Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jini të gëzuar me Perëndinë e lumtur!

Jini të gëzuar me Perëndinë e lumtur!

Jini të gëzuar me Perëndinë e lumtur!

«Së fundi, o vëllezër, vazhdoni të gëzoni, . . . dhe Perëndia i dashurisë e i paqes do të jetë me ju.»—2 KORINTASVE 13:11.

1, 2. (a) Përse shumë njerëz nuk kanë gëzim në jetë? (b) Çfarë është gëzimi dhe si mund ta kultivojmë atë?

NË KËTO kohë të zymta, shumica e njerëzve ka pak arsye për t’u gëzuar. Kur u ndodh ndonjë tragjedi, atyre vetë ose personave që duan, mund të ndihen si Jobi i lashtë, i cili tha: «Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.» (Jobi 14:1) Të krishterët nuk janë të mbrojtur nga streset dhe tensionet e këtyre ‘kohëve kritike, të vështira për t’u përballuar’, prandaj, nuk është për t’u çuditur që shërbëtorët besnikë të Jehovait ndonjëherë shkurajohen.—2 Timoteut 3:1.

2 Prapëseprapë, të krishterët mund të jenë të gëzuar, edhe kur janë duke kaluar një sprovë. (Veprat 5:40, 41) Për të kuptuar si është e mundur kjo, le të shqyrtojmë fillimisht çfarë është gëzimi. Gëzimi është përkufizuar si «ndjenja që lind nga arritja ose nga pritja e gjërave të mira». * Për pasojë, nëse ndalemi pak për të llogaritur bekimet që kemi tani, duke menduar thellë edhe për gëzimet që na presin në botën e re të Perëndisë, mund të jemi të gëzuar.

3. Në ç’kuptim mund të thuhet se të gjithë kanë të paktën ndonjë arsye për t’u gëzuar?

3 Secili nga ne ka disa bekime për të cilat duhet të jetë mirënjohës. Për shembull, një kryefamiljar mund të humbasë vendin e punës. Është e natyrshme që të shqetësohet për këtë, pasi dëshiron të sigurojë gjërat materiale për familjen e tij. Megjithatë, po qe se është i fortë fizikisht dhe mirë me shëndet, ai mund të jetë mirënjohës për këtë. Po të gjejë punë, do të jetë në gjendje të punojë shumë. Nga ana tjetër, ndoshta një grua e krishterë mund të jetë prekur papritur nga një sëmundje sfilitëse. Megjithatë, mund të jetë mirënjohëse për mbështetjen që i sigurojnë miqtë dhe familjarët e dashur, të cilët e ndihmojnë ta përballojë sëmundjen me dinjitet dhe guxim. Veç kësaj, të gjithë të krishterët e vërtetë, sido që t’i kenë rrethanat, mund të gëzohen për privilegjin që njohin Jehovain, ‘Perëndinë e lumtur’ dhe Jezu Krishtin, ‘të lumin dhe të vetmin të Pushtetshëm’. (1 Timoteut 1:11; 6:15) Po, Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti janë të lumtur në shkallën më të lartë. Ata e kanë ruajtur gëzimin, me gjithë faktin që kushtet në tokë janë shumë ndryshe nga ato që kishte pasur për qëllim Jehovai në fillim. Shembulli i tyre mund të na mësojë shumë se si ta ruajmë gëzimin.

Nuk e kanë humbur kurrë gëzimin

4, 5. (a) Si veproi Jehovai kur njerëzit e parë u rebeluan? (b) Si mbajti Jehovai një qëndrim pozitiv kundrejt njerëzimit?

4 Në kopshtin e Edenit, Adami dhe Eva gëzonin shëndet të plotë dhe kishin mendje të përsosur. Kishin një punë prodhuese për të bërë dhe kushte ideale për ta kryer atë. Ç’është më e rëndësishmja, kishin privilegjin për të komunikuar rregullisht me Jehovain. Qëllimi i Perëndisë ishte që të kishin një të ardhme të lumtur. Por prindërit tanë të parë nuk ishin të kënaqur me gjithë këto dhurata të mira, kështu që vodhën frutin e ndaluar nga «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». Ky veprim mosbindjeje vuri themelin për gjithë palumturinë që po provojmë sot ne, pasardhësit e tyre.—Zanafilla 2:15-17; 3:6; Romakëve 5:12.

