Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 25

Mos i pengo ‘këta të vegjël’

Mos i pengo ‘këta të vegjël’

«Mos përbuzni një nga këta të vegjlit.»​—MAT. 18:10.

KËNGA 113 Paqja që gëzon populli i Perëndisë

PËRMBLEDHJE *

1. Si e ka treguar Jehovai dashurinë për secilin nga ne?

JEHOVAI e ka tërhequr secilin nga ne drejt vetes. (Gjoni 6:44) Mendo çfarë do të thotë kjo. Ndërsa shqyrtonte zemrat e miliarda njerëzve në botë, Jehovai pa te ti diçka të çmuar—një zemër të sinqertë ku mund të lulëzonte dashuria për të. (1 Kron. 28:9) Jehovai të njeh, të kupton dhe të do, e kjo patjetër ta ngroh zemrën pa masë!

2. Cilin ilustrim bëri Jezui për të treguar sa merakoset Jehovai për çdo dele të Tij?

2 Jehovai ka dashuri të thellë për ty. Po njësoj i do edhe të gjithë motrat e vëllezërit e tu. Jezui e ilustroi këtë duke e krahasuar Jehovain me një bari. Nëse 1 nga 100 delet e tufës së tij humb rrugën, çfarë bën bariu? ‘I lë 99 në male, që të shkojë të kërkojë atë që ka humbur rrugën.’ Dhe kur e gjen, bariu nuk e trajton ashpër ngaqë humbi rrugën. Përkundrazi, gëzon. Çfarë nxjerr në pah kjo? Për Jehovain, çdo dele është e rëndësishme. Jezui tha: «Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.»—Mat. 18:12-14.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Patjetër që nuk duam kurrë të shkurajojmë ndonjë vëlla a motër. Po çfarë mund të bëjmë që të mos i pengojmë? Dhe si të veprojmë nëse dikush na lëndon? Para se t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve, të kuptojmë kush janë «të vegjlit» që përmenden te kapitulli 18 i Mateut.

KUSH JANË «TË VEGJLIT»?

4. Kush janë «të vegjlit»?

4 «Të vegjlit» janë dishepujt e Jezuit të çdo moshe. Pavarësisht nga mosha, ata janë «si fëmijë të vegjël» në kuptimin që janë të etur të mësojnë nga Jezui. (Mat. 18:3) Ndonëse kanë prejardhje, kulturë, pikëpamje dhe personalitete të ndryshme, të gjithë tregojnë besim te Krishti. Dhe Jezui ka dashuri të thellë për ta.—Mat. 18:6; Gjoni 1:12.

5. Si ndihet Jehovai kur dikush pengon ose lëndon një nga shërbëtorët e tij?

5 Të gjithë ‘këta të vegjël’ janë të çmuar për Jehovain. Për të kuptuar si ndihet ai, të mendojmë si ndihemi ne për fëmijët. Ata janë të çmuar për ne. Duam t’i mbrojmë sepse nuk kanë forcën, përvojën dhe mençurinë e të rriturve. Kur shohim se dikush është lënduar, ndihemi keq. Aq më tepër mërzitemi, madje edhe zemërohemi, kur dikush lëndon një fëmijë. Po njësoj, Jehovai dëshiron të na mbrojë. Ai mërzitet, madje edhe zemërohet, kur dikush pengon ose lëndon një nga shërbëtorët e tij.—Isa. 63:9; Mar. 9:42.

6. Sipas 1 Korintasve 1:26-29, si i sheh bota dishepujt e Jezuit?

6 Në ç’kuptim tjetër janë si «të vegjlit» dishepujt e Jezuit? Mendo pak, cilët konsideron bota të rëndësishëm? Njerëzit e pasur, të famshëm dhe të pushtetshëm. Krejt ndryshe, dishepujt e Jezuit duken si ‘të vegjël’ të parëndësishëm, të papërfillshëm. (Lexo 1 Korintasve 1:26-29.) Por Jehovai nuk i sheh aspak kështu.

