«Puna është e madhe»
ËSHTË koha për një mbledhje shumë të rëndësishme në Jerusalem. Mbreti David ka thirrur gjithë princat, zyrtarët e oborrit dhe burrat e fuqishëm. Sa entuziazmohen ata kur dëgjojnë një njoftim të veçantë! Jehovai ka caktuar birin e Davidit, Solomonin, që të ngrejë një ndërtesë të jashtëzakonshme kushtuar adhurimit të Perëndisë së vërtetë. Mbreti i moshuar i Izraelit ka marrë nën frymëzim projektin arkitekturor dhe ia ka dhënë Solomonit. Davidi thotë: «Puna është e madhe, sepse kështjella [tempulli] nuk është për njeriun, por për Perëndinë Jehova.»—1 Kron. 28:1, 2, 6, 11, 12; 29:1.
Pastaj Davidi ngre këtë pyetje: «Kush del vullnetar për të ardhur sot duarplot para Jehovait?» (1 Kron. 29:5) Po të ishe aty, si do t’i përgjigjeshe kësaj ftese? A do të nxiteshe të mbështetje atë punë kolosale? Izraelitët u hodhën në veprim. Po, ata ‘s’e mbanin dot gëzimin pasi blatimet vullnetare që i bënë Jehovait, ia bënë me gjithë zemër’.—1 Kron. 29:9.
Shekuj më vonë, Jehovai ngriti diçka shumë më të madhe se tempulli. Ai themeloi tempullin e madh frymor—masa që njerëzit t’i afrohen për ta adhuruar në bazë të flijimit të Jezuit. (Hebr. 9:11, 12) Si po i ndihmon sot Jehovai njerëzit që të pajtohen me të? Nëpërmjet veprës së bërjes së dishepujve. (Mat. 28:19, 20) Si rezultat i kësaj vepre, çdo vit drejtohen miliona studime biblike, pagëzohen mijëra dishepuj dhe formohen me qindra kongregacione të reja.
Nga ana tjetër, kjo rritje kërkon që të shtypen më shumë botime biblike, të ndërtohen e të mirëmbahen Salla Mbretërie dhe të sigurohen vende për asamble e kongrese. A nuk je dakord se vepra jonë e predikimit të lajmit të mirë është një punë kolosale dhe shpërblyese?—Mat. 24:14.
Dashuria për Perëndinë e për njerëzit dhe fakti që vepra e predikimit për Mbretërinë është urgjente, e shtyn popullin e Perëndisë ‘të vijë duarplot para Jehovait’ duke bërë kontribute vullnetare. Sa emocionuese është ‘të nderojmë Jehovain me gjërat tona me vlerë’ dhe të shohim si përdoren me besueshmëri e maturi këto të ardhura për veprën më të madhe në historinë e njerëzimit!—Prov. 3:9.