5 Megjithatë, Jehovai nuk lejoi që qëndrimi mosmirënjohës i Adamit dhe i Evës t’ia hiqte gëzimin. Ishte i sigurt se të paktën disa prej pasardhësve të tyre do të nxiteshin nga zemra që t’i shërbenin atij. Në të vërtetë, ishte kaq i sigurt, saqë edhe para se Adami dhe Eva të kishin lindur fëmijën e tyre të parë, ai bëri të ditur qëllimin e tij për t’i shpenguar pasardhësit e bindur të tyre! (Zanafilla 1:31; 3:15) Në shekujt që pasuan, shumica e njerëzve ecën në gjurmët e Adamit dhe të Evës, por Jehovai nuk ia ktheu shpinën familjes njerëzore për shkak të kësaj mosbindjeje të përhapur. Përkundrazi, ai e përqendroi vëmendjen te burrat dhe te gratë që ‘ia gëzonin zemrën’, tek ata që bënin një përpjekje të vërtetë për t’i pëlqyer, sepse e donin atë.—Fjalët e urta (Proverbat) 27:11; Hebrenjve 6:10.

6, 7. Cilët faktorë e ndihmuan Jezuin që të mbetej i gëzuar?

6 Po Jezui, si e ruajti gëzimin? Si krijesë e fuqishme frymore në qiell, Jezui i kishte të gjitha mundësitë për të vërejtur veprimet e burrave dhe të grave në tokë. Papërsosmëritë e tyre ishin të qarta, e megjithatë, Jezui i donte ata. (Fjalët e urta 8:31) Më vonë, kur ai erdhi në tokë dhe «banoi mes» njerëzve, pikëpamja që kishte për njerëzimin nuk ndryshoi. (Gjoni 1:14) Si pati mundësi Biri i përsosur i Perëndisë të ruante një pikëpamje të tillë pozitive për familjen njerëzore mëkatare?

7 Pikësëpari, Jezui ishte i arsyeshëm në atë që priste nga vetja dhe nga të tjerët. E dinte se s’kishte për ta kthyer në besim botën. (Mateu 10:32-39) Prandaj, gëzohej kur edhe një person i vetëm i çiltër i përgjigjej në mënyrë të favorshme mesazhit të Mbretërisë. Ndonëse sjellja dhe qëndrimi i dishepujve të tij disa herë linte shumë për të dëshiruar, Jezui e dinte se në zemër ata donin vërtet të bënin vullnetin e Perëndisë dhe i deshi për këtë arsye. (Luka 9:46; 22:24, 28-32, 60-62) Në mënyrë domethënëse, duke iu lutur Atit të tij qiellor, Jezui e përmblodhi udhën pozitive që kishin ndjekur dishepujt e tij deri në atë kohë me këto fjalë: «Ata e kanë zbatuar fjalën tënde.»—Gjoni 17:6.

8. Përmendni disa mënyra se si mund të imitojmë Jehovain dhe Jezuin kur bëhet fjalë për të ruajtur gëzimin.

8 Pa dyshim, të gjithë do të nxirrnim dobi duke menduar thellë për shembullin që la Perëndia Jehova dhe Krishti Jezu në këtë fushë. A mund ta imitojmë në mënyrë më të plotë Jehovain, ndoshta duke mos u shqetësuar së tepërmi kur gjërat nuk dalin ashtu siç e kishim shpresuar? A mund t’i ndjekim më me kujdes gjurmët e Jezuit, duke mbajtur një pikëpamje pozitive për rrethanat tona të tanishme, si edhe duke qenë të arsyeshëm në atë që presim nga vetja dhe nga të tjerët? Le të shohim si mund të zbatohen në mënyrë praktike disa nga këto parime, në një fushë që të krishterët e zellshëm kudo ndodhen e kanë për zemër: në shërbimin në fushë.

Mbani një pikëpamje pozitive për shërbimin

9. Si iu ripërtëri gëzimi Jeremisë dhe si mund të na ndihmojë shembulli i tij?

9 Jehovai dëshiron që të jemi të gëzuar në shërbim të tij. Gëzimi ynë nuk duhet të varet nga arritjet që kemi. (Luka 10:17, 20) Profeti Jeremia predikoi për vite të tëra në një territor të pafrytshëm. Kur u përqendrua në përgjigjen negative të njerëzve, e humbi gëzimin. (Jeremia 20:8) Por, kur meditoi për bukurinë e vetë mesazhit, gëzimi iu ripërtëri. Jeremia i tha Jehovait: «Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe gazi i zemrës sime, sepse emri yt kërkohet nga [është thirrur tek] unë, o Zot.» (Jeremia 15:16) Po, Jeremia gëzohej me privilegjin për të predikuar fjalën e Perëndisë. Edhe ne mund të gëzohemi për këtë.

