Nga lëvorja te shishja—Historia e tapës
Nga lëvorja te shishja—Historia e tapës
A përfytyroni dot një lëvore peme që luan rol të rëndësishëm në prodhimin e motorëve, të shampanjës, të topave të kriketit e të bejzbollit, një lëvore që për mijëra vjet u ka bërë punë qoftë peshkatarëve, qoftë zonjave elegante, e madje është përdorur edhe në kozmos? Ç’është më e çuditshmja, kjo lëvore e veçantë i kryen të gjitha këto pa u dashur të pritet pema.
TAPA është shtresa e jashtme e lëvores së lisit të tapës. Ama, kjo nuk është lëvore dosido. Është e lehtë, zjarrduruese dhe elastike.
Vit pas viti, lisi i tapës e prodhon me bujari këtë lëvore rezistente. Po të mos hiqet, ajo mund të arrijë trashësinë 25 cm, një veshje e dobishme që e mbron pemën nga të nxehtët, të ftohtët dhe zjarret që bien në pyje. Nëse lëvorja zhvoshket, druri i tapës formon avash-avash një mbulesë tjetër për afro dhjetë vjet.
Portugalia siguron rreth 55 për qind të prodhimit botëror të tapës, Spanja rreth 30 për qind dhe vendet e tjera (përfshirë Algjerinë, Francën, Italinë, Marokun dhe Tunizinë) 15 përqindëshin tjetër. *
Me shumë përdorime
Romakët dhe grekët kuptuan se ky material ishte i përkryer për tapat e rrjetave të peshkimit dhe se me të bëheshin sholla të rehatshme sandalesh. Siç duket, e përdornin edhe për të mbyllur shtambat. Meqë e ruan elasticitetin edhe në temperatura të larta, tapa është ideale për guarnicionet e motorëve. Atë e gjen edhe në panelet kundër nxehtësisë që përdoren në disa anije kozmike.
Pllakat prej tape janë shumë të kërkuara për zbukurimin e mureve dhe dyshemeve, ngaqë pëlqehet si pamja, edhe vetia izoluese e tapës. Edhe për prodhuesit e artikujve sportivë, tapa është e pazëvendësueshme për bërthamën e topave të bejzbollit dhe për dorezat e kallamave të peshkimit. Por dihet që përdorimi më i njohur i këtij materiali është si tapë për shishe vere e shampanje.—Shih kutinë «Kapaku ideal».
Mike e ambientit
Një pyll i shëndetshëm me dru tape dëshmon se njeriu mund të punojë në harmoni me natyrën, të vjelë të mirat e saj pa shkatërruar pasuritë natyrore. Këta lisa të moçëm stolisin peizazhin, u bëjnë hije dhe u
sigurojnë ushqim gjedhëve që kullotin nën gjethnajën e tyre dhe zbutin vapën e padurueshme të verës.Mbijetesa e disa shpendëve që rrezikojnë të zhduken, ndër të cilët shqiponja mbretërore, shkaba e zezë dhe lejleku i zi, varet nga këta lisa madhështorë, mjaft të përshtatshëm për foletë e tyre. Këto pyje janë fortesa e fundit edhe për rrëqebullin iberik që është në prag të zhdukjes. Kohët e fundit, Fondi Botëror për Natyrën (WWF) deklaroi se mbijetesa e këtij lloji varet nga mbarëvajtja e industrisë së tapës në Spanjë e Portugali.
Kështu, herën tjetër kur të hiqni tapën e një shishe vere, ndaluni një hop për ta vlerësuar. Po mbani në dorë një material natyror, të ripërtëritshëm dhe të dekompozueshëm. Madje, përdorimi i tapës mbron ambientin. Ç’mund të kërkoni më tepër nga një pemë?!
[Shënimi]
^ par. 5 Lisi i tapës rritet edhe në pjesë të tjera të botës, por për tregti tapa prodhohet kryesisht në pellgun e Mesdheut, ku kjo pemë rritet në natyrë.
[Kutia dhe figura në faqen 20]
«Kapaku ideal»
Migel Elena, drejtor i Institutit për Tapën, Drurin e Qymyrin, me qendër në rajonin e Ekstremadurës, Spanjë, na thotë më shumë për përdorimin e tapës si kapak shishesh.
Sa i efektshëm është ky material për të mbyllur shishet?
Kam parë të hiqen tapa nga shishe mbi 100-vjeçare dhe vera ishte ruajtur për bukuri. Ky material është kapaku ideal.
Sa e vjetër duhet të jetë pema që t’i përdoret lëvorja për këtë qëllim?
Për tapa cilësore, pema duhet të jetë të paktën 50-vjeçare, edhe pse prodhimi i parë mund të merret 25 vjet pasi mbillet fara. S’do mend, nuk para ka njerëz që janë gati të investojnë për një kulturë që u sjell fitime pas 50 vjetësh. Në fakt, nuk më vjen në mend ndonjë industri që i duhet të presë kaq gjatë për të vjelë fitime.
Sa është jetëgjatësia e lisit të tapës?
Kjo pemë e ka jetëgjatësinë rreth 200 vjet dhe disa ekzemplarë jetojnë shumë më gjatë. Tapa mblidhet çdo nëntë vjet.
Ç’po bëhet që të sigurohet vazhdimësia e prodhimit?
Bashkimi Evropian dhe autoritetet lokale ofrojnë shpërblime për të nxitur mbjelljen e lisave të tapës. Kështu, vitet e fundit kemi mbjellë mjaft hektarë me pyje lisi dhe kemi përmirësuar ata ekzistues.
Ç’hapa janë marrë së fundi për të çuar para prodhimin?
Dy dekadat e fundit kemi bërë shumë kërkime që të përzgjedhim farat më të mira. Gjithashtu, që të përmirësojmë produktin, bashkëpunojmë nga afër me vende të tjera që prodhojnë tapë. Kemi futur në përdorim një sharrë dore të vogël, me të cilën vjelësit mund ta heqin më mirë lëvoren—një punë që për shekuj është bërë me sëpatë.
[Figura në faqen 19]
Pas çdo zhvoshkjeje, lëvorja rritet prapë
[Figura në faqen 19]
Punëtorë të zotë e heqin lëvoren me merak
[Figura në faqen 19]
Pllakat e tapës vihen stivë, gati për hapin tjetër
[Figura në faqen 19]
Tapat cilësore akoma priten me dorë
[Figura në faqet 18, 19]
Me mbetjet dhe copëzat bëhen tapa e produkte të tjera kokërrzore