Tema Kryesore
Çfarë është suksesi i vërtetë?
ÇFARË mund të jetë më keq se dështimi? Suksesi i rremë. Sido që të jetë, kur përpjekjet dështojnë, mund të marrësh masa për t’i ndrequr gjërat. Së paku, mund të mësosh nga përvoja dhe herën tjetër të përmirësosh.
Kurse suksesi i rremë është ndryshe. Ai mund të të bëjë të mendosh që po fiton ndërkohë që në fakt po humbet. Kur kupton që duhen bërë ndryshime, mund të jetë tepër vonë.
Le të shohim një shembull. Jezu Krishti pyeti në një rast: «Ç’dobi do të ketë njeriu nëse fiton gjithë botën, por humbet shpirtin e vet?» (Mateu 16:26) Kjo vlen në mënyrë të veçantë për ata që rendin pas parasë dhe gjithçkaje që mund të blihet. Ky është mishërimi i suksesit të rremë. «Nëse e mban mendjen si të ngrihesh përsëri në detyrë, si të fitosh më shumë para ose si të kesh më shumë gjëra, nuk do të ndihesh i plotësuar shpirtërisht,—shkruan këshilluesi për karrierën Tom Denëm.—Ta matësh suksesin thjesht në bazë të vlerës monetare është diçka e cekët dhe me kohë do të ndihesh bosh.»
Me sa duket, shumë njerëz sot janë dakord me këtë. Në një anketë të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, «të kesh shumë para» u rendit e 20-a në një listë me 22 «faktorë që e bëjnë jetën të suksesshme». Ndër të parët u renditën faktorë të tillë, si shëndeti i mirë, marrëdhëniet e mira dhe një punë që të pëlqen.
Kuptohet, shumë njerëz arrijnë ta dallojnë ndryshimin midis suksesit të rremë dhe të vërtetë—të paktën kur i pyet. Por pjesa më e vështirë është të marrësh vendime që pasqyrojnë pikëpamjen e duhur për suksesin.