Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 5

Shfrytëzoje «sa më mirë kohën»

Shfrytëzoje «sa më mirë kohën»

«Bëni shumë kujdes, pra, që të mos ecni si të pamendët, por si të mençurit, duke e shfrytëzuar sa më mirë kohën.»​—EFES. 5:15, 16.

KËNGA 8 Jehova, ti je streha jonë

PËRMBLEDHJE *

1. Si mund të kalojmë kohë me Jehovain?

 KËNAQEMI kur kalojmë kohë me ata që i kemi për zemër. Çiftet e martuara mezi e presin një mbrëmje të qetë së bashku. Të rinjtë kanë qejf të rrinë në shoqërinë e miqve të ngushtë. E të gjithëve na pëlqen shumë të kalojmë kohë me vëllezërit e motrat. Por, mbi të gjitha, na kënaqet zemra kur kalojmë kohë me Perëndinë tonë. Këtë e bëjmë duke iu lutur, duke lexuar Fjalën e tij e duke medituar për qëllimin dhe cilësitë e bukura që ka. Koha që kalojmë me Jehovain është vërtet shumë e çmuar!—Psal. 139:17.

2. Çfarë sfide hasim?

2 Edhe pse ndiejmë kënaqësi kur kalojmë kohë me Jehovain, hasim një sfidë. Kemi një jetë shumë të ngarkuar, prandaj mund ta kemi të vështirë të gjejmë kohë për aktivitetet teokratike. Puna, përgjegjësitë familjare dhe gjëra të tjera të nevojshme mund të na marrin aq shumë kohë, sa të ndihemi sikur nuk kemi asnjë moment për t’u lutur, për të studiuar ose për të medituar.

3. Cila mund të jetë një gjë tjetër që na vjedh kohën?

3 Ekziston edhe një rrezik tjetër më tinëzar. Po të mos bëjmë kujdes, disa aktivitete jo të gabuara ka rrezik të na vjedhin kohën që mund ta përdornim për t’u afruar me Jehovain. Të marrim, për shembull, zbavitjet. Të gjithëve na bën mirë ta ndryshojmë hera-herës ritmin. Por edhe zbavitjet e shëndetshme mund të na hanë aq shumë kohë, sa të na mbeten vetëm ca thërrime për aktivitetet teokratike. Prandaj duhet t’i mbajmë zbavitjet në vendin e vet.—Prov. 25:27; 1 Tim. 4:8.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Në këtë artikull do të shqyrtojmë pse duhet t’u japim përparësi gjërave më të rëndësishme. Do të shohim edhe si mund ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën që kalojmë me Jehovain dhe si nxjerrim dobi kur e përdorim me mençuri kohën.

ZGJIDH ME MENÇURI; JEPU PËRPARËSI GJËRAVE MË TË RËNDËSISHME

5. Si mund ta ndihmojë një të ri shqyrtimi i këshillës së Efesianëve 5:15-17 që të zgjedhë rrugën më të mirë në jetë?

5 Zgjidh rrugën më të mirë në jetë. Të rinjtë shpesh vrasin mendjen se çfarë rruge të zgjedhin në jetë. Nga njëra anë, mësuesit, këshilluesit e shkollës ose familjarët që s’janë në të vërtetën mund t’i nxitin të ndjekin arsimin e lartë, që të kenë një karrierë fitimprurëse. Kjo zgjedhje ka shumë të ngjarë t’u harxhojë jashtëzakonisht shumë kohë. Nga ana tjetër, prindërit dhe miqtë në kongregacion mund t’i inkurajojnë të rinjtë ta përdorin jetën për t’i shërbyer Jehovait. Çfarë mund ta ndihmojë një të ri që e do Jehovain të marrë vendimin më të mençur? Një gjë që do ta ndihmojë është të lexojë dhe të meditojë për Efesianëve 5:15-17. (Lexoje.) Pasi t’i lexojë këto vargje, mund të pyesë veten: «Cili është ‘vullneti i Jehovait’? Cili vendim do ta kënaqë atë? Cili vendim do të më ndihmojë ta investoj sa më mirë kohën?» Mos harro se «ditët janë të liga» dhe së shpejti ky sistem i sunduar nga Satanai do të marrë fund. Prandaj është e mençur ta përdorim jetën në një mënyrë që na forcon miqësinë me Jehovain.

6. Çfarë zgjodhi të bënte Maria, dhe pse ishte një zgjedhje e mençur?

