Ishim një skuadër
Jetëshkrim
Ishim një skuadër
TREGUAR NGA MELBA BERRI
Më 2 korrik 1999, së bashku me tim shoq isha në një grumbullim të madh të Dëshmitarëve të Jehovait, siç kishim qenë edhe mijëra herë të tjera në 57 vjetët e jetës sonë martesore. Atë të premte Llojdi po mbante fjalimin e fundit në kongresin krahinor në Havai. Papritur, ra përtokë. Me gjithë përpjekjet që u bënë për ta sjellë në jetë, ai vdiq. *
SA TË dashur janë ata vëllezër të krishterë dhe ato motra të krishtere në Havai që m’u gjendën pranë dhe më ndihmuan të përballoja këtë tragjedi! Llojdi kishte ndikuar në jetën e shumë prej tyre, si edhe të shumë të tjerëve përreth botës.
Në afro dy vjetët që kanë kaluar nga vdekja e tij, kam menduar për vitet e çmuara që kemi kaluar së bashku, shumë prej të cilave në caktime misionare në vend të huaj, si edhe në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Kam kujtuar edhe fillimet e jetës sime në Sidnei, Australi dhe sfidat që përballuam unë dhe Llojdi për t’u martuar gjatë pjesës së parë të Luftës II Botërore. Por, fillimisht, më lejoni t’ju tregoj si u bëra Dëshmitare dhe si e takova Llojdin në vitin 1939.
Si u bëra Dëshmitare
Xhejms dhe Henrieta Xhons ishin prindërit e mi të dashur e të dhembshur. Në vitin 1932, kur mbarova shkollën, isha vetëm 14 vjeçe. Në atë kohë bota gjendej në Krizën e Madhe. Fillova të punoja për të ndihmuar familjen, e cila përfshinte edhe dy motra të mia më të vogla. Brenda pak vjetësh kisha
një punë ku paguhesha mirë dhe kisha disa të reja të tjera si vartëse.Ndërkohë, në vitin 1935, mamaja pranoi literaturën biblike që i dha një Dëshmitare e Jehovait dhe shpejt u bind se kishte gjetur të vërtetën. Ne të tjerët në familje menduam se po çmendej. Por, një ditë, më zuri syri broshurën me titull Ku janë të vdekurit? dhe më tërhoqi titulli. Kështu, e lexova broshurën fshehurazi. Kaq ishte! Menjëherë fillova të shkoja së bashku me mamanë në një mbledhje që bëhej në mesjavë, e quajtur Studim Model. Broshura me titull Studim Model (me kohë pati tri të tilla) përmbante pyetjet dhe përgjigjet, si edhe shkrime për të mbështetur ato përgjigje.
Rreth asaj kohe, në prill të vitit 1938, Xhozef F. Radhërfordi, një përfaqësues nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait, vizitoi Sidnein. Fjalimi i tij publik ishte i pari që ndoqa. Duhej të mbahej në Sallën e Qytetit të Sidneit, por kundërshtarët ia dolën mbanë që ta anulonin përdorimin e atij vendi. Në vend të kësaj, fjalimi u mbajt në Pallatin e Sportit të Sidneit, që ishte shumë më i madh. Duke qenë se kësaj ngjarjeje iu bë bujë e mëtejshme nga kundërshtarët, të pranishëm ishin rreth 10.000 veta, një numër mahnitës, duke pasur parasysh se në atë kohë në Australi kishte vetëm 1.300 Dëshmitarë.
Pak kohë më pas, mora pjesë për herë të parë në shërbimin në fushë për herë të parë, pa pasur asnjë stërvitje. Kur grupi ynë arriti në territorin që duhej predikuar, ai që merrte drejtimin më tha: «Shtëpia që do të predikosh ti është ajo atje.» Isha kaq nervoze, saqë kur në derë doli një zonjë, e pyeta: «Ju lutem, a mund të më thoni sa është ora?» Ajo hyri brenda, pa orën, doli prapë dhe ma tha. Kaq ishte vizita! U ktheva prapë në makinë.
