TEMA KRYESORE | PSE TË JESH I NDERSHËM?
Pse ia vlen të jesh i ndershëm?
«Jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër, pasi duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.
Në Bibël, fjala origjinale greke që ndonjëherë është përkthyer «ndershmëri», fjalë për fjalë do të thotë «diçka krejtësisht e mirë». Mund të mbartë edhe kuptimin e diçkaje të bukur nga ana morale.
Të krishterët i marrin seriozisht fjalët e frymëzuara të apostullit Pavël: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» Çfarë përfshin kjo?
LUFTË E BRENDSHME
Shumë njerëz shihen në pasqyrë çdo mëngjes para se të dalin. Pse? Sepse duan të duken sa më mirë. Por ka diçka shumë më të rëndësishme se një model trendi i flokëve ose rroba të modës. Po, personi ynë i brendshëm ose ia shton, ose ia pakëson vlerën pamjes së jashtme.
Fjala e Perëndisë e thotë hapur se ne priremi nga e keqja. «Zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij»,—thotë Zanafilla 8:21. Prandaj, që të jemi të ndershëm, duhet t’i luftojmë prirjet mëkatare të lindura. Apostulli Pavël e përshkroi në mënyrë të gjallë luftën e tij kundër mëkatit: «Në të vërtetë, njeriu që jam përbrenda, kënaqet me ligjin e Perëndisë, kurse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia.»—Romakëve 7:22, 23.
Për shembull, kur zemra na nxit të bëjmë atë që është e keqe dhe kemi një prirje të fortë për të qenë të pandershëm, s’ka pse të jemi skllevër të impulseve të zemrës. Kemi ende mundësi të zgjedhim. Kur vendosim ta largojmë nga mendja një mendim të keq, mund të mbetemi të ndershëm, pavarësisht se na rrethon pandershmëria.
BETEJË E FITUAR
Që të jemi të ndershëm, duhet të kemi një kod të fortë me norma morale. Por, mjerisht shumë veta harxhojnë më tepër kohë duke menduar për «kodin e veshjes», sesa duke menduar për një kod me norma morale. Si rrjedhojë, ata e justifikojnë masën e pandershmërisë që tregojnë në situatën e tyre. Libri The (Honest) Truth About Dishonesty thotë: «Në thelb, ne mashtrojmë deri në atë pikë sa ta ruajmë imazhin si individë të ndershëm në një masë të arsyeshme.» Por, a ka një standard të besueshëm që na ndihmon të vendosim vetë se deri në ç’masë është e pranueshme pandershmëria, nëse është e pranueshme? Po, ka!
Miliona veta në mbarë botën kanë zbuluar se Bibla e plotëson më së miri këtë nevojë, pasi ajo përmban një kod të pakrahasueshëm me norma morale. (Psalmi 19:7) Në të gjejmë drejtim të besueshëm për çështje, si: jeta familjare, puna, morali dhe besimi te Zoti. Ky drejtim ka qenë i besueshëm përgjatë gjithë historisë. Ligjet dhe parimet e Biblës zbatohen për të gjitha grupet kombëtare, racat, fiset dhe popujt. Duke e shqyrtuar me kujdes Biblën, duke medituar rreth asaj që thotë dhe duke i zbatuar këshillat e saj, mund t’ia dalim ta stërvitim zemrën që të jetë e ndershme dhe e drejtë.
Megjithatë, beteja kundër pandershmërisë nuk mbaron me marrjen e njohurisë së saktë për Biblën. Në fund të fundit, ne jetojmë në një botë pa norma morale, e cila na bën presion t’i pranojmë standardet e saj të ulëta. Ja pse duhet t’i lutemi Perëndisë të na ndihmojë e të na mbështetë. (Filipianëve 4:6, 7, 13) Duke vepruar kështu, mund t’i përmbahemi me guxim asaj që është e drejtë dhe të jemi të ndershëm në çdo gjë.
NDERSHMËRIA ËSHTË SHPËRBLYESE
Reputacioni si punëtor i ndershëm i solli shumë dobi Hitoshit, të cilin e përmendëm në artikullin e parë. Tani ai ka një punëdhënës që e vlerëson ndershmërinë e tij. «Jam i lumtur që arrita të gjeja një punë që më lejon të mbaj ndërgjegje të pastër»,—thotë ai.
Edhe të tjerë e kanë parë sa e vërtetë është kjo. Shqyrto disa shembuj të atyre që kanë nxjerrë dobi kur kanë zbatuar parimin biblik ‘për t’u sjellë me ndershmëri në çdo gjë’.
-
Ndërgjegje e pastër
«Kur isha 13 vjeçe, lashë shkollën që të bashkohesha me disa hajdutë. Si rezultat, 95 për qind e të ardhurave i siguroja në mënyrë të pandershme. Më vonë u martova, dhe bashkë me burrin, nisa të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Mësuam se Jehovai * i urren praktikat e pandershme, prandaj vendosëm ta ndryshonim jetën. Në vitin 1990 ia kushtuam jetën Jehovait dhe u pagëzuam si Dëshmitarë të Tij.—Proverbat 6:16-19.
Në të kaluarën e kisha shtëpinë plot me gjëra të vjedhura, por tani jo. Si rezultat, kam ndërgjegje të pastër. Kur kujtoj se për sa vite jam sjellë në mënyrë të pandershme, i jam mirënjohëse Jehovait për mëshirën e tij të madhe. Është gjëja më e mirë që çdo natë të fle me mendimin se Jehovai është i kënaqur me mua.»—Sherila, Irlandë.
«Kur shefi e mori vesh se kisha refuzuar një ryshfet nga një klient i mundshëm, më tha: ‘Zoti tek i cili beson, të bën shumë të besueshëm. Sa mirë që të kemi në këtë firmë!’ Ndershmëria në çdo gjë më ndihmon të kem ndërgjegje të pastër para Perëndisë Jehova. Gjithashtu, mund të ndihmoj familjen dhe persona të tjerë të veprojnë njësoj.»—Soni, Hong-Kong.
-
Paqe mendore
«Punoj në një bankë ndërkombëtare si asistent ekzekutiv. Në këtë punë, ndershmëria shkelet me këmbë kur në mes është fitimi i parave. Shumë mendojnë: ‘Ç’të keqe ka pak pandershmëri nëse kjo të pasuron dhe ndihmon ekonominë?’ Por, ndershmëria më ka sjellë paqe mendore. Jam i vendosur të mos lëkundem nga ndershmëria dhe të përballoj çdo pasojë që mund të vijë. Punëdhënësit e mi e dinë se nuk i gënjej ata dhe as gënjej për ta.»—Tomi, Shtetet e Bashkuara.
-
Respekt për veten
«Përgjegjësi më tha të gënjeja për disa materiale që ishin zhdukur, por unë nuk pranova. Kur u zbuluan hajdutët, punëdhënësi më falënderoi që u tregova e ndershme. Duhet guxim të jesh i ndershëm në një botë të pandershme. Por, në fund, fitojmë besimin dhe respektin e të tjerëve.»—Kora, Japoni.
Ndërgjegje e pastër, paqe mendore dhe respekt për veten—këto shpërblime tregojnë se ia vlen vërtet të jesh i ndershëm. A nuk je dakord edhe ti?
^ par. 18 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.