ARTIKULLI I STUDIMIT 5
KËNGA 27 Tregohet qartë lavdia e bijve të Perëndisë
«Kurrsesi nuk do të të braktis»!
«[Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’»—HEBR. 13:5b.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të na sigurojë se Perëndia nuk ka për të na braktisur pasi të shkojnë në qiell të gjithë të mirosurit që kanë mbetur në tokë.
1. Kur do të mblidhen në qiell të gjithë të mirosurit?
VITE më parë, shërbëtorët e Jehovait vrisnin mendjen: «Kur do të ngjiten në qiell të mirosurit e fundit?» Më parë mendonim se ndoshta disa të mirosur mund të qëndronin në tokën parajsore për njëfarë kohe pas luftës së Armagedonit. Por në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2013, mësuam se të gjithë të mirosurit që do të jenë ende në tokë, do të ngjiten në qiell para luftës së Armagedonit.—Mat. 24:31.
2. Cila pyetje mund të lindë, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Mirëpo mund të lindë një pyetje: Ç’do të ndodhë gjatë ‘shtrëngimit të madh’ me ‘delet e tjera’ të Krishtit në tokë që i shërbejnë besnikërisht Jehovait? (Gjon. 10:16; Mat. 24:21) Sot disa mund të jenë në merak se do t’u mungojë drejtimi i duhur dhe do të ndihen të braktisur, ngaqë nuk do të jenë më të mirosurit që i duan shumë. Të shqyrtojmë dy fragmente nga Shkrimet që mund t’u vijnë ndërmend në këtë situatë. Pastaj do të shohim disa arsye pse nuk ka vend të shqetësohemi.
ÇFARË NUK DO TË NDODHË?
3-4. Çfarë mund të mendojnë disa, dhe pse?
3 Disa mund të mendojnë se delet e tjera do të largohen nga e vërteta nëse nuk do t’i drejtojnë më vëllezërit e mirosur të Trupit Udhëheqës. Mbase i kap frika për shkak të disa historive nga Bibla. Të shohim dy prej tyre. E para lidhet me kryepriftin Jehojada, një burrë me besim të patundur te Perëndia. Bashkë më të shoqen, Jehoshabetën, mbrojtën një fëmijë që quhej Jehoas dhe e ndihmuan të bëhej një mbret i mirë që ishte besnik ndaj Jehovait. Për sa kohë ishte gjallë Jehojada i moshuar, Jehoasi e adhuronte Jehovain e bënte të mira. Por pasi vdiq Jehojada, Jehoasi mori rrugë të keqe. Ai u vuri veshin princave të ligj dhe e braktisi Jehovain.—2 Kron. 24:2, 15-19.
4 Historia tjetër flet për të krishterët e shekullit të dytë. Gjoni, apostulli i fundit që kishte mbetur gjallë, ndikonte për mirë te shumë të krishterë duke i ndihmuar t’i shërbenin me besnikëri Jehovait. (3 Gjon. 4) Bashkë me apostuj të tjerë besnikë të Jezuit, Gjoni kishte ca kohë që luftonte fort kundër apostazisë që përhapej dita-ditës. (1 Gjon. 2:18) Mirëpo, pasi vdiq Gjoni, apostazia u përhap si një zjarr shkatërrimtar. Brenda pak dekadave, kongregacioni i krishterë u ndot plotësisht.
5. Çfarë përfundimesh nuk duhet të nxjerrim nga këto dy histori?
5 A tregojnë këto dy fragmente nga Bibla se deleve të tjera të Krishtit do t’u ndodhë diçka e ngjashme kur të shkojnë në qiell të mirosurit e fundit? Mos vallë ashtu si Jehoasi, disa shërbëtorë besnikë të Jehovait në tokë nuk do të veprojnë sipas stërvitjes që kanë marrë? Apo mos do të bien pre e apostazisë si shumë të krishterë në shekullin e dytë të e.s.? Absolutisht që jo! S’kemi fije dyshimi se kur të mirosurit të mos jenë më në tokë, Jehovai do të kujdeset më së miri për delet e tjera dhe ato do të vazhdojnë ta adhurojnë ashtu siç do Ai. Pse mund të jemi të sigurt?
ADHURIMI I PASTËR NUK DO TË NDOTET
6. Cilat janë tri periudha kohore që do të analizojmë shkurtimisht?
6 Çfarë na jep sigurinë se adhurimi i pastër nuk do të ndotet, madje as në kohët e vështira që na presin? Ajo që kemi mësuar në Bibël për kohën në të cilën po jetojmë. Koha jonë ndryshon jashtë mase nga koha e izraelitëve të lashtë dhe koha e të krishterëve të shekullit të dytë. Prandaj le të shohim më nga afër këto tri periudha: (1) kohën e Izraelit të lashtë, (2) kohën pas vdekjes së apostujve dhe (3) kohën tonë, «kohën e rivendosjes së të gjitha gjërave».—Vep. 3:21.
