A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Për cilën fitore ligjore që përfshinte fenë dha ndihmesë Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë?
Kjo gjykatë hodhi poshtë vendimin e pafavorshëm të një gjykate tjetër lidhur me Dëshmitarët e Jehovait dhe me njohjen e tyre zyrtare si një korporatë e njohur me ligj. Vendimi në favor të tyre komentonte se brenda rrezes së lirisë së fesë, një person mund ‘t’i qëndrojë besnik bindjeve fetare’ më shumë sesa kërkesave të shtetit.—15/8, faqja 8.
• Sa kohë zgjatën vuajtjet e Jobit?
Libri i Jobit nuk tregon që ai vuajti për shumë vjet. Vuajtjet e Jobit dhe përfundimi i tyre mund të kenë ndodhur brenda pak muajve, ndoshta më pak se një vit.—15/8, faqja 31.
• Përse mund të jemi të sigurt që Djalli është më tepër se një besëtytni?
Jezu Krishti e dinte se Djalli ishte real. Jezuin e tundoi një person real e jo ndonjë gjë e ligë brenda tij. (Mateu 4:1-11; Gjoni 8:44; 14:30)—1/9, faqet 5, 6.
• Te Fjalët e urta 10:15 thuhet: «Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfërit është varfëria e tyre.» Si del e vërtetë kjo?
Pasuritë mund të shërbejnë si mbrojtje ndaj disa pasigurive të jetës, ashtu si një qytet i fortifikuar përbën një masë sigurie për ata që banojnë brenda tij. Nga ana tjetër, varfëria mund të jetë shkatërrimtare kur ndodhin zhvillime të papritura.—15/9, faqja 24.
• Në cilin kuptim «u fillua të thirrej emri i Jehovait» në ditët e Enosit? (Zanafilla 4:26, BR)
Emri i Perëndisë ishte përdorur që nga fillimi i historisë njerëzore. Prandaj, ajo që filloi në kohën e Enosit nuk ishte thirrja e Jehovait me besim. Njerëzit mund ta kenë përdorur në mënyrë përdhosëse emrin e Perëndisë për veten e tyre ose për njerëzit e tjerë, nëpërmjet të cilëve pretendonin se adhuronin Perëndinë.—15/9, faqja 29.
• Sipas përdorimit në Bibël, çfarë nënkupton fjala «disiplinë»?
Kjo fjalë nuk përfshin asnjë lloj keqtrajtimi ose mizorie. (Fjalët e urta 4:13; 22:15) Fjala greke për «disiplinë» lidhet kryesisht me arsimimin, edukimin, ndreqjen dhe disa herë ndëshkimin me vendosmëri, por me dashuri. Një mënyrë e rëndësishme në të cilën prindërit mund të imitojnë Jehovain është duke u përpjekur të mbajnë hapur linjat e komunikimit me fëmijët e tyre. (Hebrenjve 12:7-10)—1/10, faqet 8, 10.
• Si e tregojnë të krishterët e vërtetë sot se janë pro sundimit të Perëndisë?
Në përkrahje të Mbretërisë së Perëndisë, Dëshmitarët e Jehovait nuk përzihen në politikë dhe as nuk nxitin rebelimin, edhe në ato vende ku Dëshmitarët janë nën ndalim. (Titit 3:1) Ata japin një ndihmesë pozitive, në të njëjtën mënyrë si vepruan Jezui dhe dishepujt e tij të hershëm, e përpiqen t’i ndihmojnë njerëzit që të fitojnë cilësi të shëndetshme biblike, si ndershmëria, pastërtia morale dhe norma të mira në punë.—15/10, faqja 6.
• Në ç’mënyrë ujërat jetëshpëtuese po vërshojnë në Ande?
Dëshmitarët e Jehovait atje po përpiqen t’u çojnë njerëzve të vërtetat biblike, madje në dy gjuhët vendase, ketçua dhe ajmara. Dëshmitarët vizitojnë njerëzit që jetojnë në ishujt e liqenit Titikakë, duke përfshirë edhe ishujt «lundrues», të bërë prej kallamash që rriten në ujërat e liqenit.—15/10, faqet 8-10.
• Çfarë ka siguruar Perëndia për të na udhëhequr, e cila mund të krahasohet me sistemin drejtues kompjuterik në aeroplanët modernë për pasagjerë?
Perëndia i ka pajisur njerëzit me kapacitetin për udhëheqje morale, me një ndjenjë të brendshme morale. Kjo është ndërgjegjja jonë e trashëguar. (Romakëve 2:14, 15)—1/11, faqet 3, 4.
• Përse vdekja e Jezuit ka vlerë të madhe?
Kur njeriu i përsosur Adami mëkatoi, humbi jetën njerëzore për vete dhe për pasardhësit e tij. (Romakëve 5:12) Si njeri i përsosur, Jezui e flijoi jetën e tij njerëzore, duke siguruar kështu shpërblesën që u mundëson njerëzve besnikë të fitojnë jetën e përhershme.—15/11, faqet 5, 6.
• Cilët ishin skithasit e përmendur te Kolosianëve 3:11?
Skithasit ishin një komb endacak që jetonte në stepat e Eurazisë, duke sunduar nga viti 700 deri në vitin 300 p.e.s. Ishin kalorës dhe luftëtarë të fuqishëm. Te Kolosianëve 3:11 mund të ketë qenë fjala jo për një komb specifik, por për llojin më të keq të njerëzve të pacivilizuar.—15/11, faqet 24, 25,
• Përse mund të themi që Rregulla e Artë është një mësim që meriton t’i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme?
Kjo e vërtetë morale gjendet në judaizëm, në budizëm, në filozofinë greke dhe në konfucianizëm. Megjithatë, ajo që udhëzoi Jezui në Predikimin në Mal kërkon veprime pozitive dhe prek jetën e njerëzve kudo e në çdo epokë. (Mateu 7:12)—1/12, faqja 3.