ARTIKULLI I STUDIMIT 52
Ndihmoji të tjerët të përballojnë kohë të vështira
«Mos ua mbaj të mirën atyre që u takon kur e ke në dorë ta bësh.»—PROV. 3:27.
KËNGA 103 Pleq, jeni dhuratë nga Jehovai
PËRMBLEDHJE a
1. Si u përgjigjet shpesh Jehovai lutjeve të shërbëtorëve të tij?
A E DI se Jehovai mund të të përdorë që t’i përgjigjet lutjes së zjarrtë të dikujt? Mund të të përdorë pavarësisht nëse je plak, shërbëtor kongregacioni, pionier a lajmëtar. E mund të të përdorë pavarësisht nëse je i ri a i moshuar, vëlla a motër. Kur dikush që e do Jehovain i përgjërohet për ndihmë, Perëndia ynë shpesh përdor pleqtë ose shërbëtorë të tjerë besnikë që të bëhen «burim i madh ngushëllimi» për të. (Kolos. 4:11) Çfarë privilegji t’i shërbejmë Jehovait dhe vëllezërve tanë në këtë mënyrë! Këtë mund ta bëjmë kur ata vuajnë për shkak të një epidemie, të një katastrofe ose të përndjekjes.
NDIHMOJI TË PËRBALLOJNË NJË EPIDEMI
2. Pse mund të jetë e vështirë t’i ndihmojmë të tjerët gjatë një epidemie ose pandemie?
2 Një epidemi mund të na e bëjë të vështirë të ndihmojmë njëri-tjetrin. Për shembull, mbase duam të takojmë miqtë tanë, por kjo është e rrezikshme. Ndoshta dëshirojmë të ftojmë për një vakt disa që janë ngushtë nga ana ekonomike, por edhe kjo nuk është e mundur. Mbase duam t’i ndihmojmë të tjerët, por mund të jetë sfiduese nëse edhe pjesëtarët e familjes sonë po vuajnë. Prapëseprapë, kemi dëshirë t’u bëhemi krah vëllezërve, dhe Jehovait i kënaqet zemra kur bëjmë ç’të mundemi për ta. (Prov. 3:27; 19:17) Çfarë mund të bëjmë?
3. Çfarë mësojmë nga shembulli i pleqve në kongregacionin e Dezit? (Jeremia 23:4)
3 Ç’mund të bëjnë pleqtë. Nëse je plak, njihi mirë delet që ke nën kujdes. (Lexo Jereminë 23:4.) Dezi, një motër që u përmend në artikullin e kaluar, thotë: «Më parë, pleqtë e grupit të shërbimit dilnin me ne në shërbim dhe për aktivitete të kohës së lirë.» b Si rezultat i atyre përpjekjeve, ata barinj e patën më të lehtë ta ndihmonin Dezin kur humbi disa pjesëtarë të familjes nga COVID-19.
4. Pse pleqtë e patën më të lehtë ta ndihmonin Dezin, dhe cili është mësimi?
4 Dezi tregon: «Ngaqë i kisha miq pleqtë, e kisha kollaj t’u tregoja si ndihesha dhe ç’më shqetësonte.» Mësimi për pleqtë? Kujdesuni si barinj për vëllezërit e motrat para se të vijnë kohë stresuese. Miqësohuni me ta. Nëse ndodh një epidemi që ju pengon t’i vizitoni personalisht vëllezërit e motrat, gjeni mënyra të tjera për të komunikuar. Dezi kujton: «Kishte raste që, në të njëjtën ditë, më merrnin në telefon ose më shkruanin mesazhe pleq të ndryshëm. Më preknin thellë në zemër shkrimet që më tregonin, edhe pse i njihja mirë.»
5. Si mund të mësojnë pleqtë çfarë u nevojitet vëllezërve e motrave dhe si mund t’u bëhen krah?
5 Një mënyrë si të mësoni ç’u nevojitet vëllezërve e motrave, është t’u bëni me takt pyetje që i inkurajojnë të shprehen. (Prov. 20:5) A kanë mjaft ushqim, ilaçe e gjëra të tjera të nevojshme? A rrezikojnë të humbasin punën ose edhe shtëpinë? A u nevojitet një dorë për të kërkuar ndonjë ndihmë që ofron shteti? Dezin e ndihmuan nga ana materiale bashkëbesimtarët. Por ndihma më e madhe për të përballuar sprovat ishte dashuria që i treguan pleqtë dhe inkurajimi që i dhanë nga Shkrimet. Ajo thotë: «Pleqtë u lutën me mua. Nuk e kujtoj tamam çfarë thanë, ama e kujtoj mirë si u ndieva. Ishte sikur vetë Jehovai po më thoshte: ‘Nuk je vetëm.’»—Isa. 41:10, 13.
