Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 20

KËNGA 7 Jehova, je forca jonë

Rend te Jehovai për ngushëllim

Rend te Jehovai për ngushëllim

«Lëvduar qoftë . . . Ati i mëshirshëm e zemërdhembshur dhe Perëndia i çdo ngushëllimi.»2 KOR. 1:3.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Çfarë mësojmë nga mënyra si i ngushëlloi Jehovai të mërguarit judenj.

1. Në çfarë situate gjendeshin të mërguarit judenj?

 IMAGJINO si duhet të jenë ndier mërgimtarët judenj në Babiloni. Ata kishin parë shkatërrimin e atdheut të tyre. Për shkak të mëkateve të veta dhe të paraardhësve të tyre, kishin përfunduar robër në dhé të huaj. (2 Kron. 36:15, 16, 20, 21) Është e vërtetë se në Babiloni kishin njëfarë lirie për të bërë një jetë normale. (Jer. 29:4-7) Gjithsesi, jeta nuk ishte fushë me lule, e pa diskutim nuk ishte aspak ajo jetë që do të kishin dashur. Si ndiheshin për situatën ku gjendeshin? Ja si u shpreh një mërgimtar besnik: «Atje, buzë lumenjve të Babilonisë, uleshim dhe qanim kur kujtonim Sionin.» (Psal. 137:1) Mërgimtarët zemërlëshuar kishin nevojë për ngushëllim. Mirëpo kush mund t’i ngushëllonte?

2-3. (a) Çfarë bëri Jehovai për mërgimtarët judenj? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Jehovai është «Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Kor. 1:3) Si Perëndi i dashur, ai do me gjithë shpirt t’i ngushëllojë miqtë e tij. Jehovai e dinte se disa nga të mërguarit do ta pranonin disiplinën dhe do të ktheheshin tek ai. (Isa. 59:20) Prandaj, mbi 100 vjet para se judenjtë t’i çonin në mërgim, kishte frymëzuar profetin Isaia të shkruante librin që mban emrin e tij. Me ç’qëllim? Isaia shkroi: «Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim,—thotë Perëndia juaj.» (Isa. 40:1) Pra, përmes këtij libri, Jehovai u siguroi të mërguarve judenj ngushëllimin që u nevojitej aq shumë.

3 Ashtu si ata mërgimtarë judenj, hera-herës edhe ne kemi nevojë për ngushëllim. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri mënyra si i ngushëlloi Jehovai të mërguarit: (1) premtoi se do t’i falte të penduarit, (2) i dha shpresë popullit të tij dhe (3) ua qetësoi zemrën e frikësuar. Ndërsa diskutojmë këto pika, do të shohim si na sjellin dobi edhe ne fjalët zemërdhënëse të Jehovait.

JEHOVAI NA FAL ME MËSHIRË

4. Si e tregoi Jehovai se është Perëndi i mëshirshëm? (Isaia 55:7)

4 Jehovai është «Ati i mëshirshëm e zemërdhembshur». (2 Kor. 1:3) Ai tregoi se është Perëndi i mëshirshëm kur premtoi se do t’i falte mërgimtarët e penduar. (Lexo Isainë 55:7.) Jehovai tha: «Do të kem mëshirë për ty, duke të treguar përherë dashuri besnike.» (Isa. 54:8) Si do t’u tregonte mëshirë? Vërtet, judenjtë si popull do të duhej të vuanin për ca kohë pasojat e veprimeve të tyre. Ama Jehovai premtoi se nuk do të mbeteshin përgjithmonë në Babiloni, por vetëm për një periudhë të kufizuar. (Isa. 40:2) Sa duhet t’ua kenë ngrohur zemrën këto fjalë judenjve të penduar!

5. Pse sot mund të jemi akoma më të sigurt se Jehovai na fal me mëshirë?

5 Çfarë mësojmë? Jehovai është i gatshëm t’i falë bujarisht adhuruesit e tij. Ne kemi edhe më shumë arsye se robërit judenj që të jemi të sigurt për këtë. Pse? Sepse dimë mbi ç’bazë na fal Jehovai. Qindra vjet pasi profetizoi Isaia, Jehovai dërgoi në tokë Birin e tij të dashur që të siguronte shpërblesën për të gjithë mëkatarët e penduar. Kjo sakrificë është baza që mëkatet tona ‘të fshihen’ ose të falen plotësisht. (Vep. 3:19; Isa. 1:18; Efes. 1:7) Çfarë Perëndie të mëshirshëm kemi!

