Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 43

Mençuria e vërtetë po thërret

Mençuria e vërtetë po thërret

«Mençuria e vërtetë thërret rrugës, në sheshe e ngre zërin vazhdimisht.»—PROV. 1:20.

KËNGA 88 Më mëso udhët e tua

PËRMBLEDHJE *

1. Si reagojnë shumë njerëz ndaj thirrjes së mençurisë së vërtetë? (Proverbat 1:20, 21)

 NË SHUMË vende, mund të shihje shpesh në rrugët plot njerëz lajmëtarë të gëzuar të Mbretërisë që u ofronin literaturë kalimtarëve. Mbase kur ke marrë pjesë në këtë lloj shërbimi, të ka ardhur në mendje një ilustrim nga libri i Proverbave. Është ilustrimi për mençurinë e cila thërret shesheve e rrugëve që njerëzit t’i dëgjojnë këshillat e saj. (Lexo Proverbat 1:20, 21.) Bibla dhe botimet tona përmbajnë ‘mençurinë e vërtetë’—mençurinë e Jehovait. Tamam për këtë mençuri kanë nevojë njerëzit që të hedhin hapin e parë në rrugën drejt jetës. Ne kënaqemi kur dikush pranon ndonjë nga botimet tona. Megjithatë, jo të gjithë i pranojnë. Disa preferojnë të mos e dinë çfarë thotë Bibla. Të tjerë qeshin me ne, pasi mendojnë se Biblës i ka ikur koha. Kurse të tjerë i kritikojnë normat morale të Biblës duke i quajtur jotolerantë dhe gjykues ata që ndjekin këto norma. Prapëseprapë, Jehovai me dashuri vazhdon ta vërë në dispozicion të të gjithëve mençurinë e vërtetë. Në cilat mënyra?

2. Ku mund të gjejmë mençuri të vërtetë, por çfarë zgjedh të bëjë shumica e njerëzve?

2 Një mënyrë si e vë në dispozicion Jehovai mençurinë e vërtetë është nëpërmjet Fjalës së tij. Thuajse çdo njeri sot mund të ketë një Bibël. Po ç’të themi për botimet tona të bazuara në Bibël? Falë bekimit të Jehovait, ato dalin në më tepër se 1.000 gjuhë. Ata që i lexojnë dhe i zbatojnë gjërat që mësojnë, nxjerrin dobi. Megjithatë, shumica zgjedhin ta bëjnë veshin të shurdhër ndaj mençurisë së vërtetë. Kur u duhet të marrin vendime, preferojnë të mbështeten te vetja ose të dëgjojnë të tjerët. Madje mund të na shohin me përçmim, ngaqë ne zgjedhim të zbatojmë atë që thotë Bibla. Në këtë artikull do të shohim pse shumë njerëz reagojnë kështu. Por së pari të shqyrtojmë si mund ta fitojmë mençurinë e Jehovait.

NJOHURIA E JEHOVAIT SJELL MENÇURI

3. Çfarë duhet të bëjmë që të jemi vërtet të mençur?

3 Një njeri i mençur është i aftë ta përdorë atë që di për të marrë vendime të mira. Megjithatë, mençuria e vërtetë përfshin diçka më shumë. Bibla thotë: «Të kesh nderim të thellë për Jehovain, është hapi i parë drejt mençurisë, dhe të njohësh Më të Shenjtin, të jep aftësi për të kuptuar.» (Prov. 9:10) Prandaj, para se të marrim një vendim të rëndësishëm duhet të zbulojmë si mendon Jehovai—‘të njohim Më të Shenjtin’—dhe ta bazojmë vendimin te mënyra si mendon Ai. Këtë mund ta bëjmë duke studiuar Biblën dhe botimet e bazuara në të. Kur veprojmë kështu, tregojmë se jemi vërtet të mençur.—Prov. 2:5-7.

