TEMA KRYESORE | SI TË BËSH PAQE NË SHTËPI?
Si t’u japësh fund grindjeve në shtëpi?
PO NËSE familja duket sikur ka ngecur në një rreth vicioz ku mbizotërojnë grindjet? Mbase përplasjet janë bërë më të shpeshta dhe më të zjarrta. Ndoshta as nuk e di si filluan mosmarrëveshjet. Megjithatë, ju e doni njëri-tjetrin dhe nuk doni të shkaktoni lëndim.
Është e rëndësishme të mos harrosh se fakti që keni mendime të ndryshme, nuk do të thotë medoemos se familja juaj është e përçarë. Qetësia ose armiqësia në ambientin familjar nuk mund të përcaktohet nga mosmarrëveshjet që lindin, por nga mënyra si vepron ndaj tyre. Shqyrto disa hapa që mund të ndihmojnë të shuajmë grindjet.
1. MOS IA KTHE ME TË NJËJTËN MONEDHË.
Grindja ka nevojë për të paktën dy veta, por, kur njëri nis të dëgjojë në vend që të flasë, një debat i zjarrtë mund të fillojë të shuhet. Prandaj, rezistoji prirjes për t’ia kthyer tjetrit me të njëjtën monedhë kur provokohesh. Ruaje respektin për veten dhe dinjitetin tënd duke treguar vetëkontroll. Mos harro, të kesh paqe në familje është më e rëndësishme se të korrësh fitore në një mosmarrëveshje.
«Ku s’ka dru, zjarri shuhet dhe ku s’ka shpifës, grindja fashitet.»
—Proverbat 26:20.
2. MERRI PARASYSH NDJENJAT E FAMILJARËVE.
Dëgjo me kujdes e me gjithë zemër, pa e ndërprerë dhe pa e paragjykuar tjetrin, sepse kështu mund t’i ulësh gjakrat goxha dhe të rikthesh paqen. Mos i vish tjetrit motive të gabuara, por merri parasysh ndjenjat e tij. Mos e konsidero si keqdashje diçka që mund të jetë shkaktuar nga papërsosmëria. Ka më shumë gjasa që ai të ketë folur në mënyrë lënduese ngaqë nuk u mendua gjatë ose ngaqë e kishte zemrën të vrarë, sesa ngaqë ishte dashakeq ose hakmarrës.
«Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi [ose durim].»
—Kolosianëve 3:12.
3. LËR KOHË PËR T’U QETËSUAR.
Nëse je gati të shpërthesh, mund të jetë e mençur të kërkosh me mirësjellje të largohesh për pak kohë që të qetësohesh. Ndoshta mund të shkosh në një dhomë tjetër ose të dalësh të ecësh pak, derisa të jesh i qetë. Me këtë nuk po tregon se s’po bashkëpunon ose po i bën bisht situatës, dhe as po tregon se nuk pranon të komunikosh. Përkundrazi, kur ndihesh kështu, ky mund të jetë moment i mirë për t’iu lutur Perëndisë për durim, gjykim të thellë dhe kuptueshmëri.
«Largohu, pra, përpara se të plasë sherri.»
—Proverbat 17:14.
4. MENDO ME KUJDES SE ÇFARË DUHET TË THUASH DHE SI TA THUASH.
Nëse përpiqesh që vetëm të bësh një kundërsulm therës e të mirëpërgatitur, kjo nuk do t’i përmirësojë gjërat. Përkundrazi, përpiqu të thuash diçka që mund t’ia qetësojë ndjenjat e lënduara personit tënd të dashur. Dhe, në vend që t’i thuash që ai duhet të ndihet kështu ose ashtu, kërkoji me përulësi të të tregojë si qëndrojnë gjërat dhe falënderoje për çdo ndihmë ose sqarim që të jep.
«Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate, por gjuha e të mençurve është shërim.»
—Proverbat 12:18.
5. FOL ME VOLUM TË ULËT DHE ME TON QË UL GJAKRAT.
Padurimi i një familjari mund t’ia ndezë lehtësisht zemërimin një tjetri. Rezistoji prirjes për të bërë sarkazma, për të ofenduar ose për të ngritur zërin, pavarësisht se sa i fyer mund të ndihesh. Shmangi akuzat, si «Ti s’do t’ia dish për mua!» ose «Ti s’më dëgjon kurrë!». Përkundrazi, tregoji me qetësi bashkëshortit si u ndjeve nga sjellja e tij ose e saj («Lëndohem kur ti . . .»). Të shtyrat, shpullat, shkelmat ose ndonjë formë tjetër e dhunës nuk janë asnjëherë të justifikuara. E njëjta gjë vlen edhe për nofkat tallëse, komentet përçmuese ose kërcënimet.
«Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe.»
—Efesianëve 4:31.
6. KËRKO FALJE PA VONESË DHE SHPJEGO SI DO TA RREGULLOSH SITUATËN.
Mos lejo që ndjenjat negative të ta mjegullojnë synimin kryesor që ke: të bësh paqe. Mos harro se po të zihesh me dikë, të dy jeni të humbur. Po të bësh paqe, të dy jeni të fituar. Prandaj, mbaj pjesën tënde të përgjegjësisë në një mosmarrëveshje. Edhe nëse je i bindur se nuk ke bërë asgjë gabim, prapëseprapë mund të kërkosh falje që u nxehe, që reagove në atë mënyrë ose që pa dashje i kontribuove zënkës. Marrëdhëniet paqësore janë më të rëndësishme se krenaria dhe fitorja. Dhe, nëse dikush të kërkon falje, fal pa vonesë.
«Kështu, le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë njëri-tjetrin.»
—Romakëve 14:19.
Ç’mund të bësh për të nxitur paqen në familje, kur një mosmarrëveshje është zgjidhur? Kjo do të jetë tema e artikullit vijues.