Këshilla për sigurinë e të moshuarve
Këshilla për sigurinë e të moshuarve
NJË vajzë rrëshqet në një pistë patinazhi. Papritur i ngatërrohen këmbët e bie. Në pak sekonda ngrihet përsëri pa pësuar asgjë, vetëm disi në siklet. Një grua e moshuar pengohet e bie në shtëpi dhe thyen legenin. Operohet dhe kalon muaj të tërë që të rimarrë veten. E frikësuar akoma më shumë se mos rrëzohet sërish, përpiqet të lëvizë sa më pak dhe bie gjithnjë e më tepër fizikisht.
Në një vend në Perëndim, bien çdo vit më shumë se një e treta e të moshuarve mbi 65 vjeç. Madje, në këtë grup-moshë, rëniet janë faktori kryesor i vdekjeve nga aksidentet. Me të drejtë Bibla thotë për të moshuarit: ‘Frikësohen nga ajo që është e lartë dhe kanë tmerre udhës.’—Eklisiastiu 12:5.
Edhe pse me pleqërinë vijnë probleme fizike, mund të bëni hapa praktikë që ta ruani më mirë veten dhe të përmirësoni cilësinë e jetës. Së pari, mund të përpiqeni në mënyrë të arsyeshme të ruani shëndetin dhe fuqinë. Së dyti, mund të minimizoni rreziqet në shtëpi.
Ruani shëndetin dhe fuqinë
Ndërsa plakemi, mund të mos arrijmë t’i koordinojmë mirë lëvizjet, mund të na keqësohet shikimi dhe të humbim ekuilibrin. Mund të bëhemi më të brishtë teksa na dobësohen muskujt e kockat. Megjithatë, aktiviteti i rregullt fizik dhe zakone të mira të të ushqyerit mund ta ngadalësojnë rënien. Nita, një fizioterapiste, thotë: «Është e rëndësishme të bëni fizkulturë që ju ndihmon të përmirësoni ekuilibrin, qëndrimin e trupit, fuqinë dhe të jeni sa më elastikë.»
Një botim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Publike të SHBA-së, thotë: «Pavarësisht nga shëndeti e aftësitë fizike, të moshuarit mund të përfitojnë shumë po të qëndrojnë aktivë fizikisht. Edhe nëse e keni të vështirë të rrini në këmbë ose të ecni, mund të bëni fizkulturë e të nxirrni dobi. Në fakt, në pjesën më të madhe të rasteve, do të humbni më shumë po të mos bëni asgjë.» * Ndër të tjera, aktiviteti fizik mund t’ju ndihmojë të luftoni sëmundjet e zemrës, dhembjen e kyçeve, osteoporozën dhe depresionin. Mund t’ju përmirësojë qarkullimin e gjakut, tretjen dhe gjumin, si dhe t’ju rritë sigurinë te vetja e t’ju zhdërvjellë mendjen.
Nëse nuk jeni mësuar të bëni ushtrime fizike, do të ishte e mençur që më parë të flitni me mjekun. Gjithashtu, këshillohuni me të edhe po t’ju vijë të fikët ose të ndieni dhembje në kraharor ndërsa bëni ushtrime. Faktikisht, në raste të tilla, do të ishte mirë të thërritnit urgjencën. Mos i shpërfillni simptoma të tilla!
Këshillohet edhe që të bëni një vizitë tek okulisti një herë në vit.Për sa i përket dietës, shmangni ushqimet që nuk kanë vitamina dhe minerale, ndonëse mund të përgatiten kollaj. Të moshuarit kanë nevojë veçanërisht për ushqim me shumë vitaminë D dhe kalcium, që ndihmojnë për forcimin e kockave ose të paktën ngadalësojnë dobësimin e tyre. Prandaj, përpiquni të hani vakte që përmbajnë brumëra me drithë të papërpunuar, bulmetra me pak yndyrë dhe fruta e perime të freskëta. Flitni me mjekun tuaj para se të bëni ndryshime të mëdha në zakonet e të ushqyerit. Ai mund t’ju thotë se cilat ushqime ju bëjnë mirë dhe cilat jo, në varësi të problemeve tuaja shëndetësore.
Përveç këtyre gjërave, mundohuni të pini shumë ujë. Çhidratimi, që është i zakonshëm te të moshuarit, sidomos kur jetojnë vetëm ose në azile, mund t’i bëjë më të prirur që të bien, të hutohen, të vuajnë nga kapsllëku, të kenë një lëkurë pak elastike, të preken nga infeksionet e madje të vdesin.
Minimizoni rreziqet në shtëpi
Shumica e rënieve ndodhin në shtëpi. Megjithatë, nëse paraprakisht merrni disa masa praktike, mund ta pakësoni ndjeshëm këtë rrezik. Mendoni për shtëpinë tuaj ndërsa lexoni më poshtë.
Banja:
● Merrni masa që të mos rrëshqitni kur dyshemeja është e lagur.
● Dushi ose vaska duhet të kenë një shtrojë a veshje kundër rrëshqitjes, dhe nëse keni një ndenjëse dushi, duhet të jetë sa më afër rubinetit. Mund të jetë e dobishme ta keni kokën e dushit të lëvizshme, kështu që mund të rrini ulur kur laheni.
● Është mirë të keni shufra mbështetëse ku të kapeni kur hyni e dilni nga dushi a vaska ose kur përdorni tualetin. Këto shufra duhet të jenë të forta e të montuara mirë. Gjithashtu, sigurohuni që ndenjësja e WC-së të jetë aq e lartë sa mund të uleni e ngriheni pa u sforcuar shumë.
● Mbani gjithnjë në prizë një llambushkë nate ose përdorni elektrik dore.