4. Pse Jehovai është i vetmi që mund të na japë mençuri të vërtetë?

4 Jehovai është i vetmi që mund të na japë mençuri të vërtetë. (Rom. 16:27) Pse mund të themi se ai është Burimi i mençurisë? Së pari, si Krijuesi, ai ka njohuri të pakufishme për krijimin e tij. (Psal. 104:24) Së dyti, të gjitha veprimet e Jehovait pasqyrojnë mençurinë e tij. (Rom. 11:33) Së treti, këshillat e mençura të Jehovait u sjellin gjithmonë dobi atyre që i zbatojnë. (Prov. 2:10-12) Nëse duam të fitojmë mençuri të vërtetë, duhet t’i pranojmë këto të vërteta themelore dhe t’i lejojmë të na drejtojnë në vendimet që marrim e në mënyrën si veprojmë.

5. Çfarë pasojash vijnë kur njerëzit nuk e pranojnë se Jehovai është Burimi i mençurisë së vërtetë?

5 Shumë nga ata që takojmë në shërbim, e pranojnë se gjërat që shohim përreth janë projektuar në mënyrë të mrekullueshme. Mirëpo meritën për këtë ia japin evolucionit dhe e mohojnë se ka një Krijues. Të tjerë thonë se besojnë në Zot, por mendojnë se standardet e Biblës janë të dala mode dhe zgjedhin të jetojnë siç duan vetë. Cilat kanë qenë pasojat e këtyre zgjedhjeve? A është bota një vend më i mirë ngaqë njerëzit mbështeten në mençurinë e tyre në vend se në mençurinë e Perëndisë? A kanë gjetur lumturi të vërtetë ose një shpresë të sigurt për të ardhmen? Ajo që shohim përreth na bind për këtë të vërtetë: «Nuk ka as mençuri, as aftësi dalluese, as këshillë që të mund të dalë kundër Jehovait.» (Prov. 21:30, shën.) Ç’motiv i fortë që të vazhdojmë të kërkojmë mençurinë e Jehovait! Mjerisht, shumica nuk e bëjnë këtë. Pse?

PSE SHUMË E HEDHIN POSHTË MENÇURINË E VËRTETË

6. Sipas Proverbave 1:22-25, cilët i mbyllin veshët kur thërret mençuria e vërtetë?

6 Shumë veta i mbyllin veshët kur mençuria e vërtetë «thërret rrugës». Bibla flet për tri grupe që e hedhin poshtë mençurinë: ‘të papërvojët’, ‘tallësit’ dhe ‘të marrët’. (Lexo Proverbat 1:22-25.) Le të shqyrtojmë tiparet e këtyre njerëzve që e hedhin poshtë mençurinë e Perëndisë dhe çfarë duhet të bëjmë që të mos i imitojmë.

7. Pse disa zgjedhin të mbeten ‘të papërvojë’?

7 «Të papërvojët» janë njerëz naivë që besojnë ose mashtrohen kollaj. (Prov. 14:15, shën.) Takojmë shpesh njerëz të tillë në shërbim. Për shembull, mendo për miliona njerëz që mashtrohen nga udhëheqësit fetarë dhe politikë. Disa prej tyre tronditen kur mësojnë se këta udhëheqës u kanë hedhur hi syve. Mirëpo, Proverbat 1:22 flet për ata që zgjedhin të mbeten të papërvojë sepse ashtu u pëlqen. (Jer. 5:31) Ata bëjnë si të kenë qejf dhe nuk duan të mësojnë çfarë thotë Bibla ose të jetojnë sipas standardeve të saj. Shumë veta mendojnë si një besimtare e devotshme në Kuebek të Kandasë, që i tha një Dëshmitari: «Nëse prifti na ka mashtruar, faji është i tiji, jo yni!» Nuk duam kurrsesi të imitojmë ata që preferojnë të mbeten në padije!—Prov. 1:32; 27:12.

8. Çfarë do të na ndihmojë të fitojmë përvojën e duhur?

