Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Në cilin pozicion ishin vendosur shtizat që mbanin arkën e besëlidhjes, pasi 1 Mbretërve 8:8 tregon se ato dukeshin që nga E Shenjta?

Kur Jehovai i dha Moisiut projektin për tabernakullin në shkretëtirë, një veçori kryesore ishte arka e besëlidhjes. Kjo kuti drejtkëndëshe, e veshur me ar, mbante brenda pllakat e Ligjit dhe sende të tjera. Mbahej në të ndarën më të brendshme, në Më të Shenjtën. Në kapakun e Arkës kishte dy figura ari kerubinësh, me krahë të hapur. Në secilin krah të Arkës kishte unaza, në mënyrë që të mund të mbartej me dy shtiza, të bëra me dru akacie dhe të veshura me ar. Logjikisht, shtizat hynin nëpër unaza dhe vazhdonin në gjithë gjatësinë e Arkës. Kështu, kur Arka ndodhej në vendin e saj në Më të Shenjtën e tabernakullit, i cili shikonte nga lindja, shtizat kishin orientimin veri-jug. E njëjta gjë ishte edhe më vonë, kur Arka gjendej në tempullin që ndërtoi Solomoni.—Eksodi 25:10-22; 37:4-9; 40:17-21. *

Kishte një perde që ndante Më të Shenjtën nga E Shenjta (dhoma e jashtme). Priftërinjtë që ishin në Të Shenjtën nuk mund të vështronin në Më të Shenjtën e të shihnin Arkën, mbi të cilën Perëndia shfaqte praninë e tij. (Hebrenjve 9:1-7) Kështu, 1 Mbretërve 8:8 mund të duket paksa hutuese: «Shufrat [shtizat, BR] ishin aq të gjata sa që skajet e tyre dukeshin nga vendi i shenjtë, përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë.» E njëjta gjë thuhet te 2 Kronikave 5:9. Në ç’mënyrë shtizat i shihte kushdo në Të Shenjtën e tempullit?

Disa kanë menduar se shtizat preknin perden, duke shkaktuar të dala që dukeshin. Por, nuk mund të ishte ashtu, nëse shtizat kishin orientimin veri-jug, pra perdja ishte paralele me shtizat. (Numrat 3:38) Ka një shpjegim më të arsyeshëm. Shtizat mund të dukeshin nëse ka pasur një hapësirë të vogël ndërmjet perdes dhe murit të tempullit ose kur kryeprifti duhej të hynte në Më të Shenjtën. Perdja i pengonte të tjerët ta shihnin vetë Arkën, por shtizat që zgjateshin në çdo anë mund të dukeshin nëpërmjet kësaj hapësire. Ndonëse ky shpjegim është i arsyeshëm, nuk mund të jemi dogmatikë për të.

Qartë, ka shumë hollësi që ende mund t’i mësojmë. Apostulli Pavël përmendi disa veçori në letrën e tij drejtuar hebrenjve. Pastaj komentoi: «Tani nuk është koha për të folur me hollësi për këto gjëra.» (Hebrenjve 9:5) Ringjallja e ardhme e njerëzve besimplotë duhet të hapë mundësi nxitëse për të mësuar nga burra të tillë, si Moisiu, Aaroni, Bezaleli dhe nga të tjerë që e njihnin personalisht projektin dhe funksionimin e tabernakullit.—Eksodi 36:1.

[Shënimi]

^ par. 3 Shtizat nuk duheshin hequr nga unazat edhe kur Arka gjendej në vendin e saj në tabernakull. Për pasojë, shtizat nuk mund të përdoreshin për ndonjë qëllim tjetër. Gjithashtu, në këtë mënyrë, nuk kishte pse të prekej Arka. Sikur shtizat të hiqeshin nga unazat, sa herë që duhej të bëhej transporti, do të ishte e nevojshme të prekej Arka e shenjtë për t’i vendosur përsëri shtizat nëpër unaza. Komenti që bëhet te Numrat 4:6, ‘të futen shtizat’ mund ta ketë fjalën për rregullimin e shtizave duke u përgatitur për ta mbartur kutinë e rëndë për në një fushim të ri.