ARTIKULLI I STUDIMIT 38
Afrohu më shumë me familjen e Jehovait
«Unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj.»—GJONI 20:17.
KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri
PËRMBLEDHJE *
1. Ç’lloj marrëdhënieje mund të kenë me Jehovain njerëzit besnikë?
FAMILJA e adhuruesve të Jehovait përfshin Jezuin, që është «i parëlinduri i gjithë krijimit», dhe një shumicë engjëjsh. (Kolos. 1:15; Psal. 103:20) Kur ishte në tokë, Jezui e bëri të qartë se njerëzit besnikë mund ta shohin Jehovain si Atin e tyre. Ndërsa po fliste me një nga dishepujt, ai e quajti Jehovain «Ati im dhe Ati juaj». (Gjoni 20:17) Gjithashtu, kur i kushtohemi Jehovait dhe pagëzohemi, bëhemi pjesë e një familjeje të dashur me vëllezër e motra.—Mar. 10:29, 30.
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Disa e kanë të vështirë ta shohin Jehovain si një Atë të dashur. Të tjerë mbase nuk dinë si ta shprehin dashurinë për vëllezërit e motrat. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si na ndihmon Jezui ta shohim Jehovain si një Atë të dashur që mund t’i afrohemi. Gjithashtu do të ndalemi te disa mënyra si mund ta imitojmë Jehovain në marrëdhëniet me vëllezërit dhe motrat.
JEHOVAI DËSHIRON TË AFROHESH ME TË
3. Pse na afron më shumë me Jehovain lutja model?
3 Jehovai është një Atë i dashur. Jezui dëshiron ta shohim Jehovain siç e sheh ai—si një prind të dhimbsur e të dashur, me të cilin është e lehtë të flasim, jo si një figurë të ftohtë autoritare. Kjo shihet qartë në rastin kur Jezui i mësoi dishepujt për çfarë të luteshin. Ai e nisi lutjen model me fjalët «Ati ynë». (Mat. 6:9) Jezui mund të na kishte udhëzuar ta quanim Jehovain «i Plotfuqishmi», «Krijuesi» ose «Mbreti i përjetësisë»—që janë të gjithë tituj të përshtatshëm të përmendur në Shkrime. (Zan. 49:25; Isa. 40:28; 1 Tim. 1:17) Ama, Jezui përdori fjalën e përzemërt «Atë».
4. Nga e dimë se Jehovai dëshiron t’i afrohemi?
4 A e ke të vështirë ta shohësh Jehovain si një Atë të dashur? Disa prej nesh e kanë të vështirë. Mbase nuk arrijmë të përfytyrojmë një prind që na do ngaqë kemi pasur një fëmijëri të dhimbshme. Por e dimë se Jehovai i kupton plotësisht ndjenjat tona, e kjo na e ngroh zemrën. Ai dëshiron të na qëndrojë pranë. Ja pse në Fjalën e tij na bëhet kjo ftesë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jak. 4:8) Jehovai na do dhe na siguron se do të jetë për ne Ati më i mirë që ekziston.
5. Në harmoni me Lukën 10:22, si mund të na ndihmojë Jezui që të afrohemi më shumë me Jehovain?
5 Jezui mund të na ndihmojë të afrohemi më shumë me Jehovain. Ai e njeh kaq mirë Jehovain dhe i pasqyron kaq përsosmërisht cilësitë e Tij, saqë mund të thoshte: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Si vëlla i madh, Jezui na mëson si ta respektojmë e t’i bindemi Atit tonë, çfarë të bëjmë që të mos e hidhërojmë dhe si ta fitojmë miratimin e Tij. Por jeta e Jezuit në tokë nxjerr në pah sidomos sa i mirë dhe sa i dashur është Jehovai. (Lexo Lukën 10:22.) Le të shohim disa shembuj.
6. Jepni shembuj që tregojnë se Jehovai i dëgjoi lutjet e Jezuit.
6 Jehovai i dëgjon fëmijët e tij. S’ka dyshim se Jehovai dëgjoi shumë lutje që bëri Biri i tij kur ishte në tokë. (Luka 5:16) Të shohim vetëm disa raste kur Jehovai e dëgjoi Birin e tij të parëlindur. E dëgjoi Jezuin ndërsa i lutej për vendime me peshë, si në rastin kur zgjodhi 12 apostujt. (Luka 6:12, 13) E dëgjoi t’i lutej edhe kur ishte në ankth. Pak para se ta tradhtonin, Jezui iu lut me zjarr Atit të tij për sprovën e vështirë që do të përballonte. Jehovai jo vetëm e dëgjoi lutjen e Jezuit, por edhe dërgoi një engjëll që t’i jepte forcë Birit të tij të shtrenjtë.—Luka 22:41-44.
