ARTIKULLI I STUDIMIT 24
Jehovai—Ai që fal si askush tjetër
«Ti, o Jehova, je i mirë dhe mezi pret të falësh; me dashuri besnike i mbulon të gjithë ata që të thërrasin për ndihmë.»—PSAL. 86:5.
KËNGA 42 I lutemi Jehovait
PËRMBLEDHJE *
1. Çfarë të vërtete shprehu mbreti Solomon tek Eklisiastiu 7:20?
MBRETI Solomon tha: «S’ka njeri të drejtë në tokë që bën gjithmonë të mirën dhe nuk mëkaton kurrë.» (Ekl. 7:20) Sa e vërtetë! Të gjithë mëkatojmë. (1 Gjon. 1:8) Ja pse të gjithë kemi nevojë që Perëndia ose të tjerët të na falin.
2. Si ndihesh kur të fal një mik i ngushtë?
2 A të kujtohet ndonjë rast kur lëndove një mik të ngushtë? Pa dyshim që doje t’i ndreqje gjërat dhe të ishit prapë miq të mirë, prandaj i kërkove falje me gjithë zemër. Si u ndjeve kur miku yt të fali me dashamirësi? Patjetër që i lehtësuar dhe i kënaqur.
3. Cilat pika do të shtjellohen në këtë artikull?
3 Duam që Jehovai të jetë Miku ynë më i ngushtë. Por do të ketë raste kur mund të themi a të bëjmë diçka që e lëndon. Megjithatë, pse mund të jemi të sigurt se Jehovai mezi pret të na falë? Në ç’mënyrë është unike falja e Jehovait krahasuar me faljen tonë si njerëz? Dhe kë fal Perëndia?
JEHOVAI MEZI PRET TË FALË
4. Pse mund të jemi të sigurt që Jehovai mezi pret të falë?
4 Fjala e Perëndisë na siguron se Jehovai mezi pret të falë. Kur i foli Moisiut për veten në malin Sinai, Jehovai i tha nëpërmjet një engjëlli që shërbente si zëdhënës i Tij: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashuri besnike e të vërtetë, që tregon dashuri besnike për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin.» (Eks. 34:6, 7) Jehovai është një Perëndi zemërdhembshur e i mëshirshëm dhe është përherë i gatshëm t’i falë mëkatarët e penduar.—Neh. 9:17; Psal. 86:15.
5. Sipas Psalmit 103:13, 14, si na trajton Jehovai ngaqë na njeh me imtësi?
5 Si Krijuesi ynë, Jehovai di gjithçka për ne. Imagjino: ai di çdo hollësi për çdo njeri që jeton në tokë! (Psal. 139:15-17) Pra, ai mund të dallojë të gjitha papërsosmëritë që kemi trashëguar nga prindërit tanë. Veç kësaj, Jehovai di të gjitha përvojat që na kanë brumosur e i kanë dhënë formë personalitetit tonë. Çfarë e shtyn të bëjë kjo njohuri kaq e thellë për ne? E shtyn të na trajtojë me mëshirë.—Psal. 78:39; lexo Psalmin 103:13, 14.
6. Si e ka treguar Jehovai se do me gjithë shpirt të na falë?
6 Jehovai ka treguar se do me gjithë shpirt të na falë. Perëndia ynë e di se ajo që bëri njeriu i parë, Adami, na vuri nën mallkimin e mëkatit e të vdekjes. (Rom. 5:12) Për ne ishte e pamundur të çlironim veten a dikë tjetër nga ai mallkim. (Psal. 49:7-9) Megjithatë, Perëndia ynë i dashur tregoi dhembshuri dhe mori masa që të çliroheshim. Në ç’mënyrë? Siç tregon Gjoni 3:16, Jehovai dërgoi Birin e tij të vetëmlindur që të vdiste për ne. (Mat. 20:28; Rom. 5:19) Jezui u dënua me vdekje në vendin tonë, për të çliruar këdo që tregon besim tek ai. (Hebr. 2:9) Sa shumë duhet t’i jetë copëtuar zemra Jehovait tek e shihte Birin e tij të shtrenjtë të vdiste mes dhimbjesh të tmerrshme e në mënyrë poshtëruese! S’do mend që po të mos donte të na falte, Jehovai nuk do të kishte lejuar që Biri i tij të vdiste.
