllimi I. Me prezantimin e këtij botimi të ri, tani kemi në dispozicion një trajtim të përditësuar pothuajse varg për varg të librit të Isaisë. Këto vëllime janë vërtet një ndihmë e shkëlqyer për të na e thelluar kuptueshmërinë dhe mirënjohjen për librin e Isaisë, një libër profetik që frymëzon besim.

[Figurat në faqen 15]

Përballë kundërshtimit të dhunshëm, ‘Jehovai e zbukuron popullin e tij me shpëtim’

[Figurat në faqen 16]

Populli i Perëndisë përdor burimet materiale të kombeve për të çuar përpara adhurimin e pastër

[Figura në faqen 17]

Jehovai e ka bekuar popullin e tij me përparim nga ana organizative dhe me paqe