Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Jehovai e bekoi me bollëk vendimin tim

Jehovai e bekoi me bollëk vendimin tim

Kur u shfaqën rrezet e para të agimit, sapo kishim vënë fletushkat poshtë dyerve të fundit të territorit. Ishte viti 1939. Ishim zgjuar në mes të natës e kishim udhëtuar mbi një orë drejt qytetit të vogël të Xhoplinit në jugperëndim të Misurit, SHBA. Mbaruam misionin pa u ndier, u ngjeshëm në makinë dhe udhëtuam drejt vendtakimit, ku pritëm makinat e tjera. Mbase po vritni mendjen pse dolëm në shërbim pa zbardhur ende dhe u larguam aq shpejt nga territori. Këtë do t’jua tregoj pas pak.

MË RRITËN prindërit e krishterë Fred dhe Edna Molohani dhe jam i lumtur që më rrënjosën në zemër përkushtimin hyjnor. Më 1934 kur linda unë, ata ishin prej 20 vjetësh Studentë aktivë të Biblës (siç njiheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait). Jetonim në Parsënz, një qytezë e vogël në juglindje të Kanzasit. Në kongregacionin tonë thuajse të gjithë ishin të krishterë të mirosur. Ndiqnim rregullisht mbledhjet dhe u predikonim të tjerëve për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Zakonisht, të shtunat pasdite i planifikonim për shërbim rrugor, siç quhej dëshmia publike në ato kohë. Ndonjëherë edhe lodheshim pak, po në fund të shërbimit, babi gjithmonë na freskonte me akullore.

Kongregacioni ynë i vogël kishte një territor goxha të madh me disa qyteza të vogla, si edhe me shumë ferma në zonat aty pranë. Kur u predikonim fermerëve, shpesh e shkëmbenim literaturën me perime nga bahçja, me vezë të freskëta (të sapombledhura nga furriku) ose edhe me pula të gjalla. Babi kontribuonte që në fillim për literaturën, ndaj ushqimet i përdornim për familjen.

FUSHATAT E PREDIKIMIT

Prindërit blenë një gramafon për predikim. Isha shumë i vogël që ta përdorja, por kisha shumë qejf të ndihmoja mamin e babin teksa u tregonin vizitave dhe studimeve biblike fjalimet e regjistruara të vëlla Radhërfordit.

Me prindërit pranë makinës sonë me altoparlant

Fordin tonë, prodhim i 1936-s, babi e ktheu në makinë me altoparlant, duke i vendosur sipër një megafon. Kjo makinë na bëri goxha punë që të përhapnim mesazhin për Mbretërinë. Zakonisht fillonim me një pjesë muzikore për të tërhequr vëmendjen, pastaj vendosnim një fjalim biblik të regjistruar. Kur mbaronte fjalimi, u ofronim literaturë të interesuarve.

Në qytezën e vogël të Çerivelit, në Kanzas, policia i tha tim eti të mos e linte në park makinën me altoparlant, ku shumë njerëz shkonin për t’u çlodhur të dielave, ama jashtë parkut s’kishte problem. Ndaj, pa kundërshtuar aspak, babi e lëvizi makinën në rrugën aty afër, përballë parkut, ku mesazhi ende mund të dëgjohej kollaj, dhe vazhdoi me programin. Sa emocionuese ishin ato ditë shërbimi me babin dhe me vëllanë e madh, Xherrin!

Nga fundi i viteve 30 morëm pjesë në fushatat speciale «blic», që të mbulonim me shpejtësi territore ku kundërshtimi ishte i ashpër. Zgjoheshim që me natë (siç bëmë për në Xhoplin, Misuri) dhe fshehurazi vinim poshtë dyerve broshura ose fletushka. Pastaj takoheshim jashtë qytetit dhe shihnim nëse policia kishte kapur e kishte arrestuar ndonjë.

Gjatë atyre viteve, një veçori tjetër emocionuese e shërbimit ishte marshimi informues. Për të shpallur Mbretërinë, vishnim pankarta, viheshim në rresht dhe marshonim nëpër qytet. Më kujtohet një marshim i tillë në qytezën tonë kur motrat e vëllezërit kishin veshur pankarta me fjalët «Feja është një lak dhe një mashtrim». Marshuan nëpër qytezë për thuajse 1,6 km, pastaj erdhën te shtëpia jonë. Sa mirë që në atë marshim nuk hasën asnjë kundërshtim, përkundrazi vetëm sy kureshtarë.