Megjithatë, nuk u dorëzova dhe, pas pak kohe dilja rregullisht në shërbim duke u dhënë të tjerëve mesazhin e Mbretërisë. (Mateu 24:14) Në mars të vitit 1939 e simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait duke u pagëzuar në vaskën e fqinjës sonë, Doroti Hatçings. Duke qenë se nuk kishte vëllezër në dispozicion, jo shumë kohë pas pagëzimit më dhanë disa përgjegjësi në kongregacion, të cilat normalisht u caktohen burrave të krishterë.
Në përgjithësi i mbanim mbledhjet në shtëpi private, por disa herë merrnim me qira ndonjë sallë për fjalime publike. Një vëlla i ri dhe i pashëm nga Betheli, zyra e degës sonë, erdhi në kongregacionin tonë të vogël për të mbajtur një fjalim. Pa dijeninë time, ai kishte ardhur edhe për një arsye tjetër: që të mësonte diçka më shumë rreth meje. Pikërisht, kështu e takova Llojdin.
Takoj familjen e Llojdit
S’kaloi shumë kohë dhe kisha dëshirë t’i shërbeja Jehovait në kohë të plotë. Mirëpo, kur bëra kërkesën për pioniere (për t’u përfshirë në veprën e predikimit në kohë të plotë), më pyetën nëse do të më pëlqente të shërbeja në Bethel. Kështu, në shtator të vitit 1939, muajin kur filloi Lufta II Botërore, u bëra anëtare e familjes Bethel në Strathfild, në periferi të Sidneit.
Në dhjetor të vitit 1939, vizitova Zelandën e Re për një kongres. Meqë Llojdi ishte nga Zelanda e Re, edhe ai po shkonte atje. Udhëtuam në të njëjtën anije dhe u njohëm më mirë me njëri-tjetrin. Llojdi e rregulloi që në kongres në Uellington dhe më pas në shtëpinë e tyre në Krajstçërç të takoja nënën, babanë dhe motrat e tij.
Vepra ndalohet
Të shtunën, më 18 janar 1941, autoritetet e Komonuelthit erdhën te zyra e degës sonë me nja gjashtë limuzina të zeza, për të konfiskuar pronën. Meqë po punoja në vendrojën që ndodhej në hyrje të Bethelit, isha e para që i pashë. Rreth 18 orë më parë, Betheli ishte njoftuar
për ndalimin, kështu që pothuajse e gjithë literatura dhe dokumentet ishin hequr nga dega. Javën që pasoi, pesë anëtarë të familjes Bethel, duke përfshirë edhe Llojdin, u burgosën.E dija se ajo për të cilën kishin nevojë më shumë vëllezërit në burg ishte ushqimi frymor. Për t’i dhënë zemër Llojdit, vendosa t’i shkruaja «letra dashurie». E filloja siç filloheshin zakonisht këto letra, por pastaj kopjoja gjithë artikujt e Kullës së Rojës dhe e firmosja letrën si e dashura e tij. Pas katër muajsh e gjysmë, Llojdi u lirua nga burgu.
Martesa dhe shërbimi i plotkohor
Në vitin 1940, mamaja e Llojdit vizitoi Australinë dhe Llojdi i tha se po mendonim të martoheshim. Ajo e këshilloi që të mos e bënte këtë, pasi fundi i sistemit dukej shumë afër. (Mateu 24:3-14) Gjithashtu, ai ua përmendte qëllimet e tij shokëve që kishte, por sa herë që e bënte këtë, ata përpiqeshin ta bindnin që të mos martohej. Më në fund, një ditë shkurti në vitin 1942, pa rënë në sy, Llojdi më çoi mua, së bashku me dy çifte Dëshmitarësh që ishin betuar se do të mbanin fshehtësinë, në zyrën e gjendjes civile dhe u martuam. Në atë kohë, në Australi nuk kishte një rregullim që martesat t’i kryenin Dëshmitarët e Jehovait.