7. Cilat janë disa personazhe të Biblës që Jehovai i fali bujarisht?
7 Në Bibël flitet për shumë individë që Jehovai i fali bujarisht. (Efes. 4:32) Kush të vjen ndër mend? Ndoshta të kujtohet mbreti Manase. Ai njeri i lig bëri mëkate të tmerrshme kundër Jehovait. Adhuroi perëndi të rreme, si edhe nxiti të tjerët ta imitonin. Vrau fëmijët e vet, duke i sakrifikuar për perëndi pagane. Madje arriti deri aty sa vuri shëmbëlltyrën e gdhendur të një perëndie të rreme në tempullin e shenjtë të Jehovait. Bibla thotë për të: «Bëri në një shkallë të paparë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, për ta fyer atë.» (2 Kron. 33:2-7) Megjithatë, kur Manaseu tregoi se ishte penduar thellë në zemër, Jehovai e fali bujarisht. Madje ai e rivendosi në fron si mbret. (2 Kron. 33:12, 13) Mbase të vjen ndër mend edhe mbreti David, që bëri mëkate të rënda kundër Jehovait, si kurorëshkelje dhe vrasje. Gjithsesi, kur Davidi u pendua sinqerisht dhe e pranoi se kishte gabuar, Jehovai e fali edhe atë. (2 Sam. 12:9, 10, 13, 14) E pra, mund të jemi të sigurt se Jehovai mezi pret të falë. E siç do ta shohim, Jehovai fal ndryshe nga njerëzit—aftësia e tij për të falur është unike.
AFTËSIA UNIKE E JEHOVAIT PËR TË FALUR
8. Si ndikon roli unik i Jehovait si Gjykatës tek aftësia e tij për të falur?
8 Jehovai është «Gjykatësi i gjithë tokës». (Zan. 18:25) Një gjykatës i mirë duhet t’i njohë me imtësi ligjet. Kjo mund të thuhet me plot gojën për Jehovain, sepse ai është jo vetëm Gjykatësi ynë, por edhe Ligjdhënësi ynë. (Isa. 33:22) Askush nuk e ka aq të fortë sa Jehovai ndjenjën për të drejtën dhe të gabuarën. Ç’duhet të ketë tjetër një gjykatës i mirë? Duhet të ketë mundësi të dijë të gjitha faktet që lidhen me një çështje para se të japë gjykimin. Edhe në këtë pikë, Jehovai ka aftësi si askush tjetër për të qenë Gjykatësi i shkëlqyer.
9. Cilat informacione e ndihmojnë Jehovain të vendosë nëse do ta falë dikë?
9 Ndryshe nga gjykatësit njerëzorë, Jehovai i kupton përherë në mënyrë të përsosur të gjitha faktet që lidhen me një çështje. (Zan. 18:20, 21; Psal. 90:8) Ai nuk kufizohet nga ajo që shohin a dëgjojnë njerëzit. Jehovai e kupton plotësisht si ndikojnë te sjellja e dikujt ndërtimi gjenetik, mënyra si është rritur dhe ambienti, bashkë me gjendjen emocionale e mendore. Gjithashtu, Jehovai lexon zemrën. Ai dallon të gjitha motivet, synimet dhe dëshirat e secilit nga ne. Asgjë nuk i shpëton syrit të Jehovait. (Hebr. 4:13) Pra, Jehovai di me rrënjë çdo fakt, e te kjo njohuri bazohet sa herë që vendos nëse do ta falë dikë.
10. Pse mund të themi se gjykimet e Jehovait janë gjithmonë të drejta e të paanshme? (Ligji i përtërirë 32:4)
10 Gjykimet e Jehovait janë gjithmonë të drejta. Ai është krejtësisht i paanshëm. Kur fal, Jehovai nuk ndikohet asnjëherë nga pamja, pasuria, fama ose aftësitë e dikujt. (1 Sam. 16:7; Jak. 2:1-4) Askush nuk mund t’i bëjë presion ose t’i japë ryshfet Jehovait. (2 Kron. 19:7) Kur merr vendime, gjykimi i tij nuk mjegullohet kurrë nga acarimi ose nga sentimentalizmi. (Eks. 34:7) S’ka fije dyshimi se aftësia e jashtëzakonshme për të kuptuar dhe gjykimi i mprehtë e bëjnë Jehovain Gjykatësin e përsosur.—Lexo Ligjin e përtërirë 32:4.
