Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Premtime që do të plotësohen

Premtime që do të plotësohen

Lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë po predikohet në mbarë tokën, tamam siç profetizoi Jezui. (Mateu 24:14) Libri biblik i Danielit na tregon se kjo Mbretëri është një qeveri e vendosur nga Perëndia. Në kapitullin 2 të këtij libri gjejmë një profeci e cila përshkruan me radhë disa superfuqi njerëzore, ose mbretëri, që nga Babilonia e lashtë e deri në ditët tona. Duke folur për atë çfarë na pret, vargu 44 thotë:

«Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»

Kjo dhe profeci të tjera biblike parathonë se Mbretëria e Perëndisë do të zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore, do të sjellë stabilitet e do të vërë rregull në të gjithë tokën. Si do të jetë jeta nën qeverisjen e Mbretërisë? Shiko disa premtime të mrekullueshme që do të bëhen realitet së shpejti.

  • S’DO TË KETË MË LUFTËRA

    Psalmi 46:9: «[Perëndia] i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»

    Imagjino si do të ishte bota sikur të gjitha burimet dhe aftësitë që përdoren sot për të krijuar armë vdekjeprurëse, të përdoreshin për t’u sjellë dobi njerëzve! Ky premtim do të bëhet realitet nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë.

  • S’DO TË KETË MË SËMUNDJE

    Isaia 33:24: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»

    Mendo pak për një botë ku asnjë s’do të vuajë nga sëmundjet e zemrës, kanceri, malaria a ndonjë sëmundje tjetër. Nuk do të ketë më nevojë as për spitale, as për ilaçe. Shëndet i përsosur​—kjo e ardhme i pret njerëzit.

  • S’DO TË KETË MË MUNGESË USHQIMI

    Psalmi 72:16: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»

    Toka do të prodhojë ushqim me bollëk, që do të jetë në dispozicion për të gjithë. Uria dhe kequshqyerja do të zhduken njëherë e mirë.

  • S’DO TË KETË MË DHEMBJE, HIDHËRIM DHE VDEKJE

    Zbulesa 21:4: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»

    Kjo do të thotë jetë e përsosur dhe e pafund në një parajsë tokësore. Këto premtime vijnë nga Krijuesi ynë i dashur, Perëndia Jehova.

«DO TA KRYEJË PATJETËR»

A të duket e gjithë kjo tepër e bukur për të qenë e vërtetë? Edhe pse shumica e njerëzve do të ishte dakord se jeta që premton Bibla është vërtet e bukur, për arsye të ndryshme, mjaft veta nuk e konceptojnë dot se ç’do të thotë të jetosh përgjithmonë. Kjo s’është çudi, pasi asnjë njeri s’e ka provuar këtë lloj jete që të na tregojë për të.

Njerëzimi ka qenë skllav i mëkatit dhe i vdekjes dhe është përpëlitur në darën e dhembjeve, të vuajtjeve dhe të halleve për kaq shumë kohë, sa për mjaft njerëz është normale ose e natyrshme një mënyrë e tillë jetese. Ama, kjo është komplet ndryshe nga qëllimi që kishte për ne Krijuesi ynë, Perëndia Jehova.

Që të kuptojmë më mirë sa të sigurta janë të gjitha premtimet e tij, Perëndia tha me bindje për fjalën e vet: «Nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»​—Isaia 55:11.

Në Bibël, Jehovai përshkruhet si Perëndia «që nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Meqë ai ka premtuar gjithë këto gjëra fantastike për të ardhmen, do të ishte e mençur të shqyrtonim pyetje, si: a është vërtet e mundur që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në Parajsën e premtuar tokësore? Çfarë duhet të bëjmë që të gëzojmë premtimet e Perëndisë? Në faqet vijuese të kësaj reviste do të gjesh informacion të dobishëm që u përgjigjet këtyre pyetjeve.