10. Si mund ta ruajmë gëzimin në shërbim, edhe nëse territori ynë tani për tani nuk është i frytshëm?

10 Edhe sikur shumica e njerëzve të mos pranojnë t’i përgjigjen lajmit të mirë, i kemi të gjitha arsyet për të qenë të gëzuar kur dalim në shërbimin në fushë. Sillni ndër mend se Jehovai ishte shumë i sigurt që disa njerëz do të nxiteshin që t’i shërbenin atij. Ashtu si Jehovai, ne nuk duhet ta humbim kurrë shpresën se të paktën disa, përfundimisht, do ta kuptojnë çështjen që përfshihet dhe do ta pranojnë mesazhin e Mbretërisë. Nuk duhet të harrojmë se rrethanat e njerëzve ndryshojnë. Kur hasin ndonjë humbje ose krizë të papritur, edhe njerëzit më të vetëkënaqur mund të fillojnë të mendojnë seriozisht për domethënien e jetës. A do të jeni atje për të dhënë ndihmë, kur ky person të bëhet ‘i vetëdijshëm për nevojën e tij frymore’? (Mateu 5:3) E kushedi, ndonjë person në territorin tuaj mund të jetë gati për ta dëgjuar lajmin e mirë tamam herën tjetër kur të shkoni tek ai!

11, 12. Çfarë ndodhi në një qytet dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?

11 Edhe përbërja e territorit mund të ndryshojë. Shqyrtoni një shembull. Në një qytet të vogël, jetonte një grup shumë i bashkuar njerëzish, i përbërë nga çifte të reja të martuara e me fëmijë. Kur shkonin atje Dëshmitarët e Jehovait, dëgjonin të njëjtën përgjigje në çdo derë: «Nuk jemi të interesuar.» Edhe sikur dikush të tregonte interes për mesazhin e Mbretërisë, fqinjët pa humbur kohë e bindnin që të mos lidhej më me Dëshmitarët. Vetëkuptohet, të predikoje atje ishte një sfidë. Megjithatë, Dëshmitarët nuk u dorëzuan, por vazhduan të predikonin. Cilat qenë përfundimet?

12 Me kalimin e kohës, shumë fëmijë në atë qytet u rritën, u martuan dhe ngritën shtëpi aty. Duke e kuptuar se mënyra e tyre e jetesës nuk u kishte sjellë lumturi të vërtetë, disa nga këta të rritur filluan të kërkonin të vërtetën. E gjetën kur iu përgjigjën në mënyrë të favorshme lajmit të mirë që shpallnin Dëshmitarët. Kështu ndodhi që pas shumë vjetësh, kongregacioni i vogël filloi të rritej. Përfytyroni gëzimin e atyre lajmëtarëve të Mbretërisë që nuk u dorëzuan! Ngulmimi për të shpallur mesazhin e lavdishëm të Mbretërisë na sjelltë gëzim edhe neve!

Bashkëbesimtarët do t’ju mbështetin

13. Ku mund të drejtohemi, kur jemi të shkurajuar?

13 Ku mund të drejtoheni për ngushëllim, kur presionet shtohen ose kur jeta ju jep një goditje të fortë? Miliona shërbëtorë të dedikuar të Jehovait i drejtohen së pari atij në lutje, pastaj vëllezërve të krishterë dhe motrave të krishtere. Kur ishte në tokë, edhe Jezui vetë e vlerësoi mbështetjen e dishepujve të tij. Natën para se të vdiste, ai foli për ta si për ‘ata që kanë qëndruar me mua në sprovat e mia’. (Luka 22:28) Sigurisht, këta dishepuj ishin të papërsosur, por besnikëria e tyre ishte ngushëllim për Birin e Perëndisë. Edhe ne mund të marrim forcë nga bashkadhuruesit.

14, 15. Çfarë e ndihmoi një çift që të përballonte vdekjen e djalit të tyre dhe çfarë mësoni nga kjo përvojë?

