Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’u japim nderim atyre që u takon

T’u japim nderim atyre që u takon

«Ai që rri ulur në fron dhe Qengji paçin bekimin, nderimin, lavdinë dhe fuqinë në jetë të jetëve!»​—ZBUL. 5:13.

KËNGËT: 10, 16

1. Pse mund të meritojnë të nderohen disa persona, dhe çfarë do të shqyrtojmë tani?

TË NDEROSH dikë do të thotë t’i kushtosh vëmendje të veçantë dhe t’i tregosh respekt. Me të drejtë, do të prisnim që një person i denjë për një vëmendje e respekt të tillë të ketë bërë diçka që meriton nderim ose të shërbejë në një pozitë të veçantë. Prandaj mund të pyesim: cilët duhet të nderojmë, dhe pse e meritojnë një nderim të tillë?

2, 3. (a) Pse Jehovai është i denjë mbi të gjithë që të nderohet? (Shih figurën hapëse.) (b) Kush është Qengji i përmendur te Zbulesa 5:13, dhe pse është i denjë të nderohet?

2 Siç tregon Zbulesa 5:13, «Ai që rri ulur në fron dhe Qengji» pa dyshim që meritojnë të nderohen. Në kapitullin 4 të të njëjtit libër biblik vërejmë një arsye pse meriton të nderohet Jehovai. Krijesat frymore që jetojnë në qiell ngrenë zërat për të lëvduar Jehovain, ‘Atë që rron në jetë të jetëve’. Ato shpallin: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.»​—Zbul. 4:9-11.

3 Qengji është Jezu Krishti, «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës». (Gjoni 1:29) Bibla tregon se ai qëndron ku e ku më lart se të gjithë njerëzit që sundojnë ose që kanë sunduar si mbretër. Në të shpjegohet se ai është «Mbreti i atyre që mbretërojnë dhe Zotëria i atyre që sundojnë si zotërinj, i vetmi që ka pavdekësinë, që banon në dritë të paafrueshme, të cilin nuk e ka parë askush e as që mund ta shohë». (1 Tim. 6:14-16) E fundja, cili mbret tjetër në histori ka vdekur me gatishmëri si shpërblesë për mëkatet tona? A nuk të shtyn zemra të bashkohesh me mijëra e mijëra krijesat qiellore që shpallin: «Qengji që u ther, është i denjë të marrë fuqinë, pasurinë, mençurinë, forcën, nderimin, lavdinë dhe bekimin.»​—Zbul. 5:12.

4. Pse nuk është çështje zgjedhjeje të nderojmë Jehovain dhe Krishtin?

4 Të nderosh Jehovain dhe Krishtin nuk është çështje zgjedhjeje. Nga kjo varet jeta jonë e përhershme. Fjalët e Jezuit te Gjoni 5:22, 23 na ndihmojnë ta kuptojmë fare qartë këtë. Ai tha: «Ati nuk gjykon njeri, por gjithë gjykimin ia ka lënë në dorë Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu si nderojnë Atin. Ai që nuk nderon Birin, nuk nderon as Atin që e dërgoi.»​—Lexo Psalmin 2:11, 12.

5. Pse duhet t’u tregojmë njëfarë nderimi dhe respekti njerëzve në përgjithësi?

5 Njerëzit u krijuan «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». (Zan. 1:27) Prandaj, ndonëse në shkallë të ndryshme, shumica e tyre shfaqin disa cilësi hyjnore. Njerëzit janë të aftë të tregojnë dashuri, mirëdashje e dhembshuri për njëri-tjetrin. Meqë janë krijuar me një ndërgjegje, njerëzit normalisht kanë një busull të brendshme​—edhe pse nganjëherë të pasaktë ose të shtrembëruar—​që i sinjalizon se çfarë është e drejtë ose e gabuar, e ndershme ose e pandershme, e përshtatshme ose e papërshtatshme. (Rom. 2:14, 15) Shumica ndihen të tërhequr ndaj gjërave të pastra e të bukura. Në përgjithësi, ata duan të jetojnë në paqe me të tjerët. Pavarësisht në e kuptojnë apo jo, njerëzit pasqyrojnë në njëfarë mase lavdinë e Jehovait, e për këtë arsye, meritojnë njëfarë nderimi dhe respekti.​—Psal. 8:5.

EKUILIBRI I DUHUR KUR NDEROJMË TË TJERËT

6, 7. Kur bëhet fjalë për të nderuar njerëzit, si ndryshojnë Dëshmitarët e Jehovait nga shumë të tjerë?