11. Pse është unike falja e Jehovait?
11 Shkrimtarët e Shkrimeve Hebraike e kishin të qartë se aftësia e Jehovait për të falur është unike. Në disa raste, ata përdorën një fjalë hebraike për të cilën një vepër referimi thotë: «Kjo fjalë përdoret vetëm për faljen e Perëndisë ndaj një mëkatari dhe asnjëherë për faljen e një njeriu ndaj një tjetri, e cila është më e kufizuar se falja e Perëndisë.» Vetëm Jehovai ka autoritetin ta falë plotësisht një mëkatar të penduar. Çfarë të mirash vijnë kur Jehovai na fal?
12-13. (a) Çfarë bekimesh vijnë kur na fal Jehovai? (b) Sa kohë zgjatin të mirat që sjell falja e Jehovait?
12 Kur e pranojmë faktin që Jehovai na ka falur, shijojmë «stinë freskuese», ku përfshihet paqja mendore dhe një ndërgjegje e pastër. E mund të ndihemi kështu vetëm nëse na ka falur «vetë Jehovai». (Vep. 3:19) Kur na fal, Jehovai lejon të gëzojmë prapë miqësinë e tij sikur të mos kishim mëkatuar kurrë.
13 Pasi na e fal një mëkat, Jehovai nuk na akuzon ose nuk na ndëshkon më për të. (Isa. 43:25; Jer. 31:34) «Sa larg është lindja nga perëndimi», aq shumë i largon nga ne mëkatet tona. * (Psal. 103:12) Kur meditojmë sa bujarisht na fal Jehovai, na brof zemra nga mirënjohja dhe nderimi i thellë për të. (Psal. 130:4) Por, cilët është i gatshëm të falë Jehovai?
KË FAL JEHOVAI?
14. Siç e kemi parë deri tani, ku e bazon Jehovai vendimin për të falur?
14 Siç e kemi parë, vendimi i Jehovait për ta falur dikë nuk ka për bazë sa i madh ishte mëkati që u krye. Gjithashtu kemi mësuar se kur vendos nëse do ta falë dikë, Jehovai përdor njohurinë që ka si Krijuesi, Ligjdhënësi dhe Gjykatësi ynë. Cilët faktorë merr parasysh Jehovai?
15. Sipas Lukës 12:47, 48, cili është një faktor që mban parasysh Jehovai?
15 Një faktor që merr parasysh Jehovai është nëse ai që mëkatoi e dinte se po bënte diçka të gabuar. Jezui e tregoi qartë këtë te Luka 12:47, 48. (Lexoje.) Dikush që thur plane për të bërë diçka të keqe dhe e di fare mirë se po bën diçka që e fyen Jehovain, kryen një mëkat serioz. Ai rrezikon që Jehovai të mos e falë. (Mar. 3:29; Gjoni 9:41) Megjithatë duhet ta pranojmë se nganjëherë mund të bëjmë diçka që e dimë se është e gabuar. A ka shpresë që Jehovai të na falë në këtë rast? Pa diskutim që po! Kjo na çon te një faktor tjetër që merr parasysh Jehovai.
16. Ç’do të thotë të pendohesh, dhe pse është e domosdoshme të pendohemi nëse duam të na falë Jehovai?
16 Një faktor tjetër që merr parasysh Jehovai është nëse ai që ka gabuar është penduar sinqerisht. Ç’do të thotë të pendohesh? Do të thotë «të ndërrosh mendje, qëndrim ose qëllim». Përfshin idenë që dikush ndien keqardhje ose trishtim të thellë ngaqë ka bërë gjëra të këqija ose ngaqë nuk ka bërë gjërat e mira që duhej t’i kishte bërë. Atij që pendohet i vjen keq jo vetëm për gabimin që bëri, por edhe se lejoi t’i dobësohej marrëdhënia me Jehovain, çka e çoi në rrugë të gabuar. Të kujtojmë se edhe mbreti Manase, edhe mbreti David kryen mëkate serioze. E megjithatë, Jehovai i fali sepse u penduan nga thellësia e zemrës. (1 Mbret. 14:8) Pra, që ta falë dikë, Jehovai duhet të shohë prova se është penduar. Ama nuk mjafton të na vijë keq për një sjellje a veprim të gabuar. Duhet të jemi të gatshëm të bëjmë diçka. * Këtu del në dritë një faktor tjetër që mban parasysh Jehovai.
