Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Tri pyetje që njerëzit do të donin t’ia bënin Zotit

Tri pyetje që njerëzit do të donin t’ia bënin Zotit

SUZANA kishte pyetje për Perëndinë që në moshën 7-vjeçare kur shoku i saj 9 vjeç, Ali, u shtrua në spital nga poliomieliti dhe u ngujua në një mushkëri çeliku. Përvoja e saj u botua në gazetën The New York Times më 6 janar 2013.

Pasi shkoi në spital tek Ali, Suzana e pyeti të ëmën: «Pse ia bën këtë Zoti një çuni të vogël?»

«Sipas priftit, Zoti ka arsyet e veta, por nuk e di cilat janë»,—iu përgjigj e ëma.

Dy vjet më vonë, më 1954, Xhonas Sollku nxori vaksinën për poliomielitin dhe e ëma e Suzanës hodhi idenë se ndoshta e ka shtyrë Zoti ta bëjë këtë zbulim.

«Epo Zoti duhet ta kishte shtyrë kohë më parë, që Ali të mos ishte në mushkëri çeliku»,—ia priti Suzana.

Suzana e përfundonte përvojën e saj të fëmijërisë me fjalët: «[Ali] vdiq vetëm tetë vjet më vonë, dhe ndërkohë unë isha bërë ateiste e betuar.»

Ashtu si Suzana, shumë veta që kanë përjetuar ose kanë parë tragjedi në jetë, nuk arrijnë t’u japin përgjigje bindëse pyetjeve që kanë për Perëndinë. Prandaj disa bëhen ateistë. Të tjerë ndoshta nuk e mohojnë plotësisht ekzistencën e Zotit, por prapëseprapë dyshojnë tek ai.

Në fakt, ateistët dhe skeptikët nuk është se nuk kanë fare njohuri për fenë. Por nga ajo që kanë parë te feja, shpesh humbasin besimin te Perëndia. Ndoshta mendojnë se feja e organizuar nuk ka arritur t’u japë përgjigje pyetjeve më të vështira të jetës. Cilave? Si për ironi, shpesh janë të njëjtat pyetje që mundojnë edhe ata që thonë se janë besimtarë. Le të shohim tri pyetje që shumë njerëz do të donin t’ia bënin Zotit po t’u jepej mundësia, dhe ç’përgjigje u jep Bibla.

1 «PSE I LË NJERËZIT TË VUAJNË?»

Pse e bëjnë këtë pyetje?

Shumë mendojnë se një Perëndi i dashur nuk do të lejonte që të ndodhnin tragjedi.

MENDO PAK: Zakonet dhe traditat e njerëzve në kultura të tjera mund të na duken të çuditshme, ndoshta edhe tronditëse. Kollaj fare mund t’i keqinterpretojmë veprimet e tyre. Për shembull, sipas një kulture, të shohësh dikë në sy është shenjë sinqeriteti, kurse sipas një tjetre, është mungesë respekti. Prapëseprapë, nuk mund të thuhet se njëra apo tjetra e ka gabim. Thjesht duhet t’i njohim më mirë.

Mos vallë vlen e njëjta gjë edhe kur bëhet fjalë për të kuptuar Perëndinë? Për shumë veta, vuajtjet dëshmojnë se nuk ka Zot. Kurse disa të tjerë, që kanë arritur të kuptojnë pse i lejon Perëndia vuajtjet, janë të bindur se ai ekziston.

ÇFARË THOTË BIBLA: Perëndia mendon dhe vepron ndryshe nga ne. (Isaia 55:8, 9) Prandaj, në fillim mund të na duken të çuditshme mënyra si vepron dhe arsyet pse pret para se të veprojë.

E megjithatë Bibla nuk na kërkon të mjaftohemi me deklarata boshe, si «udhët e Zotit janë mister». Përkundrazi, ajo na nxit ta njohim më mirë Perëndinë dhe na ndihmon të kuptojmë pse dhe kur vepron ai në një mënyrë të caktuar. * Madje thotë se mund të kemi një marrëdhënie të afërt me të.Jakovi 4:8.

2 «PSE GJITHË KJO HIPOKRIZI FETARE?»

Pse e bëjnë këtë pyetje?

Disa mund të arsyetojnë se, po ta vlerësonte vërtet Zoti sinqeritetin, nuk do të kishte kaq shumë shtirje ndër ata që thonë se janë besimtarë.