6. Pse marrim zemër kur përqendrohemi te mëshira e Jehovait? (Shih edhe figurën.)

6 Fjalët e Jehovait tek Isaia 55:7 mund të na e ngushëllojnë zemrën nëse po na torturojnë ndjenjat e fajit. Disa prej nesh mund të ndihemi ende fajtorë për ndonjë gabim të së kaluarës, edhe pse jemi penduar. Kjo mund të jetë e vërtetë sidomos nëse po vuajmë akoma pasojat e gabimit tonë. Gjithsesi, nëse i kemi rrëfyer mëkatet dhe kemi ndryshuar rrugë, mund të jemi të bindur se Jehovai na ka falur. E kur fal, Jehovai zgjedh të mos e kujtojë më mëkatin tonë. (Krahaso Jereminë 31:34.) Pra, nëse Jehovai nuk e mban mendjen te gabimet që kemi bërë në të kaluarën, as ne nuk duhet ta mbajmë mendjen te to. Ajo që ka rëndësi për Jehovain janë veprat tona sot, jo gabimet e së shkuarës. (Ezek. 33:14-16) Dhe së shpejti, Ati ynë i mëshirshëm e zemërdhembshur do të na çlirojë një herë e mirë nga vuajtjet që na shkaktojnë gabimet tona.

Ajo që ka rëndësi për Jehovain janë veprat tona sot, jo gabimet e së shkuarës (Shih paragrafin 6)


7. Ç’mund të na nxitë të kërkojmë ndihmë nëse po fshehim një mëkat serioz?

7 Ç’duhet të bëjmë nëse na vret ndërgjegjja ngaqë po fshehim një mëkat të rëndë? Bibla na nxit t’u kërkojmë ndihmë pleqve. (Jak. 5:14, 15) Por ndoshta nuk e kemi aq kollaj t’u tregojmë ç’kemi bërë. Gjithsesi, të mos harrojmë se Jehovai dhe burrat që ka emëruar do të jenë të dashur e të mëshirshëm me ne. Nëse e mbajmë në mendje këtë dhe nëse jemi penduar, do të nxitemi të flasim me këta vëllezër besnikë. Të shohim si e ngushëlloi mëshira e Jehovait Arturin, a një vëlla që e brente tej mase ndërgjegjja. Ai thotë: «Kisha rreth një vit që shihja pornografi. Por pasi dëgjova një fjalim për ndërgjegjen, ia rrëfeva mëkatin gruas dhe pleqve. Më në fund u lehtësova nga barra e fajit, mirëpo ende më rëndonte në shpirt ajo që kisha bërë. Pleqtë më kujtuan se Jehovai nuk më kishte hedhur poshtë. Ai na disiplinon sepse na do. Fjalët e tyre të dashura më prekën thellë në zemër dhe më ndihmuan ta shihja veten me sytë e Jehovait.» Sot Arturi shërben si pionier dhe si shërbëtor kongregacioni. Sa inkurajuese është që, kur pendohemi vërtet, Jehovai është gati të na tregojë mëshirë!

JEHOVAI NA JEP SHPRESË

8. (a) Çfarë shprese u dha Jehovai të mërguarve? (b) Sipas Isaisë 40:29-31, si do të ndikonte shpresa te judenjtë e penduar?

8 Nga këndvështrimi njerëzor, situata e robërve judenj ishte e pashpresë. Fuqia botërore babilonase kishte namin që nuk i lironte robërit e vet. (Isa. 14:17) Gjithsesi, Jehovai i dha shpresë popullit të tij. Ai premtoi se do t’i çlironte, dhe asgjë s’mund ta ndalte që ta mbante fjalën. (Isa. 44:26; 55:12) Në sytë e Jehovait, Babilonia ishte si një shtresë e hollë pluhuri. (Isa. 40:15) Mjaftonte t’i fryje pak dhe pluhuri do të zhdukej. Si do të ndikonte kjo shpresë te të mërguarit? Do t’ua ngushëllonte zemrën. Por jo vetëm kaq. Isaia shkroi: «Ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi.» (Lexo Isainë 40:29-31.) Vërtet, shpresa do t’ua përtërinte forcat dhe ‘do të fluturonin lart si me krahët e shqiponjës’.

9. Çfarë arsyesh kishin të mërguarit që t’u besonin premtimeve të Jehovait?

