Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur do ta qeverisë tokën Mbretëria e Perëndisë?

Kur do ta qeverisë tokën Mbretëria e Perëndisë?

Disa nga dishepujt besnikë të Jezuit donin të dinin kur do të fillonte Mbretëria e Perëndisë të qeveriste. Por Jezui u tha se nuk do ta dinin tamam kur do të fillonte ajo të ushtronte autoritet mbi tokën. (Veprat 1:6, 7) Ama tashmë u kishte thënë se, kur të shihnin disa ngjarje specifike të ndodhnin njëkohësisht, ‘do ta dinin se Mbretëria e Perëndisë ishte afër’ dhe se kishte ardhur koha që të qeveriste tokën.—Luka 21:31.

CILAT NGJARJE THA JEZUI SE DO TË NDODHNIN?

Jezui tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, do të ketë tërmete të mëdha, mungesa ushqimi dhe murtaja nga njëri vend në tjetrin.» (Luka 21:10, 11) Njësoj si vijat e lëkurës që përbëjnë shenjat e gishtërinjve, të gjitha këto dukuri bashkë do të përbënin një shenjë të padiskutueshme. E ashtu si shenjat e gishtërinjve identifikojnë një njeri, këto ngjarje që ndodhin njëkohësisht, sinjalizojnë se «Mbretëria e Perëndisë është afër». A kanë ndodhur këto dukuri njëkohësisht? A po ndodhin në shkallë globale? Të shohim dëshmitë.

1. LUFTËRA

Në vitin 1914 shpërtheu një luftë që s’ishte parë në gjithë historinë e njerëzimit. Shpesh historianët e quajnë vitin 1914 një pikë kthese në histori, ngaqë për herë të parë e gjithë bota u përfshi në luftë. Në atë luftë filluan të përdoreshin në masë tanket, bombat ajrore, mitralozët, gazi helmues dhe armë të tjera vdekjeprurëse. Ajo u pasua nga Lufta e Dytë Botërore, e cila solli në ekzistencë armët bërthamore. Kështu, që nga viti 1914, njerëzimi ka luftuar nga njëri vend në tjetrin, e si pasojë miliona kanë humbur jetën.

2. TËRMETE

Britannica Academic thotë se çdo vit bien rreth 100 tërmete të mëdha që shkaktojnë «dëme të konsiderueshme». Instituti i Studimeve Gjeologjike të Shteteve të Bashkuara raporton se, «sipas të dhënave që kemi prej vitesh (që nga viti 1900), presim të ndodhin rreth 16 tërmete të mëdha në çfarëdo viti qoftë». Disa mendojnë se sot tërmetet nuk bien më shumë se më parë, thjesht kemi teknika më të mira për t’i monitoruar. Gjithsesi, e vërteta është se, si pasojë e tërmeteve të mëdha në gjithë botën, kemi vuajtje dhe vdekje në një shkallë të paprecedent.

3. MUNGESA USHQIMI

Sot në mbarë botën ka mungesa ushqimi si pasojë e luftërave, korrupsionit, kolapseve ekonomike, keqmenaxhimit bujqësor ose mosplanifikimit për emergjencat e motit ekstrem. Në «Përmbledhjen për vitin 2018» të Programit Botëror për Ushqimin, thuhet: «Përreth botës, 821 milionë njerëz vuajnë urie, ku 124 milionë janë në gjendje tejet të mjerueshme.» Vdekja e rreth 3,1 milionë fëmijëve çdo vit lidhet drejtpërdrejt me kequshqyerjen. Në vitin 2011, kequshqyerja ishte shkaktarja e rreth 45 për qind e vdekjeve të fëmijëve në botë.

4. SËMUNDJE DHE EPIDEMI

Një botim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë: «Shekulli i 21-të tashmë ka parë disa epidemi të rënda. Sëmundje të vjetra, si kolera, vdekja e zezë dhe ethet e verdha, janë rishfaqur, dhe kanë ardhur në ekzistencë sëmundje të reja, si SARS-i, gripi pandemik, MERS-i dhe viruset Ebola dhe Zika.» Pandemia COVID-19 është më e fundit. Edhe pse sot shkencëtarët dhe mjekët kanë shumë informacion për sëmundjet, ata nuk kanë gjetur dot një kurë për të gjitha.

5. NJË VEPËR MBARËBOTËRORE PREDIKIMI

Jezui nxori në pah një pjesë tjetër të shenjës, kur paratha: «Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Ndërkohë që bota po përjeton probleme madhore, mbi 8 milionë njerëz nga të gjitha kombet po e shpallin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në 240 vende, në më shumë se 1.000 gjuhë. Kjo s’është parë kurrë në histori!

ÇFARË DO TË THOTË SHENJA PËR NE?

Dukuritë e shenjës që dha Jezui, po i shohim me sytë tanë. Pse duhet të na interesojë kjo? Ngaqë Jezui tha: «Kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se Mbretëria e Perëndisë është afër.»—Luka 21:31.

Së shpejti Mbretëria do të bëjë vullnetin e Perëndisë në tokë

Shenja që dha Jezui dhe kronologjia e Biblës, na ndihmojnë të kuptojmë se Perëndia themeloi një Mbretëri qiellore në vitin 1914. a Në atë kohë ai caktoi si mbret të Birin, Jezu Krishtin. (Psalmi 2:2, 4, 6-9) Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të qeverisë tokën, do të zhdukë çdo sundim rival dhe do ta bëjë tokën parajsë, që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në të.

Së shpejti fjalët e lutjes model që na mësoi Jezui do të plotësohen: «Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë!» (Mateu 6:10) Por, çfarë ka bërë Mbretëria që kur ka filluar të qeverisë në vitin 1914? Dhe çfarë mund të presim kur Mbretëria të qeverisë plotësisht njerëzimin?

a Për hollësi rreth vitit 1914, shih mësimin 32 të librit Gëzoje jetën përgjithmonë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.