ARTIKULLI I STUDIMIT 26
KËNGA 8 Jehova, ti je streha jonë
Mbështetu te Jehovai—Shkëmbi yt
«Nuk ka shkëmb si Perëndia ynë.»—1 SAM. 2:2.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të mësojmë cilat cilësi e bëjnë Jehovain të jetë si një shkëmb dhe si t’i imitojmë këto cilësi.
1. Me çfarë e krahason Davidi Jehovain te Psalmi 18:46?
JETOJMË në një botë me sfida të papritura që mund të na e vështirësojnë jetën, a madje të na e kthejnë përmbys. Sa mirënjohës jemi që mund t’i drejtohemi për ndihmë Perëndisë Jehova! Artikulli i kaluar na rikujtoi se Jehovai është Perëndia i gjallë dhe është gjithmonë gati të na bëhet krah. Kur shohim dorën e tij në jetën tonë, na forcohet siguria se «Jehovai është gjallë». (Lexo Psalmin 18:46.) Por menjëherë pas këtyre fjalëve, Davidi e quajti Perëndinë «Shkëmbi im». Pse e krahasoi Jehovain, Perëndinë e gjallë, me një objekt të pajetë si shkëmbi?
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Në këtë artikull do të mësojmë pse Jehovai quhet shkëmb dhe çfarë na mëson kjo metaforë për të. Gjithashtu do të mësojmë si ta shohim Jehovain si Shkëmbin tonë. Në fund do të shqyrtojmë si të imitojmë ato cilësi që e bëjnë Jehovain si një shkëmb.
PSE QUHET SHKËMB JEHOVAI
3. Pse përdoret shpesh në Bibël fjala «shkëmb»? (Shihni figurën.)
3 Bibla e krahason Jehovain me një shkëmb, që të na ndihmojë të njohim disa nga cilësitë e tij. Shpesh ky përshkrim del në ato vargje të Biblës ku Ai lëvdohet si një Perëndi i pashoq. Hera e parë ku Jehovai quhet «Shkëmbi», gjendet te Ligji i përtërirë 32:4. Hana tha në një lutje se «nuk ka shkëmb si Perëndia ynë». (1 Sam. 2:2) Habakuku e quajti Jehovain «Shkëmbi im». (Hab. 1:12) Shkrimtari i Psalmit 73 e quajti Perëndinë «shkëmbi i zemrës sime». (Psal. 73:26) Madje edhe vetë Jehovai e quajti veten një shkëmb. (Isa. 44:8) Le të flasim për 3 cilësi që e bëjnë Jehovain si një shkëmb dhe si të mbështetemi te «Shkëmbi ynë».—Ligj. 32:31.
4. Pse themi se Jehovai është strehë? (Psalmi 94:22)
4 Jehovai është strehë. Një shkëmb i madh mund të shërbejë si strehë për t’u mbrojtur nga një stuhi e rrezikshme. Po njësoj, Jehovai na mbron kur përballemi me kohë të stuhishme në jetë. (Lexo Psalmin 94:22.) Ai na ruan nga gjithçka që mund të na dëmtojë miqësinë me të e nuk lejon të pësojmë asnjë dëm të përhershëm. Madje na premton edhe më shumë: ai do të asgjësojë përfundimisht çdo gjë që kërcënon paqen dhe sigurinë tonë.—Ezek. 34:25, 26.
5. Si ta bëjmë Jehovain shkëmbin ku gjejmë strehë?
5 Një mënyrë si ta bëjmë Jehovain shkëmbin ku gjejmë strehë, është duke iu lutur. Kur lutemi, Ai na jep ‘paqen e Perëndisë’ që ruan zemrën dhe mendjen tonë. (Filip. 4:6, 7) Le të shohim çfarë ndodhi me Artjomin, një vëlla që ishte në burg për shkak të besimit. Atë e mori në pyetje disa herë një hetues që sillej egër, duke i bërë presion e duke e poshtëruar. Artjomi tha: «Kur hetuesi më merrte në pyetje, isha shumë i stresuar. . . . Por nuk i ndala lutjet ndaj Jehovait. I kërkoja të më jepte paqe shpirtërore dhe mençuri.» Ai shtoi: «Taktikat e hetuesit nuk më thyen dot! . . . Me ndihmën e Jehovait, u ndjeva i sigurt si të isha pas një muri guri.»
