Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Paratë

Paratë

A janë paratë rrënja e çdo gjëje të keqe?

«Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme.»1 Timoteut 6:10.

ÇFARË THONË DISA?

Paratë janë rrënja e çdo gjëje të keqe.

ÇFARË THOTË BIBLA?

«Dashuria për para»—jo paraja në vetvete—shkakton ‘dëme’. Në Bibël, mbreti Solomon identifikoi tri lloj gjërash të dëmshme që u ndodhin shpesh atyre që janë të dashuruar me paratë. Meraku: «Bollëku nuk e lë të pasurin të flejë.» (Eklisiastiu 5:12) Pangopësia: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.» (Eklisiastiu 5:10) Tundimi për të thyer ligjin: «Kush nxiton të fitojë pasuri, s’do të mbetet i pafaj.»Proverbat 28:20.

 Për çfarë duhen paratë?

‘Paratë janë një mbrojtje.’Eklisiastiu 7:12.

ÇFARË THONË DISA?

Paratë të japin siguri dhe lumturi.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Iluzioni se paratë blejnë lumturinë dhe sigurinë, është pjesë e ‘fuqisë mashtruese të pasurisë’. (Marku 4:19) Prapëseprapë, «paraja plotëson çdo nevojë». (Eklisiastiu 10:19) Për shembull, paratë mund të blejnë gjërat e nevojshme për jetën, si ushqimet dhe ilaçet.2 Selanikasve 3:12.

Gjithashtu, paratë të ndihmojnë të kujdesesh për familjen. Në fakt, Bibla thotë: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin.»1 Timoteut 5:8.

Si mund t’i përdorësh me mençuri paratë?

‘Ulu më parë që të llogaritësh shpenzimet.’Luka 14:28.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Përdori paratë në një mënyrë që Perëndia e miraton. (Luka 16:9) Është gjë e mençur t’i përdorësh paratë me përgjegjësi dhe ndershmëri. (Hebrenjve 13:18) Që të shmangësh barrën që sjell jetesa përtej mundësive financiare, ‘mënyra jote e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para’.Hebrenjve 13:5.

Edhe pse Bibla nuk e dënon marrjen e borxheve, ajo paralajmëron: «Huamarrësi është shërbëtor i huadhënësit.» (Proverbat 22:7) Shmangi blerjet e paplanifikuara, sepse «kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes». (Proverbat 21:5) Përkundrazi, ‘vër diçka mënjanë sipas mbarësisë që ke’ dhe kurse para për gjërat që janë të rëndësishme për ty.1 Korintasve 16:2.

Bibla na nxit ‘ta bëjmë zakon të japim’. (Luka 6:38) Ata që duan ta gëzojnë Perëndinë, kanë arsye të vlefshme për t’u treguar bujarë, sepse «Perëndia do një dhënës të gëzuar». (2 Korintasve 9:7) Prandaj, ‘mos harro të bësh të mira dhe t’i ndash gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla’.Hebrenjve 13:16.