Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 15

A je «shembull . . . në të folur»?

A je «shembull . . . në të folur»?

«Bëhu shembull për besnikët në të folur.»—1 TIM. 4:12.

KËNGA 90 T’i japim zemër njëri-tjetrit

PËRMBLEDHJE a

1. Kush na e ka dhuruar aftësinë për të folur?

 AFTËSIA për të folur është një dhuratë nga Perëndia ynë i dashur. Menjëherë pasi u krijua, njeriu i parë, Adami, mund të komunikonte me anë të fjalëve me Atin e tij qiellor. Gjithashtu mund ta pasuronte fjalorin duke krijuar fjalë të reja. Adami e përdori atë aftësi për të përmbushur caktimin që t’u vinte emra gjithë kafshëve e zogjve. (Zan. 2:19) E çfarë ndjesie e mrekullueshme duhet të ketë qenë kur foli për herë të parë me një njeri tjetër—me gruan e tij të bukur, Evën!—Zan. 2:22, 23.

2. Si është keqpërdorur dhurata e të folurit në të kaluarën dhe sot?

2 Por s’kaloi shumë dhe dhurata e të folurit nisi të keqpërdorej. Satana Djalli gënjeu Evën, e ajo gënjeshtër çoi drejt mëkatit dhe papërsosmërisë njerëzore. (Zan. 3:1-4) Adami e keqpërdori dhuratën e të folurit kur ia hodhi fajin Evës—e madje edhe Jehovait—për gabimet e veta. (Zan. 3:12) Kaini gënjeu Jehovain pasi vrau të vëllanë, Abelin. (Zan. 4:9) Më vonë Lameku, një pasardhës i Kainit, thuri një poezi e cila nxirrte në pah qëndrimin e dhunshëm e hakmarrës që mbizotëronte në kohën e tij. (Zan. 4:23, 24) Po sot, si janë njerëzit? Shohim politikanë që përdorin pa problem në publik një fjalor banal. Gjithashtu, zor se gjen një film që të mos ketë ca fjalë të pista. Nxënësit dëgjojnë fjalë të ndyra në shkollë dhe të rriturit bombardohen me fjalë të tilla në punë. Mjerisht, fjalët e fëlliqura janë thjesht maja e ajsbergut, që tregon si janë katandisur normat morale dhe i foluri i njerëzve sot.

3. Nga cili rrezik duhet të ruhemi, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Po të mos bëjmë kujdes, mund të na mësohet kaq shumë veshi me këtë të folur, sa të fillojmë të flasim edhe vetë ashtu. Patjetër, si shërbëtorë të Jehovait, ne duam ta kënaqim Perëndinë tonë, e kjo nuk përfshin vetëm të mos përdorim fjalë të ndyra. Duam edhe ta përdorim për mirë dhuratën e mrekullueshme të të folurit—për t’i dhënë lavdi Perëndisë tonë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund ta bëjmë këtë (1) në shërbim, (2) në mbledhje dhe (3) në bisedat e përditshme. Por në fillim le të shohim pse Jehovai ka merak si e përdorim dhuratën e të folurit.

JEHOVAI KA MERAK SI E PËRDORIM DHURATËN E TË FOLURIT

Çfarë zbulojnë për zemrën tënde fjalët që thua? (Shih paragrafët 4-5) d

4. Sipas Malakisë 3:16, pse i kushton vëmendje Jehovai asaj që themi?

4 Lexo Malakinë 3:16. Si mendon, pse Jehovai i shkruan në ‘librin e tij të kujtimit’ emrat e njerëzve që, me fjalët e tyre, tregojnë se e nderojnë thellësisht dhe se meditojnë për emrin e tij? Sepse fjalët tona zbulojnë çfarë kemi në zemër. Jezui tha: «Goja flet nga bollëku i zemrës.» (Mat. 12:34) Gjërat për të cilat zgjedhim të flasim, tregojnë sa e thellë është dashuria jonë për Jehovain. E Jehovai dëshiron që ata që e duan, të gëzojnë jetën pa fund në botën e re.

5. (a) Si lidhet adhurimi i Perëndisë me fjalët që zgjedhim? (b) Siç tregon figura, për çfarë duhet të bëjmë kujdes kur flasim?

5 Mënyra si flasim mund të përcaktojë nëse Jehovai do ta pranojë adhurimin tonë. (Jak. 1:26) Disa nga ata që nuk e duan Perëndinë flasin me ton agresiv, ashpër dhe tërë krenari. (2 Tim. 3:1-5) Pa diskutim që nuk duam të jemi si ata. Ne duam me gjithë shpirt ta kënaqim Jehovain me mënyrën si flasim. Por, a mund të jetë i kënaqur Jehovai me ne nëse flasim bukur e ëmbël në mbledhje a në shërbim, por u flasim egër dhe vrazhdë pjesëtarëve të familjes kur jemi në shtëpi?—1 Pjet. 3:7.