Ndonëse nuk na u lejua të vazhdonim në shërbimin në Bethel si çift i martuar, na pyetën nëse do të na pëlqente të shkonim në veprën si pionierë specialë. E pranuam me lumturi caktimin në një fshat me emrin Uaga-Uaga. Vepra e predikimit ishte ende e ndaluar dhe nuk kishim asnjë ndihmë financiare, kështu që vërtet na u desh ta hidhnim barrën mbi Jehovain.—Psalmi 55:22.
I jepnim një biçiklete dyvendëshe dhe shkonim nëpër fshatra, ku takonim njerëz të mirë dhe flitnim gjatë me ta. Nuk pranuan shumë veta një studim biblik. Megjithatë, pronari i një dyqani e vlerësonte kaq shumë veprën që po bënim, saqë na siguronte fruta dhe perime çdo javë. Pasi kishim kaluar gjashtë muaj në Uaga-Uaga, na ftuan përsëri në Bethel.
Familja Bethel e kishte boshatisur zyrën e Strathfildit në maj të vitit 1942 dhe ishte vendosur nëpër shtëpi private. Lëviznin nga një shtëpi në një tjetër pak a shumë çdo dy javë, për të mos rënë në sy. Kur Llojdi dhe unë u kthyem në Bethel, në gusht, u bashkuam me ta në një nga këto vende. Caktimi ynë gjatë ditës ishte të punonim në një nga shtypshkronjat e nëndheshme që ishin ngritur. Më në fund, në qershor të vitit 1943, ndalimi i veprës sonë u hoq.
Përgatitje për shërbim në vend të huaj
Në prill të vitit 1947 na u dha kërkesa paraprake për të ndjekur Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, e cila ndodhej në Lansingun Jugor, Nju-Jork, SHBA. Ndërkohë, u caktuam të vizitonim kongregacionet në Australi për t’i forcuar frymësisht. Pas disa muajsh, morëm ftesën për të ndjekur klasën e 11-të të Galaadit. Kishim tri javë kohë për t’i vënë gjërat në rregull dhe për të paketuar plaçkat tona. Në dhjetor të vitit 1947 përshëndetëm familjen e miqtë dhe u drejtuam për në Nju-Jork, së bashku me 15 të tjerë nga Australia, të cilët ishin ftuar në të njëjtën klasë.
Ata pak muaj që kaluam në Shkollën e Galaadit fluturuan dhe morëm caktimin misionar në Japoni. Meqë duhej kohë që të përgatiteshin dokumentet për të shkuar në Japoni, Llojdin e caktuan përsëri mbikëqyrës udhëtues të Dëshmitarëve të Jehovait. Kongregacionet që na caktuan të vizitonim fillonin në qytetin e Los Anxhelosit e deri në kufirin meksikan. Nuk kishim makinë, kështu që çdo javë, me dashuri Dëshmitarët na shoqëronin nga një kongregacion te tjetri. Zona që mbulonte ai qark i madh tani është ndarë në tri krahina me kongregacione të gjuhës angleze dhe tri të gjuhës spanjolle, ku çdo krahinë është përbërë nga rreth dhjetë qarqe.
Shumë shpejt erdhi tetori i vitit 1949 dhe u nisëm për në Japoni, me një anije që më parë kishte qenë anije ushtarake. Një cep i saj ishte lënë për burrat dhe tjetri për gratë e fëmijët. Vetëm një ditë para se të arrinim në Jokohama, hasëm një tajfun. Me sa duket ai e pastroi qiellin, sepse kur doli dielli të nesërmen, më 31 tetor, mund të shihnim malin Fuxhi me tërë madhështinë e tij. Sa mirëseardhje madhështore në caktimin tonë të ri!