7. Pse izraelitët besnikë nuk u shkurajuan kur kombi dhe mbretërit e tij u futën në rrugë të shtrembër?
7 Koha e Izraelit të lashtë. Pak para se të vdiste, Moisiu u tha izraelitëve: «Unë e di fare mirë që pas vdekjes sime populli do të veprojë me ligësi dhe do të largohet nga udha që i kam urdhëruar.» (Ligj. 31:29) Veç kësaj, i paralajmëroi se po të rebeloheshin, Jehovai do t’i çonte në mërgim. (Ligj. 28:35, 36) A dolën të vërteta këto fjalë? Po. Përgjatë shekujve, shumë mbretër zgjodhën një udhë të shtrembër dhe e zhytën popullin e Perëndisë në adhurimin e rremë. Ja pse Jehovai e ndëshkoi popullin e tij të lig dhe i dha fund qeverisjes së mbretërve njerëzorë. (Ezek. 21:25-27) Mirëpo, izraelitët besnikë morën zemër kur panë që fjalët e Perëndisë u përmbushën një më një.—Isa. 55:10, 11.
8. A duhet të çuditemi që kongregacioni i krishterë në shekullin e dytë u ndot nga adhurimi i rremë? Shpjegoni.
8 Koha pas vdekjes së apostujve. A duhet të çuditemi që kongregacioni i krishterë në shekullin e dytë u ndot nga adhurimi i rremë? Aspak. Jezui paratha se në kongregacion do të përhapej një apostazi e madhe. (Mat. 7:21-23; 13:24-30, 36-43) Apostujt Pavël, Pjetër dhe Gjon konfirmuan se profecia e Jezuit tashmë kishte filluar të përmbushej në shekullin e parë të e.s. (2 Sel. 2:3, 7; 2 Pjet. 2:1-3, 17-19; 1 Gjon. 2:18) Në shekullin e dytë të e.s., kongregacioni i krishterë ishte ndotur nga mësimet apostate. Krishterimi apostat lulëzoi dhe u bë pjesë e rëndësishme e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Përsëri, ajo që paratha Jezui po përmbushej.
9. Si ndryshon koha në të cilën jetojmë me kohën e Izraelit të lashtë dhe me kohën e kongregacionit të krishterë në shekullin e dytë?
9 ‘Koha e rivendosjes së të gjitha gjërave.’ Koha jonë është shumë ndryshe nga koha e Izraelit të lashtë dhe nga koha e apostazisë së madhe gjatë shekullit të dytë të e.s. Si quhet koha jonë? Zakonisht quhet «ditët e fundit» të këtij sistemi të lig. (2 Tim. 3:1) Mirëpo, Bibla tregon se njëkohësisht filloi edhe një periudhë tjetër, që është më e mrekullueshme dhe që do të zgjatë më tepër. Ajo do të vazhdojë derisa Mbretëria mesianike t’i ketë rikthyer përsosmërinë njerëzimit dhe ta ketë shndërruar tokën në Parajsë. Kjo periudhë quhet ‘koha e rivendosjes së të gjitha gjërave’. (Vep. 3:21) Ajo filloi në vitin 1914. Çfarë u rivendos atëherë? Jezui u kurorëzua si mbret në qiell. Ndaj, Jehovai kishte përsëri një mbret që ta përfaqësonte, trashëgimtar i mbretit besnik David. Megjithatë, Jehovai nuk rivendosi vetëm Mbretërinë. Pak pas kësaj, Ai rivendosi edhe adhurimin e pastër. (Isa. 2:2-4; Ezek. 11:17-20) A ka rrezik të ndotet sërish adhurimi i pastër?
10. (a) Çfarë parathotë Bibla për adhurimin e pastër në kohën tonë? (Isaia 54:17) (b) Pse na ngrohin zemrën këto profeci?
10 Lexo Isainë 54:17. Mendo për këtë profeci: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» Këto fjalë të frymëzuara po përmbushen sot. Gjithashtu në kohën tonë po bëhet realitet edhe ky premtim që na ngroh zemrën: «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Jehovai dhe paqja e bijve të tu do të jetë e madhe. Drejtësia do të jetë themeli yt i fortë. . . . Asgjë s’do të të frikësojë dhe s’do të të ngjallë tmerr, sepse asgjë e tmerrshme nuk do të të afrohet.» (Isa. 54:13, 14) Madje edhe vetë Satanai, «perëndia i kësaj bote», nuk ka pikë fuqie që ta ndalojë veprën e arsimimit që po kryen populli i Jehovait. (2 Kor. 4:4) Adhurimi i pastër është rivendosur dhe s’ka për t’u ndotur më kurrën e kurrës. Ne do ta adhurojmë Jehovain në jetë të jetëve ashtu siç dëshiron ai. Asnjë armë e sajuar kundër nesh nuk do të ketë sukses!