7. Si ndihesh kur mendon se Jehovai i dëgjon lutjet e tua?
7 Edhe sot, Jehovai i dëgjon lutjet tona dhe u përgjigjet në kohën e duhur e në mënyrën më të mirë që ekziston. (Psal. 116:1, 2) Të shohim si e provoi këtë një motër në Indi. Ajo vuante nga probleme të rënda emocionale dhe i lutej me zjarr Jehovait për këtë. Ja çfarë shkruan kjo motër: «Programi i majit 2019 në JW Broadcasting® tregonte çfarë të bëjmë kur ndihemi të shqetësuar ose në ankth, dhe ishte fiks ajo që më nevojitej. Ishte përgjigjja e lutjeve të mia.»
8. Në cilat mënyra e tregoi Jehovai dashurinë për Jezuin?
8 Jehovai na do dhe kujdeset për ne, njësoj siç e donte Jezuin dhe siç u kujdes për të gjatë caktimit të vështirë në tokë. (Gjoni 5:20) Ai e ndihmoi Jezuin ta mbante besimin të fortë, i dha zemër kur ishte në ankth dhe i siguroi gjërat e nevojshme për të jetuar. E Jehovai e shprehte lirshëm dashurinë dhe miratimin për Birin e tij. (Mat. 3:16, 17) Jezui e dinte se mund të mbështetej në çdo çast tek Ati i tij i dashur, prandaj nuk ndihej kurrë vetëm.—Gjoni 8:16.
9. Cilat janë disa mënyra si na e shpreh dashurinë Jehovai?
9 Ashtu si Jezui, të gjithë ne e kemi provuar dashurinë e Jehovait në shumë mënyra. Mendo pak: Jehovai na tërhoqi drejt vetes dhe na ka dhënë një familje të dashur me vëllezër e motra, që na e mbushin zemrën me gëzim e na inkurajojnë kur kemi nevojë. (Gjoni 6:44) Veç kësaj, Jehovai na furnizon pareshtur me ushqim nga Fjala e tij që na e mban besimin të fortë. Ai na ndihmon edhe të kemi gjërat e nevojshme për të jetuar. (Mat. 6:31, 32) Ndërsa bluajmë në mendje sa fort na do Jehovai, na shtohet dashuria për Të.
TRAJTOJI VËLLEZËRIT E MOTRAT SIÇ I TRAJTON JEHOVAI
10. Çfarë mund të mësojmë nga mënyra si i trajton Jehovai vëllezërit dhe motrat?
10 Vëllezërit e motrat tona janë të dashur për Jehovain. Por ne mund të mos e kemi gjithnjë të lehtë t’i duam dhe të shprehim dashuri për ta. Në fund të fundit, kemi formim dhe prejardhje të ndryshme nga njëri-tjetri. E të gjithë bëjmë gabime që mund t’i acarojnë dhe t’i zhgënjejnë të tjerët. Prapëseprapë, secili nga ne mund të përpiqet ta forcojë dashurinë në familjen e Jehovait. Si? Duke imituar Atin e dashur dhe duke treguar dashuri për vëllezërit e motrat. (Efes. 5:1, 2; 1 Gjon. 4:19) Të shohim ç’mund të mësojmë nga shembulli i Jehovait.
11. Si e pasqyroi Jezui ‘zemërdhembshurinë’ e Jehovait?
11 Jehovai tregohet ‘zemërdhembshur’. (Luka 1:78) Një person i dhembshur merakoset kur sheh se dikush vuan; ai kërkon mënyra si ta ndihmojë dhe t’i japë zemër. Mënyra si i trajtonte Jezui të tjerët, pasqyronte dhembshurinë e Jehovait për ta. (Gjoni 5:19) Në një rast kur pa një turmë njerëzish, Jezui ‘u prek thellë, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari’. (Mat. 9:36) Dhembshuria e Jezuit nuk kufizohej te keqardhja që ndiente për njerëzit. Ai shëronte të sëmurët e u përtërinte forcat atyre ‘që robtoheshin dhe që ishin të ngarkuar’.—Mat. 11:28-30; 14:14.