7. Si dëshiron Jehovai të ndihemi për vëllezërit e motrat tona?

7 Jehovai i do të gjithë shërbëtorët e tij, qoftë ata që i shërbejnë prej vitesh, qoftë ata që janë të rinj në të vërtetën. Të gjithë motrat e vëllezërit tanë janë të rëndësishëm për Jehovain, prandaj duhet të jenë të rëndësishëm edhe për ne. Duam të kemi «dashuri për gjithë vëllezërit në besim», jo vetëm për disa. (1 Pjet. 2:17) Duhet të bëjmë të pamundurën që të mos i lëndojmë dhe që t’u tregojmë se i duam. Nëse kuptojmë se kemi lënduar ose ofenduar një bashkëbesimtar, të mos sillemi sikur s’ka ndodhur gjë, me mendimin se ai është tepër i ndjeshëm dhe duhet ta hedhë pas krahëve problemin. Pse mund të ofendohen disa? Për shkak të mënyrës si janë rritur, ndoshta disa vëllezër e motra nuk kanë shumë vlerësim për veten. Të tjerë janë të rinj në të vërtetën dhe nuk kanë mësuar akoma si t’i përballojnë papërsosmëritë e të tjerëve. Sido që të jetë, duhet të bëjmë çmos të rivendosim paqen. Veç kësaj, dikush që ka prirjen të ofendohet shpejt, ka nevojë të kuptojë se kjo është një cilësi e papëlqyeshme, me të cilën duhet të punojë. Është e nevojshme ta bëjë këtë për të pasur vetë paqe mendore dhe për të mirën e të tjerëve.

KONSIDEROJI TË TJERËT MË TË LARTË SE VETEN

8. Cili qëndrim i shoqërisë judaike ndikoi te dishepujt e Jezuit?

8 Pse foli për «të vegjlit» Jezui? Pak më parë dishepujt e kishin pyetur: «Kush është më i madhi në Mbretërinë e qiejve?» (Mat. 18:1) Për shumë judenj në atë kohë kishte rëndësi të madhe pozita dhe rangu në shoqëri. Një studiues thotë: «Njerëzit jetonin dhe vdisnin duke u rrekur të fitonin nderim, reputacion, famë, miratim dhe respektin e të tjerëve.»

9. Çfarë duhej të bënin dishepujt e Jezuit?

9 Jezui e dinte se dishepujve të tij do t’u duhej të përpiqeshin fort për ta çrrënjosur nga zemra frymën e konkurrencës që ishte ngulitur thellë në shoqërinë judaike. Ai u tha: «Ai që është më i madhi ndër ju, të bëhet si më i vogli, dhe ai që drejton, të bëhet si ai që shërben.» (Luka 22:26) Ne sillemi si «më i vogli» kur ‘i konsiderojmë të tjerët më të lartë se veten’. (Filip. 2:3) Sa më shumë ta zhvillojmë këtë qëndrim, aq më pak gjasa ka të bëhemi pengesë për të tjerët.

10. Cilës këshillë të Pavlit duhet t’ia vëmë veshin?

10 Të gjithë vëllezërit e motrat qëndrojnë më lart se ne në një mënyrë a në një tjetër. Këtë e kuptojmë kollaj kur përqendrohemi te cilësitë e tyre pozitive. Duhet t’ia vëmë veshin këshillës që u dha apostulli Pavël korintasve: «Çfarë të bën ty më të mirë se një tjetër? Në të vërtetë, ç’gjë ke ti që nuk ta kanë dhënë? E nëse faktikisht e ke dhuratë, pse mburresh sikur e ke marrë me forcat e tua?» (1 Kor. 4:7) Duhet ta luftojmë prirjen për ta drejtuar vëmendjen te vetja ose për të menduar se jemi më të mirë se të tjerët. Për shembull, një vëlla që mban fjalime motivuese ose një motër që është e zonja të fillojë studime, duhet t’ia japë lavdinë Jehovait në çdo rast.

FAL «ME GJITHË ZEMËR»

11. Çfarë na mëson ilustrimi i Jezuit për një mbret dhe skllavin e tij?