8 Me të drejtë, Bibla na nxit të mos mbetemi të papërvojë, por të bëhemi ‘tërësisht të rritur në mënyrën si arsyetojmë’. (1 Kor. 14:20) Përvojën e duhur në jetë e fitojmë duke zbatuar parimet e Biblës. Pak nga pak provojmë si na ndihmojnë këto parime që të shmangim problemet dhe të marrim vendime të mençura. Ia vlen të analizojmë përparimin tonë në mënyrën si i marrim vendimet. Nëse kemi ca kohë që studiojmë Biblën dhe ndjekim mbledhjet, mund të pyesim veten: ç’na pengon t’i kushtohemi Jehovait dhe të pagëzohemi? Nëse jemi të pagëzuar, a po bëhemi gjithnjë e më të aftë si lajmëtarë dhe mësues të së vërtetës? A tregojnë vendimet tona se udhëhiqemi nga parimet e Biblës? A imitojmë cilësitë e Krishtit në marrëdhëniet me të tjerët? Nëse dallojmë pika ku duhet të përmirësohemi, le t’u kushtojmë vëmendje përkujtuesve të Jehovait që e «bëjnë të mençur njeriun e papërvojë».—Psal. 19:7.

9. Në ç’mënyrë e hedhin poshtë ‘tallësit’ mençurinë e vërtetë?

9 ‘Tallësit’ janë grupi i dytë i njerëzve që e shpërfillin mençurinë e Perëndisë. Hera-herës takojmë njerëz të tillë në shërbim. Ata kanë qejf të tallen me të tjerët. (Psal. 123:4) Bibla kishte paralajmëruar se në ditët e fundit do të kishte shumë tallës. (2 Pjet. 3:3, 4) Ashtu si dhëndurët e Lotit të drejtë, disa sot nuk u kushtojnë vëmendje paralajmërimeve hyjnore. (Zan. 19:14) Shumë veta i përqeshin ata që jetojnë sipas parimeve të Biblës. Këtë e bëjnë sepse drejtohen nga ‘dëshirat e veta për të shpërfillur Perëndinë’. (Jud. 7, 17, 18) Çfarë përshkrimi i goditur për apostatët dhe për të tjerë që e kanë hedhur poshtë Jehovain!

10. Siç tregon Psalmi 1:1, ç’mund të na mbrojë që të mos bëhemi edhe ne tallës?

10 Çfarë mund të na mbrojë që të mos bëhemi edhe ne tallës? Një mbrojtje është të mos shoqërohemi me ata që kanë një qëndrim kritik. (Lexo Psalmin 1:1.) Kjo përfshin të mos dëgjojmë ose të mos lexojmë asgjë që vjen nga apostatët. Po të mos bëjmë kujdes, mund të zhvillojmë një frymë kritike dhe mund të dyshojmë te mënyra si vepron Jehovai e tek udhëzimet që na jep nëpërmjet organizatës së tij. Prandaj duhet të pyesim veten: «Kur jepet një udhëzim ose shpjegim i ri, a kam shpesh në majë të gjuhës ndonjë koment negativ? A kam prirjen të gjej të meta tek ata që marrin drejtimin?» Nëse veprojmë pa vonesë për të korrigjuar prirje të tilla, Jehovai do të jetë i kënaqur me ne.—Prov. 3:34, 35.

11. Si i shohin ‘të marrët’ normat morale të Jehovait?

11 Grupi i tretë i atyre që hedhin poshtë mençurinë janë ‘të marrët’. Ata janë të marrë sepse nuk pranojnë të jetojnë sipas normave morale të Perëndisë, por bëjnë çfarë t’u duket e drejtë. (Prov. 12:15) Këta njerëz e hedhin poshtë Jehovain, Burimin e mençurisë. (Psal. 53:1) Kur i takojmë në shërbim, shpesh na kritikojnë ashpër ngaqë ne respektojmë standardet e Biblës. Ama, ata vetë nuk mund të ofrojnë ndonjë gjë më të mirë. Bibla thotë: «Mençuria e vërtetë është e paarritshme për të marrin; ai nuk ka asgjë për të thënë te porta e qytetit.» (Prov. 24:7) Pra, të marrët nuk mund të japin asnjë këshillë të mençur. Ja pse Jehovai na paralajmëron: «Qëndroji larg të marrit.»—Prov. 14:7.