9 Gjithashtu, Jehovai u kishte dhënë të mërguarve arsye që t’u besonin premtimeve të tij. Cilat ishin disa prej tyre? Të mendojmë pak për profecitë që ishin përmbushur tashmë. Ata e dinin se Asiria kishte mposhtur mbretërinë veriore të Izraelit dhe e kishte çuar popullin në mërgim. (Isa. 8:4) Kishin parë babilonasit të shkatërronin Jerusalemin dhe të çonin në mërgim banorët e tij. (Isa. 39:5-7) Ishin gjallë kur mbretin Zedekia e kishin verbuar dhe internuar në Babiloni. (Jer. 39:7; Ezek. 12:12, 13) Çdo gjë që kishte parathënë Jehovai ishte plotësuar një më një. (Isa. 42:9; 46:10) Kushedi sa duhet t’ua ketë forcuar kjo besimin se edhe premtimi i Jehovait për t’i çliruar do të bëhej realitet!

10. Si mund ta mbajmë të patundur shpresën gjatë këtyre ditëve të fundit?

10 Çfarë mësojmë? Kur ndihemi përtokë, shpresa mund të na ngushëllojë e të na i ripërtërijë fuqitë. Jetojmë në kohë kritike dhe përballemi me armiq të fuqishëm. Prapëseprapë, s’ka pse të biem në dëshpërim. Jehovai na ka dhënë një shpresë të mrekullueshme—do të gëzojmë jetën përgjithmonë në paqe dhe siguri të vërtetë. Duhet ta mbajmë të gjallë në mendje e në zemër shpresën tonë. Në të kundërt, ajo mund të venitet e të bëhet si një peizazh i bukur, që mjegullohet ngaqë e shohim përmes një dritareje me xhama të pistë. Si mund «ta pastrojmë dritaren» që ta mbajmë të kthjellët shpresën? Mund të programojmë rregullisht kohë që të përfytyrojmë sa fantastike do të jetë jeta jonë në botën e re. Mund të lexojmë artikuj, të shohim video dhe të dëgjojmë këngë që flasin për shpresën tonë. E mund të flasim me Jehovain në lutje për premtimet që presim me zjarr të përmbushen.

11. Si rimerr forcë një motër që vuan nga sëmundje kronike?

11 Të shohim si i ka dhënë zemër e forcë shpresa Xhoit, një motre që vuan nga disa sëmundje kronike. Ajo thotë: «Kur më mbyt ankthi, ia zbraz ndjenjat më të thella Jehovait, e sigurt se ai më kupton. Jehovai më përgjigjet duke më dhënë ‘fuqi përtej asaj që është normale’.» (2 Kor. 4:7) Gjithashtu, Xhoi e përfytyron veten në botën e re, ku «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isa. 33:24) Nëse edhe ne ia zbrazim zemrën Jehovait dhe e mbajmë të kthjellët në mendje shpresën tonë, do të rimarrim fuqi.

12. Çfarë arsyesh kemi që t’u besojmë premtimeve të Jehovait? (Shih edhe figurën.)

12 Siç bëri me mërgimtarët judenj, Jehovai na ka dhënë edhe ne plot arsye që t’u besojmë premtimeve të tij. Mendo pak për profecitë që po i shohim të përmbushen. Për shembull, shohim një fuqi botërore që është «pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë». (Dan. 2:42, 43) Përveç kësaj, dëgjojmë për «tërmete nga njëri vend në tjetrin» dhe u predikojmë lajmin e mirë ‘të gjitha kombeve’. (Mat. 24:7, 14) Këto profeci e shumë të tjera na forcojnë besimin te premtimet zemërdhënëse të Jehovait që presim të plotësohen.

Profecitë që po shohim të përmbushen sot, na japin arsye t’u besojmë premtimeve të Jehovait (Shih paragrafin 12)


JEHOVAI NA E QETËSON ZEMRËN E FRIKËSUAR

13. (a) Cilat sfida do të hasnin judenjtë kur të afrohej koha e çlirimit? (b) Sipas Isaisë 41:10-13, si i ngushëlloi Jehovai mërgimtarët judenj?

13 Ndonëse i ngushëlloi mërgimtarët me shpresën e mrekullueshme se do të çliroheshin, Jehovai e dinte edhe se do të përballeshin me sfida ndërsa afrohej ajo kohë. Ai kishte parathënë se nga fundi i mërgimit të tyre, një pushtues do të shkretonte kombet përreth e do të sulmonte Babiloninë. (Isa. 41:2-5) A duhej të shqetësoheshin judenjtë? Shumë kohë para se të ndodhnin këto, Jehovai e kishte ngushëlluar kështu popullin e tij: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt.» (Lexo Isainë 41:10-13.) Ku e kishte fjalën kur tha «unë jam Perëndia yt»? Jehovai nuk po u kujtonte judenjve se duhej ta adhuronin; këtë e dinin tashmë. Përkundrazi, po u kujtonte se ishte ende me ta, gati për t’i ndihmuar.—Psal. 118:6.