ÇFARË DO TË NDODHË?
11. Çfarë na bind se Jehovai nuk do ta braktisë shumicën e madhe kur të mirosurit të shkojnë në qiell?
11 Çfarë do të ndodhë kur të mirosurit të shkojnë në qiell? Mbaj parasysh se Jezui është Bariu ynë. Ai është kreu i kongregacionit të krishterë. Jezui e bëri të qartë këtë kur tha: «Kreu juaj është një i vetëm, Krishti.» (Mat. 23:10) Mbreti ynë nuk do të dështojë kurrë në punën e tij. Nën udhëheqjen e Krishtit, dishepujve të tij në tokë nuk do t’u dridhet qerpiku. Natyrisht, nuk dimë çdo hollësi se si do t’i drejtojë Krishti dishepujt në atë kohë. Prandaj le të shohim disa shembuj nga Bibla që na japin siguri.
12. Si u kujdes Jehovai për popullin e tij (a) pas vdekjes së Moisiut? (b) pasi Elija mori një caktim tjetër? (Shihni edhe figurën.)
12 Para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu vdiq. Çfarë ndodhi me popullin e Perëndisë? A i la në baltë Jehovai tani që ai burrë besnik nuk ishte më? Aspak. Për sa kohë qëndruan besnikë, Ai u kujdes për ta. Para se të vdiste Moisiu, Jehovai i tha të caktonte Josiun që t’i printe popullit. Moisiu e kishte stërvitur Josiun për dekada të tëra. (Eks. 33:11; Ligj. 34:9) Veç kësaj, kishte edhe shumë burra të aftë që merrnin drejtimin—krerë të mijësheve, të qindësheve, të pesëdhjetësheve, e madje edhe të dhjetësheve. (Ligj. 1:15) Populli i Perëndisë ishte në duar të sigurta. Një shembull të ngjashëm e gjejmë në rastin e Elijas. Për dhjetëra vjet, ai drejtoi kombin e Izraelit në adhurimin e pastër. Por pastaj Jehovai i dha një caktim tjetër në jug të Izraelit, në Judë. (2 Mbret. 2:1; 2 Kron. 21:12) A i braktisi Jehovai izraelitët besnikë të mbretërisë dhjetëfisëshe? Jo. Elija e kishte stërvitur Eliseun për vite me radhë. Gjithashtu, edhe «bijtë e profetëve» me sa duket kishin marrë njëfarë stërvitjeje. (2 Mbret. 2:7) Pra kishte mjaft burra besnikë që ishin të gatshëm të drejtonin popullin e Perëndisë. Qëllimi i Jehovait vazhdoi të realizohej, pra ai vazhdoi të kujdesej për adhuruesit e tij besnikë.
13. Si na japin zemër fjalët e Hebrenjve 13:5b? (Shihni edhe figurën.)
13 Duke mbajtur parasysh këta shembuj, çfarë mendon se do të ndodhë kur të ngjiten në qiell të mirosurit e fundit? S’ka pse të hamendemi. Bibla na zbulon një të vërtetë të thjeshtë që na jep zemër: Jehovai nuk do t’i braktisë kurrë adhuruesit e tij në tokë. (Lexo Hebrenjve 13:5b.) Ashtu si Moisiu dhe Elija, grupi i vogël i të mirosurve që marrin drejtimin sot e kuptojnë sa e rëndësishme është të stërvitin të tjerët. Për vite me radhë, vëllezërit e Trupit Udhëheqës kanë stërvitur burra nga delet e tjera që të marrin drejtimin. Për shembull, ata kanë organizuar shumë shkolla që të stërvitin pleqtë, mbikëqyrësit udhëtues, anëtarët e Komiteteve të Degëve, mbikëqyrësit në Bethel dhe të tjerë. Trupi Udhëheqës ka stërvitur personalisht ndihmësit e komiteteve të ndryshme të Trupit Udhëheqës. Që sot, këta vëllezër po mbajnë mbi supe me besnikëri shumë përgjegjësi. Ata janë më se të përgatitur që të vazhdojnë të kujdesen për delet e Krishtit.
