Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 33

Gjej gëzim te privilegjet që ke sot

Gjej gëzim te privilegjet që ke sot

«Më mirë të kënaqesh me atë që ke para syve, se të endesh pa pushim pas dëshirave.»—EKL. 6:9.

KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar

PËRMBLEDHJE *

1. Në ç’mënyra po përpiqen shumë veta që të bëjnë më tepër në shërbim?

 NDËRSA këtij sistemi po i vjen fundi, kemi shumë për të bërë. (Mat. 24:14; Luka 10:2; 1 Pjet. 5:2) Të gjithë duam të japim maksimumin në shërbim të Jehovait. Shumë veta po e zgjerojnë shërbimin. Disa synojnë të shërbejnë si pionierë. Të tjerë kanë si synim të shërbejnë në Bethel ose të ndihmojnë në ndërtimin e godinave teokratike. E mjaft vëllezër punojnë fort që të kualifikohen si shërbëtorë kongregacioni ose si pleq. (1 Tim. 3:1, 8) Pa dyshim që Jehovait i bëhet zemra mal kur sheh mes popullit të tij këtë gatishmëri për t’i shërbyer!—Psal. 110:3; Isa. 6:8.

2. Si mund të ndihemi nëse nuk arrijmë ndonjë synim në shërbim?

2 Mirëpo mund të shkurajohemi nëse ka kaluar goxha kohë dhe nuk i kemi arritur akoma disa synime në shërbim. Ose mund të na lëshojë zemra ngaqë mosha a rrethana të tjera na e bëjnë të pamundur t’i kemi sot disa privilegje shërbimi. (Prov. 13:12) Kështu ndihet një motër që quhet Melisa. * Asaj ia donte zemra të shërbente në Bethel ose të ndiqte Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, por thotë: «E kam kaluar kufirin e moshës. Prandaj, sot këto privilegje janë vetëm një ëndërr për mua. Ka raste që ndihem e shkurajuar.»

3. Çfarë mund të jetë nevojshme të bëjnë disa që të kualifikohen për më shumë përgjegjësi në shërbim?

3 Disa që janë të rinj e me shëndet të mirë, mund të kenë nevojë të piqen dhe të kultivojnë disa cilësi para se të kualifikohen për të mbajtur përgjegjësi të tjera. Nga njëra anë, ata mund të kenë inteligjencë, vendosmëri dhe zell; nga ana tjetër, mund t’u duhet të mësojnë të jenë më të duruar, ta bëjnë punën më me merak ose të tregojnë më shumë respekt për të tjerët. Nëse punon me të gjitha forcat për të kultivuar cilësitë e nevojshme, mund të të besohet një privilegj shërbimi atëherë kur s’e pret. Të mendojmë çfarë ndodhi me një vëlla që quhet Nik. Kur ishte 20 vjeç, ai u zhgënjye keq ngaqë nuk e emëruan shërbëtor kongregacioni. Niku thotë: «Mendova se duhej të kishte diçka që nuk shkonte tek unë.» Megjithatë, pa u dorëzuar, vazhdoi të kultivonte cilësitë që i nevojiteshin. Gjithashtu jepte më të mirën në privilegjet e shërbimit që kishte. Sot, Niku shërben si anëtar i një Komiteti Dege.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 A je shkurajuar ngaqë nuk ke arritur akoma ndonjë synim në shërbim? Nëse po, fol hapur me Jehovain për atë që të mundon. (Psal. 37:5-7) Veç kësaj, kërkoju vëllezërve të pjekur sugjerime si të përmirësohesh në shërbim, e pastaj bëj çmos t’i zbatosh këshillat e tyre. Nëse vepron kështu, ka shumë gjasa të të besohet ai privilegj ose ta arrish atë synim. Por, ashtu si Melisa e përmendur më sipër, ndoshta sot është e pamundur ta kesh një privilegj që ta do zemra. Çfarë mund të të ndihmojë ta ruash gëzimin? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, në këtë artikull do të shqyrtojmë: (1) ku mund të gjesh gëzim, (2) si të provosh më shumë gëzim dhe (3) cilat synime mund të ta shtojnë gëzimin.

KU MUND TË GJESH GËZIM

5. Ku duhet të përqendrohemi që të gjejmë gëzim? (Eklisiastiu 6:9)

5 Siç tregon Eklisiastiu 6:9, mund të gjejmë gëzim nëse e kërkojmë atje ku duhet. (Lexoje.) Njeriu që ‘kënaqet me atë që ka para syve’, gjen gëzim tek ajo që ka, si për shembull te rrethanat ku ndodhet. Ndërsa kush ‘endet pa pushim pas dëshirave’, fiksohet te diçka që është e pamundur ta ketë. Çfarë na mëson kjo? Për të gjetur gëzim, duhet të përqendrohemi tek ajo që kemi dhe të synimet që mund të arrijmë.