6. Pse mund të mbështetemi gjithmonë te Jehovai? (Isaia 26:3, 4)
6 Jehovai është i besueshëm. Ashtu si një shkëmb që nuk luan vendit, Jehovai është gjithmonë gati për të na ndihmuar. Mund të kemi besim tek ai, sepse është «Shkëmbi i përjetshëm». (Lexo Isainë 26:3, 4.) Ai do të jetë gjithnjë gjallë që t’i mbajë premtimet, të na i dëgjojë lutjet e të na sigurojë ndihmën që na nevojitet. Gjithashtu mund të mbështetemi te Jehovai sepse është besnik me adhuruesit e tij. (2 Sam. 22:26) Ai s’ka për t’i harruar kurrë veprat tona dhe do të na shpërblejë gjithmonë.—Hebr. 6:10; 11:6.
7. Çfarë ndodh kur mbështetemi te Jehovai? (Shihni edhe figurën.)
7 E bëjmë Jehovain Shkëmbin tonë nëse mbështetemi tek Ai pa rezerva. Jemi të sigurt se po t’i bindemi edhe në situata të vështira, do të nxjerrim dobi. (Isa. 48:17, 18) E sa herë të shohim dorën e tij në jetën tonë, besimi ynë te Jehovai do të bëhet edhe më i patundur. Kështu do të jemi më të përgatitur për ato sprova që mund t’i përballojmë vetëm falë ndihmës së Perëndisë. Kur gjendemi në situata ku s’na ndihmon dot asnjeri, shpesh e kuptojmë më qartë sa i besueshëm është Jehovai. Vladimiri thotë: «Koha që kalova në paraburgim ishte periudha më e mirë në marrëdhënien time me Perëndinë. Mësova të besoj më shumë te Jehovai, sepse isha krejt i vetëm dhe s’bëja dot asgjë për ta ndryshuar situatën.»
8. (a) Pse mund të themi se Jehovai është stabël? (b) Si nxjerrim dobi kur e shohim Perëndinë si Shkëmbin tonë? (Psalmi 62:6, 7)
8 Jehovai është stabël. Ai i ngjan një shkëmbi gjigant që është i patundur, i qëndrueshëm dhe stabël. Personaliteti dhe qëllimi i tij nuk ndryshojnë kurrë. (Mal. 3:6) Kur u përball me rebelimin në Eden, Jehovai nuk ndryshoi mendje në lidhje me qëllimin e tij për njerëzimin. Siç shkroi apostulli Pavël, Jehovai «nuk e mohon dot veten». (2 Tim. 2:13) Kjo do të thotë se çfarëdo që të ndodhë apo sido që të veprojnë të tjerët, ai nuk do të devijojë kurrë nga qëllimi, cilësitë a standardet e tij. Me besim të plotë te Perëndia ynë stabël e i pandryshueshëm, mund të rendim tek ai për shpëtim e ndihmë në kohë të trazuara.—Lexo Psalmin 62:6, 7.
9. Çfarë të mëson historia e Tatjanës?
9 E bëjmë Jehovain Shkëmbin tonë kur fokusohemi te personaliteti i tij dhe te qëllimi që ka për njerëzit. Kështu mund të ruajmë stabilitetin emocional në sprova. (Psal. 16:8) Pikërisht kjo e ndihmoi Tatjanën, një motër që e vunë në arrest shtëpie për shkak të besimit. Ajo thotë: «Isha fare vetëm. . . . Fillimisht ishte goxha sfidë dhe shpesh më kaplonin ndjenjat e shkurajimit.» Mirëpo, kur filloi të mendonte si lidhej sprova e saj me Jehovain dhe me qëllimin e tij, ndjeu sërish paqe në zemër e rifitoi forcën emocionale. Ajo vazhdon: «Meditova dhe kuptova se gjendesha në këtë situatë ngaqë e dua Jehovain e dëshiroj ta kënaq. Kjo më ka ndihmuar të mos përqendrohem te vetja.»