17. Ç’do të thotë të kthehesh, dhe pse është jetësore kjo nëse nuk duam t’i përsëritim gabimet e së kaluarës? (Isaia 55:7)
17 A është i gatshëm mëkatari «të kthehet»? Ky është një faktor tjetër i rëndësishëm që merr parasysh Jehovai. Me fjalë të tjera, ai që ka mëkatuar duhet ta lërë rrugën e keqe e të ecë në udhën e Jehovait. (Lexo Isainë 55:7.) Ai duhet të përtërijë mendjen, që të udhëhiqet nga mendimet e Jehovait. (Rom. 12:2; Efes. 4:23) Duhet të jetë i vendosur të largohet nga rrugët e këqija, duke ndryshuar mendimet dhe sjelljen. (Kolos. 3:7-10) Natyrisht, Jehovai na fal dhe na pastron nga çdo mëkat në bazë të besimit tonë te flijimi i Krishtit. Kur sheh se përpiqemi me gjithë shpirt të ndryshojmë sjellje, Jehovai përdor në dobinë tonë vlerën e flijimit të Jezuit.—1 Gjon. 1:7.
JI I SIGURT SE JEHOVAI MEZI PRET TË FALË
18. Çfarë mësuam për faljen e Jehovait në këtë artikull?
18 Le të shohim shkurtimisht disa pika të rëndësishme që kemi shqyrtuar. Jehovai fal si askush tjetër në univers. Pse jemi të sigurt për këtë? Së pari, sepse ai është përherë i gatshëm të falë. Së dyti, sepse Jehovai na njeh me imtësi. Ai di në mënyrë të përsosur si jemi formuar dhe është personi ideal për të dalluar nëse jemi penduar vërtet. E së treti, sepse kur na fal, Jehovai i fshin mëkatet tona si të mos kishin ndodhur kurrë. Kjo hap rrugën që të kemi një ndërgjegje të pastër dhe të gëzojmë miratimin e tij.
19. Edhe pse do të vazhdojmë të gabojmë për shkak të papërsosmërisë, pse kemi arsye të gëzojmë?
19 Dihet, për sa kohë të jemi të papërsosur, do të vazhdojmë të gabojmë. Gjithsesi na e qetësojnë zemrën këto fjalë nga botimi Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet (vëllimi 2, faqja 771, anglisht): «Jehovai e mban parasysh me mëshirë brishtësinë njerëzore të shërbëtorëve të tij, prandaj ata nuk ka pse t’i torturojnë pareshtur ndjenjat e fajit për gabimet që bëjnë nga papërsosmëria e trashëguar. (Psal. 103:8-14; 130:3) Nëse bëjnë çmos të ecin në udhët e Perëndisë, kanë arsye të gëzojnë. (Filip. 4:4-6; 1 Gjon. 3:19-22).» Çfarë mendimi zemërdhënës!
20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
20 I jemi mirënjohës Jehovait që mezi pret të na falë kur pendohemi nga zemra për mëkatet tona. Por si mund ta imitojmë ne Jehovain kur falim? Në cilat mënyra ngjan falja jonë me faljen e Jehovait, por në cilat mënyra ndryshon? Pse është e rëndësishme ta kuptojmë dallimin mes tyre? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikullin tjetër.
KËNGA 45 Mendimet e thella të zemrës
^ Në Fjalën e tij, Jehovai na siguron se ka dëshirë t’i falë mëkatarët e penduar. Por ndonjëherë mbase ndihemi të padenjë që ai të na falë. Në këtë artikull do të shohim pse mund të jemi të sigurt se Perëndia ynë është përherë i gatshëm të na falë nëse pendohemi nga zemra për gabimet që kemi bërë.
^ Shih librin T’i afrohemi Jehovait, kap. 26, par. 9.
^ SHPJEGIMI I FJALËS: «Të pendohesh» do të thotë të ndërrosh mendje dhe të të vijë keq sinqerisht për mënyrën si jetoje, për veprimet e gabuara ose për diçka që nuk e ke bërë. Pendimi i sinqertë jep fryt, pra e shtyn të penduarin të ndryshojë sjellje.