6. Cilin ilustrim do të shqyrtojmë tani, dhe çfarë do të mësojmë prej tij?

6 A është vërtet e mundur të jemi të kënaqur me atë që kemi? Shumë njerëz mendojnë që jo, sepse, ndërsa koha kalon, na pëlqen të kemi sfida të reja. Sidoqoftë është e mundur. Ne mund të kënaqemi me ‘atë që kemi para syve’, e jo thjesht të mësohemi me të. Po si arrihet kjo? Për ta kuptuar, le të ndalemi tek ilustrimi i Jezuit për talentat, që gjendet te Mateu 25:14-30. Do të mësojmë si të gjejmë gëzim te bekimet që kemi, e madje si ta shtojmë gëzimin.

SI TË PROVOSH MË SHUMË GËZIM

7. Përmblidhni shkurt ilustrimin e Jezuit për talentat.

7 Ilustrimi flet për një njeri që do të nisej për një udhëtim. Para se të ikte, ai thirri skllevërit e vet e i besoi çdonjërit talenta, që të bënin tregti me to. * Duke mbajtur parasysh aftësitë e secilit, një skllavi i dha pesë talenta, një tjetri dy talenta dhe skllavit të tretë një talentë. Dy skllevërit e parë punuan pa përtuar që të fitonin pará për zotërinë. Mirëpo, skllavi i tretë nuk bëri asgjë me paratë, prandaj zotëria e hoqi nga shërbimi.

8. Pse mund të ndihej i gëzuar skllavi i parë në ilustrim?

8 Skllavi i parë duhet të jetë ndier i privilegjuar që iu besuan pesë nga talentat e zotërisë. Ato pará ishin një pasuri e tërë dhe tregonin sa besim kishte zotëria tek ai! Po skllavi i dytë? Ai mund të ishte shkurajuar ngaqë nuk mori aq talenta sa skllavi i parë. Por, si reagoi në të vërtetë?

Çfarë mund të mësojmë nga skllavi i dytë në ilustrimin e Jezuit? (1) Mori me kënaqësi dy talentat që i dha zotëria (2) Punoi pa u lodhur që të fitonte më shumë pará për zotërinë e tij (3) I dyfishoi talentat e zotërisë (Shih paragrafët 9-11)

9. Çfarë nuk tha Jezui për skllavin e dytë? (Mateu 25:22, 23)

9 Lexo Mateun 25:22, 23. Jezui nuk tha se skllavi i dytë u inatos dhe vari turinjtë ngaqë mori vetëm dy talenta. As nuk e përshkroi skllavin si një qaraman që ankohej duke thënë: «Pse vetëm kaq mua?! Unë jam po aq i zoti sa skllavi që mori pesë talenta! Nëse zotëria nuk më çmon, më mirë po i gropos fare këto dy talenta dhe po shoh interesin tim.»

10. Çfarë bëri skllavi i dytë me talentat e tij?

10 Ashtu si skllavi i parë, edhe i dyti e kuptoi sa e rëndësishme ishte përgjegjësia që iu besua dhe punoi pa u lodhur për t’i shërbyer zotërisë së tij. Si rezultat, i dyfishoi talentat e zotërisë. Ai u shpërblye me bollëk për punën e papërtuar. Zotëria jo vetëm u gëzua, por edhe e quajti të denjë t’i besoheshin më shumë përgjegjësi!

11. Si mund të provosh më shumë gëzim?

11 Po njësoj, ne mund të provojmë më shumë gëzim nëse jepemi me gjithë shpirt pas çdo privilegji që na është besuar në shërbim të Jehovait. ‘Kushtoju plotësisht’ veprës së predikimit dhe zhytu në aktivitetet e kongregacionit. (Vep. 18:5; Hebr. 10:24, 25) Përgatitu të bësh komente besimforcuese për materialin që studiohet. Përpiqu me zell për çdo pjesë që të caktohet në mbledhjen e mesjavës. Nëse të kërkohet të ndihmosh për të kryer një detyrë në kongregacion, ji i përpiktë dhe i besueshëm. Për asnjë caktim mos mendo se nuk është aq i rëndësishëm sa t’i kushtosh kohë. Bëj çmos të përmirësosh aftësitë e tua. (Prov. 22:29) Sa më me zell të jepesh pas aktiviteteve dhe caktimeve teokratike, aq më e thellë do të bëhet miqësia jote me Jehovain dhe aq më shumë gëzim do të provosh. (Gal. 6:4) Gjithashtu do ta kesh më të lehtë të gëzosh me të tjerët kur marrin ndonjë privilegj që e dëshiron vetë.—Rom. 12:15; Gal. 5:26.

12. Çfarë i ndihmoi Melisën dhe Nikun të provonin më shumë gëzim?

