A na kërkohet të mbajmë një ditë të shenjtë çdo javë?
Pikëpamja e Biblës
A na kërkohet të mbajmë një ditë të shenjtë çdo javë?
ANEMBANË globit, miliona myslimanë, judenj dhe nga ata që thonë se janë të krishterë, kanë caktuar një ditë çdo javë për aktivitete fetare të veçanta. Përse? Ibrahimi, për shembull, një mysliman i devotshëm që shkon në xhami çdo të premte për t’u lutur dhe për të dëgjuar predikimin, shpjegon: «Dua të ndihem afër Perëndisë dhe të gjej paqe mendore.»
A thotë Bibla se Perëndia kërkon që të mbajmë një ditë të shenjtë çdo javë? A është adhurimi në një ditë të caktuar çelësi për të pasur një marrëdhënie të mirë me Perëndinë?
Një rregullim i përkohshëm
Më shumë se 3.500 vjet më parë, Perëndia përdori profetin Moisi për të dhënë një numër të caktuar ligjesh të veçanta. Në to përfshihej një sistem ditësh pushimi ose sabatesh që ishin caktuar për adhurim. Dita e pushimit që mbahej më shpesh, ishte sabati javor. Ai fillonte të premten në perëndim të diellit dhe vazhdonte deri të shtunën në perëndim të diellit.—Dalja 20:8-10.
A duhej ta mbanin të gjitha kombet atë ditë pushimi të përjavshme? Jo. Ligji i Moisiut iu dha vetëm izraelitëve dhe prozelitëve të tyre. Perëndia i tha Moisiut: «Bijtë e Izraelit do ta mbajnë sabatin . . . Është një shenjë brez pas brezi mes meje dhe bijve të Izraelit.» *—Dalja 31:16, 17.
Bibla thotë se Ligji i Moisiut ishte ‘një hije e gjërave që do të vinin’. (Kolosianëve 2:17) Pra, Sabati ishte pjesë e një rregullimi të përkohshëm për adhurim që paraqiste një rregullim më të madh në të ardhmen. (Hebrenjve 10:1) Bibla tregon se nga pikëpamja e Perëndisë, Ligji që iu dha Izraelit, ku përfshihej edhe kërkesa për të mbajtur sabatin javor, mori fund me vdekjen e Jezuit. (Romakëve 10:4) Çfarë e zëvendësoi?
Një mënyrë e re adhurimi
Forma e adhurimit të pranueshëm për Perëndinë pasi Ligji i Moisiut e kishte përmbushur qëllimin e tij, përshkruhet qartë në Bibël. A përfshihet në të edhe adhurimi në një ditë specifike çdo javë?
Shkrimet tregojnë se disa urdhërime që iu dhanë Izraelit, vlenin edhe për ata në kongregacionin e krishterë. Ndër këto ishin urdhërimet për t’u përmbajtur nga idhujtaria, kurvëria dhe ngrënia e gjakut. (Veprat 15:28, 29) Por, vlen të përmendet se urdhërimet për sabatin javor nuk ishin ndër ato që iu dhanë të krishterëve.—Romakëve 14:5.
Çfarë thotë tjetër Bibla për mënyrën si adhuronin të krishterët e shekullit të parë? Ata mblidheshin rregullisht për t’u lutur, për të lexuar shkrime, për të dëgjuar fjalime dhe për të kënduar në lavdi të Perëndisë. (Veprat 12:12; Kolosianëve 3:16) Në këto mbledhje, të krishterët merrnin udhëzime, forconin besimin dhe inkurajonin njëri-tjetrin.—Hebrenjve 10:24, 25.
Bibla nuk thotë në asnjë vend se mbledhjet e krishtere duhej të mbaheshin të dielën ose
ndonjë ditë tjetër të caktuar të javës. Po atëherë, pse shumë nga ata që thonë se janë të krishterë, e mbajnë të dielën si një ditë të shenjtë? Adhurimi ditën e diel u bë zakon pasi Bibla kishte mbaruar së shkruari dhe pasi kishin filluar të shfaqeshin një sërë bindjesh e traditash jobiblike.A caktoi Perëndia më vonë një ditë të përjavshme për t’u mbledhur së bashku e për ta adhuruar? Jo. I gjithë modeli për adhurimin e vërtetë, shpjegohet me hollësi në Bibël. Shkrimeve të Shenjta nuk u janë shtuar shkrime të tjera të frymëzuara. Apostulli Pavël shkroi nën frymëzim: «Edhe sikur ne ose ndonjë engjëll nga qielli t’ju shpallte si lajm të mirë diçka që shkon përtej asaj që ju kemi shpallur si lajm të mirë, qoftë i mallkuar!»—Galatasve 1:8.
Adhurim freskues që i pëlqen Perëndisë
Megjithëse udhëheqësit fetarë në ditët e Jezuit mbanin me rreptësi një ditë të shenjtë në javë, Perëndia nuk e pranonte adhurimin e tyre, sepse ata ishin të ligj në zemër. Ishin të dashuruar pas parave dhe i përçmonin njerëzit e thjeshtë e të përulur. Dëshironin të shquheshin, ishin të korruptuar dhe mjaft të përfshirë në lëvizjet politike të atyre kohëve. (Mateu 23:6, 7, 29-33; Luka 16:14; Gjoni 11:46-48) Pretendonin se përfaqësonin Perëndinë. E megjithatë, edhe pse Perëndia kishte për qëllim që sabati të ishte burim freskimi, ata e kthyen në një sistem shtypës me rregulla të nxjerra nga njerëzit.—Mateu 12:9-14.
Është e qartë se mbajtja e një dite të shenjtë çdo javë nuk është në vetvete çelësi i adhurimit që i pëlqen Perëndisë. Çfarë nevojitet? Jezui bëri këtë ftesë të bukur: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj.» (Mateu 11:28) Adhurimi që bazohet vërtet në mësimet e Jezuit, është mjaft freskues. Është pa hipokrizi dhe pa rite që bëhen barrë.
Përreth botës, Dëshmitarët e Jehovait ndjekin nga afër modelin e adhurimit që praktikohej nga dishepujt e Jezuit. Dëshmitarët ndjekin një program javor ku marrin mësime nga Bibla. Ditët e mbledhjeve të tyre vendosen në bazë të rrethanave lokale, jo traditave të pabazuara në Shkrime. Pse të mos shkoni në një prej këtyre mbledhjeve që mbahen afër shtëpisë suaj dhe të provoni vetë çfarë do të thotë adhurim freskues?
[Shënimi]
^ par. 7 Shprehja biblike «brez pas brezi» nuk do të thotë medoemos përgjithmonë. Ajo nënkupton edhe një periudhë kohore të gjatë, të pacaktuar.
A DONI TË DINI?
● A duhet ta adhuroni Perëndinë në një ditë të caktuar të javës?—Romakëve 10:4; 14:5.
● Pse duhet të mblidhemi së bashku për adhurim?—Hebrenjve 10:24, 25.
● Cili është çelësi i një adhurimi vërtet të kënaqshëm?—Mateu 11:28.
[Tabela dhe figurat në faqet 10, 11]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
E MARTË
E MËRKURË
1 E ENJTE
2 E PREMTE
3 E SHTUNË
4 E DIEL