10. Si mund ta bësh Jehovain Shkëmbin tënd që tani?
10 Së shpejti na presin sprova tejet të vështira, ndaj do të kemi nevojë të mbështetemi te Jehovai si kurrë më parë. Tani është momenti që të forcosh besimin se Ai do të të sigurojë gjithçka të nevojshme për t’i qëndruar besnik. Si mund ta bësh këtë? Lexo tregime nga Bibla dhe eksperienca të Dëshmitarëve në kohët tona. Vër re si ka treguar Jehovai se është një Shkëmb kur u ka shkuar në ndihmë shërbëtorëve të vet. Mendo thellë për këto ngjarje. Kjo do të të ndihmojë ta bësh Jehovain Shkëmbin tënd.
IMITO CILËSITË E SHKËMBIT TËND, JEHOVAIT
11. Pse duam të imitojmë cilësitë e Shkëmbit tonë, Jehovait? (Shihni edhe kutinë « Një synim për vëllezërit e rinj».)
11 Deri tani shqyrtuam cilësi që e bëjnë Jehovain t’i ngjasojë një shkëmbi. Tani do të shohim si t’i imitojmë këto cilësi. Sa më mirë t’i imitojmë, aq më shumë do t’u japim forcë vëllezërve e motrave. Për shembull, Jezui i vuri Simonit emrin Kefë (që përkthehet «Pjetër»), i cili ka kuptimin «copë shkëmbi». (Gjoni 1:42) Kjo tregonte se Pjetri do të bëhej burim ngushëllimi dhe do të kishte efekt stabilizues në kongregacion. Pleqtë e kongregacionit sot përshkruhen si «hija e një shkrepi të madh». Kjo do të thotë se i mbrojnë pjesëtarët e kongregacionit. (Isa. 32:2) Patjetër që kongregacioni nxjerr dobi kur të gjithë—vëllezër e motra—imitojmë cilësitë e Jehovait.—Efes. 5:1.
12. Në cilat mënyra mund të bëhemi strehë për vëllezërit e motrat?
12 Ji strehë. Me raste ndoshta kemi mundësi t’u ofrojmë vëllezërve tanë një strehë të mirëfilltë nga katastrofat natyrore, trazirat civile ose nga lufta. Ndërsa kushtet në këto ‘ditë të fundit’ përkeqësohen, pa dyshim do të kemi më tepër raste që t’i vemi në ndihmë njëri-tjetrit. (2 Tim. 3:1) Gjithashtu mund të bëhemi si një liman ku vëllezërit e motrat gjejnë ngushëllim e dashuri. Një mënyrë si ta bëjmë këtë është duke i bërë të ndihen të mirëpritur në Sallën e Mbretërisë. Kështu bëjmë pjesën tonë që të krijohet një atmosferë e ngrohtë në kongregacion. Jetojmë në një botë të egër, të ftohtë dhe stresuese. Prandaj, kur vëllezërit e motrat vijnë në mbledhje, dëshirojmë të bëjmë gjithë sa kemi në dorë që të ndihen të freskuar, të mbrojtur dhe të sigurt se i duam.
13. Si mund të jenë pleqtë në veçanti strehë për të tjerët? (Shihni edhe figurën.)
13 Pleqtë mund të bëhen strehë për pjesëtarët e kongregacionit që përballen me stuhi të mirëfillta ose të figurshme. Gjatë katastrofave ose urgjencave mjekësore, pleqtë marrin iniciativën që t’i organizojnë gjërat për të dhënë ndihmë praktike. Veç kësaj, japin drejtim e ngushëllim nga Bibla. Vëllezërit e motrat do të ndihen më rehat t’i kërkojnë ndihmë një plaku që njihet si njeri i butë, empatik dhe i gatshëm të dëgjojë. Cilësi të tilla i ndihmojnë të ndiejnë se plaku përkujdeset me dashuri për ta, e kështu do ta kenë më kollaj të zbatojnë çdo drejtim të bazuar në Bibël që u jep ai.—1 Sel. 2:7, 8, 11.
