Të rinj—«Vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj»
«Ashtu sikurse jeni bindur gjithnjë . . . vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë dhe me dridhma.»—FILIP. 2:12.
1. Pse pagëzimi është një hap kaq i rëndësishëm? (Shih figurën hapëse.)
ÇDO vit pagëzohen mijëra studentë të Biblës. Shumë prej tyre janë të rinj—adoleshentë dhe në vitet para adoleshencës. Ata mund të jenë rritur në të vërtetën. A je ti një prej tyre? Nëse po, të lumtë! Pagëzimi është një kërkesë për të krishterët dhe një hap thelbësor drejt shpëtimit.—Mat. 28:19, 20; 1 Pjet. 3:21.
2. Pse s’duhet t’i frikësohemi hapit të kushtimit ose ta shmangim?
2 Vërtet, pagëzimi u hap rrugën shumë bekimeve, ama përfshin edhe përgjegjësi. Në ç’kuptim? Ditën kur u pagëzove, iu përgjigje «po» kësaj pyetjeje: «Në bazë të flijimit të Jezu Krishtit, a je penduar për mëkatet e tua dhe a i je kushtuar Jehovait për të bërë vullnetin e tij?» Pagëzimi është simbol i kushtimit tënd. Është një premtim solemn që i bëre Jehovait për ta dashur e për të vënë vullnetin e tij mbi çdo gjë tjetër. Ky është një angazhim serioz. A duhet të bëhesh pishman për këtë premtim? Absolutisht jo. Ta lësh veten në duart e
Jehovait nuk është kurrë një hap i gabuar. Mendo pak për alternativën tjetër. Një njeri që jeton i ndarë nga Jehovai është nën sundimin e Satanait. Djallit nuk i intereson fare shpëtimi yt. Në fakt, do të gëzohej po ta humbje mundësinë për të jetuar përgjithmonë duke marrë anën e tij e duke hedhur poshtë sovranitetin e Jehovait.3. Cilat bekime vijnë kur i kushtohesh Jehovait?
3 Në kontrast me ata që mbështetin Satanain, mendo për bekimet që ke si i krishterë i kushtuar dhe i pagëzuar. Tani që ia ke dhënë jetën Jehovait, mund të thuash më i bindur se kurrë më parë: «Jehovai është në krahun tim, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?» (Psal. 118:6) Nuk ka privilegj më të madh në jetë se të jesh në anën e Perëndisë dhe të gëzosh miratimin e tij.
NJË PËRGJEGJËSI PERSONALE
4, 5. (a) Pse themi se kushtimi është përgjegjësi personale? (b) Cilat vështirësi nuk i kalojnë vetëm të rinjtë?
4 Si i krishterë i pagëzuar, marrëdhënia jote me Jehovain nuk është një «plan familjar», si ai që kanë disa për shërbimin e telefonisë celulare. Përkundrazi, tani je ti përgjegjës për shpëtimin tënd, edhe nëse jeton akoma me prindërit. Pse është e rëndësishme që ta mbash në mendje këtë? Sepse s’mund t’i parashikosh gjithmonë vështirësitë që do të hasësh në të ardhmen. Për shembull, nëse je pagëzuar para se të hyje në adoleshencë, ka të ngjarë të përballesh me ndjenja e presione të reja gjatë periudhës së adoleshencës. Ja si u shpreh një adoleshente për këtë: «Zakonisht një fëmijë nuk ndihet keq që është Dëshmitar i Jehovait vetëm se nuk ha një copë tortë për një ditëlindje në shkollë. Por ca vite më vonë, kur dëshira për seks bëhet më e fortë, duhet të ketë besim absolut se t’i bindesh Jehovait është gjithmonë zgjedhja më e mirë.»
5 Patjetër, nuk u ndodh vetëm të rinjve të përballen me vështirësi të reja. Edhe ata që pagëzohen në moshë të rritur hasin shumë sprova besimi të papritura. Këto sprova mund të lidhen me martesën, me shëndetin ose me punësimin. Po, të gjithë, pavarësisht nga mosha, do të hasin situata që kërkojnë besnikëri ndaj Jehovait.—Jak. 1:12-14.