Shkallët:
● Duhet të jenë gjithnjë të lira, të mirëmbajtura dhe të ndriçuara mirë.
● Duhet të kenë parmakë të qëndrueshëm, mundësisht në të dyja anët, shirita antirrëshqitës dhe çelësa drite që ndizen e fiken si në fillim edhe në fund të shkallëve.
● Ngjitja dhe zbritja e shkallëve mund t’i ndihmojë të moshuarit t’i mbajnë këmbët të forta. Megjithatë, nëse keni probleme me ekuilibrin, mundohuni të mos i bëni shkallët vetëm.
Dhoma e gjumit:
● Lini hapësirë të mjaftueshme midis krevatit dhe orendive të tjera që të lëvizni lehtësisht.
● Mbani një karrige ku mund të uleni për t’u veshur.
● Mbani një llambë ose elektrik dore afër kur jeni në krevat.
Kuzhina:
● Banaku i punës duhet të jetë i lirë që të vendosni kollaj çantën e pazarit dhe gjëra të tjera.
● Dyshemeja e kuzhinës nuk duhet të jetë e rrëshqitshme dhe e shkëlqyeshme.
● Gjërat në dollapë nuk duhet të jenë as tepër lart as fare poshtë, por të merren lehtësisht pa ndihmën e të tjerëve. Përpiquni të mos përdorni shkallë ose stol dhe mos hipni kurrë në karrige!
Të përgjithshme:
● Mbani në prizë llambushka që ndriçojnë rrugën kur shkoni në banjë ose në ndonjë vend tjetër gjatë natës.
● Mund të ishte mirë që të përdornit një bastun ose mbështetëse për ecje gjatë natës kur jeni të përgjumur.
● Karriget duhet të jenë të qëndrueshme (pa rrota), me krahë dhe aq të larta sa të uleni e të ngriheni kollaj.
● Që të mos pengoheni, rregulloni, zëvendësoni ose hiqni tapetet e shqepur, linoleumin e
ngritur ose pllakat e thyera. Kabllot elektrike të kalojnë përgjatë mureve dhe jo në mes të rrugës.● Rrugicat mund t’ju pengojnë dhe duhet t’i hiqni kur janë mbi moket e tapet. Nëse dyshemeja është e rrëshqitshme, për shembull me pllaka ose parket, rrugicat duhet të fiksohen me shirita antirrëshqitës.
● Përpiquni të mos vishni shapka të lira, të konsumuara, që nuk kanë thembër ose që kanë shollë të rrëshqitshme. Mos vishni sandale ose këpucë me taka të larta.
● Disa ilaçe mund të shkaktojnë marrje mendsh ose humbje ekuilibri. Nëse ndiheni kështu pasi keni marrë ilaçet, flitni me mjekun. Ai mund t’ju ndryshojë dozën ose vetë ilaçin.
Nëse shihni se shtëpia juaj ka nevojë për ndonjë nga këto rregullime që nuk mund t’i bëni vetë, pse të mos kërkoni ndihmën e familjarëve, miqve ose të personelit përgjegjës për mirëmbajtjen e banesave? Bëjini sa më shpejt këto rregullime!
Çfarë mund të bëjnë të tjerët
Nëse keni prindër, gjyshër ose miq të moshuar, çfarë mund të bëni që t’i ndihmoni të shmangin rreziqet e rënies. Ndoshta mund të diskutoni me takt pikat e lartpërmendura dhe t’i ndihmoni të marrin masa që të bëjnë rregullimet e nevojshme. Sipas nevojës, mund të përgatitni për ta një a dy vakte të shëndetshme çdo javë. Gjithashtu, të moshuarit kanë nevojë të lëvizin përditë. A mund t’i merrni për një shëtitje, mbase teksa bëni punët tuaja? Shumë të moshuar do të kënaqeshin të dilnin, nëse do të kishin pranë dikë të besueshëm. Në disa vende qeveria ofron asistencë, për shembull u siguron fizioterapinë e nevojshme, kontrollon sigurinë e shtëpisë dhe dërgon dikë që kujdeset për ta në shtëpi. Mjeku juaj duhet të jetë në gjendje t’ju orientojë lidhur me këto shërbime.
Krijuesi ynë, i cili është quajtur «i Lashti i Ditëve», kërkon që të tregojmë respekt për të moshuarit, veçanërisht për prindërit. (Danieli 7:9) Ai urdhëron: «Ndero atin dhe nënën tënde.» (Dalja 20:12) Gjithashtu, thotë: «Duhet të ngrihesh në këmbë para flokëzbardhurit. Trego nderim për të moshuarin dhe frikësoju Perëndisë tënd.» (Levitiku 19:32) Po, respekti për të moshuarit faktikisht tregon frikë të shëndetshme për Perëndinë. Nga ana tjetër, kur të moshuarit tregojnë mirënjohje të sinqertë për ndihmën që u jepet, të bëjnë t’i duash e t’i nderosh me respekt. Ndihmën që u japim atyre, nuk duhet ta shohim si detyrim, por si kënaqësi.
[Shënimi]
^ par. 7 Në revistën Zgjohuni!, 22 maj 2005, shqyrtohen më me hollësi dobitë që vijnë kur bëhet rregullisht fizkulturë.
[Kutia dhe figurat në faqen 15]
SINJALIZUES ELEKTRONIKË NË RAST URGJENCE
Në disa vende, të moshuarit mund të marrin një pajisje elektronike të vogël që mund ta përdorin në rast urgjence, për shembull, kur bien keq. Me anë të saj, mund të kërkojnë ndihmë vetëm duke shtypur një buton. Kjo pajisje mund të varet në qafë ose të vihet në kyçin e dorës. Nëse ky shërbim ofrohet në vendin tuaj, pse të mos përfitoni, sidomos nëse jetoni vetëm.