14. Si tregojmë se jemi njerëz të besueshëm?
14 Ji i besueshëm. Duam që të tjerët të kenë besim se mund të mbështeten te ne, sidomos në ditë të vështira. (Prov. 17:17) Po si mund ta fitojmë reputacionin si njerëz të besueshëm? Mund të përpiqemi të imitojmë Jehovain ditë pas dite, si për shembull duke i mbajtur premtimet e duke bërë çmos të jemi të përpiktë. (Mat. 5:37) Gjithashtu të mos ngurrojmë të ofrojmë ndihmë praktike kur dikush është në vështirësi. Veç kësaj, të sigurohemi që t’i përmbushim caktimet tona në përputhje me udhëzimet që kemi marrë.
15. Si nxjerr dobi kongregacioni kur pleqtë janë të besueshëm?
15 Si nxjerr dobi kongregacioni kur pleqtë janë të besueshëm? Kur e dinë se mund të flasin në çdo kohë me pleqtë, si për shembull me mbikëqyrësin e grupit të shërbimit, lajmëtarët ndiejnë se kanë një krah ku të mbështeten. Gjithashtu kur e dinë se pleqtë janë të gatshëm t’i ndihmojnë, ndiejnë se janë në duar të sigurta. Besimi që kanë te pleqtë shtohet ndërsa pleqtë i bazojnë këshillat te Bibla dhe te botimet e skllavit besnik, jo tek opinionet personale. Gjithashtu, pleqtë u japin vëllezërve e motrave më tepër arsye për t’iu besuar kur nuk zbulojnë çështjet konfidenciale dhe i mbajnë premtimet.
16. Si i sjellim dobi vetes dhe të tjerëve kur jemi stabël?
16 Ji stabël. Mund të kemi një ndikim të mirë te të tjerët nëse jemi të vendosur të bëjmë atë që është e drejtë dhe marrim vendime që bazohen plotësisht te parimet e Biblës. Ndërsa forcojmë besimin dhe shtojmë njohurinë e saktë, bëhemi më të palëkundur në të vërtetën. Nuk jemi të pavendosur, të paqëndrueshëm e nuk lëkundemi lehtë nga mësimet e rreme dhe nga mënyra si mendon kjo botë. (Efes. 4:14; Jak. 1:6-8) Besimi te Jehovai dhe te premtimet e tij na ndihmon të mbajmë ekuilibrin kur marrim lajme të këqija. (Psal. 112:7, 8) Gjithashtu kemi mundësi të ndihmojmë bashkëbesimtarët që po hasin sprova.—1 Sel. 3:2, 3.
17. Në ç’mënyrë kanë pleqtë një ndikim stabilizues te kongregacioni?
17 Pleqtë duhet të jenë të përkorë në zakone, me mendje të shëndoshë, të rregullt dhe të arsyeshëm. Këta burra kanë një ndikim stabilizues te të tjerët dhe e forcojnë kongregacionin ‘duke iu përmbajtur fort fjalës së besueshme’. (Titit 1:9; 1 Tim. 3:1-3) Me shembullin dhe me veprën e tyre baritore, pleqtë i ndihmojnë lajmëtarët të jenë të rregullt në mbledhje, në shërbim dhe në studimin personal. E kur vëllezërit e motrat përballen me situata që u fusin ankth, pleqtë mund t’i inkurajojnë që t’i mbajnë sytë te Jehovai dhe te premtimet e tij.
18. Pse duam ta lëvdojmë Jehovain dhe ta forcojmë gjithnjë e më tepër miqësinë me të? (Shihni edhe kutinë « Një mënyrë si ta forcosh miqësinë me Jehovain».)
18 Pasi shqyrtuam cilësitë e mrekullueshme të Jehovait, ndihemi njësoj si mbreti David që tha: «Qoftë lëvduar Jehovai, Shkëmbi im.» (Psal. 144:1) Mund të mbështetemi përherë te Jehovai, sepse s’ka për të na lënë kurrë në baltë. Gjatë gjithë jetës, edhe në moshë të thyer, do të kemi arsye të themi për Jehovain: «Ai është Shkëmbi im», të sigurt se do të na ndihmojë që miqësia jonë me Të të mbetet e gjallë dhe e freskët.—Psal. 92:14, 15.
KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim
a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në Sallën e Mbretërisë, një motër ndihet e lirshme t’u afrohet pleqve.