Punojmë me japonezët
Ndërsa po i afroheshim dokut, pamë me qindra njerëz flokëzinj. ‘Bobo, sa të zhurmshëm!’—menduam kur dëgjuam një zhurmë të tmerrshme trokëllitëse. Të gjithë mbanin nallane që trokëllinin në skelën e drunjtë. Pasi kaluam një natë në Jokohama, kapëm trenin që na çoi në caktimin tonë misionar në Kobe. Atje, Don Hasleti, një vëlla që e kishte bërë shkollën e Galaadit me ne dhe kishte arritur në Japoni disa muaj më parë, kishte marrë me qira një shtëpi misionare. Ishte një shtëpi e bukur dhe e madhe dykatëshe me stil perëndimor, krejt bosh.
Që të siguronim dyshekë për të fjetur, premë barin e lartë në kopshtin e shtëpisë dhe e vumë në dysheme. Kështu filloi jeta jonë misionare, pa pasur asgjë nga ana materiale përveç atyre që kishim në valixhe. Blemë disa soba të vogla me qymyr të quajtura hibaki, për t’u ngrohur dhe për të gatuar. Një natë, Llojdi i gjeti pa ndjenja Persi dhe Ilma Izlaubin, një çift misionarësh. Arriti t’i sillte në vete duke hapur dritaret dhe duke lënë të hynte ajri i pastër dhe i freskët. Edhe mua më ra të fikët një herë, ndërkohë që po gatuaja mbi sobën me qymyr. Na u desh njëfarë kohe që të mësoheshim me disa gjëra!
Mësimit të gjuhës i jepej përparësia, kështu që e studionim gjuhën japoneze 11 orë në ditë. Pas këtij muaji studimi, filluam shërbimin me një ose dy fjali që i kishim shkruar sa për të filluar. Që ditën e parë kur dola në shërbim, takova një zonjë të dashur, Mijo Takagin, e cila më priti me dashamirësi. Gjatë rivizitave, përpiqeshim së bashku, me ndihmën e fjalorëve japonisht-anglisht, derisa filluam një studim biblik të shkëlqyer. Në vitin 1999, ndërsa
merrja pjesë në dedikimin e ndërtesës së zgjeruar të degës në Japoni, e pashë përsëri Mijon, si edhe disa persona të tjerë të dashur me të cilët kam studiuar. Kanë kaluar 50 vjet, por janë ende lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë, duke bërë atë që mundin për t’i shërbyer Jehovait.Në Kobe, më 1 prill 1950, rreth 180 veta ishin të pranishëm në kremtimin e Përkujtimit të vdekjes së Krishtit. Për habinë tonë, mëngjesin vijues 35 veta u paraqitën për të marrë pjesë në shërbimin në fushë. Çdo misionar mori tre ose katër nga këta persona me vete në shërbim. Pronarët e shtëpive nuk flitnin me mua, një të huaj që nuk kuptonte shumë, por me japonezët që kishin ndjekur Përkujtimin e që ishin me mua. Bisedat vazhdonin gjatë, por unë nuk e kuptoja për çfarë flitnin. Jam e lumtur të them se disa nga këta të rinj përparuan në njohuri dhe kanë vazhduar në veprën e predikimit deri sot e kësaj dite.
Shumë privilegje dhe caktime
Unë dhe Llojdi e vazhduam veprën misionare në Kobe deri në vitin 1952, kur u caktuam në Tokio, pasi Llojdit iu besua mbikëqyrja e zyrës së degës. Me kalimin e kohës, caktimet e punës e çuan atë në gjithë Japoninë dhe në vende të tjera. Më vonë, në një nga vizitat e tij në Tokio, Nejthën H. Nori nga selia botërore më tha: «Meqë ra fjala, a e di ku do të shkojë yt shoq në udhëtimin tjetër të zonës? Në Australi dhe në Zelandën e Re.» Ai shtoi: «Edhe ti mund të shkosh, nëse e paguan vetë udhëtimin.» Çfarë entuziazmi! Në fund të fundit, kishin kaluar nëntë vjet që kur ishim larguar nga shtëpia.