12. Çfarë do të na ndihmojë që të mos veprojmë si të marrët?

12 Ndryshe nga ata që i urrejnë këshillat e Perëndisë, ne mësojmë ta duam mënyrën si mendon Ai, duke përfshirë edhe normat e tij morale. Këtë dashuri mund ta thellojmë duke krahasuar rezultatet e bindjes me pasojat e mosbindjes. Mendo për telashet e ndryshme që i hapin vetes njerëzit kur shpërfillin me marrëzi këshillat e mençura të Jehovait. Pastaj mendo për jetën shumë më të mirë që bën ti ngaqë i bindesh Perëndisë.—Psal. 32:8, 10.

13. A na detyron Jehovai t’u bindemi këshillave të tij të mençura?

13 Jehovai ua vë në dispozicion të gjithëve mençurinë e tij, ama nuk detyron askënd ta pranojë. Por njëkohësisht na tregon hapur pasojat që vijnë kur dikush nuk e pranon mençurinë e tij. (Prov. 1:29-32) Ata që zgjedhin të mos i binden Jehovait, «do të vuajnë pasojat e udhëve të tyre». Me kalimin e kohës, mënyra si jetojnë do t’u sjellë veç dhimbje e telashe dhe në fund, shkatërrim. Kurse atyre që i dëgjojnë këshillat e tij të mençura dhe i zbatojnë, Jehovai u premton: «Ai që më dëgjon, do të jetojë i sigurt, pa frikë në zemër se mos i ndodh ndonjë e keqe.»—Prov. 1:33.

KËSHILLAT E MENÇURA TË PERËNDISË NA SJELLIN DOBI

Kur marrim pjesë në mbledhje, forcojmë miqësinë me Jehovain (Shih paragrafin 15)

14-15. Çfarë mësojmë nga Proverbat 4:23?

14 Kur i zbatojmë këshillat e mençura të Perëndisë, nxjerrim gjithmonë dobi. Siç e pamë, Jehovai na jep pa kursim nga mençuria e tij. Për shembull, gjithë libri i Proverbave është plot me këshilla që vlejnë për çdo kohë dhe që na e përmirësojnë jetën kur i zbatojmë. Le të shohim vetëm katër nga këto këshilla të mençura.

15 Mbro zemrën. Bibla thotë: «Më shumë se çdo gjë tjetër ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.» (Prov. 4:23) Mendo pak ç’duhet të bëjmë për të mbrojtur zemrën e mirëfilltë. Duhet të hamë ushqime të shëndetshme, të bëjmë fizkulturë rregullisht dhe të mos kemi zakone të këqija. Për të mbrojtur zemrën e figurshme bëjmë gjëra të ngjashme. Ushqehemi përditë me Fjalën e Perëndisë. Përgatitemi për mbledhjet, i ndjekim dhe marrim pjesë në to. Qëndrojmë aktivë duke u përpjekur rregullisht e me zell në shërbim. Gjithashtu bëjmë kujdes të mos zhvillojmë zakone të këqija duke shmangur çdo gjë që na korrupton mënyrën si mendojmë, si zbavitjet imorale dhe shoqëritë e këqija.

