Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Të rinjtë pyesin . . . Si ta bëj të këndshëm leximin e Biblës? (prill 2009) Jam një bashkëshorte e nënë 24 vjeçe dhe gjithmonë e kam pasur të vështirë ta lexoja rregullisht Biblën. Ndoqa sugjerimet e artikullit dhe po e përdor mirë kutinë që mund të pritej. Tani mezi pres ta lexoj Biblën. Arrij të dalloj se si librat e saj harmonizohen dhe ndërthuren me njëri-tjetrin si një qilim i mrekullueshëm. Kurrë më parë nuk kam gjetur kaq shumë kënaqësi në leximin e Biblës. Shumë faleminderit!
K. T., Shtetet e Bashkuara
Një libër që mund t’i besosh—Pjesa VI (prill 2011) Në artikullin «Roma në historinë biblike» thuhej: «Ç’ndodhi me Jerusalemin? Ushtria romake u kthye, me në krye Vespasianin dhe të birin, Titin, kësaj here me 60.000 ushtarë.» Me këto fjalë duket sikur Vespasiani dhe Titi ishin në krye të ushtrisë kur sulmuan Jerusalemin. Por dokumentimet historike tregojnë se Vespasiani ishte në Romë gjatë kësaj periudhe.
Xh. O., Australi
«Zgjohuni!» përgjigjet: Sipas librit të Pol L. Majerit, «Titi erdhi me të shpejtë nga Aleksandria bashkë me legjionin e pesëmbëdhjetë dhe u takua me të atin në Ptolemaidë, ku Vespasiani e priste me legjionin e pestë dhe të dhjetë». (Josephus—The Essential Writings) Për më tepër, enciklopedia e Methju Banzënit, shprehet kështu për Vespasianin: «Me të birin në krah, Titin, ai shtypi revoltën e judenjve dhe, kur po përgatitej për të rrethuar tempullin e Jerusalemit në vitin 68, i erdhi fjala se Neroni kishte rënë nga froni dhe Galba kishte zënë vendin e tij. . . . Në vjeshtën e vitit 70, ai mbërriti në Romë.» (Encyclopedia of the Roman Empire) Pra, duket se në fillim Vespasiani dhe Titi ishin bashkë në sulmin kundër Jerusalemit. Megjithatë, në njëfarë pike, Vespasiani u kthye në Romë dhe la Titin në krye të ushtrisë.
A ke synime realiste? (shkurt 2011) Ndër synimet jorealiste që përmendte artikulli ishin «fama, pasuria, një bashkëshort ideal ose shëndeti i përsosur». Pse përfshihet edhe ‘bashkëshorti ideal’? Pse është synim jorealist të gjesh një bashkëshort?
Sh. K., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Artikulli nuk thoshte se martesa në vetvete është synim jorealist. Artikulli fliste në lidhje me synimin për ‘bashkëshortin ideal’. Sipas kontekstit të artikullit, fjala «ideal» i referohet një bashkëshorti të patëmetë, domethënë pa cilësi negative. Përpjekjet për të gjetur një bashkëshort të tillë janë të kota për dy arsye. Së pari, një person i tillë nuk ekziston. (Romakëve 3:23) Së dyti, kur ke këtë synim, përqendrohesh tek ajo që do të marrësh nga martesa e jo tek ajo që do të japësh. Në këtë aspekt, edhe disa të martuar synojnë në mënyrë jorealiste ta ndryshojnë bashkëshortin e ta kthejnë në atë që, sipas tyre, është bashkëshorti «ideal». Përkundrazi, një martesë e fortë është bashkimi i dy njerëzve që ia dinë papërsosmëritë njëri-tjetrit, por ‘vazhdojnë të durojnë dhe të falin bujarisht njëri-tjetrin’.—Kolosianëve 3:13.