Një udhëheqje e mirë: Sfida mbarëbotërore
Një udhëheqje e mirë: Sfida mbarëbotërore
Ai ishte shkrimtar dhe poet. Në zemër kishte plot shpresa për të ardhmen. Rreth 90 vjet më parë, përfytyroi një vend «ku mendja është e çliruar nga frika dhe koka mbahet lart; ku njohuria është falas; ku bota nuk është e copëtuar nga muret e ngushta kombëtare; ku fjalët dalin nga thellësia e së vërtetës; [dhe] ku përpjekjet e palodhura bëjnë që të shkojmë gjithnjë e më afër përsosmërisë».
MË PAS, ky shkrimtar foli për shpresën se një ditë, atdheu i tij, si edhe pjesa tjetër e botës, do të zgjoheshin e do të gjendeshin në një vend të tillë. Po të ishte gjallë sot, ky poet që fitoi çmimin Nobel do të mbetej shumë i zhgënjyer. Me gjithë përparimet dhe zbulimet e mëdha, bota është më e copëtuar se kurrë. Edhe shpresa për të ardhmen e njerëzimit, në përgjithësi, mbetet e zymtë.
Kur e pyetën se përse shpërtheu papritur dhuna ndërmjet disa fraksioneve në vendin e tij, një bujk citoi një nga arsyet që mendonte ai. «E gjitha erdhi për shkak të udhëheqësve jo të mirë»,—tha ai. Në librin e tij, Humanity—A Moral History of the Twentieth Century, historiani Xhonatan Glover shpreh një pikëpamje të ngjashme, duke thënë: «Gjenocidi [në po atë vend] nuk ishte një shpërthim i vetvetishëm i urrejtjes fisnore, por ishte i planifikuar nga njerëzit që donin të vazhdonin ta mbanin pushtetin.»
Kur shpërtheu lufta midis dy republikave të ish-Jugosllavisë, në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të, një gazetare shkroi: «Për shumë vite, jetuam të lumtur së bashku, kurse tani kemi arritur deri aty sa i vrasim foshnjat njëri-tjetrit. Çfarë po ndodh me ne?»
Mijëra kilometra larg Evropës dhe Afrikës është shteti i Indisë, vendlindja e poetit të përmendur në hyrje të artikullit. Në një fjalim me titull «A mund të mbijetojë India si një komb i vetëm?», autori Prani Gupte komentoi: ‘Rreth 70 për qind e popullsisë së madhe të Indisë është nën moshën 30-vjeçare, e megjithatë nuk ka asnjë udhëheqës që t’u sigurojë atyre një model për të ndjekur.’
Në disa vende, udhëheqësve u është dashur të japin dorëheqjen nga posti për shkak të akuzave për korrupsion. Pra, për arsye të ndryshme, me sa duket bota po kalon një krizë për sa i përket udhëheqjes. Kushtet e tanishme janë provë e vërtetësisë së fjalëve të një profeti, i cili jetoi rreth 2.600 vjet më parë. Ai tha: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.»—Jeremia 10:23.
A ka ndonjë rrugëdalje nga vuajtjet e tanishme të botës? Kush mund ta udhëheqë njerëzimin në një botë ku shoqëria njerëzore të mos jetë as e copëtuar nga luftërat, as e rënduar nga frika; ku njohuria e vërtetë të jetë falas dhe me bollëk; si edhe ku njerëzimi të ecë drejt përsosmërisë?
[Burimi i figurës në faqen 3]
Fatmir Boshnjaku