KONGRESET E PARA

Për të ndjekur kongreset, shpesh udhëtonim me familjen nga Kanzasi për në Teksas. Meqë im atë punonte për hekurudhën Misuri-Kanzas-Teksas, mund të udhëtonim falas që të vizitonim të afërmit dhe të shkonim në kongrese. Daja i madh, Fred Uizmari, dhe e shoqja, Juleila, jetonin në Tempëll, Teksas. Daja Fredi e kishte njohur të vërtetën që në rini, në fillim të viteve 1900, ishte pagëzuar dhe kishte folur për këto të vërteta edhe me motrat e tij, përfshirë mamanë time. Vëllezërit në Teksasin Qendror e njihnin goxha mirë pasi kishte shërbyer si shërbëtor zone (siç quheshin atëherë mbikëqyrësit qarkorë). Ishte njeri zemërmirë, i lumtur dhe ishte gjithnjë kënaqësi të rrije me të. Kishte zell për të vërtetën dhe, pa diskutim, ishte shembull i shkëlqyer për mua kur isha i vogël.

Në vitin 1941 shkuam me tren si familje në Sent-Luis, Misuri, për një kongres të madh. Të gjithë fëmijët në auditor i ftuan të uleshin bashkë në një sektor të veçantë, për të dëgjuar fjalimin e vëlla Radhërfordit me titull «Fëmijë të Mbretit». Sa surprizë e bukur ishte që në fund të fjalimit secili nga ne mori si dhuratë librin e ri Fëmijët, që na i dhanë vetë vëlla Radhërfordi dhe ndihmësit e tij! Ishim mbi 15.000 fëmijë që u kënaqëm me këtë dhuratë nga Jehovai.

Në prill të 1943-shit shijuam asamblenë e vogël, por historike, me temë «Thirrje për aksion», në Kofivill, Kanzas. Aty u njoftua për herë të parë se do të niste Shkolla e Shërbimit Teokratik, e cila do të zhvillohej në të gjitha kongregacionet, dhe doli një broshurë me 52 mësime që do të përdorej në këtë shkollë. Pak më vonë atë vit, mbajta fjalimin e parë në këtë shkollë. Ajo asamble ishte speciale edhe për një arsye tjetër. Bashkë me disa të tjerë u pagëzova në rezervuarin akull të ftohtë të një ferme aty pranë.

ËNDRRA IME—SHËRBIMI NË BETHEL

Në 1951-shin mbarova shkollën dhe duhej të merrja ca vendime për të ardhmen. Doja me gjithë shpirt të shërbeja në Bethel, ku kishte shërbyer edhe Xherri, ndaj dërgova kërkesën në zyrën e Bruklinit. Ky vendim u kthye në bekim të pashoq, pasi falë tij arrita t’i shërbeja Jehovait më plotësisht. Pa kaluar shumë, kërkesa u miratua dhe më 10 mars 1952 nisa shërbimin në Bethel.

Shpresoja të punoja në shtypshkronjë që të jepja një dorë në prodhimin e revistave dhe të botimeve të tjera. Megjithatë, caktimi i parë ishte si kamerier e pastaj në kuzhinë, një eksperiencë e lezetshme nga e cila mësova goxha. Nuk punova asnjëherë në shtypshkronjë. Gjithsesi, programi i punës për stafin e kuzhinës doli shumë dobiprurës për mua, pasi gjatë ditës kisha ca kohë të lirë që të bëja studim personal në bibliotekën e pasur të Bethelit. Kjo më ndihmoi të përparoja e të forcoja besimin. Më forcoi edhe vendosmërinë t’i shërbeja Jehovait në Bethel sa më gjatë të ishte e mundur. Xherri e ndërpreu shërbimin në Bethel në vitin 1949 dhe u martua me Patrishën, por jetonin afër në Bruklin. Të dy më ndihmuan dhe më dhanë shumë zemër gjatë viteve të para në Bethel.

Pak pasi mbërrita në Bethel, po bënin prova që të shtonin të tjerë në listën e oratorëve të Bethelit. Vëllezërit në këtë listë caktoheshin që, gjatë vitit, të vizitonin kongregacione në një rreze prej rreth 320 km në Bruklin, për të mbajtur një fjalim publik dhe për të predikuar bashkë me ta. Pata privilegjin të isha pjesë e kësaj liste. Edhe pse në tension, nisa të mbaja fjalimin e parë publik që në atë kohë zgjaste një orë plot. Zakonisht për këto vizita shkoja me tren. Akoma s’e harroj ç’më ndodhi pasditen e një të diele dimri të vitit 1954. Mora trenin për në Nju-Jork dhe supozohej të mbërrija në Bethel orët e para të mbrëmjes. Mirëpo shpërtheu një stuhi e furishme bore. Motorët elektrikë të trenit bënë masë dhe na u desh të pritnim për disa orë. Më në fund mbërrita në stacionin New York City rreth orës pesë, mëngjesin e së hënës. Që atje mora metronë për në Bruklin dhe shkova drejt e në punë, në kuzhinë. Isha pak vonë dhe shumë i lodhur se s’kisha vënë gjumë në sy gjithë natën. Prapëseprapë, vështirësi të tilla as që krahasoheshin me kënaqësinë që provoja kur u shërbeja të tjerëve dhe kur takoja kaq shumë motra e vëllezër të rinj në ato fundjavë speciale shërbimi.