14 Një çift i krishterë, Misheli dhe Djana, e mësuan se sa e vlefshme mund të jetë mbështetja e vëllezërve dhe e motrave. Djali i tyre 20-vjeçar, Zhonatani, një i krishterë plot jetë dhe me një të ardhme premtuese, u diagnostikua me tumor në tru. Mjekët u përpoqën me të gjitha forcat ta shpëtonin, por gjendja fizike e Zhonatanit u keqësua derisa, një pasdite vonë, ra në gjumin e vdekjes. Misheli dhe Djana ndiheshin të dërrmuar. E dinin se Mbledhja e Shërbimit, që ishte në program atë mbrëmje, pothuajse kishte mbaruar. Megjithatë, duke pasur një nevojë të dëshpëruar për ngushëllim, i kërkuan plakut që ishte me ta t’i shoqëronte për në Sallën e Mbretërisë. Arritën tamam në kohën kur kongregacioni po njoftohej për vdekjen e Zhonatanit. Pas mbledhjes, prindërve të përlotur iu mblodhën rreth e qark vëllezërit e motrat që i përqafonin dhe u thoshin fjalë ngushëlluese. Djana kujton: «Kur arritëm në sallë ndienim një boshllëk nga brenda, por sa shumë ngushëllim morëm nga vëllezërit dhe sa na ngritën moralisht! Ndonëse nuk na e hiqnin dot dhembjen, na ndihmuan që të përballonim presionin.»—Romakëve 1:11, 12; 1 Korintasve 12:21-26.

15 Kjo gjëmë e bëri Mishelin dhe Djanën t’u afroheshin më shumë vëllezërve të tyre. I bëri edhe që të afroheshin më shumë me njëri-tjetrin. Misheli thotë: «Mësova ta çmoj edhe më shumë gruan time të dashur. Në çaste shkurajimi, flasim me njëri-tjetrin për të vërtetën biblike dhe se si po na mbështet Jehovai.» Djana shton: «Shpresa e Mbretërisë tani ka edhe më shumë kuptim për ne.»

16. Përse është e rëndësishme të jemi ne të parët që t’u bëjmë të ditur vëllezërve nevojat tona?

16 Po, vëllezërit tanë të krishterë dhe motrat tona të krishtere mund të shërbejnë si «një ndihmë fuqizuese» për ne në çastet e vështira të jetës dhe mund të na ndihmojnë të ruajmë gëzimin. (Kolosianëve 4:11) Patjetër, ata nuk mund të na e lexojnë mendjen. Prandaj, kur të kemi nevojë për mbështetje, është mirë t’ua bëjmë të ditur. Pastaj, të shprehim çmueshmëri të vërtetë për çfarëdo ngushëllimi që kanë mundësi të na japin vëllezërit tanë, duke e parë këtë ngushëllim si të vinte nga Jehovai.—Fjalët e urta 12:25; 17:17.

Vështroni kongregacionin tuaj

17. Çfarë sfidash has një nënë e vetme dhe si i shohim ne njerëzit si ajo?

17 Sa më nga afër t’i vështroni bashkëbesimtarët, aq më shumë do të mësoni t’i çmoni dhe të gjeni gëzim nga shoqëria me ta. Vështrojeni kongregacionin. Çfarë shihni? A ka ndonjë nënë të vetme që lufton për të rritur fëmijët e saj në udhën e së vërtetës? A i keni kushtuar sadopak vëmendje shembullit të shkëlqyer që lë ajo? Përpiquni të mendoni për disa nga problemet që has. Një nënë e vetme me emrin Zhaninë përmend disa prej tyre, si: vetminë, provokimet imorale nga burrat në punë dhe një buxhet shumë të kufizuar. Por ajo thotë se gjëja më e vështirë nga të gjitha, është të kujdesesh për nevojat emocionale të fëmijëve, pasi çdo fëmijë është i veçantë. Zhanina ngre edhe një problem tjetër: «Mund të jetë një sfidë e vërtetë të përmbahesh nga prirja për ta bërë djalin tënd kreun e shtëpisë, në vend të burrit që mungon. Unë kam një vajzë dhe e kam të vështirë të kujtoj që nuk duhet ta ngarkoj me problemet e mia personale.» Ashtu si mijëra prindër të vetëm me frikë Perëndie, Zhanina punon në kohë të plotë dhe kujdeset për familjen e saj. Gjithashtu, studion Biblën me fëmijët, i stërvit në shërbim dhe i sjell në mbledhjet e kongregacionit. (Efesianëve 6:4) Sa i lumtur duhet të jetë Jehovai kur vëren përditë përpjekjet e kësaj familjeje për të mbajtur integritetin! A nuk na sjell gëzim në zemër fakti që kemi persona të tillë në mesin tonë? Patjetër që po.

