Retina e kthyer së prapthi
A është projektuar?
Retina e kthyer së prapthi
● Syri i njeriut ka një retinë. Ajo është një membranë që ka afro 120 milionë qeliza të quajtura fotoreceptorë, që thithin rrezet e dritës dhe i kthejnë në impulse elektrike. Këto impulse truri i interpreton si imazhe pamore. Evolucionistët shprehen se vendi ku është vendosur retina në syrin e vertebrorëve, domethënë gjallesat me shtyllë kurrizore, vërteton se syri nuk është projektuar.
Shqyrtoni faktet: Retina e vertebrorëve është e kthyer së prapthi në kuptimin që fotoreceptorët gjenden në pjesën e prapme të saj. Që të arrijë deri te këta fotoreceptorë, drita duhet të kalojë disa shtresa qelizash. Sipas biologut evolucionist Kenet Miler, «kjo vendosje bën që drita të shpërndahet dhe kështu të kemi një shikim më pak të mprehtë se ç’është e mundur».
Pra, evolucionistët thonë se retina e kthyer së prapthi është provë e një projekti të keq, ose më saktë provon se nuk është projektuar. Madje një shkencëtar e cilësoi si një «pozicion së prapthi praktikisht të mangët». Megjithatë, kërkime të mëtejshme kanë treguar se fotoreceptorët e retinës së kthyer janë vendosur në mënyrë të përsosur ngjitur me epitelin pigmentar—një shtresë qelizash që siguron oksigjen dhe lëndë ushqyese, mjaft të rëndësishëm për një shikim të qartë. Në fakt, disa ekspertë thonë se shikimi do të cenohej seriozisht Nëse indi i epitelit pigmentar do të ishte vendosur para retinës.
Retina e kthyer së prapthi është një përparësi në mënyrë të veçantë për vertebrorët me sy të vegjël. Profesori Ronald Krëger i Universitetit të Lundit, Suedi, thotë: «Midis kristalinit të syrit dhe fotoreceptorëve, duhet të ketë njëfarë distance për të pasur shikim të mprehtë. Mbushja e kësaj hapësire [e retinës] me qeliza nervore do të thotë se krijohet një distancë që për vertebrorët është e rëndësishme.»
Për më tepër, me qelizat nervore të retinës shumë afër njëra-tjetrës dhe afër fotoreceptorëve, analizimi i informacioneve pamore është i shpejtë dhe i besueshëm.
Si mendoni? A është retina e kthyer së prapthi një strukturë me mangësi? A ka ardhur rastësisht në ekzistencë apo është projektuar?
[Diagrami në faqen 15]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Qelizat fotoreceptore
Drita
Epiteli pigmentar
Drita
Retina
Nervi optik