12 Të kujtohet Melisa, që dëshironte të shërbente në Bethel ose të ndiqte Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë? Edhe pse ishte e pamundur t’i plotësoheshin ato dëshira, ajo thotë: «Përpiqem të zhytem plotësisht te shërbimi si pioniere dhe të marr pjesë në të gjitha aspektet e tij. Kjo ma mbush zemrën me gëzim.» Po Nikun çfarë e ndihmoi të përballonte zhgënjimin pasi nuk u emërua shërbëtor kongregacioni? Ai thotë: «U përqendrova te privilegjet që kisha—të merrja pjesë në shërbim dhe të bëja komente domethënëse në mbledhje. Gjithashtu plotësova kërkesën për shërbimin në Bethel, dhe vitin pasues më ftuan të shërbeja atje.»

13. Cili do të jetë rezultati nëse jepesh me gjithë shpirt pas caktimeve që ke sot? (Eklisiastiu 2:24)

13 Nëse jepesh me gjithë shpirt pas caktimeve që gëzon sot, a do të marrësh më shumë përgjegjësi në të ardhmen? Edhe mundet, ashtu si në rastin e Nikut. Por edhe nëse jo, njësoj si Melisa, do të provosh më shumë gëzim dhe do të ndiesh kënaqësi të thellë nga ajo që po bën për Jehovain. (Lexo Eklisiastiun 2:24.) Veç kësaj, do ta kesh zemrën të gëzuar ngaqë e di se përpjekjet që bën, e kënaqin Zotërinë tënd, Jezu Krishtin.

SYNIME QË TA SHTOJNË GËZIMIN

14. Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur mendojmë për synimet tona?

14 Vërtet, duhet të përqendrohemi plotësisht te caktimet që kemi sot. Por, a do të thotë kjo se nuk duhet të kërkojmë mënyra të tjera për ta zgjeruar shërbimin? Aspak! Ne mund dhe duhet të vëmë synime që na ndihmojnë të jemi gjithnjë e më të aftë në shërbim dhe më të gatshëm t’u bëhemi krah vëllezërve e motrave. E do t’i arrijmë këto synime nëse, me mençuri dhe modesti, kemi si merak kryesor t’i sjellim dobi të tjerëve, jo vetes.—Prov. 11:2; Vep. 20:35.

15. Cilat janë disa synime që mund të të sjellin gëzim?

15 Çfarë synimesh mund të vësh? Kërkoji ndihmë Jehovait që të dallosh cilat synime mund të jenë të arritshme për ty. (Prov. 16:3; Jak. 1:5) A mund të ndjekësh një nga synimet e përmendura në  paragrafin e parë të artikullit—të bëhesh pionier, të shërbesh në Bethel a të ndihmosh në projekte ndërtimi teokratike? Ose ndoshta ke mundësi të mësosh një gjuhë të huaj për t’u dhënë të tjerëve lajmin e mirë, ose edhe të shërbesh në një zonë a vend tjetër. Mund të mësosh më tepër për këto synime duke lexuar kapitullin 10 të librit Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait dhe duke folur me pleqtë e kongregacionit. * Ndërsa punon për të arritur synime të tilla, të tjerët do ta shohin qartë përparimin tënd dhe ti vetë do të provosh më shumë gëzim.

16. Çfarë mund të bësh nëse sot e ke të pamundur ta arrish një synim?

16 Po nëse për momentin e ke të pamundur ta arrish një nga synimet e mësipërme? Përpiqu të vësh ndonjë synim tjetër—një synim të arsyeshëm që mund ta arrish. Mendo për mundësitë e mëposhtme.

Cili është një synim që mund të arrish? (Shih paragrafin 17) *

17. Sipas 1 Timoteut 4:13, 15, çfarë mund të bëjë një vëlla që të jetë mësues më i mirë?

17 Lexo 1 Timoteut 4:13, 15. Në rast se je vëlla i pagëzuar, mund të punosh që të bëhesh më i aftë si orator dhe mësues. Pse? Sepse nëse ‘i kushtohesh’ leximit, oratorisë dhe mësimdhënies, dëgjuesit e tu do të nxjerrin shumë dobi. Përpiqu ta kesh si synim që të studiosh e të zbatosh çdo cilësi oratorike në broshurën Kushtoju leximit dhe mësimdhënies. Studioji këto cilësi një nga një, praktikohu me zell në shtëpi dhe bëj çmos ta shfaqësh atë cilësi te pjesët që të caktohen. Kërkoji sugjerime këshilluesit ndihmës ose pleqve të tjerë «që punojnë pa u lodhur për t’ju folur e për t’ju mësuar». * (1 Tim. 5:17) Mos u përpiq vetëm të përvetësosh mësimin e broshurës, por edhe të ndihmosh dëgjuesit që ta forcojnë besimin ose t’i motivosh ta zbatojnë atë që mësojnë. Kjo do të të sjellë më shumë gëzim ty dhe dëgjuesve të tu.