18, 19. Ilustroni se si mund ta thellojmë çmueshmërinë për pjesëtarët e kongregacionit.

18 Vështrojeni përsëri kongregacionin. Mund të shihni gra të veja ose burra të ve, të cilët ‘nuk mungojnë kurrë’ në mbledhje. (Luka 2:37) A u ndodh atyre që të ndihen të vetmuar? Sigurisht që po. E ndiejnë shumë mungesën e bashkëshortëve të tyre! Por, megjithatë, vazhdojnë të jenë të zënë në shërbim të Jehovait dhe tregojnë interes personal për të tjerët. Qëndrimi i tyre i patundur e pozitiv ia shton gëzimin kongregacionit. Një e krishterë, e cila ka qenë në shërbimin e plotkohor për më shumë se 30 vjet, komentoi: «Një nga gëzimet më të mëdha që ndiej është kur shoh vëllezër të moshuar e motra të moshuara që kanë përjetuar shumë sprova dhe janë ende duke i shërbyer me besnikëri Jehovait!» Po, të krishterët e moshuar që janë mes nesh janë një nxitje e madhe për më të rinjtë.

19 Ç’të themi për personat e interesuar që vetëm kohët e fundit kanë filluar të shoqërohen me kongregacionin? A nuk marrim zemër kur ata shprehin besimin e tyre në mbledhje? Mendoni për përparimin e tyre që nga koha kur kanë filluar të studiojnë Biblën. Jehovai duhet të jetë shumë i kënaqur me ta. Po ne, a jemi? A e shprehim miratimin tonë, duke i lavdëruar për përpjekjet e tyre?

20. Përse mund të thuhet që çdo pjesëtar i kongregacionit luan një rol të rëndësishëm në kongregacion?

20 Je i martuar, beqar apo një prind i vetëm? Je një djalë ose vajzë pa baba (ose pa nënë), një vejushë ose një i ve? Ke shumë vjet që shoqërohesh me kongregacionin apo ke filluar vetëm kohët e fundit të shoqërohesh? Të jesh i sigurt se shembulli yt besnik është nxitës për të gjithë ne. Kur bashkohesh me ne për të kënduar një këngë Mbretërie, kur bën një koment ose kur përmbush një caktim për studentët në Shkollën e Shërbimit Teokratik, ndihmesa jote na e shton gëzimin. Ç’është më e rëndësishmja, gëzon zemrën e Jehovait.

21. Çfarë është ajo, të cilën kemi shumë arsye ta bëjmë, por cilat pyetje lindin?

21 Po, edhe në këto kohë të turbullta, mund të jemi të gëzuar në adhurimin që i bëjmë Perëndisë tonë të lumtur. Kemi shumë arsye për t’iu përgjigjur nxitjes së Pavlit: «Vazhdoni të gëzoni, . . . dhe Perëndia i dashurisë e i paqes do të jetë me ju.» (2 Korintasve 13:11) Por, ç’të themi nëse ballafaqohemi me një katastrofë natyrore, me përndjekje ose me vështirësi të mëdha ekonomike? A është e mundur ta ruajmë gëzimin edhe në rrethana të tilla? Përfundimet mund t’i nxirrni vetë, duke shqyrtuar artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 2 Shih Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimi 2, faqja 119, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

A mund të përgjigjeni?

• Si përshkruhet gëzimi?

• Si mund të na ndihmojë qëndrimi pozitiv për të mbetur të gëzuar?

• Çfarë mund të na ndihmojë që të kemi një pikëpamje pozitive për territorin e kongregacionit tonë?

• Në cilat mënyra i vlerësoni vëllezërit dhe motrat në kongregacionin tuaj?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Njerëzit në territor mund të ndryshojnë

[Figura në faqen 12]

Çfarë sfidash hasin ata që janë në kongregacionin tuaj?