6 Jepu përparësi gjërave më të rëndësishme. Për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën, ndonjëherë na duhet të zgjedhim mes dy aktiviteteve që nuk janë të gabuara. Këtë e ilustron rasti kur Jezui shkoi për vizitë në shtëpinë e Marisë dhe Martës. Martën mikpritëse s’e mbante vendi që kishte mysafir Jezuin, ndaj nisi të përgatiste shumë gatime njëri pas tjetrit. Kurse e motra, Maria, zgjodhi të ulej pranë Zotërisë së saj e ta dëgjonte tek mësonte. Patjetër që Marta kishte motive të mira, mirëpo Jezui tha se Maria «zgjodhi pjesën më të mirë». (Luka 10:38-42, shën.) Me kalimin e kohës, Maria mund ta ketë harruar çfarë gatimesh u servirën në atë rast, por pa dyshim nuk e harroi kurrë atë që mësoi nga Jezui. Ashtu siç ishte e vyer për Marinë koha që kaloi me Jezuin, edhe për ne është e vyer koha që kalojmë me Jehovain. Si mund ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën që kalojmë me Të?

SHFRYTËZOJE SA MË MIRË KOHËN QË KALON ME JEHOVAIN

7. Pse ia vlen t’u kushtojmë kohë e vëmendje lutjeve, studimit dhe meditimit?

7 Mbaj parasysh se lutjet, studimi dhe meditimi janë pjesë e adhurimit. Kur lutemi, komunikojmë me Atin tonë qiellor që ka dashuri të thellë për ne. (Psal. 5:7) Kur studiojmë Biblën, marrim «njohuri për Perëndinë» që është Burimi i gjithë mençurisë. (Prov. 2:1-5) Kur meditojmë, bluajmë në mendje cilësitë tërheqëse të Jehovait, qëllimin e mrekullueshëm që ka për njerëzimin dhe si do të zbukurohet jeta jonë kur të plotësohet qëllimi i tij. A ka mënyrë më të mirë se kjo për ta përdorur kohën? Po si mund ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën e kufizuar që kemi?

A mund të gjesh një ambient të qetë për të bërë studimin personal? (Shih paragrafët 8-9)

8. Çfarë mund të mësojmë nga mënyra si e përdori kohën Jezui kur ishte në shkretëtirë?

8 Nëse është e mundur, zgjidh një ambient të qetë. Të mendojmë për shembullin e Jezuit. Para se të niste shërbimin në tokë, Jezui kaloi 40 ditë në shkretëtirë. (Luka 4:1, 2) Në atë vend të qetë mund t’i lutej Jehovait e të meditonte rreth vullnetit të Atit për të. Kjo pa dyshim e përgatiti Jezuin për sprovat që do t’i binin së shpejti. Si mund të nxjerrësh dobi nga shembulli i Jezuit? Nëse je pjesë e një familjeje të madhe, ndoshta s’është gjithmonë e mundur të gjesh një vend të qetë në shtëpi. Po të jetë kështu, mbase mund të kërkosh një ambient të përshtatshëm diku përjashta. Këtë bën Xhuli kur dëshiron të kalojë kohë me Jehovain në lutje. Ajo dhe i shoqi jetojnë në një apartament të vogël në Francë, kështu që është e vështirë të gjejnë një vend ku të jenë vetëm dhe pa shpërqendrime. «Prandaj dal çdo ditë për një shëtitje në park,—thotë Xhuli.— Atje mund të jem vetëm, të përqendrohem dhe t’i lutem qetësisht Jehovait.»

9. Me gjithë programin e ngjeshur, si e tregoi Jezui se e çmonte miqësinë me Jehovain?

9 Jezui kishte një jetë goxha të ngarkuar. Gjatë shërbimit në tokë, e ndiqnin pas turma njerëzish nga një vend në tjetrin, e të gjithë kërkonin t’u kushtonte kohë. Në një rast, «tërë qyteti ishte mbledhur para derës» dhe prisnin ta takonin. Prapëseprapë, Jezui gjeti kohë që ta mbante të fortë miqësinë me Jehovain. Para se të agonte dita, ai shkoi në «një vend të veçuar» ku mund të kalonte kohë vetëm me Atin e tij.—Mar. 1:32-35.

10-11. Sipas Mateut 26:40, 41, cilën këshillë në kohën e duhur u dha Jezui dishepujve në kopshtin e Getsemanisë, por çfarë ndodhi?

10 Natën e fundit të jetës në tokë, ndërsa shërbimi i tij po përfundonte, Jezui prapë kërkoi një vend të qetë ku të meditonte e të lutej. Në kopshtin e Getsemanisë gjeti një vend të tillë. (Mat. 26:36) Në atë rast, Jezui u dha dishepujve një këshillë në kohën e duhur për lutjen.