14. Çfarë bëri tjetër Jehovai për t’u fashitur çdo frikë mërgimtarëve?

14 Jehovai ua qetësoi zemrën e frikësuar mërgimtarëve judenj edhe duke u sjellë ndër mend se kishte fuqi e njohuri të pakufishme. Ai i ftoi të ngrinin sytë nga qielli plot yje. Jehovai u tha se jo vetëm i kishte krijuar yjet, por edhe dinte emrin e secilit prej tyre. (Isa. 40:25-28) E nëse Jehovai di emrin e çdo ylli, pa diskutim e njeh me emër secilin nga adhuruesit e tij! Gjithashtu, përderisa Jehovai kishte fuqinë të krijonte yjet, patjetër që ka fuqi të ndihmojë shërbëtorët vet. Pra, mërgimtarët judenj s’kishin asnjë arsye për të qenë në ankth ose të frikësuar.

15. Si i përgatiti Perëndia mërgimtarët judenj për atë që i priste?

15 Veç kësaj, Jehovai i përgatiti mërgimtarët për atë që i priste. Më parë në librin e Isaisë, Perëndia e kishte udhëzuar popullin e tij: «Hyr në dhomat e tua të brendshme, aty ku je më i sigurt, dhe mbylli dyert. Fshihu veç për një çast derisa të kalojë zemërimi.» (Isa. 26:20) Ky varg mund të jetë përmbushur për herë të parë kur mbreti Kir pushtoi Babiloninë. Një historian i lashtë grek shkroi se kur Kiri hyri në Babiloni, «u dha urdhër [ushtarëve të tij] të vritnin këdo që gjenin jashtë dyerve». Imagjino sa do të jenë tmerruar banorët e Babilonisë! Mirëpo mërgimtarët judenj ka shumë të ngjarë të kenë shpëtuar gjallë ngaqë iu bindën udhëzimeve të Jehovait.

16. Pse nuk duhet të na kaplojë ankthi për të ardhmen? (Shih edhe figurën.)

16 Çfarë mësojmë? Së shpejti do të fillojë shtrëngimi i madh, periudha më e vështirë në historinë njerëzore. Në atë kohë, njerëzit në përgjithësi do të jenë të çoroditur e të tmerruar. Ama populli i Jehovait jo. Ne e dimë se Jehovai është Perëndia ynë. Ndaj do ta ngremë kokën lart, të sigurt se ‘çlirimi ynë po afrohet’. (Luka 21:28) Do të qëndrojmë të patundur edhe kur të na sulmojë një koalicion kombesh. Jehovai do të na mbrojë me anë të engjëjve dhe do të na japë udhëzime jetëshpëtuese. Si do t’i marrim këto udhëzime? Koha do ta tregojë. Gjithsesi, ka të ngjarë që do t’i marrim nëpërmjet kongregacioneve tona. Këto mund të jenë ‘dhomat tona të brendshme’, ku do të ndihemi të sigurt. Si mund të përgatitemi për atë që na pret? Duhet të lidhemi ngushtë me vëllezërit e motrat, t’i bindemi me gatishmëri drejtimit teokratik dhe të jemi plotësisht të sigurt se organizatën tonë po e drejton Jehovai.—Hebr. 10:24, 25; 13:17.

Kur mendojmë për fuqinë dhe aftësinë e Jehovait për të na shpëtuar, nuk do të na kaplojë ankthi gjatë shtrëngimit të madh (Shih paragrafin 16) b


17. Si mund të rendësh te Jehovai për ngushëllim?

17 Edhe pse jeta e mërgimtarëve judenj nuk ishte aspak e lehtë, Jehovai u siguroi ngushëllimin që u nevojitej. Ai do të bëjë të njëjtën gjë për ne. Prandaj, çfarëdo që të sjellë e nesërmja, vazhdo të rendësh te Jehovai për ngushëllim. Ki besim se ai fal me mëshirë. Mbaje të gjallë shpresën tënde. Mos harro: Jehovai është Perëndia yt, ndaj s’ka pse t’i trembesh asgjëje!

KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri

a Disa emra janë ndryshuar.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një grup i vogël vëllezërish e motrash janë mbledhur bashkë. Qielli plot yje u jep siguri se Jehovai ka fuqi dhe aftësi për t’i mbrojtur shërbëtorët e tij kudo që jetojnë në tokë.