Pikëpamja e ekuilibruar për paratë, na ndihmon të jemi të kënaqur me atë që kemi (Shih paragrafin 16)

16. Pse këshilla e Proverbave 23:4, 5 është shumë praktike sot?

16 Ji i kënaqur me ato që ke. Bibla na jep këtë këshillë: «Mos u robto për të fituar pasuri. . . . Pasuria zhduket sa hap e mbyll sytë, merr krahë si të shqiponjës dhe fluturon drejt qiejve.» (Prov. 23:4, 5) Pra, s’ka asnjë garanci se pasuria materiale do të mbetet përgjithnjë. Prapëseprapë, sot edhe të pasurit, edhe të varfrit janë të fiksuar si e si të fitojnë para. Ky fiksim shpesh i shtyn të bëjnë gjëra që u dëmtojnë reputacionin, marrëdhëniet me të tjerët, e madje dhe shëndetin. (Prov. 28:20; 1 Tim. 6:9, 10) Krejt ndryshe, mençuria na ndihmon të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për paratë. Kjo na mbron nga gracka e lakmisë dhe na ndihmon të ndihemi të lumtur e të kënaqur me atë që kemi.—Ekl. 7:12.

Kur mendojmë para se të flasim, nuk i dëmtojmë të tjerët me fjalët tona (Shih paragrafin 17)

17. Si mund të kemi ‘gjuhën e të mençurve’? (Proverbat 12:18)

17 Mendo para se të flasësh. Po të mos bëjmë kujdes, mund të shkaktojmë dëm të madh me fjalët tona. Bibla thotë: «Fjalët e pamenduara janë si goditje shpate, por gjuha e të mençurve sjell shërim.» (Prov. 12:18) Kur nuk bëjmë thashetheme për të metat e të tjerëve, ruajmë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. (Prov. 20:19) Që fjalët tona të mos lëndojnë por të shërojnë, duhet ta mbushim zemrën me njohuri nga Fjala e Perëndisë. (Luka 6:45) Kur bluajmë në mendje atë që thotë Bibla, fjalët tona janë një ‘burim mençurie’ që ia freskon zemrën të tjerëve.—Prov. 18:4.

Bindja ndaj drejtimit të organizatës mund të na ndihmojë të bëhemi më të zotë në shërbim (Shih paragrafin 18)

18. Si na ndihmon këshilla e Proverbave 24:6 të kemi sukses në shërbim?

18 Bindju drejtimit. Bibla jep këtë këshillë praktike si të kemi sukses: «Luftën bëje nën udhëheqje të mençur, sepse ku ka shumë këshilltarë, ka sukses.» (Prov. 24:6, shën.) Si na ndihmon zbatimi i këtij parimi të kemi sukses në shërbim, pra të bëhemi lajmëtarë e mësues më të zotë? Në vend që ta bëjmë shërbimin si të na pëlqejë, bëjmë çmos të ndjekim sugjerimet. Marrim «udhëheqje të mençur» në mbledhjet tona, ku «këshilltarë» me përvojë mbajnë fjalime dhe pjesë të bazuara në Bibël për të na stërvitur. Veç kësaj, organizata e Jehovait na siguron mjete të dobishme, si botime dhe video që mund t’i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë Biblën. A po mëson t’i përdorësh me mjeshtëri këto mjete?

19. Si ndihesh për mençurinë që jep Jehovai? (Proverbat 3:13-18)

19 Lexo Proverbat 3:13-18. Sa mirënjohës jemi për këshillat e mençura të Fjalës së Perëndisë! Kushedi ku do të ishim pa to! Në këtë artikull kemi shqyrtuar vetëm disa këshilla të mençura nga libri i Proverbave. Por Shkrimet janë plot e përplot me këshillat e mençura të Jehovait. Qofshim të vendosur të veprojmë gjithmonë sipas mençurisë që na jep Ai! Për ne s’ka rëndësi si e sheh bota këtë mençuri; ne jemi të sigurt se «ata që e rrokin [mençurinë], do të quhen të lumtur».

KËNGA 36 E ruaj zemrën me kujdes

^ Mençuria që na jep Jehovai qëndron ku e ku më lart se çdo gjë që ofron bota. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë një ilustrim intrigues nga libri i Proverbave—ilustrimin për mençurinë që thërret në një shesh qyteti. Do të shohim si mund të fitojmë mençuri të vërtetë, pse disa e bëjnë veshin të shurdhër ndaj mençurisë dhe si nxjerrim dobi kur ia vëmë veshin.