Menjëherë u shkruam shumë letra familjeve tona. Mamaja më ndihmoi që të blija biletën. Unë dhe Llojdi kishim qenë të zënë në caktimet tona dhe nuk i kishim paratë e nevojshme për të vizituar familjet. Kështu, kjo ishte një përgjigje e lutjeve të mia. Siç mund ta imagjinoni, mamaja ishte shumë e lumtur që më takoi. Ajo tha: «Epo mirë, do të kursej para që të vish prapë pas tre vjetësh.» U nisëm me këtë në mendje, por, mjerisht, ajo vdiq korrikun e vitit që pasoi. Shpresoj që të kem një takim të mrekullueshëm me të në botën e re.
Deri në vitin 1960 vepra misionare kishte qenë caktimi im i vetëm, por më pas mora një letër ku shpjegohej: «Që nga kjo datë, rregullimi do të jetë që të punosh në lavanderi dhe të hekurosësh rrobat për tërë familjen Bethel.» Në atë kohë, familja jonë përfshinte rreth 12 veta, kështu që kisha mundësi të bëja këtë punë, përveç caktimit misionar.
Në vitin 1962, shtëpia jonë me stil japonez u shemb dhe në vend të saj, vitin që pasoi, u përfundua një shtëpi e re Bethel me gjashtë kate. Më caktuan të ndihmoja vëllezërit e rinj në moshë, që ishin të sapoardhur në Bethel, që t’i mbanin dhomat në rregull dhe të linin gjërat pastër. Si zakon, djemtë në Japoni nuk i mësonin të bënin asgjë në shtëpi. Theksi vihej në arsimimin në botë dhe mamatë bënin gjithçka për ta. Shumë shpejt e mësuan se unë nuk isha mamaja e tyre. Me kalimin e kohës shumë bënë përparim deri aty sa morën caktime të reja me përgjegjësi brenda organizatës.
Një ditë shumë të nxehtë vere, një studente biblike vizitoi ndërtesën tonë dhe më pa që po fërkoja pllakat e dushit. Ajo tha: «Të lutem, i thuaj atij që është përgjegjës se do të doja të paguaja një vajzë të re, që të vinte ta bënte këtë punë në vendin tënd.» I shpjegova se ndonëse e vlerësoja mendimin
e saj dashamirës, isha shumë e gatshme të bëja çdo gjë që më caktohej brenda organizatës së Jehovait.Rreth asaj kohe, unë dhe Llojdi morëm ftesën për të ndjekur klasën e 39-të të Galaadit. Çfarë privilegji ishte në vitin 1964, në moshën 46-vjeçare, të shkonim përsëri në shkollë! Kursi ishte siguruar në mënyrë të veçantë për të ndihmuar ata që shërbenin në zyrat e degëve që të kujdeseshin për përgjegjësitë e tyre. Pas kursit dhjetëmujor, u caktuam përsëri në Japoni. Në këtë kohë, në Japoni kishte rreth 3.000 lajmëtarë të Mbretërisë.
Rritja pati një shpejtësi të atillë, saqë në vitin 1972, kishte rreth 14.000 Dëshmitarë dhe në Numazu, në jug të Tokios, u ndërtua një zyrë e re dege me pesë kate. Nga kjo ndërtesë, kishim një pamje mahnitëse të malit Fuxhi. Më shumë se një milion revista në muaj në gjuhën japoneze filluan të dilnin nga shtypshkronja e re rotative. Por ne na priste një ndryshim.
Në fund të vitit 1974, Llojdi mori një letër nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, që e ftonte të shërbente në Trupin Udhëheqës. Në fillim, mendova: ‘Mirë, pra, kaq ishte. Meqë Llojdi ka shpresën qiellore dhe unë kam shpresën tokësore, herët a vonë do të na duhej të ndaheshim gjithsesi. Ndoshta Llojdi duhet të shkojë pa mua në Bruklin.’ Por, shpejt i ndreqa mendimet e mia dhe me gatishmëri u transferova, së bashku me Llojdin, në mars të vitit 1975.