6 Nevojitet ekuilibër për të përcaktuar ç’lloj nderimi u duhet dhënë njerëzve dhe deri në ç’masë duhen nderuar. Te shumica e njerëzve të papërsosur ndikon fuqimisht fryma e botës së Satanait. Ja pse njerëzit kanë prirjen t’i bëjnë idhuj disa burra e gra, në vend se thjesht t’u tregojnë nderimin dhe respektin e duhur. Ata i ngrenë në piedestal udhëheqësit fetarë e politikë, yjet e sportit e të artit dhe njerëz të tjerë të famshëm, duke i konsideruar shpesh pothuajse mbinjerëzorë. Kështu, të rinj e të rritur i kanë si shembuj në jetë, e mbase imitojnë veshjen, sjelljen ose gjestet e tyre tipike.

7 Të krishterët e vërtetë e shmangin këtë pikëpamje të shtrembëruar për nderimin e njerëzve. Krishti është i vetmi njeri në histori të cilin mund ta konsiderojmë shembull të përsosur për t’u imituar. (1 Pjet. 2:21) Po t’u jepnim njerëzve më tepër nderim nga ç’u takon, do t’i shkaktonim pakënaqësi Perëndisë. Nuk duhet të harrojmë këtë të vërtetë themelore: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Rom. 3:23) Po, asnjë njeri nuk meriton atë lloj nderimi që është gati-gati idhujtari.

8, 9. (a) Si i shohin Dëshmitarët e Jehovait autoritetet qeveritare? (b) Deri në ç’masë është e përshtatshme të mbështetim autoritetet?

8 Disa individë në botë shërbejnë në pozita me autoritet. Autoritetet qeveritare pritet të mbrojnë ligjin e të ruajnë rendin dhe të kujdesen për nevojat e qytetarëve të tyre. Nga kjo nxjerrin dobi të gjithë. Ndaj apostulli Pavël i këshilloi të krishterët t’i shihnin autoritetet qeveritare si ‘autoritete më të larta’, të cilëve duhet t’u nënshtrohen. Ai i udhëzoi me këto fjalë: «Jepuni të gjithëve atë që u takon: taksën atij që kërkon taksën . . . dhe nderim atij që e kërkon këtë nderim.»​—Rom. 13:1, 7.

9 Me të drejtë, si Dëshmitarë të Jehovait i nderojmë me gatishmëri këta shërbëtorë publikë, madje ashtu siç pritet dhe siç mund të jetë zakon në vendin tonë. Bashkëpunojmë me ta teksa kryejnë detyrat e tyre. Patjetër që nderimi dhe mbështetja që u japim kanë kufij të arsyeshëm dhe të bazuar në Shkrime. S’mund të shkojmë deri në atë pikë sa të mos i bindemi Perëndisë ose të shkelim asnjanësinë e krishterë.​—Lexo 1 Pjetrit 2:13-17.

10. Çfarë shembulli na lanë shërbëtorët e Jehovait në të kaluarën në marrëdhënien që mbanin me qeveritë dhe autoritetet?

10 Shërbëtorët e Jehovait në të kaluarën lanë një shembull në marrëdhënien që mbanin me qeveritë dhe autoritetet. Kur Perandoria Romake u kërkoi banorëve të merrnin pjesë në regjistrimin e popullsisë, Jozefi dhe Maria u bindën. Ata udhëtuan për në Betlehem, edhe pse Maria pas pak do të lindte fëmijën e parë. (Luka 2:1-5) Më vonë, kur Pavlin e akuzuan për keqbërje, ai e mbrojti veten me respekt dhe u tregoi nderimin e duhur mbretit Herod Agripa dhe Festit, guvernatorit të provincës romake të Judesë.​—Vep. 25:1-12; 26:1-3.

11, 12. (a) Pse bëjmë dallim mes autoriteteve qeveritare dhe udhëheqësve fetarë? (b) Ç’rezultat i mirë erdhi kur një Dëshmitar austriak i shfaqi nderim një politikani?

11 Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait nuk i trajtojnë kurrsesi udhëheqësit fetarë si njerëz që meritojnë nderim të jashtëzakonshëm, ndonëse këta mund ta presin një gjë të tillë. Feja e rreme krijon përshtypje të gabuar për Perëndinë dhe shtrembëron mësimet e Fjalës së tij. Prandaj, edhe pse i respektojmë si njerëzit e tjerë, nuk u tregojmë nderim të veçantë udhëheqësve fetarë. Nuk harrojmë se Jezui i dënoi njerëz të tillë të kohës së tij si hipokritë dhe udhërrëfyes të verbër. (Mat. 23:23, 24) Nga ana tjetër, kur u tregojmë autoriteteve qeveritare respektin dhe nderimin që u takon, ndonjëherë mund të kemi rezultate pozitive e madje befasuese.

