Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Nevojtarët

Nevojtarët

A interesohet Perëndia për nevojtarët?

«Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para . . . Sepse [Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’»​—Hebrenjve 13:5.

SI TREGON PERËNDIA SE INTERESOHET

Kur një adhurues i Perëndisë Jehova kalon kohë të vështira, interesimi i Perëndisë mund të shfaqet në mënyra të ndryshme. Një prej tyre është mbështetja e dashur e bashkëbesimtarëve. * Te Jakovi 1:27 thuhet: «Adhurimi i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë, është ky: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësitë e tyre.»

Të krishterët e hershëm i bëheshin krah njëri-tjetrit. Për shembull, kur u paratha se Judenë do ta godiste rëndë një zi buke, të krishterët e qytetit sirian të Antiokisë vendosën ‘të jepnin ndihmë për vëllezërit që banonin në Jude’. (Veprat 11:28-30) Kështu, u siguruan ndihmat e nevojshme bashkëbesimtarëve nevojtarë. Me anë të kontributeve vullnetare, ata treguan dashurinë e krishterë me vepra.​—1 Gjonit 3:18.

Si mund të nxjerrin dobi për vete nevojtarët?

«Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.»​—Isaia 48:17, 18.

PERËNDIA NA NDIHMON TË NDIHMOJMË VETEN

Siç e kanë provuar miliona veta, mençuria që gjendet në Bibël është praktike dhe s’ka të dytë. Te Proverbat 2:6, 7 shkruhet: «Jehovai jep mençuri dhe prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese. Për të drejtët, ai do të ruajë si thesar mençurinë.» Ata që e shfrytëzojnë këtë burim mençurie, nxjerrin dobi për vete.

Për shembull, shmangin vese të dëmshme e të kushtueshme, si abuzimi me drogën dhe me alkoolin. (2 Korintasve 7:1) Gjithashtu, bëhen njerëz të ndershëm dhe më të ndërgjegjshëm e më të besueshëm, kështu që kanë perspektiva më të mira pune ose vlerësohen edhe më shumë në vendin e punës. Tek Efesianëve 4:28 thuhet: «Vjedhësi të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur, . . . që të ketë diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari.»

A ka prova se mençuria e Biblës i ndihmon nevojtarët?

«Mençuria e Perëndisë del e drejtë nga rezultatet e veta.»​—Mateu 11:19, The New English Bible.

REZULTATE QË FLASIN VETË

Uillsoni, që jeton në Ganë, kishte një punë të përkohshme dhe pas pak do t’i mbaronte kontrata. Ditën e fundit të punës, kur po lante makinën e drejtorit të përgjithshëm, gjeti para në bagazh. Përgjegjësi i tha t’i mbante paratë. Mirëpo Uillsoni, që është Dëshmitar i Jehovait, nuk pranoi t’i vidhte. Ia ktheu paratë atij që i përkitnin. Pas kësaj, jo vetëm që nuk e pushuan, por i dhanë punë të përhershme dhe më vonë e ngritën në përgjegjësi.

Në Evropë, Zheraldina e humbi punën ngaqë pronarja e saj i kishte zët Dëshmitarët e Jehovait. Por, mamaja e pronares i tha së bijës se kishte bërë gabim të madh dhe shtoi: «Nëse do një punonjëse që të jetë e besueshme dhe ta marrë seriozisht punën, s’ke ku gjen më mirë se një Dëshmitare të Jehovait.» E bija bëri kërkime për Dëshmitarët e Jehovait, dhe Zheraldina u kthye në punë.

Sara, një nënë e vetme në Afrikën e Jugut po kalonte kohë të vështira. Në atë periudhë, provoi dashurinë e krishterë, pasi pjesëtarët e kongregacionit i siguruan familjes së saj ushqimin dhe transportin e nevojshëm. Fëmijët e saj thanë më vonë: «Në kongregacion kemi shumë prindër.»

Mund të tregohen sa e sa përvoja të tilla. Ato të sjellin ndër mend Proverbat 1:33, ku Jehovai thotë: «Ai që më dëgjon, do të banojë i sigurt.» Sa të vërteta janë këto fjalë!

^ par. 5 Në disa vende, qeveria u siguron ndihmë financiare nevojtarëve. Kur nuk ekziston kjo masë, përgjegjësia kryesore bie mbi të afërmit e nevojtarëve.​—1 Timoteut 5:3, 4, 16.