11 Pasi i paralajmëroi dishepujt që të mos i pengonin të tjerët, Jezui bëri ilustrimin për një mbret dhe skllavin e tij. Mbreti i fali skllavit një borxh të madh që s’mund ta shlyente kurrë. Më vonë, skllavi nuk deshi t’i falte një borxh shumë më të vogël një skllavi tjetër. Si përfundim, mbreti e flaku në burg skllavin e pamëshirshëm. Cili është mësimi që nxjerrim? Jezui tha: «Po kështu do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju, nëse secili nuk e fal vëllanë e vet me gjithë zemër.»—Mat. 18:21-35.

12. Si i lëndojmë të tjerët kur nuk pranojmë të falim dikë?

12 Me mënyrën si veproi, skllavi i bëri dëm jo vetëm vetes, por edhe të tjerëve. Së pari, ai dëmtoi skllavin tjetër ngaqë u tregua i pashpirt «dhe e futi në burg, derisa t’i kthente borxhin». Së dyti, lëndoi edhe skllevërit që e panë çfarë bëri. Në fakt, kur «skllevërit e tjerë panë ç’ndodhi, u mërzitën shumë». Po njësoj, veprimet tona ndikojnë te të tjerët. Çfarë ndodh nëse dikush na ka trajtuar keq dhe nuk duam ta falim? Së pari, lëndojmë atë ngaqë nuk pranojmë ta falim, e shpërfillim dhe nuk i tregojmë dashuri. Së dyti, vëmë në siklet të tjerët në kongregacion, sepse shohin që mes nesh nuk ka paqe.

A do të mbash mëri apo do të falësh me gjithë zemër? (Shih paragrafët 13-14) *

13. Çfarë mëson nga shembulli i një pioniereje?

13 Kur i falim vëllezërit dhe motrat, i bëjmë mirë vetes dhe të tjerëve. Të mendojmë për shembullin e një pioniereje, që do ta quajmë Klara. Atë e lëndonte një motër në kongregacion. Klara kujton: «Ndonjëherë fjalët e saj ishin aq të vrazhda, saqë më thernin në zemër. Nuk doja as të dilja në shërbim me të. Filloi të më venitej zelli dhe gëzimi.» Klara mendonte se kishte arsye të forta për t’u acaruar. Por nuk lejoi të mblidhte mllef në zemër ose t’i vinte gjynah për veten. Me përulësi zbatoi këshillën që jep Bibla e që shqyrtohet më thellë tek artikulli «Të falim me gjithë zemër» në Kullën e Rojës të 15 tetorit 1999. Ajo e fali motrën. Klara thotë: «Tani e kam të qartë se të gjithë po luftojmë të veshim personalitetin e ri dhe se Jehovai na fal çdo ditë bujarisht. Ndihem sikur kam hequr një mal nga supet. Më është kthyer sërish gëzimi.»

14. Me cilat ndjenja mund të ketë luftuar apostulli Pjetër, dhe çfarë mësojmë nga përgjigjja e Jezuit? (Mateu 18:21, 22)

14 E dimë se duhet të falim, se kjo është gjëja e duhur. Por mund ta kemi të vështirë të falim. Edhe apostulli Pjetër mund të jetë ndier hera-herës kështu. (Lexo Mateun 18:21, 22.) Çfarë mund të na ndihmojë? Së pari, medito për gjithë ato herë që të ka falur Jehovai. (Mat. 18:32, 33) Edhe pse nuk e meritojmë faljen e tij, Jehovai na fal pa u kursyer. (Psal. 103:8-10) E ndërkohë ne «e kemi për detyrë ta duam njëri-tjetrin». Pra, të falësh nuk është çështje zgjedhjeje. Kemi detyrimin ndaj vëllezërve e motrave që t’i falim. (1 Gjon. 4:11) Së dyti, medito çfarë ndodh kur falim. Ndihmojmë atë që na ka lënduar, nxitim unitetin në kongregacion, mbrojmë miqësinë me Jehovain dhe heqim një mal nga supet. (2 Kor. 2:7; Kolos. 3:14) Së treti, lutju Atij që na kërkon t’i falim të tjerët. Mos i jep asnjë mundësi Satanait të prishë paqen që gëzon me vëllezërit e motrat. (Efes. 4:26, 27) Për të mos rënë në këtë kurth të Satanait, kemi nevojë për ndihmë nga Jehovai.