6. (a) Ç’do të thotë se kushtimi që i ke bërë Jehovait është pa kushte? (b) Ç’mund të mësosh nga Filipianëve 4:11-13?
6 Një ndihmë që të qëndrosh besnik në çfarëdo situate është të mos harrosh kurrë se i ke bërë Jehovait një premtim pa kushte. Kjo nënkupton se i ke thënë Sovranit të universit që do të vazhdosh t’i shërbesh edhe nëse miqtë a prindërit e tu nuk e bëjnë më këtë. (Psal. 27:10) Në çdo situatë mund të marrësh forcë—me ndihmën e Jehovait—që ta mbash betimin e kushtimit.—Lexo Filipianëve 4:11-13.
7. Çfarë do të thotë të punosh për shpëtimin tënd «me frikë dhe me dridhma»?
7 Jehovai dëshiron të jesh miku i tij. Por që ta ruash miqësinë me të dhe të punosh për shpëtimin tënd, duhen përpjekje. Në fakt, Filipianëve 2:12 thotë: «Vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë dhe me dridhma.» Këto fjalë tregojnë se duhet të shqyrtosh si ta ruash miqësinë me Jehovain dhe t’i qëndrosh besnik në çfarëdo vështirësie. Mos krijo siguri të tepruar te vetja. Edhe disa që i shërbenin Perëndisë prej vitesh janë larguar nga udha e besimit. Atëherë, cilët hapa mund të bësh që të punosh për shpëtimin tënd?
STUDIMI I BIBLËS ËSHTË I RËNDËSISHËM
8. Çfarë përfshin studimi personal, dhe pse është i rëndësishëm?
8 Miqësia me Jehovain përfshin një komunikim të dyanshëm—të dëgjosh e të flasësh. Studimi personal i Biblës është mënyra kryesore si e dëgjojmë Jehovain. Kjo përfshin të marrësh njohuri duke lexuar e duke medituar rreth Fjalës së Perëndisë dhe botimeve të bazuara në Bibël. Teksa e bën këtë, mos harro se studimi i Biblës nuk është thjesht një ushtrim teorik. S’duhet të jetë sikur po mëson përmendsh disa fakte sa për të kaluar një provim në shkollë. Studimi i frytshëm është më shumë si një ekspeditë, ku mund të eksplorosh e të zbulosh aspekte të reja të personalitetit të Jehovait. Kjo do të të ndihmojë t’i afrohesh Perëndisë, e pastaj ai do të të afrohet.—Jak. 4:8.
9. Cilat mjete të kanë ndihmuar në studimin personal?
9 Organizata e Jehovait ka siguruar një sërë mjetesh, që të të ndihmojë të zhvillosh një program të efektshëm studimi. Për shembull, «Aktivitete për studimin e Biblës» që gjendet te pjesa «Adoleshentët» në sitin jw.org mund të të ndihmojë të nxjerrësh mësime praktike nga ngjarjet që tregohen në Bibël. Në po këtë sit, udhëzuesit për studim të serisë «Çfarë mëson vërtet Bibla?» mund të të ndihmojnë të forcosh bindjen për ato që beson. Këta udhëzues për studim të ndihmojnë që të mësosh si t’ua shpjegosh të tjerëve bindjet e tua. Ide të tjera për studim gjenden në artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si ta bëj të këndshëm leximin e Biblës?» në revistën Zgjohuni! të prillit 2009. Studimi dhe meditimi luajnë një rol të rëndësishëm në punën që bën për shpëtimin tënd.—Lexo Psalmin 119:105.
LUTJA ËSHTË JETËSORE
10. Pse është jetësore lutja për një të krishterë të pagëzuar?
10 Nëpërmjet studimit personal ne e dëgjojmë Jehovain, kurse nëpërmjet lutjes flasim me të. Nuk duhet ta shohim lutjen si një rit të pakuptimtë; as si një «hajmali për fat» që shton shanset për sukses. Përkundrazi, lutja është komunikim real me Krijuesin tonë. Jehovai dëshiron të dëgjojë çfarë ke për të thënë. (Lexo Filipianëve 4:6.) Kur përjeton ndonjë lloj ankthi, Bibla jep këtë këshillë të mençur: «Hidhja barrën tënde Jehovait.» (Psal. 55:22) A e beson vërtet se kjo këshillë do të të ndihmojë? Miliona vëllezër e motra mund të të sigurojnë se lutja i ka ndihmuar. Ajo mund të të ndihmojë edhe ty.
