Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ujëvara e Mërçisonit​—Pjesa unike e Nilit në Ugandë

Ujëvara e Mërçisonit​—Pjesa unike e Nilit në Ugandë

Ujëvara e Mërçisonit​—Pjesa unike e Nilit në Ugandë

«Kjo ishte ujëvara më madhështore e Nilit.»​—Eksploruesi anglez sër Samuel Uajt Bejkër.

UJËVARAT kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen dhe admirimin e njerëzve. Tingujt terapeutikë të ujit që bie teposhtë mbi shkëmb dhe mjegulla e butë dhe e freskët që shpesh ngrihet nga ujëvara, u falin vizitorëve të panumërt orë të tëra çlodhjeje.

E njëjta gjë vlen edhe për ujëvarën e Mërçisonit * në Ugandë. Lumi Nil përshkon një distancë prej më shumë se 6.400 kilometrash dhe disa e quajnë këtë ujëvarë si pjesa më spektakolare e tij. Vërtet që nuk ka lartësinë e Ujëvarës Angel në Amerikën Jugore ose nuk ka të njëjtën prurje si Ujëvara Viktoria në Afrikë ose Ujëvara Niagara në Amerikën e Veriut. Por bukuria dhe forca e Ujëvarës së Mërçisonit të lë mbresa të pashlyeshme.

Historia e Ujëvarës së Mërçisonit

Ujëvara e Mërçisonit është vetëm një nga pjesët më të veçanta të Parkut Kombëtar të Ujëvarës së Mërçisonit që zë një sipërfaqe prej 3.841 kilometrash katrorë. Parku, që ndodhet në veriperëndim të Ugandës, u hap në vitin 1952. Bejkëri e vizitoi ujëvarën në fillim të viteve 60. Në librin e tij The Albert N’yanza, ai përshkruan momentin kur e pa ujëvarën për herë të parë.

«Sapo kaluam qoshen,—shkruante ai,—një pamje e mahnitshme na u shpalos para syve. . . . Ujëvara ishte e bardhë si bora, dhe kjo kishte një efekt fantastik sepse binte në kontrast me shkëmbinjtë e errët përreth ujëvarës. Kurse palmat e hijshme të tropikut dhe bananet përsosnin bukurinë e peizazhit. Kjo ishte ujëvara më madhështore e Nilit.» Bejkëri e quajti Ujëvara e Mërçisonit në nder të presidentit të Shoqatës Mbretërore Gjeografike.

Si ta shohësh?

Një mënyrë e shkëlqyer për ta parë ujëvarën është me varkë. Xhiroja fillon te vendi i quajtur Pará dhe u jep mundësi vizitorëve të provojnë kënaqësi magjepsëse duke shëtitur Nilin ndërsa shohin kafshët nga një distancë e sigurt. Hipopotamët i sheh ngado, e po kështu edhe elefantët e mëdhenj afrikanë, krokodilët dhe buajt. Vizitori për pak mund të hutohet pas kafshëve të egra e të mrekullueshme të Nilit dhe të harrojë që ka ardhur për të parë ujëvarën. Por vetëm kur mbërrin tek ujërat borë të bardha që duken sikur po shpërthejnë nga shkëmbi, e kupton pse Bejkërit i kishte bërë aq përshtypje.

Megjithëse shumë vizitorë e shijojnë plotësisht pamjen e ujëvarës nga varka, edhe pamja nga sipër ka magjinë e saj. Disave u pëlqen më shumë pamja nga sipër. Nga aty shihet Nili 49 metra i gjerë që shtrëngohet për t’u futur në një grykë 6 metra të gjerë dhe pastaj derdhet 40 metra teposhtë. Kjo është përshkruar si «një nga vërshimet më të fuqishme të ujit që gjenden në botë». Vizitorët ndonjëherë ndiejnë një dridhje të lehtë të tokës ndërsa uji vërshon përmes grykës e zbret poshtë.

Bejkëri tregon përshtypjet e tij pak para se të shihte ujëvarën. Ai tha se dëgjoi një zhurmë gjëmuese kur kishte dalë për shëtitje herët në mëngjes. Mendoi se ishin zhurmat e një vetëtime të largët, por u habit kur zbuloi që vinin nga ujëvara.

Çdo vit, ashtu si Bejkëri, mijëra veta mbeten pa fjalë nga bukuria dhe fuqia e kësaj pamjeje spektakolare. Kur sheh forcën me të cilën ujërat e saj vërshojnë poshtë në thellësi, zor se e harron kollaj. Ujëvara e Mërçisonit është vërtet një pjesë unike e Nilit.

[Shënimi]

^ par. 4 Ajo njihet edhe me emrin Ujëvara e Kabalegës ose e Kabaregës.

[Kutia dhe figura në faqen 17]

Parku Kombëtar i Ujëvarës së Mërçisonit

Nga regjistrimi i vitit 1969, rezultoi se në park jetonin rreth 14.000 hipopotamë, 14.500 elefantë dhe 26.500 buaj. Në dekadat që pasuan, pati një rënie drastike në numrin e këtyre kafshëve. Kohët e fundit, si rrjedhojë e përpjekjeve për mbrojtjen e kafshëve, shifrat po rriten përsëri. Tani këto pyje janë shtëpia e shumë primatëve, si e shimpanzeve dhe babuinëve, kurse savanat sigurojnë kullota për kafshë të tilla si xhirafat dhe antilopat brilakuar të Xheksonit. Në fakt, brenda parkut janë identifikuar mbi 70 lloje gjitarësh dhe mbi 450 lloje shpendësh.

[Burimi i figurës në faqen 16]

Fotografitë në faqet 16 dhe 17: me mirësjellje nga Uganda Wildlife Authority