JETËSHKRIM
Qëndrueshmëria nën sprova sjell bekime
«TI JE një baba i pashpirt,—bërtiti oficeri i KGB-së. *—Ke braktisur gruan shtatzënë dhe vajzën e vogël. Kush do t’i ushqejë, kush do të kujdeset për to? Hiq dorë nga aktivitetet e tua dhe kthehu në shtëpi!» Iu përgjigja: «Jo, s’e braktisa unë familjen. Ju më arrestuat. E për çfarë?» Oficeri ma priti ashpër: «Nuk ka krim më të madh se të jesh Dëshmitar.»
Ky diskutim flakë për flakë ndodhi në vitin 1959 në një burg në qytetin e Irkutskut, Rusi. Më lejoni t’ju tregoj pse unë dhe gruaja ime, Maria, ishim të përgatitur ‘të vuanim për hir të drejtësisë’ dhe si u bekuam për besnikërinë tonë.—1 Pjet. 3:13, 14.
Linda në Ukrainë më 1933 në fshatin Zolotniki. Në vitin 1937, tezja dhe burri i saj, që ishin Dëshmitarë, erdhën për vizitë nga Franca dhe na dhanë librat Qeveria dhe Çlirim, botuar nga Shoqata Watch Tower. Kur im atë lexoi librat iu rizgjua besimi te Perëndia. Mjerisht, ai u sëmur rëndë më 1939. Ama, para se të vdiste i tha mamasë: «Kjo është e vërteta. Mësojua fëmijëve.»
SIBERIA—NJË FUSHË E RE PREDIKIMI
Në prill të 1951-shit, autoritetet nisën t’i internonin Dëshmitarët nga BRSS-ja Perëndimore në Siberi. Bashkë me mamanë dhe vëllanë e vogël, Grigorin, na dëbuan nga Ukraina Perëndimore. Pasi udhëtuam me tren për më se 6.000 kilometra, mbërritëm në qytetin e Tulunit në Siberi. Dy javë më vonë, në një kamp të qytetit fqinj të Angarskut, erdhi vëllai i madh, Bogdani. Ishte dënuar me punë të rëndë për 25 vjet.
Mamaja, Grigori dhe unë predikuam në zonat përreth Tulunit, por duhej të ishim mendjemprehtë. Për shembull, në fillim pyesnim: «A njihni ndonjë që ka për të shitur lopën?» Kur gjenim dikë që kishte lopë për të shitur, i përmendnim se në ç’mënyrë të mrekullueshme ishin bërë lopët. Pa kaluar shumë, e kthenim bisedën te Krijuesi. Në atë kohë, një gazetë shkroi se Dëshmitarët pyesnin njerëzit për lopë, por në të vërtetë kërkonin dele. E në fakt gjetëm njerëz me natyrë të butë si dele. Ishte kënaqësi të studionim Shkrimet me persona të përulur e mikpritës në atë territor të pacaktuar. Sot në Tulun ka një kongregacion me mbi 100 lajmëtarë.
SI U VU NË PROVË BESIMI I MARISË
Gruaja ime, Maria, e mësoi të vërtetën në Ukrainë në mes të Luftës II Botërore. Kur ishte 18 vjeçe, një oficer i KGB-së nisi ta ngacmonte dhe u përpoq ta joshte të kryente imoralitet me të, por ajo i refuzoi me vendosmëri përpjekjet e tij. Një ditë, kur hyri në shtëpi e gjeti këtë burrë shtrirë në krevatin e saj. Maria ia mbathi. I xhindosur, oficeri e kërcënoi se do t’i vinte prangat ngaqë ishte Dëshmitare. E kështu ndodhi vërtet. Më 1952 Marinë e dënuan me dhjetë vjet burg. Ajo u ndie si Jozefi që e burgosën se mbajti integritetin. (Zan. 39:12, 20) Shoferi që e çoi Marinë nga salla e gjyqit në burg i tha: «Mos ki frikë. Shumë veta shkojnë në burg, por kthehen me dinjitet të pacenuar.» Këto fjalë i dhanë shumë zemër.
Nga 1952-shi deri në 1956-n, Maria ishte në një kamp pune afër qytetit të Gorkit (tani Nizhnji-Novgorod) në Rusi. Kishte për detyrë të shkulte pemët me rrënjë, madje edhe në mot të acartë. Vuajti me shëndetin, por më 1956 e liruan dhe e nisën për në Tulun.
LARG GRUAS E FËMIJËVE
Kur një vëlla në Tulun më tha se po vinte një motër, shkova te stacioni i autobusit me biçikletë që ta takoja dhe ta ndihmoja me bagazhet. Kur e takova Marinë, më pëlqeu sa e pashë. S’e pata të lehtë t’ia fitoja zemrën, ama ia dola. U martuam më 1957. Një vit më vonë lindi vajza jonë Irina, por gëzimi që ndieja pranë saj u pre në mes. Në vitin 1959, më arrestuan se shtypja literaturë biblike dhe kalova një vit e gjysmë në izolim. Që të ruaja paqen në zemër gjatë asaj periudhe, vazhdimisht lutesha, këndoja këngët e Mbretërisë dhe përfytyroja si do të predikoja po të isha sërish i lirë.