6. Çfarë rezultatesh të mira erdhën ngaqë Kimbërli e përdori mirë dhuratën e të folurit?

6 Kur e përdorim mirë dhuratën e të folurit, u tregojmë të tjerëve se jemi adhurues të Jehovait. Kështu njerëzit përreth nesh mund ta shohin qartë ndryshimin «mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben». (Mal. 3:18) Këtë e tregon edhe shembulli i një motre që quhet Kimbërli. b Në shkollë të mesme e caktuan të bashkëpunonte me një shoqe klase për një projekt. Ndërsa punonin bashkë, shoqes së klasës i ra në sy se Kimbërli ishte ndryshe nga nxënëset e tjera. Nuk i kritikonte të tjerët prapa krahëve, fliste në mënyrë miqësore dhe nuk përdorte fjalë të pista. Shoqja e Kimbërlit u bë kureshtare, e më pas pranoi të studionte Biblën me të. Sa gëzim ndien Jehovai kur flasim në një mënyrë që i tërheq njerëzit drejt së vërtetës!

7. Si dëshiron ta përdorësh dhuratën e të folurit?

7 Të gjithë duam të flasim në një mënyrë që nderon Jehovain dhe që na afron më shumë me vëllezërit tanë. Prandaj le të shohim disa mënyra praktike si mund të vazhdojmë të jemi «shembull . . . në të folur».

BËHU SHEMBULL NË SHËRBIM

Kur flasim me dashuri në shërbim, Jehovai kënaqet (Shih paragrafët 8-9)

8. Çfarë shembulli na la Jezui me mënyrën si fliste gjatë shërbimit në tokë?

8 Fol me dashuri dhe respekt kur të provokojnë. Gjatë shërbimit në tokë, Jezuin e përbaltën me akuza të rreme si pijanec, si grykës, si vegël e Djallit, si shkelës i Sabatit dhe si dikush që blasfemonte kundër Perëndisë. (Mat. 11:19; 26:65; Luka 11:15; Gjoni 9:16) Megjithatë, Jezui nuk u hakmor duke ua kthyer tërë mllef. Ashtu si Jezui, nuk duhet të hakmerremi kurrë, edhe nëse na flasin ashpër. (1 Pjet. 2:21-23) Natyrisht, nuk është kollaj të tregojmë vetëpërmbajtje në raste të tilla. (Jak. 3:2) Çfarë mund të na ndihmojë?

9. Çfarë mund të na ndihmojë ta mbajmë nën fre gjuhën kur jemi në shërbim?

9 Përpiqu të shohësh përtej fjalëve të rënda që të thotë dikush në shërbim. Një vëlla që quhet Sam, thotë: «Përpiqem të përqendrohem te fakti që i zoti i shtëpisë ka shumë nevojë të dëgjojë të vërtetën dhe te potenciali i tij për të ndryshuar.» Ndonjëherë, ai që na del te dera mund të jetë i inatosur thjesht ngaqë rastisi momenti i gabuar. Nëse dikush është me nerva dhe na hakërrehet, mund të imitojmë shembullin e një motre që quhet Luçia. Ashtu si ajo, mund të bëjmë një lutje të shkurtër e t’i kërkojmë Jehovait të na ndihmojë të ruajmë qetësinë dhe të mos themi diçka lënduese ose pa respekt.

10. Sipas 1 Timoteut 4:13, cilin synim duhet të kemi?

10 Bëhu mësues më i aftë. Timoteu kishte përvojë në predikimin e lajmit të mirë, por prapëseprapë duhej të vazhdonte të aftësohej si mësues. (Lexo 1 Timoteut 4:13.) Po ne, si mund të bëhemi mësues më të aftë? Duhet të përgatitemi me kujdes para se të dalim në shërbim. Jemi të pasur se kemi një larmi mjetesh që mund të na ndihmojnë të bëhemi mësues më të zotë. Te broshura Kushtoju leximit dhe mësimdhënies dhe te pjesa «Stërvitu për shërbimin» në fletëstudimin Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë mund të gjesh informacione të dobishme. A po i shfrytëzon këto mjete që ke në dorë? Kur përgatitemi mirë, jemi më pak në siklet dhe flasim me më shumë siguri.