12. Në ç’mënyra mund të tregojmë dhembshuri për vëllezërit dhe motrat?
12 Që të tregojmë merak e dhembshuri për vëllezërit e motrat, duhet të mendojmë për vështirësitë që po kalojnë. Për shembull, një motër mund të ketë një problem të rëndë shëndetësor. Nuk ankohet kurrë për këtë, por ka shumë të ngjarë që do ta vlerësonte pak ndihmë praktike. A po ia del të kujdeset për çka i nevojitet familjes? A mund t’i japim një dorë duke gatuar diçka për të a duke e ndihmuar të pastrojë shtëpinë? Ose një vëlla mund të ketë mbetur pa punë. A mund ta ndihmojmë me një dhuratë monetare modeste, ndoshta pa i treguar që është nga ana jonë, që t’ia dalë derisa të gjejë punë?
13-14. Si mund të jemi bujarë si Jehovai?
13 Jehovai është bujar. (Mat. 5:45) Për të treguar dhembshuri, nuk ka pse të presim derisa vëllezërit e motrat të na kërkojnë ndihmë. Ashtu si Jehovai, mund të marrim iniciativën. Falë tij, dielli lind çdo ditë, edhe pa ia kërkuar ne këtë. E nga ngrohtësia e diellit nxjerrin dobi të gjithë, jo vetëm ata që janë mirënjohës. A nuk na tregon Jehovai sa fort na do duke na siguruar gjërat e nevojshme? Sa shumë e duam që është kaq i mirë dhe bujar!
14 Duke imituar Atin qiellor, shumë vëllezër e motra marrin iniciativën e tregojnë bujari. Për shembull, në vitin 2013, supertajfuni Haijan shkaktoi dëme të papara në Filipine. Mjaft vëllezër e motra humbën shtëpinë dhe gjithçka që zotëronin. Por familja e tyre mbarëbotërore u vajti menjëherë në ndihmë. Shumë veta dhuruan fonde ose morën pjesë në një projekt ndërtimi kolosal, falë të cilit u meremetuan e u rindërtuan gati 750 shtëpi në më pak se një vit. Gjatë pandemisë së COVID-19, Dëshmitarët punuan pa u kursyer për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat. Kur u bëhemi krah pa vonesë pjesëtarëve të familjes së Jehovait, tregojmë se i duam.
15-16. Sipas Lukës 6:36, cila është një mënyrë e rëndësishme si mund ta imitojmë Atin tonë?
15 Jehovai është i mëshirshëm dhe i gatshëm të falë. (Lexo Lukën 6:36.) Ne e provojmë ditë për ditë mëshirën e Atit tonë qiellor. (Psal. 103:10-14) Dishepujt e Jezuit ishin të papërsosur; megjithatë, ai tregonte mëshirë për ta dhe i falte. Madje ishte i gatshëm të jepte jetën që të falen mëkatet tona. (1 Gjon. 2:1, 2) Patjetër që afrohesh më shumë me Jehovain dhe Jezuin kur mendon sa mëshirë tregojnë e sa të gatshëm janë të falin.
16 Kur ‘falim bujarisht’, forcojmë dashurinë në familjen e Jehovait. (Efes. 4:32) Natyrisht, hera-herës mund të jetë goxha e vështirë t’i falim të tjerët, ndaj na duhet të përpiqemi fort në këtë pikë. Një motër e ndihmoi shumë artikulli i Kullës së Rojës «Të falim bujarisht njëri-tjetrin». * Ajo shkruan: «Nga studimi i këtij artikulli, tani kam një pikëpamje më pozitive për faljen. Aty shpjegohej se të jesh i gatshëm të falësh dikë nuk do të thotë se po e miraton sjelljen e tij të gabuar a se po e minimizon lëndimin që të ka shkaktuar. Përkundrazi, të falësh do të thotë të mos mbash mëri dhe të ruash paqen e brendshme.» Kur i falim bujarisht vëllezërit e motrat, imitojmë Atin tonë, Jehovain, dhe tregojmë se i duam.