Cili është një synim që mund të arrish? (Shih paragrafin 18) *

18. Çfarë mund të na ndihmojë t’i arrijmë synimet në shërbim?

18 Të gjithëve na është besuar privilegji të predikojmë e të bëjmë dishepuj. (Mat. 28:19, 20; Rom. 10:14) A dëshiron të bëhesh më i aftë në këtë vepër jetëshpëtuese? Studio broshurën Mësimdhënia dhe vër synime specifike që do të të ndihmojnë t’i zbatosh mësimet e saj. Mund të gjesh edhe sugjerime të tjera praktike te Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje e te videot Ide për biseda që shfaqen në mbledhjet e mesjavës. Provo ide të ndryshme për të parë cilat janë më të efektshme. Ndërsa ndjek këto sugjerime, do të bëhesh lajmëtar dhe mësues më i aftë, e kjo do të të sjellë gëzim të pakrahasueshëm.—2 Tim. 4:5.

Cili është një synim që mund të arrish? (Shih paragrafin 19) *

19. Çfarë mund të të ndihmojë të kultivosh cilësitë e frytit të frymës?

19 Kur shqyrton çfarë synimesh të vësh, mos harro një nga synimet më të rëndësishme—të kultivosh cilësitë e frytit të frymës. (Gal. 5:22, 23; Kolos. 3:12; 2 Pjet. 1:5-8) Si ta bësh këtë konkretisht? Ta zëmë, për shembull, se dëshiron të forcosh besimin. Mund të lexosh artikuj në botimet tona që japin sugjerime praktike se si ta forcosh besimin. Do të nxjerrësh dobi edhe nga pjesët e programeve mujore në JW Broadcasting®, ku mund të shohësh si kanë treguar besim të jashtëzakonshëm vëllezërit dhe motrat përballë sprovave nga më të ndryshmet. Pastaj mendo në cilat mënyra mund ta imitosh besimin e tyre.

20. Çfarë mund të bëjmë që të provojmë më shumë gëzim dhe të lehtësohemi nga ndjenjat e shkurajimit?

20 Pa dyshim, të gjithë duam t’i japim Jehovait më shumë nga ç’mund t’i japim sot. Në botën e re do të kemi mundësi t’i shërbejmë pa asnjë kufizim. Ndërkohë, nëse bëjmë më të mirën në çdo caktim a privilegj që kemi, mund të provojmë më shumë gëzim dhe mund të lehtësohemi nga ndjenjat e shkurajimit. Ç’është më e rëndësishmja, do t’i japim lavdi Jehovait, Perëndisë tonë të lumtur. (1 Tim. 1:11) Prandaj le të gjejmë gëzim te privilegjet që kemi sot!

KËNGA 82 «Le të ndriçojë drita juaj»

^ par. 5 Ne e duam me gjithë zemër Jehovain dhe dëshirojmë të japim maksimumin në shërbimin e tij. Kjo mund të na nxitë ta zgjerojmë shërbimin ose të punojmë fort që të kualifikohemi për privilegje të tjera në kongregacion. Po sikur të jetë e pamundur ta arrijmë një synim, edhe pse përpiqemi me të gjitha forcat? Çfarë mund të na ndihmojë të vazhdojmë të shërbejmë me zell dhe të ruajmë gëzimin? Përgjigjen mund ta gjejmë tek ilustrimi i Jezuit për talentat.

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 7 SHPJEGIMI I FJALËS: Për një punëtor të zakonshëm, një talentë ishte pak a shumë sa rroga e 20 vjetëve.

^ par. 15 Vëllezërit e pagëzuar inkurajohen të punojnë për t’u kualifikuar si shërbëtorë kongregacioni dhe si pleq. Për një shqyrtim të kualifikimeve të nevojshme, shih kapitujt 5 dhe 6 të librit Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait.

^ par. 17 SHPJEGIMI I SHPREHJES: Këshilluesi ndihmës është një plak i cili ka përgjegjësinë që, kur është e nevojshme, t’u japë këshilla privatisht pleqve dhe shërbëtorëve të kongregacionit në lidhje me caktimet oratorike që kanë.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Që të arrijë synimin për të qenë mësues më i mirë, një vëlla bën kërkime në botime.

^ par. 66 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasi vë si synim të japë dëshmi në mënyrë joformale, një motër i ofron një kartëvizitë kamerieres që po i shërben.

^ par. 68 PËRSHKRIMI I FIGURËS: E nxitur nga dëshira për të shfaqur cilësitë e krishtere, një motër e surprizon një motër tjetër me një dhuratë.