MOS LEJO ASGJË TË TË PENGOJË

15. Sipas Kolosianëve 3:13, çfarë mund të bëjmë nëse na trazojnë veprimet e një vëllai ose të një motre?

15 Po nëse një bashkëbesimtar ka vepruar në një mënyrë që të trazon përbrenda? Çfarë duhet të bësh? Përpiqu me të gjitha forcat të ruash paqen. Lutju me zjarr Jehovait. Lutu për të mirën e atij që të ofendoi dhe kërkoji të të ndihmojë të shohësh cilësitë e bukura tek ai—ato cilësi që e bëjnë të shtrenjtë në sytë e Jehovait. (Luka 6:28) Nëse nuk e hedh dot pas krahëve atë që ka bërë, mendo në ç’mënyrë mund t’i flasësh për këtë. Gjëja më e mirë është të besosh se vëllai nuk do të të lëndonte kurrë me dashje. (Mat. 5:23, 24; 1 Kor. 13:7) Kur të bisedoni, mos dysho te motivet e tij. Po nëse nuk dëshiron të bëjë paqe? ‘Vazhdo ta durosh.’ Mos i humb shpresat se do të ndryshojë. (Lexo Kolosianëve 3:13.) Dhe ç’është më e rëndësishmja, kurrë mos ushqe mëri, sepse kjo mund të dëmtojë miqësinë tënde me Jehovain. Mos lejo asgjë të të pengojë. Kështu do të tregosh se e do Jehovain mbi gjithçka.—Psal. 119:165.

16. Çfarë përgjegjësie ka secili prej nesh?

16 E çmojmë privilegjin që t’i shërbejmë Jehovait në unitet si «një kope e vetme» nën «një bari të vetëm»! (Gjoni 10:16) Libri Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, në faqen 165 thotë: «Tani që po nxjerr dobi nga ky unitet, duhet të bësh pjesën tënde për ta ruajtur.» Pra, duhet të «përpiqemi t’i shohim vëllezërit dhe motrat tona siç i sheh Jehovai». Për Jehovain, të gjithë «të vegjlit» janë të çmuar. A i sheh kështu vëllezërit e motrat? Jehovai vëren dhe çmon çdo gjë që bën për t’i ndihmuar e për t’u treguar dashuri.—Mat. 10:42.

17. Për çfarë jemi të vendosur?

17 Ne i duam vëllezërit dhe motrat. Prandaj jemi ‘të vendosur të mos bëjmë asgjë që do të pengonte’ ose do të lëndonte ndonjë prej tyre. (Rom. 14:13) I konsiderojmë vëllezërit e motrat më të lartë se veten dhe duam t’i falim me gjithë zemër. Mos lejofshim kurrë të na pengojë diçka që thonë ose bëjnë të tjerët! Përkundrazi, le «të bëjmë çmos t’i hapim rrugë paqes dhe të forcojmë njëri-tjetrin».—Rom. 14:19.

KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin

^ par. 5 Për shkak të papërsosmërisë, mund të bëjmë ose të themi gjëra që i lëndojnë vëllezërit e motrat. Si reagojmë më pas? A bëjmë çmos ta ndreqim marrëdhënien me ta? A u kërkojmë falje pa vonesë? Apo mendojmë se nëse janë lënduar, është problemi i tyre, jo yni? Po nëse ne vetë kemi prirjen të ofendohemi kollaj nga fjalët ose veprimet e të tjerëve? A e justifikojmë reagimin tonë duke thënë se kështu jemi e nuk mund të ndryshojmë? Apo e shohim reagimin tonë si një dobësi që duhet ta mposhtim?

^ par. 53 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një motër është mërzitur me një motër tjetër në kongregacion. Pasi e zgjidhin problemin privatisht, e hedhin pas krahëve atë që ndodhi dhe shërbejnë së bashku të gëzuara.