11. Pse duhet ta falënderosh gjithmonë Jehovain?
11 Lutja nuk të jep vetëm mundësinë që t’i kërkosh ndihmë Jehovait. Bibla thotë: «Tregohuni mirënjohës.» (Kolos. 3:15) Ndonjëherë mund të na përpijnë kaq shumë problemet tona sa të harrojmë bekimet e shumta që kemi. Pse të mos vendosësh që çdo ditë të bluash në mendje të paktën tri gjëra për të cilat mund të jesh mirënjohës? Pastaj, falënderoje Jehovain në lutje për ato bekime. Abigaila, një adoleshente që u pagëzua në moshën 12-vjeçare, thotë: «Mendoj se Jehovai i meriton falënderimet tona më shumë se kushdo tjetër në univers. Duhet ta falënderojmë sa herë të mundemi për dhuratat që na ka dhënë. Një herë dëgjova një përkujtues të shkëlqyer: po të zgjoheshim nesër vetëm me gjërat për të cilat e falënderuam Jehovain sot, çfarë do të kishim realisht?» *
VLERA E PËRVOJËS PERSONALE
12, 13. Pse është e rëndësishme të mendosh se si e ke shijuar ti personalisht mirësinë e Jehovait?
12 Mbreti David i lashtësisë, të cilin Perëndia e kishte çliruar nga shumë sprova të hidhura, u shpreh kështu në një këngë: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai! Lum kush gjen strehë tek ai!» (Psal. 34:8) Ky varg thekson sa vlerë ka përvoja personale. Kur lexon Biblën e botimet tona dhe kur ndjek mbledhjet, dëgjon përvoja inkurajuese se si i ka ndihmuar Perëndia të tjerët të qëndrojnë besnikë. Por, teksa marrëdhënia jote me Jehovain forcohet, ke nevojë të shohësh dorën e Tij në jetën tënde. Si e ke shijuar ti personalisht mirësinë e Jehovait?
13 Gjithë të krishterët e kanë shijuar mirësinë e Jehovait në një mënyrë të veçantë: Perëndia i ka ftuar t’i afrohen atij dhe Birit të tij. Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) A mendon se këto fjalë vlejnë për ty? Një i ri mbase arsyeton: «Jehovai tërhoqi prindërit e mi, dhe unë thjesht shkova pas tyre.» Mirëpo, kur iu kushtove Jehovait dhe u pagëzove, tregove se kishe krijuar një marrëdhënie të rrallë e të çmuar me të. Tani Perëndia të njeh vërtet. Bibla na siguron: «Nëse dikush do Perëndinë, Perëndia e njeh atë.» (1 Kor. 8:3) Përpiqu gjithmonë ta çmosh e ta vlerësosh thellë vendin tënd në organizatën e Jehovait.
14, 15. Si mund të të ndihmojë shërbimi që të forcosh besimin?
14 Një mënyrë tjetër si mund ta shijosh mirësinë e Jehovait është duke provuar mbështetjen e tij kur flet me të tjerët për besimin tënd. Këtë mund ta bësh qoftë kur je në shërbim, qoftë në shkollë. Disave u duket e vështirë t’u predikojnë shokëve të shkollës. Ka shumë mundësi që e kupton arsyen. Ti nuk e di fare si do të reagojnë. Mund të jetë veçanërisht e vështirë të flasësh para një grupi të madh në vend se t’i flasësh një shoku të klasës më vete. Ç’mund të të ndihmojë?
15 Së pari, mendo pse je i bindur për ato që beson. A i ke në gjuhën tënde udhëzuesit për studim në jw.org? Nëse nuk je i sigurt, ndalu e kërkoji. Udhëzuesit janë bërë enkas që të të ndihmojnë të meditosh për ato që beson, pse i beson dhe si mund Jer. 20:8, 9.
t’ua shpjegosh të tjerëve. Kur ke bindje të fortë dhe je i përgatitur mirë, do të ndihesh i nxitur të dëshmosh për emrin e Jehovait.—16. Çfarë mund të të ndihmojë ta mposhtësh ngurrimin për të folur haptas rreth bindjeve të tua?