Në burg, hetuesi që më mori në pyetje bërtiti: «Shumë shpejt, do t’ju shfarosim nga vendi.» Ia ktheva: «Jezui tha se lajmi i mirë për Mbretërinë DO të predikohet në gjithë kombet dhe askush s’mund ta pengojë këtë.» Pastaj, hetuesi ndryshoi taktikë dhe u orvat të më mbushte mendjen që të hiqja dorë nga besimi, siç e përmenda në fillim. Kur as kërcënimet e as përpjekjet për të më prekur në sedër nuk funksionuan, më dënuan me punë të rëndë për shtatë vjet në një kamp pranë qytetit të Saranskut. Rrugës për në kamp, mora vesh se kishte lindur vajza jonë e dytë, Olga. Edhe pse isha shumë larg gruas dhe vajzave, dijenia se Maria dhe unë i kishim qëndruar besnikë Jehovait më jepte shumë forcë.
Maria vinte në Saransk një herë në vit që të më takonte, ndonëse udhëtimi vajtje-ardhje nga Tuluni zgjaste 12 ditë me tren. Çdo vit më sillte një palë çizme të reja. Te thembrat e çizmeve ishin fshehur numrat e fundit të Kullës së Rojës. Një vit, vizita e Marisë ishte tejet e veçantë pasi kishte marrë me vete edhe dy vogëlushet tona. Imagjinoni pak sa mallëngjyese ishte për mua t’i shihja e të rrija me to!
VENDE TË REJA, VËSHTIRËSI TË REJA
Në vitin 1966, më liruan nga kampi i punës dhe të katërt u transferuam në qytetin e Armavirit, afër Detit të Zi. Atje lindën djemtë tanë Jaroslavi dhe Paveli.
S’kaloi shumë dhe oficerët e KGB-së nisën të na bastisnin shtëpinë në kërkim të literaturës biblike. Kërkonin në çdo cep, deri edhe te ushqimi i lopëve. Në një nga këto raste, oficerët po djersitnin nga vapa dhe veshja u ishte bërë gjithë pluhur. Marisë i erdhi keq për ta, sepse thjesht po zbatonin urdhrat. Ndaj u shërbeu komposto, u solli një furçë rrobash, një tas me ujë dhe peshqirë. Më pas, kur erdhi shefi i KGB-së, oficerët i treguan për me sa dashamirësi i kishim trajtuar. Kur u larguan, shefi na buzëqeshi dhe na përshëndeti me dorë. Ishte kënaqësi të shihnim rezultatet e mira që mund të vijnë kur përpiqemi ‘të vazhdojmë ta mundim të keqen me të mirën’.—Pavarësisht nga bastisjet, vazhduam predikimin në Armavir. Veç kësaj, i jepnim zemër edhe një grupi të vogël lajmëtarësh në qytetin fqinj të Kurganinskit. Më gufon zemra nga gëzimi që sot ka gjashtë kongregacione në Armavir dhe katër në Kurganinsk!
Përgjatë viteve, ka pasur momente kur na u dobësua besimi dhe nuk i shërbyem siç duhej Jehovait. Por i jemi mirënjohës Atij që ka përdorur vëllezër besnikë për të na ndrequr dhe për të na ripërtërirë besimin. (Psal. 130:3) Një sprovë e rëndë për ne ishte të shërbenim, pa e kuptuar, bashkë me agjentë të KGB-së që ishin infiltruar në kongregacione. Dukeshin të zellshëm dhe ishin aktivë në shërbim. Disa madje morën pozita me përgjegjësi në organizatë. Mirëpo, me kohë, zbuluam kush ishin në të vërtetë.
Më 1978, kur Maria ishte 45 vjeçe, mbeti përsëri shtatzënë. Meqë vuante nga një sëmundje kronike në zemër, mjekët kishin frikë se mund të vdiste dhe u munduan ta bindnin që të abortonte. Maria nuk pranoi. Kështu, disa mjekë e ndoqën në çdo cep të spitalit me një shiringë, që t’i bënin një injeksion dhe t’i provokonin lindje të parakohshme. Për të mbrojtur foshnjën, Maria ia mbathi nga spitali.
KGB-ja na urdhëroi të iknim nga qyteti. U transferuam në një fshat pranë Talinit, Estoni, që asokohe ishte pjesë e BRSS-së. Në Talin, ndryshe nga parashikimet e mjekëve, Maria lindi një djalë të shëndetshëm, Vitalin.
Më vonë, u transferuam nga Estonia në zonën e Nezlobnajës në jug të Rusisë. Predikuam me kujdes në qytetet-resort aty pranë, që mirëpritnin vizitorë nga i gjithë vendi. Ata vinin për arsye shëndetësore, por disa largoheshin me shpresën e jetës së përhershme.