Duke u përgatitur për transmetim nga studioja e WBBR

Gjatë viteve të para në Bethel, më ftuan të merrja pjesë në transmetimet e radios WBBR. Në atë kohë studiot gjendeshin në katin e dytë të godinës 124 Columbia Heights. Në radio transmetohej edhe një program i përjavshëm për studimin e Biblës dhe unë isha një prej personazheve. Vëlla Mekmillëni, anëtar i familjes Bethel prej shumë kohësh, merrte pjesë rregullisht në këto programe radiofonike. Me përzemërsi i thërritnim vëlla Mek dhe ishte një shembull fantastik qëndrueshmërie në shërbim të Jehovait për ne të rinjtë në familje.

Për të nxitur interesin, në predikim jepnim fletushka për WBBR

Më 1958 më ftuan të bashkëpunoja me Shkollën e Galaadit. Puna ime ishte të ndihmoja të diplomuarit që të merrnin vizat dhe të organizoja udhëtimin për këta burra e gra plot zell. Në ato vite biletat e avionëve kushtonin, ndaj vetëm pak të diplomuar udhëtonin me avion. Shumica e atyre që shkuan në Afrikë dhe në Lindjen e Largme udhëtuan me anije mallrash. Kur nisën linjat ajrore për pasagjerë, çmimi i biletave ra ndjeshëm dhe shpejt shumica e misionarëve u dërguan në caktimet e tyre me avion.

Duke u marrë me diplomat e Galaadit para programit të diplomimit

UDHËTIMET PËR KONGRESE

Në vitin 1960 puna ime u zgjerua kur duhej të organizoja fluturime çarter nga Shtetet e Bashkuara drejt Evropës për kongreset ndërkombëtare të vitit 1961. Edhe unë u nisa për një kongres të tillë nga Nju-Jorku për në Hamburg, Gjermani. Pas kongresit, bashkë me tre vëllezër bethelitë morëm një makinë me qira, udhëtuam nga Gjermania për në Itali dhe vizituam zyrën e degës në Romë. Që andej u nisëm drejt Francës, kaluam malet Pirenej dhe mbërritëm në Spanjë, ku vepra e predikimit ishte e ndaluar. Në Barcelonë arritëm t’u linim vëllezërve ca botime, të cilat i kishim paketuar që të dukeshin si dhurata. Takimi me ta ishte tejet emocionues! Pastaj shkuam në Amsterdam dhe prej atje morëm avionin për në Nju-Jork.

Rreth një vit më vonë u mora edhe me organizimin e udhëtimit për delegatët që ishin zgjedhur të ndiqnin serinë speciale të kongreseve ndërkombëtare në mbarë globin. Ishte kongresi i vitit 1963 me temë «Lajmi i mirë i përhershëm». U morën masa që 583 delegatë të udhëtonin përreth globit për të ndjekur këto kongrese në Evropë, Azi dhe në Paqësorin Jugor. Turi mbaronte në Honolulu, Havai, dhe në Pasadenë, Kaliforni. Në këtë itinerar përfshiheshin edhe ndalesa në Liban dhe në Jordani për vizita speciale në vendet biblike. Përveç rezervimit të fluturimeve dhe të hoteleve, reparti ynë kujdesej edhe për vizat që duheshin për ndalesat në vende të ndryshme.

GJEJ NJË SHOQE UDHËTIMI

Viti 1963 ishte historik për mua edhe për një arsye tjetër të mrekullueshme. Më 29 qershor u martova me Lajla Roxhersin nga Misuri, e cila shërbente në Bethel prej tre vjetësh. Një javë pas dasmës u nisëm për të ndjekur këtë seri kongresesh dhe vizituam Greqinë, Egjiptin e Libanin. Më pas bëmë një fluturim të shkurtër nga Bejruti në aeroportin e vogël të Jordanisë. Meqë vepra jonë në Jordani ishte e kufizuar dhe na kishin thënë se Dëshmitarëve të Jehovait nuk u jepnin viza për të hyrë në vend, s’e dinim ç’do të ndodhte kur të mbërrinim. Çfarë surprize e bukur kur një grup me motra e vëllezër na pritën në aeroport me një banderolë ku shkruhej «Mirë se erdhët, Dëshmitarë të Jehovait!» Dhe sa emocionuese t’i shihnim me sytë tanë vendet biblike! Vizituam vende ku kishin jetuar patriarkët e lashtë, ku kishin predikuar Jezui dhe apostujt dhe nga ku krishterimi nisi të përhapej në çdo cep të botës.—Vep. 13:47.

