Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Gjermani

Në 2012-n, një nga gjykatat më të larta të Gjermanisë vendosi se njerëzit nuk mund të shkëputin anëtarësinë nga një kishë që ka statusin e një korporate publike e prapëseprapë të mbeten anëtarë të atij komuniteti fetar. Katolikët që e lënë zyrtarisht kishën dhe nuk e paguajnë më taksën e saj, por vazhdojnë të praktikojnë besimin, mund të mos u jepet e drejta të kungohen, të rrëfehen, të punojnë në institucionet e kishës e ndoshta edhe t’u bëhet shërbesa e varrimit.

Nga bota

Nga një studim për fetë në botë u zbulua se numri i atyre që thonë se «nuk i përkasin asnjë feje», megjithëse jo medoemos ateistë, tani arrin në 1,1 miliardë. Ata renditeshin të tretët pas të krishterëve që numëronin 2,2 miliardë dhe pas besimtarëve islamikë me 1,6 miliardë. Hinduistët ishin të katërtit me rreth 1 miliard.

Japoni

Shkencëtarët japonezë kanë treguar se marrja e «lavdërimeve aktivizon zonat e trurit që lidhen me shpërblimin» duke nxitur një «ndjenjë lumturie». Ky zbulim vërteton idenë se lavdërimet janë një mënyrë e mirë për t’i nxitur njerëzit të përmirësojnë.

Bolivi

Nga fundi i 2012-s, Bolivia bëri regjistrimin e popullsisë. Që regjistrimi të ishte sa më i saktë, bolivianëve iu kërkua të qëndronin në shtëpi ditën që do të regjistroheshin. Për më tepër, nuk u lejuan të lëviznin me makina për arsye personale, u mbyllën kufijtë dhe u ndalua konsumimi i alkoolit.

Itali

Në një sondazh, italianët thanë se luanin me fëmijët mesatarisht 15 minuta në ditë. «Vetëm 1 në 5 prindër mendon se loja është edukuese»,—raporton gazeta La Repubblica. Sipas Andrea Anxholinos, një ideator profesionist i lojërave në tavolinë, prindërit i ndihmojnë fëmijët me anë të lojërave të zhvillojnë fantazinë dhe të mësojnë «idenë e rregullave».