Vizitë në kopshtet e sotme zoologjike
TRE mijë vite të shkuara, një perandor kinez krijoi një park dhe e quajti Kopshti i Zgjuarsisë. Në atë park, që zinte një sipërfaqe prej 607 hektarësh, mund të soditje plot kafshë të gjalla. Një park i atillë duhet të ketë qenë gjë e rrallë në ato kohëra.
Kurse sot kopshtet zoologjike mund t’i vizitojnë miliona njerëz kudo në botë. «Në një botë ku hapësirat e gjelbra po pakësohen dhe popullsia sa vjen e dyndet në qytete, kopshtet zoologjike janë bërë për shumë veta vendi ku mund të shkojnë më lehtë që të kundrojnë nga afër gjallesat»,—thuhet në librin Kopshtet zoologjike në shekullin e 21-të.
Ç’mund të gjesh në një kopsht zoologjik?
Kopshtet zoologjike u japin mundësi vizitorëve të shohin disa nga krijesat më interesante dhe më mbresëlënëse të tokës në një mjedis pak a shumë natyror. Atje mund të soditësh flutura vezulluese që fluturojnë në një kopsht tropikal ose pinguinë që bëjnë dush me ujë të akullt në një ambient të ngjashëm me humbëtirat e ngrira të Antarktidës.
Mund të çapitesh përmes një pylli ekuatorial në miniaturë dhe të pikasësh kafshë e zogj që jetojnë në atë habitat. Ose mund të futesh në një dhomë disi të errët e të vëzhgosh kafshët e natës. Në disa kopshte zoologjike mund të kundrosh zogj grabitqarë në fluturim ose delfinë që japin shfaqje si akrobatë ajri. Kafazeve ku mbaheshin dikur kafshët e rrezikshme ua kanë zënë vendin ambientet natyrore të rrethuara me hendeqe uji, që i veçojnë kafshët e egra nga publiku.
Dy anët e një debati
Disa aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve ngrenë dyshime nëse duhet të hiqen apo jo gjallesat nga mjedisi natyror dhe të kufizohen në ambiente jonatyrore. Aktivistët debatojnë se kopshtet zoologjike ua kufizojnë lëvizjet kafshëve dhe u çorientojnë sjelljet instinktive.
Në përgjigje të këtyre kritikave, kujdestarët e kopshteve zoologjike thonë se luajnë një rol jetësor në mbrojtjen e natyrës dhe në edukimin e njerëzve. «Synimi ynë është të ngjallim respektin për kafshët»,—shpjegon Háime Ruli, në parkun natyror «Faunia» në Madrid, Spanjë. «Duam t’u zgjojmë vizitorëve dëshirën që të ndihmojnë në ruajtjen e habitateve të kafshëve, pa të cilat ato s’do të mbijetojnë dot.» Sipas disa studimeve, ekspozimi i mirë i kafshëve në kopshtet zoologjike e ndërgjegjëson vërtet publikun për nevojën që të mbrohen llojet e rrezikuara.
Disa lloje të rralla, si panda gjigante, duket se kanë zënë vend të veçantë në zemrat e njerëzve. «Të gjithë vizitorët duan të shohin dy pandat tona»,—thotë Noelia Benito, që punon në Akuariumin e Kopshtit Zoologjik të Madridit. «Ky lloj i famshëm është bërë simbol i luftës sonë për të shpëtuar llojet e rrezikuara. Shpresojmë që pandat të shumohen, edhe pse këto kafshë janë shumë nazeqare kur vjen puna të zgjedhin partnerin.»
Ndryshe nga pandat, mjaft kafshë shumohen pa problem në kopshtet zoologjike, falë kushteve të përmirësuara dhe kujdesit të mirë veterinar. Programet e suksesshme të shumimit kanë qenë një përgjigje për kritikët që debatojnë se kopshtet zoologjike nuk duhet të blejnë a të shesin lloje të rrezikuara. Shumë kopshte zoologjike jo vetëm kujdesen për një grup kafshësh që t’i shohë publiku, por edhe përpiqen që kafshët e rrezikuara të shumohen, duke shpresuar të kthehen sërish një ditë në gjirin e natyrës.
Një arsye kryesore e zhdukjes së llojeve në mjedisin e tyre natyror është shkatërrimi i habitatit. Prandaj, kopshtet zoologjike janë përfshirë aktivisht në financimin e programeve për mbrojtjen e natyrës, duke punuar drejtpërdrejt me rezervatet natyrore të vendeve tropikale. *
Bukuritë e natyrës
Fëmijët si natyrë zakonisht mrekullohen pas kafshëve, ndaj një vizitë si familje në fundjavë ose gjatë pushimeve në një kopsht zoologjik u jep rast prindërve t’u mësojnë fëmijëve për krijimin e Perëndisë. Së bashku mund të shijojnë bukuritë e natyrës.
Që në agimet e historisë, njerëzimi ka qenë tepër kureshtar për botën e kafshëve. Ia vlen t’ua ushqejmë këtë kureshtje fëmijëve tanë, pasi bota e gjallë hedh dritë mbi personalitetin e Krijuesit të saj. E pas një vizite në kopshtin zoologjik, do t’i respektojmë më shumë dhe do t’i njohim më mirë krijesat e mrekullueshme që jetojnë në planetin tonë të brishtë.
^ par. 12 Duket se përpjekjet e kopshteve zoologjike për të mbrojtur tigrat në Azi, lemurët në Madagaskar dhe majmunët në Afrikë kanë qenë të suksesshme.