ÇMOJE PRIVILEGJIN QË I PËRKET FAMILJES SË JEHOVAIT
17. Sipas Mateut 5:16, si mund ta nderojmë Atin tonë qiellor?
17 Është privilegj i pashoq t’i përkasim një familjeje të dashur ndërkombëtare. Duam që sa më shumë njerëz ta adhurojnë bashkë me ne Perëndinë tonë. Prandaj nuk duhet të bëjmë kurrë diçka që do të hidhte baltë mbi popullin e Jehovait ose mbi Atin tonë qiellor. Përpiqemi të sillemi në një mënyrë që do t’u ngjallë njerëzve dëshirën të mësojnë për Jehovain.—Lexo Mateun 5:16.
18. Çfarë mund të na ndihmojë të japim dëshmi me guxim?
18 Ndonjëherë, disa mund të na trajtojnë me përbuzje ose edhe të na përndjekin ngaqë i bindemi Atit tonë. Ç’të bëjmë nëse ndiejmë frikë në zemër kur flasim me të tjerët për bindjet tona? Mund të jemi të sigurt se Jehovai dhe Biri i tij do të na vijnë në ndihmë. Jezui i siguroi dishepujt e vet se nuk kishin pse të shqetësoheshin se si do të flitnin ose ç’do të thoshin. Pse? Jezui shpjegoi: «Fjalët që do të thoni, do t’ju tregohen në atë çast, sepse nuk do të jeni ju që do të flitni, por do të jetë fryma e Atit tuaj që do të flasë nëpërmjet jush.»—Mat. 10:19, 20.
19. Jepni një shembull se si dha dëshmi me guxim dikush.
19 Të mendojmë për shembullin e Robertit. Ca kohë më parë, kur ishte student i ri dhe nuk kishte shumë njohuri nga Bibla, atij iu desh të dilte para një gjykate ushtarake në Afrikën e Jugut. Roberti shpjegoi me guxim në gjykatë se dëshironte të qëndronte asnjanës, sepse i donte vëllezërit e tij. Ai po tregonte mirënjohje për privilegjin që bën pjesë në familjen e Jehovait. «E kush janë vëllezërit e tu?»—e pyeti befas gjykatësi. Roberti nuk e priste atë pyetje; megjithatë iu kujtua menjëherë shkrimi i ditës. Ishte Mateu 12:50: «Vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell.» Edhe pse ishte student i ri i Biblës, fryma e Jehovait e ndihmoi Robertin t’i përgjigjej asaj pyetjeje dhe disa pyetjeve të tjera të papritura. Sa krenar duhet të jetë ndier Jehovai për Robertin! Jehovai është krenar edhe për ne kur mbështetemi tek Ai që të japim dëshmi me guxim në rrethana të vështira.
20. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë? (Gjoni 17:11, 15)
20 Vazhdofshim ta çmojmë privilegjin që i përkasim një familjeje kaq të dashur! Kemi Atin më të shkëlqyer që ekziston dhe shumë vëllezër e motra që na duan. Të mos e humbasim kurrë mirënjohjen për këto bekime. Satanai dhe pasuesit e tij zemërligj përpiqen të na ngjallin dyshime nëse Ati ynë na do dhe orvaten të prishin unitetin mes nesh. Megjithatë, Jezui u lut për ne dhe i kërkoi Atit të na mbronte, që të mbetemi një familje e bashkuar. (Lexo Gjonin 17:11, 15.) Jehovai po i përgjigjet asaj lutjeje. Ashtu si Jezui, të mos dyshojmë kurrë se Ati ynë qiellor na do dhe do të na mbështetë. Qofshim të vendosur të afrohemi gjithnjë e më shumë me familjen e Jehovait!
KËNGA 99 Miliona vëllezër
^ par. 5 Kemi privilegjin e pakrahasueshëm të jemi pjesë e një familjeje të dashur me vëllezër e motra. Të gjithë duam ta forcojmë dashurinë që ekziston mes nesh. Si mund ta bëjmë këtë? Duke imituar mënyrën si na trajton Ati ynë i dashur, si edhe duke ndjekur shembullin e Jezuit dhe të vëllezërve e motrave.
^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jehovai dërgoi një engjëll që t’i jepte forcë Jezuit në kopshtin e Getsemanisë.
^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë pandemisë së COVID-19, shumë Dëshmitarë punuan që të përgatitnin dhe të shpërndanin furnizime me ushqime.
^ par. 61 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një mama ndihmon vajzën e saj për t’i dërguar një letër inkurajuese një vëllai në burg.