14. Cila është pika kryesore e artikullit?
14 Pra, pika kryesore e këtij artikulli është: pasi të mirosurit e fundit të ngjiten në qiell, aty nga fundi i shtrëngimit të madh, adhurimi i pastër në tokë s’ka për t’u zhdukur kurrë. Falë drejtimit të Jezu Krishtit, shërbëtorët e Jehovait në tokë do të vazhdojnë ta adhurojnë me besnikëri Jehovain. Vërtet, në atë kohë do të jemi shënjestra e Gogut të Magogut, një koalicion kombesh armiqësor. (Ezek. 38:18-20) Por ky sulm i shkurtër do të dështojë; nuk ka për ta penguar popullin e Perëndisë që ta adhurojë Jehovain. S’ka fije dyshimi që Ai do të na shpëtojë! Në një vegim, apostulli Gjon pa ‘shumicën e madhe’ të deleve të tjera të Krishtit. Ai mori vesh se kjo ‘shumicë e madhe’ kishte dalë «nga shtrëngimi i madh». (Zbul. 7:9, 14) Po, populli i Jehovait do të jetë i mbrojtur!
15-16. Çfarë do të bëjnë të mirosurit gjatë luftës së Armagedonit, dhe pse kjo na jep zemër? (Zbulesa 17:14)
15 Megjithatë, disave mund t’u lindë një pyetje tjetër: «Çfarë do të bëjnë të mirosurit kur të shkojnë në qiell?» Bibla na jep një përgjigje të qartë. Ajo na tregon se qeveritë e kësaj bote «do të luftojnë me Qengjin». Por s’ka dyshim që do ta humbin betejën. Aty lexojmë: «Qengji do të dalë fitimtar mbi ta.» Po kush do ta ndihmojë Qengjin? Vargu përgjigjet: «Të thirrurit, të zgjedhurit dhe besnikët.» (Lexo Zbulesën 17:14.) Kush janë këta? Të mirosurit e ringjallur. Prandaj kur të mirosurit e fundit në tokë të shkojnë në qiell aty nga fundi i shtrëngimit të madh, një nga caktimet e para do të jetë të luftojnë. Çfarë privilegji i jashtëzakonshëm! Disa të mirosur kanë qenë luftëtarë para se të bëheshin Dëshmitarë të Jehovait. Të tjerë madje bënin pjesë në ushtritë e kësaj bote. Por më pas morën të vërtetën dhe mësuan të ecnin në udhën e paqes. (Gal. 5:22; 2 Sel. 3:16) Ata hoqën dorë nga lufta. Mirëpo pasi të shkojnë në qiell, ata do të luftojnë përkrah Krishtit dhe engjëjve të tij të shenjtë në luftën e fundit kundër armiqve të Perëndisë.
16 Mendo për këtë: në tokë disa të mirosur janë në moshë të thyer e të pafuqishëm. Por kur të shkojnë në qiell do të jenë krijesa qiellore të fuqishme e të pavdekshme. Ata do të kenë si caktim të luftojnë bashkë me Mbretin e tyre Luftëtar, Jezu Krishtin. Pas luftës së Armagedonit, të mirosurit do të bashkëpunojnë me Jezuin që t’i ndihmojnë njerëzit të bëhen të përsosur. Pa dyshim, ajo që do të bëjnë si krijesa qiellore për vëllezërit e motrat e tyre të dashura, është ku e ku më e madhe sesa ajo që mund të bënin si njerëz të papërsosur.
17. Nga e dimë se të gjithë shërbëtorët e Jehovait do të jenë të mbrojtur gjatë luftës së Armagedonit?
17 A je pjesë e deleve të tjera? Atëherë, çfarë duhet të bësh ti kur të fillojë lufta vendimtare e Armagedonit? Vetëm kaq: ki besim te Jehovai dhe ndiq drejtimin e tij. Çfarë mund të përfshijë kjo? Bibla na jep zemër kur thotë: «Shko, populli im, hyr në dhomat e tua të brendshme, aty ku je më i sigurt, dhe mbylli dyert. Fshihu veç për një çast derisa të kalojë zemërimi.» (Isa. 26:20) Të gjithë shërbëtorët besnikë të Perëndisë, në qiell dhe në tokë, do të jenë të mbrojtur gjatë asaj kohe. Ashtu si apostulli Pavël, jemi të bindur që «as qeveritë, as gjërat e së tashmes, as gjërat e së ardhmes . . . nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë». (Rom. 8:38, 39) Mos harro asnjëherë: Jehovai të do fort dhe nuk do të të braktisë kurrë!
SI DO TË PËRGJIGJESHE?
-
Çfarë nuk do të ndodhë kur të mirosurit e fundit të shkojnë në qiell?
-
Pse mund të jemi të sigurt se adhurimi i pastër nuk do të ndotet?
-
Pse mund të jemi të bindur se Jehovai do të kujdeset për popullin e tij?
KËNGA 8 Jehova, ti je streha jonë