Bibla—E çmuar dhe e ndaluar
Bibla—E çmuar dhe e ndaluar
«Do të doja që librat e shenjtë të përktheheshin në të gjitha gjuhët», —shkroi Erasmi, studiues i shquar holandez i shekullit të 16-të.
SHPRESA më e madhe e Erasmit ishte që çdokush të arrinte t’i lexonte dhe t’i kuptonte Shkrimet. Por, kundërshtarët e Biblës iu kundërvunë me egërsi kësaj ideje. Në fakt, në atë kohë, Evropa ishte një vend tepër i rrezikshëm për këdo që ishte edhe sadopak kureshtar rreth përmbajtjes së Biblës. Në Angli u dekretua një statut parlamentar ku urdhërohej se «kushdo që lexonte Shkrimet në anglisht do të humbte tokën, plaçkat, të mirat dhe jetën e tij . . . e nëse vazhdonin me kokëfortësi ose binin përsëri në gabim pasi të ishin falur, së pari duheshin varur për tradhti ndaj mbretit dhe pastaj të digjeshin për herezi ndaj Perëndisë».
Në kontinentin evropian, Inkuizicioni katolik i gjurmoi pa mëshirë sektet «heretike», si valdezët francezë. Në fakt, i veçoi që t’i persekutonte për shkak të zakonit të tyre për të predikuar «nga ungjijtë, nga letrat e apostujve dhe nga shkrimet e tjera të shenjta, . . . meqë predikimi dhe shpjegimi i shkrimit të shenjtë u [ishte] ndaluar plotësisht laikëve». Burra e gra të panumërt vuajtën tortura çnjerëzore dhe vdiqën për shkak të dashurisë që kishin për Biblën. Ata rrezikuan dënimin më të rëndë vetëm për të cituar Lutjen e Zotërisë ose Dhjetë Urdhërimet dhe për t’ua mësuar këto fëmijëve të tyre.
Një devocion i tillë për Fjalën e Perëndisë vazhdoi të jetonte në zemrat e shumë kolonizatorëve që lundruan për të kolonizuar Amerikën e Veriut. Në librin A History of Private Life—Passions of the Renaissance thuhet se në Amerikën e hershme, «leximi dhe feja ishin të gërshetuara fort me njëra-tjetrën, duke përcaktuar një kulturë të bazuar tërësisht në familjaritetin me Biblën». Në fakt, në një fjalim të botuar në Boston në vitin 1767 rekomandohej: «Jini të zellshëm në leximin e shkrimit të shenjtë. Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje duhet të lexoni një kapitull të Biblës suaj.»
Sipas Grupit të Kërkimeve Barnë në Ventura, Kaliforni, më shumë se 90 për qind e amerikanëve kanë mesatarisht tri Bibla secili. Por, një studim i kohëve të fundit tregon se, ndonëse atje Bibla ende respektohet shumë, «të kalojnë kohë duke e lexuar, duke e studiuar dhe duke e vënë në zbatim atë . . . është një gjë e së kaluarës». Shumica kanë vetëm një njohje sipërfaqësore të brendisë së saj. Një gazetar vërejti: «Mendimi se [Bibla] mund të ketë ende lidhje të drejtpërdrejtë me problemet dhe shqetësimet aktuale haset rrallë.»
Rryma e mënyrës shekullare të të menduarit
Një bindje e përhapur është se në jetë mund t’ia dalim mbanë vetëm nëpërmjet arsyes dhe bashkëpunimit njerëzor. Biblën e trajtojnë vetëm si një nga librat e shumtë me opinione fetare dhe përvoja personale, jo si një libër me fakte dhe vërtetësi.
Atëherë, si ia dalin mbanë shumica e njerëzve me çështjet gjithnjë e më të ndërlikuara dhe shqetësuese të jetës? Ata veprojnë në një boshllëk frymor, pa asnjë udhëheqje e drejtim të fortë moral e fetar. Janë bërë si anije pa timon, «të hedhur para-prapa dhe të shtyrë nga çdo frymë mësimi njerëzor, . . . prej dredhisë dhe mjeshtërisë së njerëzve».—Efesianëve 4:14, The Twentieth Century New Testament.
Atëherë, duhet të bëjmë pyetjen: A është Bibla vetëm një libër tjetër fetar? Apo është vërtet Fjala e Perëndisë, e cila përmban informata praktike dhe jetësore? (2 Timoteut 3:16, 17) A e meriton Bibla që ta marrim në shqyrtim? Artikulli vijues do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.
[Figura në faqen 3]
Erasmi
[Burimi]
Nga libri Deutsche Kulturgeschichte
[Figura në faqen 4]
Valdezët i veçuan për t’i persekutuar sepse predikonin nga Shkrimet
[Burimi]
Stichting Atlas van Stolk, Roterdam