6. Çfarë mund të bëjnë shumë veta në kongregacion për të ndihmuar të tjerët? (Shih figurën.)
6 Ç’mund të bëjnë të tjerët. Me të drejtë presim që pleqtë të marrin drejtimin për t’u kujdesur për vëllezërit e motrat. Por Jehovai na fton të gjithëve të inkurajojmë e të ndihmojmë njëri-tjetrin. (Gal. 6:10) Edhe diçka e vogël për të shprehur dashurinë tonë mund ta inkurajojë jashtë mase një të sëmurë. Një fëmijë mund t’i dërgojë një vëllai një kartolinë ose një vizatim për t’i dhënë zemër. Një i ri mund t’i kryejë ndonjë porosi ose t’i bëjë pazarin një motre. Të tjerë ndoshta kanë mundësi të gatuajnë diçka për një të sëmurë e t’ia lënë te dera e shtëpisë. Pa diskutim, kur një sëmundje përhapet në masë, gjithsecili në kongregacion ka nevojë për inkurajim. Mbase mund të qëndrojmë pak më shumë pas mbledhjes për të biseduar me vëllezërit e motrat, qoftë në sallë, qoftë me videokonferencë. Edhe pleqtë kanë nevojë për inkurajim. Disa Dëshmitarë u kanë dërguar kartolina falënderimi pleqve që, gjatë një epidemie, shpesh janë më të zënë se kurrë. Sa mirë është kur bëjmë pjesën tonë për ‘të vazhduar t’i japim zemër e të forcojmë njëri-tjetrin’!—1 Sel. 5:11.
NDIHMOJI TË PËRBALLOJNË NJË KATASTROFË
7. Në çfarë situate të vështirë mund të ndodhet dikush pas një katastrofe?
7 Një katastrofë mund t’ia kthejë përmbys jetën dikujt sa hap e mbyll sytë. Disa mund të humbin zotërimet, shtëpinë a madje njerëz të dashur. Vëllezërit e motrat tona nuk janë të imunizuar nga ngjarje të tilla tragjike. Si mund t’i ndihmojmë?
8. Çfarë mund të bëjnë pleqtë dhe kryefamiljarët para se të godasë një katastrofë?
8 Ç’mund të bëjnë pleqtë. Pleq, ndihmojini vëllezërit të përgatiten para se të godasë një katastrofë. Sigurohuni që të gjithë në kongregacion të dinë ç’duhet të bëjnë për të qenë të mbrojtur dhe për të komunikuar me pleqtë. Margareta, e përmendur në artikullin e kaluar, thotë: «Pleqtë mbajtën një pjesë ‘Ndihmë për kongregacionin’ ku na paralajmëruan se rreziku i zjarreve nuk kishte kaluar. Na thanë që nëse autoritetet urdhëronin të evakuoheshim a nëse situata bëhej e rrezikshme, duhej të largoheshim menjëherë.» Ai informacion ishte në kohën e duhur, sepse pesë javë më vonë pati një zjarr tepër të rrezikshëm në atë zonë. Gjatë adhurimit familjar, kryefamiljarët mund të shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjë çdo pjesëtar i familjes në rast katastrofe. Nëse jeni të përgatitur si familje, ka më shumë gjasa të ruani qetësinë nëse ndodh një katastrofë.
9. Si mund të bashkëpunojnë pleqtë para dhe pas një katastrofe?
9 Nëse je mbikëqyrës grupi, sigurohu të kesh numrat e telefonit dhe adresat e sakta të të gjithë lajmëtarëve në grupin tënd të shërbimit para se të ndodhë një katastrofë. Bëj një listë dhe mbaje të përditësuar. Kështu, nëse ndodh një katastrofë, do të arrish të komunikosh me çdo lajmëtar për të mësuar çfarë i nevojitet. Këtë informacion kaloja menjëherë koordinatorit të trupit të pleqve, dhe ai do të kontaktojë mbikëqyrësin qarkor. Falë këtij bashkëpunimi, lajmëtarët do të marrin ndihmën më të mirë të mundshme. Pas zjarrit që ra në zonën e Margaretës, mbikëqyrësi qarkor nuk vuri gjumë në sy për 36 orë, ngaqë organizoi punën e pleqve që të kontaktonin e të kujdeseshin për rreth 450 vëllezër e motra të evakuar. (2 Kor. 11:27) Kështu arritën të strehonin të gjithë ata që kishin nevojë.