MENDO PAK: Ta zëmë se një djalë hedh poshtë edukatën e shkëlqyer që i ka dhënë i ati dhe ikën nga shtëpia për të bërë jetë jo të ndershme. Megjithëse nuk është dakord, i ati nuk e pengon. A do të ishte e drejtë që ata që e takojnë më vonë djalin të arrijnë në përfundimin se ka pasur një baba të keq a madje se s’ka pasur baba fare? Sigurisht që jo. Po kështu, hipokrizia fetare dëshmon vetëm se Perëndia i lë njerëzit të bëjnë zgjedhjet e tyre.

ÇFARË THOTË BIBLA: Perëndia e urren hipokrizinë fetare. (Jeremia 7:29-31; 32:35) Njëkohësisht respekton vullnetin e lirë të njerëzve. Shumë nga ata që thonë se besojnë te Perëndia, zgjedhin të ndjekin mësimet fetare dhe normat morale të nxjerra nga njeriu.Mateu 15:7-9.

Nga ana tjetër, feja që miraton Perëndia nuk është hipokrite. * Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Kjo dashuri duhet të jetë «pa hipokrizi». (Romakëve 12:9) Shumica e feve nuk kanë qenë në lartësinë e këtij standardi. Për shembull, gjatë gjenocidit të vitit 1994 në Ruandë, dhjetëra mijë besimtarë masakruan anëtarët e fesë së tyre vetëm sepse i përkitnin një fisi tjetër. Kurse, Dëshmitarët e Jehovait nuk morën pjesë në këtë kasaphanë dhe shumë prej tyre mbrojtën jo vetëm bashkëbesimtarët, por edhe të tjerë, madje duke vënë jetën në rrezik. Këto vepra vetëmohuese tregojnë se mund të ketë fe pa hipokrizi.

3 «PSE EKZISTOJMË?»

Pse e bëjnë këtë pyetje?

Disa mendojnë: «Pse jetojmë vetëm 80 a 90 vjet e pastaj vdesim? Ç’qëllim ka një jetë kaq e shkurtër?»

MENDO PAK: Mjaft nga ata që nuk besojnë te Perëndia, gjithsesi e pranojnë se duhet të ketë një shpjegim pas gjithë kompleksitetit, detajeve të shumta dhe rregullit në natyrë. Arrijnë të kuptojnë se planeti ynë, planetët e tjerë dhe hëna janë vendosur pikërisht në atë mënyrë që të mbështetin jetën në tokë. Ata pranojnë se ligjet e fizikës që drejtojnë universin janë aq të harmonizuara dhe të përsosura, sa edhe ndryshimi më i vogël do ta bënte të pamundur jetën në tokë.

ÇFARË THOTË BIBLA: Ndonëse shumë veta e konsiderojnë jetën tonë disi të shkurtër si provë që nuk ka Zot, në natyrë gjejmë plot dëshmi se ka një Krijues. (Romakëve 1:20) Ai nuk i ka bërë pa një qëllim këto gjëra dhe arsyeja pse ekzistojmë lidhet ngushtë me qëllimin e tij. Perëndia i ka krijuar njerëzit që të jetojnë përgjithmonë në tokë dhe ai nuk ka hequr dorë nga ky qëllim.Psalmi 37:11, 29; Isaia 55:11.

Në natyrë dallohen ekzistenca dhe disa prej cilësive të Perëndisë, por për të na treguar qëllimin e tij, ai ka zgjedhur një mënyrë tjetër. Qëllimin e tij dhe si rrjedhojë arsyen e ekzistencës sonë, duhet të na e komunikojë vetë Zoti. Ai e bën këtë nëpërmjet Biblës, duke përdorur fjalë të thjeshta dhe të qarta. * Dëshmitarët e Jehovait të ftojnë ta shqyrtosh edhe një herë këtë çështje nën dritën e përgjigjeve të Biblës.

^ par. 17 Për të kuptuar pse i lejon Perëndia vuajtjet, shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Disponohet edhe në www.jw.org.

^ par. 23 Për më shumë informacion, shih kapitullin 15 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Disponohet edhe në www.jw.org.

^ par. 29 Për më shumë informacion, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Disponohet edhe në www.jw.org.