11 Mendo për atë që ndodhi. Kur mbërritën në kopshtin e Getsemanisë, ishte mjaft vonë, ndoshta pas mesnate. Jezui u kërkoi apostujve ‘të qëndronin vigjilentë’ dhe u largua ca që të lutej. (Mat. 26:37-39) Por, ndërsa ai lutej, ata i zuri gjumi. Kur i gjeti duke fjetur, Jezui i nxiti prapë: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht.» (Lexo Mateun 26:40, 41.) E dinte se kishin qenë goxha të stresuar dhe se ishin të lodhur. Me dhembshuri, Jezui e pranoi se «trupi është i dobët». Mirëpo, pasi u largua dy herë të tjera për t’u lutur, Jezui prapë i gjeti dishepujt duke fjetur, jo duke u lutur.—Mat. 26:42-45.

A mund të lësh kohë të lutesh atëherë kur e ke më të lehtë të përqendrohesh? (Shih paragrafin 12)

12. Ç’mund të bësh nëse nganjëherë ndihesh tepër i stresuar ose tepër i lodhur për t’u lutur?

12 Zgjidh kohën e duhur. Nganjëherë mund të ndihemi tepër të stresuar ose tepër të lodhur për t’u lutur. Nëse je ndier ndonjëherë kështu, nuk je i vetmi. Ç’mund të bësh atëherë? Disa që e kishin zakon t’i luteshin Jehovait në fund të ditës, kanë parë se është më e dobishme të luten pak më herët gjatë mbrëmjes, kur nuk janë aq të lodhur. Të tjerë kanë vërejtur se pozicioni që mbajnë gjatë lutjes mund t’i ndihmojë të përqendrohen më mirë. Po nëse ndihesh tepër në ankth ose tepër i shkurajuar për t’u lutur? Thuaja Jehovait si ndihesh. Të jesh i sigurt se Ati ynë i mëshirshëm do të të kuptojë.—Psal. 139:4.

A mund ta shmangësh komunikimin me mesazhe dhe email-e gjatë mbledhjeve? (Shih paragrafët 13-14)

13. Si mund të na shpërqendrojnë pajisjet elektronike ndërsa kalojmë kohë me Jehovain?

13 Rezistoju shpërqendrimeve kur studion. Lutjet nuk janë e vetmja mënyrë për të forcuar miqësinë me Jehovain. Edhe studimi i Fjalës së Tij dhe ndjekja e mbledhjeve mund të na ndihmojnë të afrohemi më shumë me Perëndinë. A mund të bësh ndonjë gjë për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën e studimit dhe kohën që kalon në mbledhje? Pyet veten: «Zakonisht, çfarë më pengon të përqendrohem gjatë mbledhjeve ose gjatë studimit?» Mos janë telefonatat, email-et ose mesazhet që të vijnë në celular a në ndonjë pajisje tjetër elektronike? Sot miliarda njerëz i përdorin këto pajisje të dobishme. Disa studiues thonë se, kur përpiqesh të përqendrohesh, thjesht fakti që ke afër një celular mund të të shpërqendrojë. Një specialist në fushën e psikologjisë shkruan: «Nuk je i përqendruar tek ajo që po bën . . . Mendja jote po shëtit gjetkë.» Para asambleve dhe kongreseve, zakonisht na thuhet t’i vëmë pajisjet elektronike në një gjendje që nuk i shqetëson të tjerët. A mund ta bëjmë këtë edhe kur jemi vetëm, që pajisjet elektronike të mos na shqetësojnë ne vetë e të mos na vjedhin kohën që kalojmë me Jehovain?

14. Sipas Filipianëve 4:6, 7, si do të të ndihmojë Jehovai të përqendrohesh?

14 Kërkoji ndihmë Jehovait që të përqendrohesh. Nëse kupton se mendja po të endet andej-këtej gjatë studimit ose gjatë mbledhjes, lutju Jehovait të të ndihmojë. Vërtet, kur je i shqetësuar ose në ankth, mund të mos jetë e lehtë t’i lësh mënjanë shqetësimet e të përqendrohesh tek adhurimi i Jehovait. Gjithsesi, është jetësore ta bësh këtë. Lutu për paqen që do të ruajë jo vetëm zemrën, por edhe «mendjen» tënde.—Lexo Filipianëve 4:6, 7.

SHPËRBLIMET QË SHIJON KUR KALON KOHË ME JEHOVAIN

15. Cila është një dobi që vjen kur kalon kohë me Jehovain?

15 Po të lësh kohë që të flasësh me Jehovain, ta dëgjosh e të mendosh për të, do të nxjerrësh shumë dobi. Së pari, do të marrësh vendime më të mençura. Bibla na siguron se «kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur». (Prov. 13:20) Kështu, ndërsa kalon kohë me Burimin e mençurisë, Jehovain, do të bëhesh më i mençur. Do të kuptosh më mirë si të marrësh vendime që e kënaqin dhe si të mos bësh zgjedhje që e lëndojnë.