16 Megjithatë, edhe kur je i përgatitur, mund të ngurrosh të flasësh haptas për bindjet e tua. Një motër 18-vjeçare, që u pagëzua kur ishte 13 vjeçe, pranon: «Jam e sigurt për ato që besoj, por ndonjëherë e kam të vështirë ta shpreh me fjalë atë që mendoj.» Si e përballon këtë pengesë? Ajo thotë: «Thjesht përpiqem të jem spontane. Shokët e klasës flasin lirshëm për gjërat që bëjnë. Pse të mos bëj edhe unë njësoj? Kështu, përmend kalimthi diçka të tillë si: ‘Dje po i mësoja dikujt nga Bibla dhe . . . ’ Pastaj vazhdoj muhabetin. Edhe pse ajo që them s’lidhet direkt me Biblën, shpesh të tjerët bëhen kuriozë se çfarë bëj unë kur u mësoj të tjerëve Biblën. Ndonjëherë më pyesin për këtë. Sa më shumë që e përdor këtë metodë, aq më kollaj e kam. Dhe në fund ndihem gjithmonë shumë e kënaqur.»
17. Si mund të të ndihmojë pikëpamja që ke për besimin tënd të flasësh me të tjerët?
17 Kur tregon respekt dhe interes personal për të tjerët, ka më shumë të ngjarë që ata të bëjnë njësoj me ty. Olivia 17-vjeçare, që u pagëzua para se të hynte në adoleshencë, pohon: «Gjithmonë kam pasur frikë se po ta përmendja Biblën në bisedë, të tjerët do të më shihnin si fanatike.» Pastaj filloi t’i shihte gjërat ndryshe. Në vend se të përqendrohej tepër te gjërat që e frikësonin, Olivia arsyetoi kështu: «Shumë të rinj nuk dinë asgjë për Dëshmitarët e Jehovait. Ne jemi të vetmit Dëshmitarë që takojnë. Kështu, mënyra si veprojmë ne mund të përcaktojë si do të reagojnë. Ç’ndodh nëse jemi të ndrojtur, të turpshëm ose e kemi të vështirë të flasim për besimin tonë, a nëse jemi si të trembur kur flasim për bindjet tona? Atëherë ata mund të mendojnë se nuk ndihemi krenarë që jemi Dëshmitarë. Madje, mund të na përgjigjen vrazhdë ngaqë s’kemi siguri te vetja. Kurse po të flasim lirshëm dhe plot siguri për atë që besojmë, duke e bërë pjesë normale të bisedës, ka më shumë të ngjarë të na respektojnë.»
VAZHDO TË PUNOSH PËR SHPËTIMIN TËND
18. Çfarë përfshin të punosh për shpëtimin tënd?
18 Siç e pamë, të punosh për shpëtimin tënd është një përgjegjësi serioze. Ndër të tjera përfshin të lexosh Fjalën e Perëndisë e të meditosh rreth saj, t’i lutesh Jehovait dhe të bluash në mend mënyrat si të ka bekuar ty personalisht. Po të përpiqesh fort në këto aspekte, do të të forcohet bindja se është privilegj të gëzosh miqësi me Jehovain. Kjo pastaj do të të shtyjë të flasësh me guxim për bindjet e tua.—Lexo Psalmin 73:28.
19. Pse ia vlejnë përpjekjet që bën për shpëtimin tënd?
19 Jezui tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mat. 16:24) Është e qartë se të bëhesh dishepull i Jezuit—që përfshin të kushtohesh e të pagëzohesh—është një detyrim për ty si i krishterë. Ama, kjo i hap rrugën bekimeve të panumërta tani dhe jetës së përhershme në botën e re të Perëndisë. Ke çdo arsye, pra, që të vazhdosh të punosh për shpëtimin tënd!
^ par. 11 Sugjerime të tjera mund t’i gjesh në jw.org tek artikulli «Të rinjtë pyesin—Pse duhet të lutem?» dhe te fleta e punës që e shoqëron.