12 Leopold Englajtneri ishte një Dëshmitar i zellshëm nga Austria, të cilin nazistët e arrestuan dhe e dërguan me tren në kampin e përqendrimin të Bukenvaldit. Dr. Hajnrih Glajsneri ishte një i burgosur në të njëjtin tren. Ai kish qenë politikan austriak, mirëpo nazistët nuk e kishin me sy të mirë. Gjatë udhëtimit për në kamp, vëlla Englajtneri i shpjegoi me respekt bindjet e tij Glajsnerit, i cili dëgjoi me vëmendje. Pas luftës së dytë botërore, Glajsneri e përdori vazhdimisht influencën e tij për të ndihmuar Dëshmitarët në Austri. Mbase të kujtohen edhe shembuj të tjerë të rezultateve të mira që vijnë kur Dëshmitarët shfaqin respektin e duhur për autoritetet shtetërore, duke u dhënë nderimin që duhet t’u japin sipas Biblës.

TË TJERË QË MERITOJNË NDERIM

13. Cilët janë veçanërisht të denjë për t’u respektuar e nderuar, dhe pse?

13 Ata që janë të lidhur me ne në besim pa dyshim që meritojnë nderim dhe respekt. Kjo vlen veçanërisht për pleqtë, të cilët marrin drejtimin. (Lexo 1 Timoteut 5:17.) I nderojmë këta vëllezër pavarësisht nga kombësia, arsimimi, pozita shoqërore ose gjendja e tyre ekonomike. Bibla i quan «dhurata në njerëz», dhe ata janë pjesë thelbësore e strukturës që ka organizuar Perëndia për t’u kujdesur për nevojat e popullit të tij. (Efes. 4:8) Mendo pak për pleqtë e kongregacionit, mbikëqyrësit qarkorë, pjesëtarët e Komitetit të Degës dhe për anëtarët e Trupit Udhëheqës. Vëllezërit dhe motrat tona në shekullin e parë i vlerësonin jashtë mase ata që ishin caktuar të merrnin drejtimin, dhe ne sot ndihemi po njëlloj. Nuk i bëjmë idhuj përfaqësuesit e njohur të kongregacionit të krishterë ose nuk sillemi me ta si të ishim në prani të engjëjve. Prapëseprapë, i respektojmë e i nderojmë vërtet këta vëllezër për punën e palodhur dhe përulësinë e tyre.​—Lexo 2 Korintasve 1:24; Zbulesën 19:10.

14, 15. Ku ndryshojnë barinjtë e vërtetë të krishterë nga ata që thjesht pohojnë se janë të tillë?

14 Këta pleq njihen si barinj të përulur. Një gjë që tregon se janë të përulur është se nuk pranojnë të trajtohen si të famshëm. Në këtë aspekt ndryshojnë nga shumë udhëheqës fetarë të kohës sonë dhe të shekullit të parë për të cilët Jezui tha: «Atyre u pëlqejnë kryet e vendit nëpër darka dhe vendet e para në sinagoga [e] t’i përshëndetin nëpër sheshe pazari.»​—Mat. 23:6, 7.

15 Barinjtë e vërtetë të krishterë u binden me përulësi këtyre fjalëve të Jezuit: «Mos lejoni t’ju quajnë Rabi, sepse keni vetëm një mësues, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Veç kësaj, mbi tokë mos quani askënd atë, sepse Ati juaj është një i vetëm, Qiellori. As mos lejoni t’ju quajnë ‘udhëheqës’, sepse keni vetëm një Udhëheqës, Krishtin. Por më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.» (Mat. 23:8-12) Ndaj është e lehtë të kuptojmë pse pleqtë në kongregacionet anembanë botës fitojnë dashurinë, respektin dhe nderimin e bashkëbesimtarëve.

Ndërsa shërbejnë me përulësi pleqtë fitojnë dashurinë, respektin dhe nderimin e të tjerëve (Shih paragrafët 13-15.)