10. Pse është e rëndësishme që pleqtë të kujdesen si barinj për vëllezërit e motrat? (Gjoni 21:15)
10 Pleqtë kanë përgjegjësinë t’i mbështetin emocionalisht dhe t’i inkurajojnë nga Shkrimet vëllezërit e motrat. (1 Pjet. 5:2) Kur ndodh një katastrofë, së pari duhet të sigurohen që çdo vëlla a motër është mirë dhe ka ushqim, veshje e një vend ku të strehohet. Ama, të mbijetuarit ka shumë gjasa të kenë nevojë për mbështetje emocionale dhe inkurajim nga Shkrimet për muaj të tërë pas katastrofës. (Lexo Gjonin 21:15.) Haroldi, që shërben në një Komitet Dege dhe që ka takuar shumë vëllezër e motra të prekur nga katastrofat, thotë: «Mund t’u duhet kohë që të marrin veten. Jeta mund t’i kthehet disi normalitetit, por humbja e një njeriu të dashur a e diçkaje të çmuar ose një situatë ku panë vdekjen me sy mund t’u sjellin herë pas here kujtime të dhimbshme. Për shkak të këtyre kujtimeve mund ta përjetojnë nga e para hidhërimin dhe ankthin. Kjo nuk tregon se s’kanë besim; janë ndjenja normale njerëzore.»
11. Për çfarë mund të kenë nevojë vazhdimisht familjet?
11 Pleqtë e marrin seriozisht këshillën: «Qani me ata që qajnë.» (Rom. 12:15) Ata që janë prekur nga katastrofat mund të kenë nevojë t’i sigurojnë se Jehovai dhe vëllezërit prapë i duan. Pleqtë duhet t’i ndihmojnë familjet që të vazhdojnë të kenë një program teokratik, pra të luten, të studiojnë dhe të marrin pjesë në mbledhje e në shërbim. Gjithashtu mund t’i inkurajojnë prindërit që t’i ndihmojnë fëmijët të përqendrohen te gjëra që asnjë katastrofë s’mund t’i shkatërrojë. Prindër, kujtojuni fëmijëve se Jehovai do të jetë gjithmonë Miku i tyre dhe do t’u gjendet përherë pranë. Sigurojini edhe se do të kenë në çdo çast një familje mbarëbotërore me vëllezër e motra që janë gati t’u vijnë në ndihmë.—1 Pjet. 2:17.
12. Si mund të ndihmojmë në rast katastrofash? (Shih figurën.)
12 Ç’mund të bëjnë të tjerët. Nëse ndodh një katastrofë pranë zonës ku jeton, pyet pleqtë si mund të japësh një dorë. Mbase mund të ofrosh strehim të përkohshëm për ata që janë larguar nga shtëpitë e tyre ose për vullnetarët e ndërtimit. Ndoshta ke mundësi t’u çosh ushqime dhe gjëra të tjera lajmëtarëve që kanë nevojë. Nëse katastrofa ndodh në një zonë më të largët, prapë mund të ndihmosh. Si? Duke u lutur për ata që janë prekur nga katastrofa. (2 Kor. 1:8-11) Mbase mund të ndihmosh duke dhuruar për veprën mbarëbotërore. (2 Kor. 8:2-5) Nëse ke mundësi të shkosh në zonat e prekura, pyet pleqtë si mund të ndihmosh. Nëse të ftojnë për të ndihmuar, ka shumë të ngjarë që do të marrësh stërvitje në mënyrë që të ndihmosh ku dhe kur të ketë më shumë nevojë.
NDIHMOJI TË PËRBALLOJNË PËRNDJEKJEN
13. Çfarë sfidash hasin vëllezërit tanë në vendet ku vepra është e ndaluar?
13 Në vendet ku vepra jonë është e ndaluar, përndjekja mund ta bëjë më të vështirë jetën. Vëllezërit në ato vende përballen edhe me probleme ekonomike, sëmundje dhe humbjen e njerëzve të dashur. Por për shkak të ndalimit, pleqtë mund të mos jenë në gjendje t’i vizitojnë ose të komunikojnë lirisht me ata që kanë nevojë për inkurajim. Kështu ndodhi me Andrein, që u përmend në artikullin e kaluar. Një motër në grupin e tij të shërbimit ishte ngushtë ekonomikisht. Pastaj i ndodhi një aksident me makinë, ndaj duhej të bënte disa operacione dhe nuk mund të punonte. Jehovai e dinte ç’po ndodhte dhe vëllezërit bënë gjithë sa mundeshin për ta ndihmuar, pavarësisht nga ndalimi dhe pandemia.
14. Si mund të lënë një shembull pleqtë duke u mbështetur te Jehovai?
14 Ç’mund të bëjnë pleqtë. Andrei u lut dhe bëri sa kishte në dorë. Si u përgjigj Jehovai? Motivoi të tjerë në kongregacion që kishin më shumë liri për ta ndihmuar motrën. Disa e shoqëronin me makinë për te mjeku. Të tjerë e ndihmuan financiarisht. Jehovai i nxiti të bënin ç’të mundeshin dhe i bekoi përpjekjet e tyre të përbashkëta e të guximshme. (Hebr. 13:16) Pleq, kur vepra është e kufizuar, besojuni ca përgjegjësi e punë të tjerëve. (Jer. 36:5, 6) Mbi të gjitha, mbështetuni te Jehovai. Ai mund t’ju ndihmojë të kujdeseni për bashkëbesimtarët.