11. Si janë bërë mësues më të aftë disa?

11 Mund të bëhemi mësues më të aftë edhe duke vëzhguar të tjerët në kongregacion e duke mësuar prej tyre. Sami, i përmendur më sipër, pyet veten se çfarë i bën mësues të mirë disa. I kushton shumë vëmendje mënyrës si mësojnë ata dhe përpiqet t’i imitojë. Një motër që quhet Tanja i ndjek gjithë sy e veshë oratorët me përvojë ndërsa mbajnë fjalime publike. Kështu ka mësuar si të flasë e si të arsyetojë për pyetje që lindin shpesh në shërbim.

BËHU SHEMBULL NË MBLEDHJE

Kur këndojmë nga zemra në mbledhje, Jehovai merr lavdi (Shih paragrafët 12-13)

12. Çfarë vështirësie kanë disa?

12 Të gjithë mund t’i bëjmë më të bukura mbledhjet tona duke kënduar nga zemra dhe duke bërë komente të përgatitura mirë. (Psal. 22:22) Disa e kanë të vështirë të këndojnë ose të komentojnë para të tjerëve. A ndihesh edhe ti kështu? Nëse po, shiko çfarë i ka ndihmuar disa ta mposhtin këtë frikë, që të marrësh kurajë edhe ti.

13. Çfarë mund të të ndihmojë të këndosh nga zemra në mbledhje?

13 Këndo nga zemra. Kur këndojmë këngët e Mbretërisë, duhet të përqendrohemi mbi gjithçka te dëshira për t’i dhënë lavdi Jehovait. Një motër që quhet Sara mendon se nuk ia thotë shumë për të kënduar. Gjithsesi, ka dëshirë ta lëvdojë Jehovain me këngë. Prandaj përpiqet të japë më të mirën duke u përgatitur që më parë, ashtu siç përgatitet për pjesët e tjera të mbledhjes. Bën prova dhe përpiqet të dallojë si lidhen vargjet e këngëve me gjërat që do të shqyrtohen në mbledhje. «Kjo më ndihmon të përqendrohem më shumë te fjalët, pa u shqetësuar tepër nëse këndoj bukur»,—thotë ajo.

14. Nëse je tip i ndrojtur, si mund të të ndihmojë shembulli i Tanjës të komentosh në mbledhje?

14 Komento rregullisht. Kuptohet, për disa kjo mund të jetë goxha e vështirë. Tanja, e përmendur më sipër, tregon: «Vuaj nga çrregullimi i ankthit social, ndonëse të tjerët nuk e vënë re ngaqë zakonisht flas me zë të shtruar. Prandaj e kam tepër të vështirë të komentoj.» Prapëseprapë, Tanja nuk rri pa bërë komente. Kur përgatitet për mbledhjen, mban parasysh se komenti i parë për një pyetje duhet të jetë i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë. Ajo thotë: «Pra s’ka problem nëse përgjigjja ime është e shkurtër, e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, se drejtuesi pret tamam një përgjigje të tillë.»

15. Ç’duhet të mbajmë parasysh për komentet tona?

15 Edhe ata që nuk janë aq të ndrojtur, mund të ngurrojnë hera-herës të komentojnë. Pse? Një motër që quhet Xhulieta, shpjegon: «Nganjëherë hezitoj të komentoj se dyshoj që komenti im është tepër i thjeshtë ose jo fort i bukur.» Megjithatë, mbaj parasysh se ajo që do Jehovai është të bëjmë komentet më të mira që mundemi. c Ai e çmon jashtëzakonisht vendosmërinë tonë që ta lëvdojmë në mbledhje dhe që të mos e lejojmë frikën të na pengojë.

BËHU SHEMBULL NË BISEDAT E PËRDITSHME

16. Cilin lloj të foluri duhet të shmangim?

16 Shmang çdo lloj ‘sharjeje’. (Efes. 4:31) Siç u tha më sipër, një shërbëtor i Perëndisë nuk duhet të nxjerrë kurrë nga goja fjalë të pista. Por ka edhe disa lloje ‘sharjesh’ të kamufluara që nuk duhet t’i përdorim. Për shembull, duhet të kemi kujdes të mos bëjmë krahasime të papërshtatshme kur flasim për njerëz të kulturave, etnive ose kombeve të tjera. Veç kësaj, nuk duam t’i lëndojmë kurrë të tjerët me fjalë thumbuese. Një vëlla pranon: «Në disa raste kam përdorur kunja therëse e sarkastike që më dukeshin pa të keq dhe për të qeshur, por që në të vërtetë i hapnin plagë dikujt. Gjatë viteve, ime shoqe më ka ndihmuar tej mase, duke më thënë privatisht nëse fjalët e mia kishin qenë pa shije dhe e kishin lënduar atë e të tjerët.»