16. Pse duhet të përpiqesh vazhdimisht që ta kuptosh dhe ta zbatosh atë që thotë Bibla për nderimin e të tjerëve?

16 Kuptohet, mund të na duhet kohë që të fitojmë ekuilibrin e duhur në lidhje me mënyrën si të tregojmë nderim dhe kujt t’i tregojmë. Kështu ishte edhe për të krishterët e hershëm. (Vep. 10:22-26; 3 Gjon. 9, 10) Ama, pa dyshim që ia vlen të përpiqemi ta zbatojmë atë që thotë Bibla për nderimin e të tjerëve. Kur fitojmë ekuilibrin e duhur, vijnë shumë dobi.

DOBITË QË VIJNË KUR TREGOJMË NDERIMIN E DUHUR

17. Cilat janë disa dobi kur u tregojmë nderim njerëzve në pozita me autoritet?

17 Ka më shumë të ngjarë që ata me pozita autoriteti në botë ta mbrojnë të drejtën tonë për të predikuar pa pengesa kur i respektojmë dhe u tregojmë nderimin e duhur. Shpesh rezultati është që e shohin me sy të mirë aktivitetin tonë. Disa vjet më parë, Birgita, një pioniere në Gjermani, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së dëftesave në shkollën e vajzës. Mësueset i thanë Birgitës se kishte qenë kënaqësi të punonin gjatë viteve me fëmijë Dëshmitarë. Thanë se do t’u vinte keq po të mos kishin asnjë fëmijë Dëshmitar në shkollën e tyre. Birgita u shpjegoi: «Fëmijët tanë edukohen që të ndjekin normat e Perëndisë për sjelljen, dhe këtu përfshihet të respektojnë dhe të nderojnë mësuesit.» Një mësuese tha: «Po të ishin të gjithë si fëmijët tuaj, shkolla do të ishte parajsë.» Disa javë më vonë, një nga mësueset ndoqi një kongres në Lajpcig.

18, 19. Pse është e rëndësishme t’u japim nderimin e duhur pleqve?

18 Nderimi i duhur që u tregojmë pleqve të kongregacionit natyrisht që duhet të drejtohet nga parimet e përsosura dhe të mençura që gjejmë në Fjalën e Perëndisë. (Lexo Hebrenjve 13:7, 17.) Ne mund dhe duhet t’i lavdërojmë për punën e palodhur e të bëjmë çmos të bashkëpunojmë me drejtimin që japin. Kur veprojmë kështu, mund t’i ndihmojmë të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre me gëzim. Por kjo s’do të thotë të përpiqemi të kopjojmë një plak «të shquar», duke imituar pikë për pikë veshjen e paraqitjen e tij ose mënyrën si mban fjalimet a madje edhe si flet. Po të bënim kështu, do të jepnim përshtypje të gabuar. S’duhet të harrojmë se edhe ai është njeri i papërsosur. Modeli që duhet të ndjekim e të imitojmë është Krishti.

19 Kur u japim pleqve nderimin dhe respektin e duhur, por pa i trajtuar si të famshëm, i ndihmojmë. Ua bëjmë më të lehtë të mos bien pre e krenarisë e të mos u lindë asnjë ndjenjë se janë më të mirë ose më të drejtë se të tjerët.

20. Si nxjerrim dobi ne vetë kur u tregojmë nderim të tjerëve?

20 Po dobitë që kemi ne personalisht? Kur u japim nderim atyre që u takon, kjo na mbron që të mos përqendrohemi te vetja. Na ndihmon të mos na rritet mendja sikur kushedi kush jemi nëse na tregojnë nderim. E gjithashtu na ndihmon të jemi në harmoni me organizatën e Jehovait, e cila nuk u jep kurrsesi njerëzve​—besimtarë ose jo—​nderim të tepruar a të papërshtatshëm. Veç kësaj, është e mençur të veprojmë kështu, sepse kjo na ndihmon të mos pengohemi nëse na zhgënjen ndonjë njeri të cilit i kemi treguar nderim.

21. Cila është dobia më e madhe kur u japim nderimin e duhur atyre që u takon?

21 Dobia më e madhe që vjen kur u japim nderimin e duhur atyre që u takon është se në këtë mënyrë i pëlqejmë Perëndisë. Veprojmë siç dëshiron ai, e kështu mbajmë integritetin ndaj tij. Në këtë mënyrë, bëjmë pjesën tonë që t’i jepet një përgjigje kujtdo që përpiqet të sfidojë Perëndinë. (Prov. 27:11) Bota është plot me njerëz që kanë një pikëpamje të shtrembëruar për mënyrën si duhen nderuar të tjerët. Sa mirënjohës jemi që e dimë si t’u tregojmë nderim të tjerëve ashtu siç i pëlqen Jehovait!