15. Si mund ta ruajmë unitetin mes nesh kur hasim përndjekje?
15 Ç’mund të bëjnë të tjerët. Kur vepra është e ndaluar, mbase na duhet të mblidhemi në grupe më të vogla. Prandaj është më e rëndësishme se kurrë të mbajmë marrëdhënie paqësore. Të luftojmë Satanain, jo njëri-tjetrin. T’i anashkalojmë gabimet e vëllezërve ose të përpiqemi t’i zgjidhim shpejt mosmarrëveshjet. (Prov. 19:11; Efes. 4:26) Të marrim iniciativën që të ndihmojmë njëri-tjetrin. (Titit 3:14) Ndihma që i dhanë motrës që ishte në hall, i solli dobi gjithë grupit të shërbimit. Ata u lidhën më ngushtë me njëri-tjetrin, si një familje.—Psal. 133:1.
16. Sipas Kolosianëve 4:3, 18, si mund t’i ndihmojmë vëllezërit dhe motrat që përndiqen?
16 Dhjetëra mijë vëllezër e motra i shërbejnë Jehovait pavarësisht nga kufizimet qeveritare. Disa prej tyre janë burgosur për shkak të besimit. Mund të lutemi për ta dhe për familjet e tyre. Mund të lutemi edhe për bashkëbesimtarët që rrezikojnë lirinë për t’i inkurajuar ta mbajnë të fortë besimin, për t’u siguruar gjërat e nevojshme dhe për t’i mbrojtur në gjykata. c (Lexo Kolosianëve 4:3, 18.) Mos e nënvlerëso kurrë fuqinë që kanë lutjet e tua!—2 Sel. 3:1, 2; 1 Tim. 2:1, 2.
17. Si mund të përgatiteni që tani për përndjekjen?
17 Ti dhe familja jote mund të përgatiteni që tani për përndjekjen. (Vep. 14:22) Mos u përpiq të imagjinosh çdo gjë të keqe që mund të ndodhë. Në vend të kësaj, forco miqësinë me Jehovain e ndihmoji edhe fëmijët ta bëjnë këtë. Nëse me raste të kaplon ankthi, zbrazja zemrën Perëndisë. (Psal. 62:7, 8) Shqyrtoni si familje të gjitha arsyet pse mund të mbështeteni me besim tek ai. d Ashtu si në rast katastrofash, falë përgatitjes dhe shembullit tënd, fëmijët do të mësojnë të kenë besim te Jehovai. Kjo do t’u japë kurajë e paqe të brendshme.
18. Ç’e ardhme na pret?
18 Falë paqes që jep Perëndia, ndihemi të mbrojtur. (Filip. 4:6, 7) Nëpërmjet saj, Jehovai na qetëson zemrën edhe kur përballemi me sëmundje, katastrofa e përndjekje. Ai përdor pleqtë e palodhur që të kujdeset për ne. Gjithashtu, na ka dhënë të gjithëve privilegjin të ndihmojmë njëri-tjetrin. Periudhën paqësore që gëzojmë sot, duhet ta shfrytëzojmë që të përgatitemi për sprova më të egra, madje edhe për ‘shtrëngimin e madh’. (Mat. 24:21) Atëherë do të na duhet të ruajmë paqen e brendshme e t’i ndihmojmë edhe të tjerët ta bëjnë këtë. Por pas kësaj, nuk do të përballemi më me probleme stresuese që na futin ankth. Më në fund, do të gëzojmë atë që ka dashur gjithmonë Jehovai për ne—paqe të plotë e të pafund!—Isa. 26:3, 4.
KËNGA 109 Ta duam me gjithë zemër njëri-tjetrin
a Shpesh Jehovai përdor shërbëtorët e tij besnikë për të ndihmuar ata që përballojnë probleme. Ai mund të të përdorë ty që të inkurajosh vëllezërit e motrat. Le të shohim si mund t’i ndihmojmë të tjerët kur kalojnë vështirësi.
b Disa emra janë ndryshuar.
c Nuk është e mundur që zyra e degës ose selia botërore t’u dërgojë vëllezërve e motrave në burg letrat e individëve të ndryshëm.
d Shih artikullin «Përgatitu tani për përndjekjen» në Kullën e Rojës të korrikut 2019.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift i çon ushqime një familjeje që është strehuar përkohësisht në tenda pas një katastrofe.