Bekime në selinë botërore
Edhe në Bruklin, zemra e Llojdit ishte në fushën japoneze dhe fliste gjithnjë për përvojat që kishim pasur atje. Por tani na u paraqitën mundësi për t’u zgjeruar. Për 24 vitet e fundit të jetës së tij, Llojdi u përdor gjerësisht për veprën e zonës, e cila përfshinte udhëtime në mbarë botën. Unë e kam shoqëruar disa herë përreth botës.
Vizitat te vëllezërit e krishterë në vende të tjera më ndihmuan të kuptoj kushtet nën të cilat shumë prej tyre jetojnë e punojnë. Nuk do ta harroj kurrë fytyrën e Enteljas dhjetëvjeçare, një vajzë që e takova në Afrikën e Veriut. Ajo e donte emrin e Perëndisë dhe ecte një orë e gjysmë për të shkuar në mbledhjet e krishtere dhe të njëjtën rrugë për t’u kthyer. Me gjithë përndjekjen e ashpër nga familja, Entelja i ishte dedikuar Jehovait. Kur vizituam kongregacionin e saj, kishte vetëm një poç llambe që ndriçonte dobët mbi shënimet e oratorit dhe i gjithë vendi i mbledhjes ishte i zi sterrë. Në gjithë atë errësirë, ishte ngjethëse të dëgjoje zërat e bukur të vëllezërve e të motrave që këndonin.
Një pikë kulmore e jetës sonë ishte në dhjetor të vitit 1998, kur unë dhe Llojdi ishin me një delegacion që shkoi në Kongreset Krahinore «Udha hyjnore e jetës» në Kubë. Sa na bëri përshtypje mirënjohja dhe gëzimi që shprehën vëllezërit dhe motrat atje, kur panë që disa nga selia botërore e Bruklinit po i vizitonin! Ruaj shumë kujtime të atij takimi me persona të dashur që vazhdojnë me zell të lëshojnë thirrje lavdie drejtuar Jehovait.
Si në shtëpi, me popullin e Perëndisë
Ndonëse vendlindja ime është Australia, zhvillova dashuri për njerëzit në çdo caktim që më dërgoi organizata e Jehovait. Kjo ndodhi me Japoninë dhe tani që kam qenë në Shtetet e Bashkuara për më shumë se 25 vjet, ndiej të njëjtën gjë këtu. Kur humba tim shoq, nuk mendova të kthehesha në Australi, por të qëndroja në Bethelin e Bruklinit, ku Jehovai më kishte caktuar.
Tani jam në të 80-at. Pas 61 vjetësh në shërbimin e plotkohor, jam ende e gatshme të shërbej kudo që Jehovai e shikon të përshtatshme. Ai është kujdesur me të vërtetë për mua. I çmoj shumë këta 57 vjet e ca të cilat i jetova me një shok të dashur që e donte Jehovain. Jam e sigurt që Jehovai do të vazhdojë të na bekojë dhe e di se Ai nuk do ta harrojë kurrë veprën tonë dhe dashurinë që kemi treguar për emrin e tij.—Hebrenjve 6:10.
[Shënimi]
^ par. 4 Shih Kullën e Rojës, 1 tetor 1999, faqet 16 dhe 17.
[Figura në faqen 25]
Me mamanë, në vitin 1956
[Figura në faqen 26]
Me Llojdin dhe një grup lajmëtarësh japonezë në fillim të viteve 50
[Figurat në faqen 26]
Me studenten time të parë biblike, Mijo Takagin, në fillim të viteve 50 dhe në vitin 1999
[Figura në faqen 28]
Me Llojdin në veprën me revista, në Japoni