A e dini?
Çfarë roli luanin kujdestarët në kohët e lashta?
NË KOHËT e lashta, një kujdestar administronte shtëpinë ose pronën e dikujt tjetër. Fjalët hebraike dhe greke që përkthehen «kujdestar», ndonjëherë i referohen mbikëqyrësit ose administruesit të shtëpisë.
Kur ishte skllav në Egjipt, Jozefi, djali i patriarkut Jakob, u bë kujdestar i shtëpisë së zotërisë së tij. Në fakt, zotëria i tij egjiptian «i la në dorë Jozefit gjithçka». (Zan. 39:2-6) Më vonë, kur u bë sundimtar i fuqishëm në Egjipt, Jozefi caktoi një kujdestar për shtëpinë e vet.—Zan. 44:4.
Në kohën e Jezuit, pronarët e tokave shpesh jetonin në qytete, larg fermave të tyre. Prandaj ata caktonin kujdestarë për të mbikëqyrur punën që bëhej çdo ditë në to.
Kush kualifikohej si kujdestar? Shkrimtari romak i shekullit të parë, Kolumela, këshillonte se një skllav që caktohej si mbikëqyrës ose kujdestar, duhej të kishte dhënë «prova se e bënte punën mirë». Ai duhej «të kishte cilësi të tilla që do ta ndihmonin ta ushtronte autoritetin pa qenë as i shkujdesur, as i ashpër». Më pas shtonte: «Mbi të gjitha, nga një kujdestar kërkohet të mos mendojë se di çdo gjë dhe të ketë gjithnjë dëshirën për të mësuar.»
Fjala e Perëndisë e përdor shembullin e kujdestarit dhe të rolit të tij për të ilustruar disa nga aktivitetet që bëheshin në kongregacionin e krishterë. Për shembull, apostulli Pjetër na inkurajon t’i përdorim aftësitë që na ka dhënë Perëndia ‘për t’i shërbyer njëri-tjetrit si kujdestarë të shkëlqyer të mirësisë së pamerituar të Perëndisë’.—1 Pjet. 4:10, nwt.
Vetë Jezui e përdori shembullin e kujdestarit në një ilustrim që gjendet te Luka 16:1-8. Veç kësaj, në një profeci për shenjën e pranisë së tij si Mbret, Jezui i siguroi dishepujt e tij se do të emëronte një ‘skllav besnik dhe të mençur’ ose një ‘kujdestar besnik’. Ky kujdestar do të kishte si caktim kryesor t’u siguronte vazhdimisht ushqim nga Bibla dishepujve të Krishtit gjatë kohës së fundit. (Mat. 24:45-47, nwt; Luka 12:42, nwt) Jemi shumë mirënjohës për botimet besimforcuese që përgatit dhe vë në dispozicion në mbarë botën kujdestari besnik.