Këto 55 vite Lajla ka qenë një shoqe besnike në të gjitha caktimet tona të shërbimit. Kemi vizituar disa herë Spanjën dhe Portugalinë kur vepra në këto vende ishte nën ndalim. U jepnim zemër vëllezërve e motrave dhe çonim literaturë e gjëra të tjera të nevojshme. Patëm mundësi edhe të takonim disa vëllezër të burgosur në një fortesë të vjetër ushtarake në Kadiks të Spanjës. Më hovi zemra nga gëzimi që m’u dha rasti t’i forcoja me anë të një fjalimi biblik.

Me Patrisha dhe Xherri Molohanin rrugës për në kongresin e 1969-s me temë «Paqe në tokë»

Që nga viti 1963 kam pasur privilegjin të ndihmoj me organizimin e tureve për kongreset ndërkombëtare në Afrikë, Amerikën Qendrore dhe Jugore, Australi, Evropë, Havai, Lindjen e Largme, Porto-Riko dhe në Zelandën e Re. Bashkë me Lajlën kemi shijuar kongrese të paharrueshme, si ai i 1989-s në Varshavë, Poloni. Kishin ardhur shumë vëllezër nga Rusia për të ndjekur këtë kongres të madh—i pari në jetën e tyre! Disa nga vëllezërit e motrat që takuam, kishin qenë për vite të tëra në burgjet sovjetike për shkak të besimit.

Ka qenë një privilegj i pashoq të vizitoja zyra dege përreth botës që të forcoja e të inkurajoja familjet Bethel dhe misionarët. Në vizitën e fundit në degën e Koresë së Jugut takuam 50 vëllezër në një burg në Suon. Të gjithë ishin pozitivë dhe mezi pritnin të fillonin sërish shërbimin. Takimi me ta na inkurajoi pa masë!—Rom. 1:11, 12.

RRITJA SJELL GËZIM

Kam parë me sytë e mi si e ka bekuar Jehovai popullin e tij gjatë këtyre viteve. Në vitin 1943, kur u pagëzova, ishim diku te 100.000 lajmëtarë, kurse tani më tepër se 8.000.000 veta po i shërbejnë Jehovait në 240 vende. Në këtë rritje kanë kontribuar goxha edhe të diplomuarit e Galaadit me punën e tyre të palodhur. Gjatë viteve ka qenë një kënaqësi e vërtetë të bashkëpunoja nga afër me shumë prej këtyre misionarëve e t’i ndihmoja të shkonin në caktimet e tyre.

Jam mjaft i kënaqur që në rini vendosa të zgjeroja shërbimin dhe plotësova kërkesën për në Bethel. Jehovai më ka bekuar me bollëk në çdo hap. Përveç gëzimit që na ka sjellë shërbimi në Bethel, me Lajlën kemi shijuar për dekada veprën e predikimit me disa kongregacione në Bruklin, ku kemi lidhur miqësi jetëgjata.

Falë mbështetjes së përditshme të Lajlës, vazhdoj akoma të shërbej në Bethel. Edhe pse tani jam mbi 84 vjeç, bëj ende një punë domethënëse, duke ndihmuar me korrespondencën e degës.

Me Lajlën sot

Çfarë kënaqësie të jesh pjesë e organizatës së mrekullueshme të Jehovait e të vëresh hendekun e thellë mes atyre që i shërbejnë Atij dhe atyre që nuk i shërbejnë. I kuptojmë më qartë fjalët e Malakisë 3:18: «Keni për ta parë përsëri dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.» Çdo ditë shohim se sistemi i Satanait po thërrmohet e se shumica s’kanë fije shprese dhe janë fare pak të kënaqur. Ama, kush i shërben Jehovait, është i lumtur, madje edhe në këto kohë kritike, si edhe ka një shpresë të sigurt për të ardhmen. Sa privilegj i madh është të flasim për lajmin e mirë për Mbretërinë! (Mat. 24:14) Mezi presim ditën, që tani është te pragu, kur Mbretëria e Perëndisë t’i japë fund kësaj bote të vjetër dhe t’i çelë rrugën botës së re me të gjitha bekimet e premtuara, si shëndet i plotë dhe jetë e pafund. Atëherë shërbëtorët besnikë të Jehovait do të shijojnë jetën përgjithmonë këtu në tokë.