Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë i tërheq njerëzit drejt okultizmit?

Çfarë i tërheq njerëzit drejt okultizmit?

Çfarë i tërheq njerëzit drejt okultizmit?

PËRGJIGJJA e kësaj pyetjeje varet shumë nga vendi ku jeton ose edhe nga bindjet fetare dhe formimi kulturor. Ç’gjë i tërheq njerëzit drejt okultizmit në vendin tënd? Mbase i josh ndonjë nga gjërat e mëposhtme.

Kureshtja: Nga natyra, njerëzit janë kureshtarë, dhe okultizmi mbulohet me një vello misteri. Prandaj, disa hamenden nëse pas okultizmit qëndron ndonjë fuqi e fshehtë. Të tjerë ndoshta shohin letrat tarot ose lexojnë horoskopin për të parë nëse del i vërtetë. Ka edhe nga ata që ndjekin seanca spiritiste ose këshillohen me mediume.

Zbavitja: Vitet e fundit kanë vërshuar lloj-lloj zbavitjesh​—libra, filma e lojëra kompjuterike​—që bazohen në tema okulte dhe në besëtytni pagane fetare të lashtësisë. Disa nga këto përmbajnë skena të gjalla me dhunë e seks.

Ankthi për të nesërmen: Bibla paratha: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.» (2 Timoteut 3:1) Kohët tona janë vërtet të vështira dhe shumë njerëz kërkojnë drejtim nga ata që merren me okultizëm, si: astrologët, mediumet dhe ata që lexojnë dorën ose filxhanin. Një fallxhor tha: «Ky është ndër bizneset e pakta që s’është prekur nga rënia ekonomike. Zakonisht njerëzit nuk vijnë te ne kur janë të lumtur.» Një mediume në Kanada, tregonte: «Krejt papritmas, po më telefonojnë biznesmenë profesionistë që marrin nga linjat private të zyrave ose pëshpëritin nga celulari në korridor.» Ajo shtonte: «Dikur këta ishin skeptikë dhe ndiheshin në siklet të këshilloheshin me një fallxhor.»

Sëmundjet: Në disa vende, ata që kanë një sëmundje të rëndë, shpesh heqin dorë nga mjekësia e zakonshme dhe u drejtohen shëruesve popullorë që përdorin metoda okulte. Ndodh që faji për sëmundjen e tyre i vihet një mallkimi a magjie. Për të hequr magjinë, miqtë a të afërmit e të sëmurit kërkojnë ndihmën e dikujt që ysht ose merret me spiritizëm, i cili mund të kërkojë një shumë të majme.

Dëshira për t’u mbrojtur dhe për mbarësi: Në disa vise të Afrikës, fshatarët paguajnë një «profet» të ndonjë kishe karizmatike, që të dëbojë nga fshati frymërat e këqija. Në një nga ritualet, pinë përzierje të veçanta dhe «ujë të shenjtë». Tjetërkund, njerëzit shkojnë te mediumet për t’i sjellë fat një shtëpie të re ose edhe një varri, pasi besojnë se frymërat e të vdekurve mund t’u sjellin mbarësi.

Ruajtja e fëmijëve nga rreziqet: Në Papua Guinenë e Re, një nënë mund të mos pranojë të dalë natën me foshnjën e sapolindur. Pse? Nga frika se mos frymërat e liga i bëjnë keq fëmijës. Në Ugandë, nënat zakonisht u vënë foshnjave në kyçin e dorës a të këmbës një byzylyk, nganjëherë me rruaza ose guaska, që t’i mbrojnë nga e keqja.

Vdekja e një të afërmi: Shkrimtari britanik Artur-Konan Dojëll humbi në Luftën I Botërore të birin, vëllanë, kunatin dhe një nip. Të tronditur e të zhytur në dëshpërim, Dojëlli dhe e shoqja ndoqën seanca spiritiste, me shpresë që të flitnin me të birin e vdekur. Edhe sot shumë njerëz këshillohen me mediume, ngaqë duan të flasin me të afërmit e vdekur. Në disa vende, fetë tradicionale dhe kishat e ashtuquajtura të krishtere mësojnë se vdekja vjen nga një veprim dashakeq i frymërave të zemëruara. Për të parandaluar vdekje të tjera në zonën e tyre, njerëzit detyrohen të bëjnë një sërë ritualesh të kushtueshme.

Frika nga të vdekurit: Bindjet rreth vdekjes dhe të vdekurve kanë ndikuar thellë te njerëzimi. Prandaj, në mjaft vende bëjnë lloj-lloj ritualesh, si për shembull, shtrojnë një gosti në përvjetorin e vdekjes së të ndjerit ose edhe vetëdëmtohen, që të qetësojnë të vdekurit a «të provojnë» dashurinë për ta. Mes disa popujve të ishujve të Paqësorit, vejushat dhe vejanët detyrohen të vishen me të zeza, të mbajnë zi për muaj të tërë dhe të rrinë mbyllur në shtëpi pa ngrënë ushqimet që i pëlqenin të ndjerit. Ata që ndjekin këtë zakon, mund të bien në depresion, të sëmuren nga uria, e madje edhe të vdesin.

Është e qartë se ka shumë karrema që i ndjellin njerëzit drejt okultizmit. Pra, sa e rëndësishme është të kuptojmë cili është burimi i vërtetë i mësimeve okulte. Për këtë, le t’i drejtohemi Biblës, të vetmit libër që na tregon tablonë e plotë.