NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Kur fëmija adoleshent dëmton veten
VËSHTIRËSIA
Zbulon se vajza e dëmton veten qëllimisht. Ndoshta thua me vete: «Pse kështu? Mos vallë do të vrasë veten?»
Në shumicën e rasteve përgjigjja është jo. Gjithsesi, nëse vajza dëmton veten, * ka nevojë për ndihmë. Si ta ndihmosh? Në fillim mbaj parasysh shkaqet që mund të fshihen pas veprimit të saj shqetësues. *
PSE NDODH?
A është thjesht çështje mode? Është e vërtetë se disa të rinj dëmtojnë veten ngaqë dëgjojnë se edhe të tjerë e kanë bërë. Edhe pse kjo ndodh, pjesa më e madhe nuk dëmtohen për këtë arsye. Si ta kuptosh për cilin rast bëhet fjalë? Zakonisht këta të rinj veprojnë në fshehtësi dhe u vjen shumë turp për këtë zakon. Silia * 20-vjeçare thotë: «S’doja që ta merrte vesh njeri. I fshihja mjaft mirë shenjat që kisha në trup.»
A është mënyrë për të tërhequr vëmendjen? Disa e dëmtojnë veten për këtë arsye. Por të rinjtë që po trajtojmë në këtë artikull, priren ta fshehin zakonin e tyre dhe nuk priten ose bëhen vula-vula që t’u bëjnë përshtypje të tjerëve. Sidoqoftë, një vajzë që më parë dëmtonte veten, thotë se uronte që dikush t’ia vërente shenjat, e kështu problemi të dilte në pah e të ndihmohej në kohë.
Po pse e dëmtojnë veten? Shkaqet e vetëdëmtimit janë të ndërlikuara, por arsyeja e vërtetë është se zakonisht të rinjtë provojnë dhembje emocionale që e kanë të vështirë ta shprehin me fjalë. Stivën Levenkroni, ekspert i shëndetit mendor, në librin e tij Cutting thotë se, ai që dëmton veten, «e sheh dhembjen fizike si kurë për dhembjen emocionale».
Ata që dëmtojnë veten zakonisht provojnë dhembje emocionale që e kanë të vështirë ta shprehin me fjalë
Po sikur të fajësosh veten? Në vend që të hamendesh ku mund të kesh gabuar si prind, përqendrohu te roli yt për ta ndihmuar vajzën ta marrë veten.
Ç’MUND TË BËSH?
Inkurajoje të hapet me ty për çka e shqetëson. Këshillat e mëposhtme mund të ndihmojnë.
Ngushëlloje. Nëse vajza të tregon se dëmton veten, përpiqu të mos tronditesh a të tmerrohesh. Përkundrazi foli me qetësi dhe me ngrohtësi.
Mos bëj pyetje gjykuese. Për shembull, mund të thuash: «E di se me raste nuk ndihesh mirë me veten. Çfarë të shqetëson më shumë?» ose «Ç’mund të bëj për ty kur je në ankth dhe e trishtuar?» ose «Ç’mendon se mund të bëj më mirë që të lidhemi më shumë bashkë?» Dëgjoje pa e ndërprerë.
Ndihmoje të dallojë cilësitë e mira. Përderisa shpesh të rinjtë vetëdëmtohen kur përqendrohen te dështimet, ndoshta mund ta ndihmosh vajzën të kuptojë cilësitë e mira që ka. Madje mund t’i sugjerosh që të shkruajë të paktën tri gjëra që pëlqen te vetja. Një e re që quhet Briana * thotë: «Kur i shkruaj pikat e mia të forta, bëhem e vetëdijshme se kam cilësi të mira.»
Inkurajoje t’i lutet Perëndisë Jehova. Bibla thotë: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.» (1 Pjetrit 5:7) Lorena 17-vjeçare thotë: «Ia zbrazja ndjenjat Perëndisë Jehova, sidomos kur më vinte të dëmtoja veten. Lutja më ndihmoi të përpiqesha akoma më shumë që ta hiqja këtë zakon.»
^ par. 5 Vetëdëmtimi ndodh në mënyrë të pakontrolluar dhe përfshin të prera, të nxira, gjuajtje ndaj vetes etj.
^ par. 5 Ndonëse në këtë artikull përdoret gjinia femërore kur flitet për ata që dëmtojnë veten, parimet e shqyrtuara vlejnë për të dyja gjinitë.
^ par. 7 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.
^ par. 15 Shpesh vetëdëmtimi është tregues i depresionit ose i një çrregullimi tjetër. Në këto raste mund të jetë e nevojshme ndihma mjekësore. Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë metodë të veçantë. Megjithatë, të krishterët duhet të zgjedhin trajtime që nuk bien ndesh me parimet biblike.