17. Në harmoni me Efesianëve 4:29, si mund t’u japim forcë të tjerëve?

17 Fol në një mënyrë që u jep forcë të tjerëve. Ji i gatshëm të lavdërosh, në vend që të kritikosh ose të ankohesh. (Lexo Efesianëve 4:29.) Izraelitët kishin arsye pa fund për të qenë mirënjohës, e megjithatë e kishin zakon të ankoheshin. Fryma ankuese mund të jetë ngjitëse. Mos harro se një raport negativ nga dhjetë vëzhguesit bëri që «të gjithë izraelitët . . . të murmuritnin kundër Moisiut». (Num. 13:31–14:4) Kurse lavdërimet mund t’i ngrenë zemrat peshë. Jemi të sigurt se, falë lavdërimeve që i jepnin shoqet, vajza e Jefteut mori zemër për të qëndruar besnike në caktimin e saj. (Gjyk. 11:40) Sara, e përmendur më sipër, thotë: «Lavdërimet tona i ndihmojnë të tjerët ta ndiejnë se Jehovai i do dhe se janë të çmuar për organizatën e tij.» Prandaj kërko mundësi për t’i lavdëruar nga zemra vëllezërit e motrat.

18. Në harmoni me Psalmin 15:1, 2, pse duhet të themi të vërtetën, dhe çfarë përfshin kjo?

18 Thuaj të vërtetën. Nëse s’themi të vërtetën, është e pamundur ta kënaqim Jehovain. Ai urren çdo lloj gënjeshtre. (Prov. 6:16, 17) Ndonëse shumë veta mendojnë se është gjë normale të gënjesh, ne jemi të vendosur t’i shohim gjërat me syrin e Jehovait. (Lexo Psalmin 15:1, 2.) Ndërkohë që s’themi kurrë gënjeshtra, bëjmë kujdes edhe të mos krijojmë me dashje një përshtypje të gabuar për diçka.

Kur e kthejmë një bisedë negative në pozitive, Jehovai na sheh me buzëqeshje miratimi (Shih paragrafin 19)

19. Nga çfarë tjetër duhet të bëjmë kujdes?

19 Mos përhap thashetheme të dëmshme. (Prov. 25:23; 2 Sel. 3:11) Xhulieta, e përmendur më sipër, tregon si ndikojnë tek ajo thashethemet e dëmshme: «Kur dëgjoj thashetheme negative për të tjerët, shkurajohem dhe humbas besimin tek ai që po bën thashetheme. E nga ta di se nuk do të bëjë thashetheme edhe për mua me dikë tjetër?!» Nëse kupton se biseda po kthehet në thashetheme të dëmshme, drejtoje te diçka pozitive.—Kolos. 4:6.

20. Në ç’mënyrë je i vendosur ta përdorësh dhuratën e të folurit?

20 Meqë jetojmë në një botë ku bombardohemi me fjalë të pista ose lënduese, na duhet të përpiqemi fort për t’u siguruar se i foluri ynë e kënaq Jehovain. Të mos harrojmë se aftësia për të folur është dhuratë nga Jehovai dhe ai ka merak si e përdorim. Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona të sinqerta që ta përdorim për mirë këtë dhuratë kur jemi në shërbim, në mbledhje dhe gjatë bisedave të përditshme. Kur ky sistem i mbrapshtë të ketë marrë fund, do të jetë shumë më e lehtë ta nderojmë Jehovain me të folurin tonë. (Jud. 15) Ndërkohë, qofsh i vendosur ta kënaqësh Jehovain me ‘fjalët e gojës sate’!—Psal. 19:14.

KËNGA 121 Vlera e vetëkontrollit

a Jehovai na ka bërë një dhuratë të mrekullueshme—dhuratën e të folurit. Por mjerisht, shumica e njerëzve nuk e përdorin ashtu siç kishte për qëllim Jehovai. Ç’mund të na ndihmojë që, mes një bote ku standardet po bien gjithnjë e më poshtë, i foluri ynë të mbetet i pastër dhe pozitiv? Si mund ta kënaqim Jehovain me mënyrën si e përdorim dhuratën e të folurit kur jemi në shërbim, kur ndjekim mbledhjet dhe kur bisedojmë me të tjerët? Përgjigjet do t’i shqyrtojmë në këtë artikull.

b Disa emra janë ndryshuar.

c Për të mësuar më shumë pse dhe si të komentojmë, shih artikullin «Lëvdo Jehovain në kongregacion» në Kullën e Rojës të janarit 2019.

d PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një vëlla ia kthen vrazhdë një burri të nevrikosur në shërbim; një vëlla këndon sa për të thënë gjatë mbledhjes; një motër bën thashetheme të dëmshme.