I RRITIM FËMIJËT ME DASHURI PËR JEHOVAIN
U përpoqëm të ngulitnim te djemtë e vajzat tona dashurinë për Jehovain dhe dëshirën për t’i shërbyer atij. Shpesh ftonim në shtëpi vëllezër që ndikonin për mirë te fëmijët. Një mysafir që na vinte rregullisht ishte vëllai im Grigori që shërbeu si mbikëqyrës udhëtues nga 1970-a deri më 1995. Gjithë familja kënaqej kur vinte ai, sepse ishte i qeshur dhe kishte një ndjenjë humori të lezetshme. Kur kishim mysafirë, luanim shpesh lojëra biblike dhe fëmijëve u hynë në zemër historitë e Biblës.
Më 1987, djali ynë Jaroslavi u transferua në qytetin e Rigës, Letoni, ku pati mundësi të predikonte më lirisht. Mirëpo, kur nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak, e dënuan me një vit e gjysmë burg dhe e transferuan në nëntë burgje të ndryshme. Ato që i kisha treguar lidhur me përvojat e mia në burg e ndihmuan të qëndronte. Më vonë, nisi shërbimin si pionier. Më 1990, djali ynë Paveli, në atë kohë 19 vjeç, donte të shërbente si pionier në Sahalin, ishull në veri të Japonisë. Në fillim, nuk donim që të shkonte. Në tërë ishullin ishin vetëm 20 lajmëtarë dhe ne jetonim 9.000 kilometra larg. Por, më vonë ramë dakord dhe pamë se ishte një vendim i mirë. Njerëzit atje reagonin pozitivisht ndaj mesazhit të Mbretërisë. Brenda pak viteve, u formuan tetë kongregacione. Paveli shërbeu në Sahalin deri në vitin 1995. Në atë kohë, në shtëpi me ne jetonte vetëm djali i vogël, Vitali. Që kur ishte fëmijë, i pëlqente shumë të lexonte Biblën. Në moshën 14-vjeçare nisi shërbimin e plotkohor dhe, për dy vjet, edhe unë shërbeva me të si pionier. Ishte një periudhë e mrekullueshme. Kur ishte 19 vjeç, Vitali u largua për të shërbyer si pionier special.
Vite më parë, në 1952-shin, një oficer i KGB-së i tha Marisë: «Ose hiq dorë nga besimi ose të presin dhjetë vjet burg. Kur të dalësh do të jesh plakë dhe njeri pa njeri.» Por gjërat shkuan krejt ndryshe. Kemi ndier dashurinë e Perëndisë tonë besnik, Jehovait, të fëmijëve tanë dhe të shumë vetave që kemi pasur privilegjin t’i ndihmonim të gjenin të vërtetën. Unë dhe Maria kemi pasur kënaqësinë të vizitojmë vendet ku kanë shërbyer fëmijët. Pamë mirënjohjen e atyre që fëmijët tanë i kanë ndihmuar të mësojnë për Jehovain.
MIRËNJOHËS PËR MIRËSINË E JEHOVAIT
Më 1991, aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait u njoh ligjërisht. Ai vendim i dha hov të paparë veprës së predikimit. Madje kongregacioni ynë bleu një autobus që çdo fundjavë të shkonim në qytetet e në fshatrat përreth.
Jam i lumtur që Jaroslavi bashkë me të shoqen, Aljonën, dhe Paveli me të shoqen, Rajën, shërbejnë në Bethel, kurse Vitali dhe gruaja e tij, Svetlana, shërbejnë në veprën qarkore. Vajza jonë e madhe, Irina, jeton në Gjermani bashkë me familjen. Burri i saj, Vladimiri, dhe tre djemtë e tyre shërbejnë si pleq kongregacioni. Vajza jonë Olga jeton në Estoni dhe më telefonon rregullisht. Mjerisht, gruaja ime e shtrenjtë, Maria, vdiq në vitin 2014. Mezi pres ta shoh përsëri kur të ringjallet! Tani jetoj në qytetin e Belgorodit dhe vëllezërit këtu më mbështetin jashtëzakonisht.
Vitet që kam kaluar në shërbim të Jehovait më kanë mësuar se mbajtja e integritetit e ka një çmim, ama paqja e brendshme që na fal Jehovai si shpërblim është një thesar që s’ka të çmuar. Bekimet që morëm unë dhe Maria ngaqë qëndruam të palëkundur, janë ku e ku më të mëdha se ç’mund të imagjinoja. Para rënies së BRSS-së më 1991, ishin pak më shumë se 40.000 lajmëtarë. Sot ka mbi 400.000 lajmëtarë në shtetet që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Tani jam 83 vjeç dhe vazhdoj të shërbej si plak. Mbështetja e Jehovait më ka dhënë gjithnjë forcë për të qëndruar. Po, Jehovai më ka shpërblyer tej mase.—Psal. 13:5, 6.
^ par. 4 KGB është shkurtimi në rusisht i Komitetit të Sigurimit të Shtetit Sovjetik.