16. Si na ndihmon komunikimi i shpeshtë me Jehovain të bëhemi mësues më të zotë?

16 Së dyti, do të bëhesh mësues më i mirë. Kur studiojmë Biblën me dikë, një nga synimet më të rëndësishme është ta ndihmojmë të afrohet me Jehovain. Sa më shpesh të komunikojmë me Atin tonë qiellor, aq më e thellë do të bëhet dashuria jonë për të dhe aq më të aftë do të jemi ta ndihmojmë studentin të dojë Jehovain. Kështu ndodhi në rastin e Jezuit. Ai fliste me aq përzemërsi dhe ngrohtësi për Atin e tij, sa dishepujve besnikë s’kishte si të mos u thellohej dashuria për Jehovain.—Gjoni 17:25, 26.

17. Pse lutjet dhe studimi na ndihmojnë ta forcojmë besimin?

17 Së treti, do të të forcohet besimi. Mendo pak çfarë ndodh kur i kërkon Perëndisë drejtim, ngushëllim ose mbështetje. Çdo herë që Jehovai u përgjigjet këtyre lutjeve, të shtohet besimi tek ai. (1 Gjon. 5:15) Ç’gjë tjetër mund të të ndihmojë ta forcosh besimin? Studimi personal. Tekefundit, «besimi vjen pasi dikush ka dëgjuar». (Rom. 10:17) Gjithsesi, për të zhvilluar një besim të fortë, nuk mjafton thjesht të marrim njohuri. Ç’duhet të bëjmë tjetër?

18. Si e nxjerr në pah shembulli i psalmistit pse kemi nevojë të meditojmë?

18 Kemi nevojë të meditojmë për atë që mësojmë. Të shohim pak çfarë kaloi shkrimtari i Psalmit 77. Atë e kaploi ankthi ndërsa mendonte që ai dhe bashkëkombësit e tij kishin humbur miratimin e Jehovait. Ato mendime që e torturonin, s’e linin të vinte gjumë në sy. (Vargjet 2-8) Çfarë bëri? I tha Jehovait: «Do të meditoj për të gjitha veprat e tua, po, për mënyrën si vepron, do të mendoj thellë.» (Vargu 12) Natyrisht, psalmisti e dinte mirë çfarë kishte bërë Jehovai për popullin e Tij në të kaluarën, por i pushtuar nga ankthi, pyeste veten: «Mos ka harruar Perëndia të na japë pëlqimin e tij? Mos vallë zemërimi ia ka zënë frymën mëshirës së tij?» (Vargu 9) Psalmisti mendoi thellë për veprat e Jehovait dhe për mëshirën e dhembshurinë që kishte treguar Perëndia në të kaluarën. (Vargu 11) Rezultati? U bind plotësisht se Jehovai s’kishte për ta braktisur popullin e Tij. (Vargu 15) Po njësoj do të forcohet edhe besimi yt ndërsa bluan në mendje ç’ka bërë Jehovai për popullin e tij dhe ç’ka bërë për ty vetë.

19. Cila është një dobi tjetër që vjen kur kalojmë kohë me Jehovain?

19 E katërta, dhe më e rëndësishmja, do të të thellohet dashuria për Jehovain. Dashuria do të të motivojë më fort se çdo cilësi tjetër t’i bindesh Jehovait, të bësh sakrifica për ta kënaqur dhe t’i bësh ballë çdo sprove. (Mat. 22:37-39; 1 Kor. 13:4, 7; 1 Gjon. 5:3) Nuk ka gjë më të çmuar se të gëzosh një miqësi të ngrohtë e të ngushtë me Jehovain!—Psal. 63:1-8.

20. Çfarë do të bësh që të përfitosh në maksimum nga koha që kalon me Jehovain?

20 Mos harro se lutjet, studimi dhe meditimi janë pjesë e adhurimit. Ashtu si Jezui, përpiqu të gjesh ambiente të qeta ku të kalosh kohë me Jehovain. Elimino shpërqendrimet e panevojshme. Kërkoji Jehovait të të ndihmojë të jesh i përqendruar ndërsa adhuron atë. Nëse e shfrytëzon sa më mirë kohën sot, Jehovai do të të shpërblejë me jetën pa fund në botën e tij të re.—Mar. 4:24.

KËNGA 28 Miqësia me Jehovain—Gjithçka që zemra do!

^ Jehovai është Miku ynë më i shtrenjtë. E çmojmë si thesar miqësinë me të dhe duam ta njohim më mirë. Por për ta njohur dikë duhet kohë, e kjo vlen edhe për kultivimin e miqësisë me Jehovain. Si mund të gjejmë kohë për t’u afruar më shumë me Atin tonë qiellor mes ritmit të vrullshëm të jetës? Si do të nxjerrim dobi nga kjo?